Zakonisht, kur