Dueli në qarqe: Ku luftojnë 'dhëmbë për dhëmbë' skuadrat e PS-së me PD-në

Dueli në qarqe: Ku luftojnë 'dhëmbë për dhëmbë' skuadrat e PS-së me PD-në

Deri tani komentet mbi përballjen e listave të PS-së dhe PD-së kanë qenë ose me batuta ose sipërfaqësore. Juristi i njohur Ylli Manjani i dha një qasje xhenerike ku tha se makina e ka motorin para, e ajo e PS-së mbrapa. Në fakt politikisht përballja duhet të cekë qasjen politikë të forcës politike, përfaqësimin, por edhe mesazhin apo sinjalin që ato i sjellin zgjedhësve.

Listat nuk janë kot, janë skuadra politike elektorale e partisë që del para njerëzve për të marrë vota.

Pra skuadra që hyn në betejë, nuk futet thjesht me fanelën, por merr pjesë në betejë me lojtarët, strartegjinë, taktikën, skemat, apo edhe avantazhet që analizohen në kompleksitetin e përplasjes politike.

Në disa panele, nga qarqe pranë opozitës, po konsiderohet beteja thjesht si një luftë mes Ramës dhe anti-Ramës.

Por që realisht nuk është, nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë kështu; ky argument vlen për perceptimin në kohë normale; ama në fushatë, kemi përballje idesh, karakteresh, mesazhesh, dhe normalisht skuadrash.

E si skuadra analizohen aftësitë, profilet dhe rreshtimi i tyre në fushë. Por ka edhe një gjë, kjo përballje nuk është si në zgjedhjet e shkuara; pasi bëhet fjalë për listat e hapura, ku nuk përballen vetëm ato që quhen si “të sigurtë” por që teorikisht bëhet fjalë për një garë që mund ta zgjedhin qytetarët.

Është hera e parë, megjithatë, kjo do të vihet re sa do të kuptohet dhe zbatohet nga zgjedhësit. Megjithatë ja vlen të bësh analizën e kësaj përballje.

E nisim me Shkodrën.

PS, ka rreshtuar në fushën e betejës së qarkut më verior të vendit, një sjellje të re, një intelektuale që nuk vjen nga asnjë histori militance, por e ka marrë të freskët nga shoqëria.

Ajo është Edona Bilali, që vjen nga një eksperiencë jashtë vendit, si moshë dhe mentalitet që përfaqëson të rinjtë, posaçërisht të rinjtë e shkolluar, të kualifukuar dhe aktivë në zhvillimet ekonomike e sociale që sjell koha.

Të dytin PS ka vendosur një emër që vjen nga politika por jo nga militanca; Paulin Sterkajn, deputet i Malësisë së Madhe që nga viti 2005, i cili nuk ka qenë vetëm përfaqësues i PS-së, por edhe i PD-së në zgjedhjet e vitit 2009.

Emër që në Malësinë e Madhe sidomos gjatë qeverisjes Rama ka qenë lidhësi i strategjisë që i kanë sjellë siteve të Malësisë së Madhe investimet për ta khtyer në një destinacion turistik dhe zhvillimit bujqësor.

I treti në listën e PS-së është Benet Beci, drejtor aktual i KESH, kohë më parë prej vitesh shef i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Pjesëtar i një familje me emër në Shkodër vjen si përfaqësues i sektorit publik të menaxhimit të investimeve.

I katërti, që është kufiri tradicional i rezultatit të PS-së në Shkodër, është Ilir Beqaj, kreu politik i qarkut, i cili është vënë aty për të shtyrë, jo për të tërhequr energjinë politike të skuadrës.

I pesti, që është dhe objektivi maksimal i PS-së, është Frrok Gjini, një ish-deputet demokristian, që ka kandiduar shpesh për të djathtën dhe që ka një lidhje të fortë në zonën e Vaut të Dejës dhe Pukës.

Duket se markon kunatin e tij Nard Ndoka, i cili nga PD është vendosur i teti në Shkodër. Në listën poshtë zonës së rrezikut, PS ka vendosur një grup që më shumë sesa lidhje militante, vjen si ardhje nga bota e shoqërisë apo biznesit.

Dhe këtë e ka vendosur pikërisht si një sfidë për garën. Ata janë Lela Bërdica, Pal Peraj, Kristian Shkreli, Diana Muriqi, Jona Leqejza, Alda Mema dhe Kabir Fishta. Të gjithë, një grup krejt i ri elementësh, që nuk janë individë, por drejtues në komunitetet ku ata kryejnë aktivitetin.

Partia Demokratike e ka hapur listën politikisht me një politikan: Heliton Bushatin; një deputet  që nga viti 2013, i cili është vendosur nga Basha si kreu i qarkut.

E dyta është Emilja Koliqi, nënkryetare e bashkisë së Shkodrës, e cila është vendosur për të markuar Jozefina Topallin në zonën qytetare të besimit katolik. Megjithatë është një militante e njohur e PD-së.

I treti në listë është Ramadan Likaj, një biznesmen nga Malësia e Madhe, që synohet të markojë Paulin Sterkajn. Prodhues i verës dhe agropërpunues, Likaj është realisht një ardhje nga sektori i prodhimit dhe përbën risi.

E katërta në listë nga PD në Shkodër, është  një pedagoge, Greta Barteli, e cila ka një reputacion në ambjentet akademike dhe vjen si lidhje normale me mbështetjen, pasi si nga familja e origjinës apo edhe atje ku ajo është bashkëshorte, përbëjnë emra të njohur të militancës së PD-së.

I pesti është Zef Hila, një bashkëpunëtor i vjetër i Jozefina Topallit, ish-kryetar i komunës së Bushatit, i cili cilësohet si makinë elektorale por në 2019 nuk pati mundësinë që të kandidonte për kreun e Bashkisë së Vaut të Dejës, pasi Basha bojkotoi zgjedhjet.

Listës së PD-së i mungon një motor, por ndryshe nga PS nuk ka një prurje të re. Nard Ndoka, i cili priste të ishte në listën fituese, është i teti në Shkodër. Edhe ditën më të mirë në 2009-n, PD-ja nuk e ka marrë deputetin e 8, maksimumi ka marrë gjashtë.

Në Kukës, PS ka në krye të listën, Gerta Durakun, e bija e ish-deputetit të PS-së, Shyqyri Duraku, i cili ka qenë një biznesmen i famshëm hidrokarburëesh. I dyti, aktori e pedagogu i njohur Petrit Malaj, dhe i treti Halim Dauti.

PD-ja ka vendosur në krye të të listës Flamur Hoxhën, një biznesmen fason. Të dytin në listë ka vendosur Isuf Çelën, një ish-deputet të njohur të PD-së së Tropojës. Në vend të tretë është Shyrete Koka.

Në Lezhë PS garon me Lindita Nikollën, një politikane dhe administratore veterane në vend, e cila ka qenë për disa vite kryetare e njësisë numër 1 në Tiranë, drejtuese e PS-së, më pas ministre e Arsimit dhe deputete e Lezhës. U dorëhoq si sinjal pas protestave të studentëve por pa marrë kosto politike.

I dyti është Eduard Ndreca, një drejtues politik i PS-së në qark, disa kohë prefekt dhe kreu i PS-së së zonës, dhe e treat është sërisht një grua; Shpresa Marrnoi.

Ndryshe nga PS, që i ka politikane dhe aktiviste terreni, PD-ja ka në dy numrat e parë Mark Markun e Agron Gjekmarkajn, dy panelistë që kanë vërtetuar se e gjitha ajo apologji në emisione ka pasur si epilog vetëm kandidimin për deputet.

Në Dibër, Partia Socialiste, ka sjellë sërish një risi, ku kandidon në krye të listës Lavdrim Krashin, emigrantin që vjen nga Londra, i cili pak ditë më parë u promovua nga Edi Rama. Krashi, një njohje e hershme e PS-së, synon të sjellë frymën e votat e emigrantëve dibranë në Britaninë e Madhe.

E dyta është Aurora Mara, një anëtare e listës rezervë së LSI-së në vitin 2017 në zonën e Matit, por e cila nuk pranoi të djegë mandatin. Një lëvizje që vjen si logjikë politike e sjelljes institucionale të një anëtare të opozitës.

I treti në listë është Dionis Ymeri, kryetari i Bashkisë së Dibrës, që Edi Rama e ka zbritur në betejë për ta treguar në betejë nëse vlen për njërin apo tjerën detyrë; natyrisht pas zgjedhjeve, ku PS ka si objektiv maksimal 3 mandate.

Në Durrës, lista e PS-së është e rëndë, ku Edi Rama është figura më e rëndësishme, por që ka pranuar të jetë i teti, pra në kufi. E para është Milva Konomi, ministre e Bujqësisë. Nga ana tjetër, në Durrës, PD dhe LSI premtuan se do të sfidojnë Edi Ramën, por në fund ju shmangën betejës.

PS ka edhe Lefter Kokën, deputet dhe ish-kryebashkiak i Durrësit. Në këtë qark, PD-ja si asete kryesorë ka Edi Palokën dhe Ferdinand Xheferin.

Në Elbasan të dyja listat, si të PS-së, si të PD-së, janë të forta, por PS betejën e vendos edhe poshtë nivelit të sigurisë. Ku në kufi është kreu i qarkut Taulant Balla. Ndërsa PD ka vendosur  Gazmend Bardhin dhe Flutra Açkan në krye.

Në Tiranë, PS kryeson me Luljeta Bozdon e Najada Çomon, e PD e sfidon me Lulzim Bashën e Jorida Tabokun. Sali Berisha është i pesti, e më pas janë aleatët, ku habit vendosja e Mesila Dodës në vend të sigurtë.

PS-ja në Tiranë, ka luajtur jo vetëm në zonën e rrezikut, por edhe poshtë saj. Pandeli Majko është vendosur në numrin 19, çka është objektivi minimal i mazhorancës në kryeqytet dhe i ka dhënë mundësi ish-kryeministrit të tregojë se është peshë e rëndë.

Po ashtu poshtë nivelit janë edhe Fatmir Xhafaj, por edhe emra të tjerë, ku i fundit është Tahir Muhedini, ish-bashkëthemelues i PDIU-së të Shpëtim Idrizit, që tashmë e ka braktisur atë.

Në Korçë, emri më i ri i PD-së është Sorina Kotit, i cili vjen nga Universiteti Fan Noli, ndërsa emrat e tjerë janë emra të hershëm të partisë si Edmond Spaho, Saljanji apo Andrea Mato.

PS-ja, përveç kandidimit të dy ministrave: Niko Peleshi e Olta Xhaçka, sjell dy prurje të reja si Eni Zaka apo Ilirian Topi.

Në Berat, Fier e Vlorë e Gjirokastër, natyrisht që nuk ka garë e PD synon që të rrudhë sa më shumë disfatën në qarqe…

I.K//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • PD plus LSI: 10/03/2021 17:31

    Me 25 prill ne marim ate te Noc Rrojut.

    Përgjigju
    • Toni: 18/03/2021 20:38

      Sabi ekuilibruar djali

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin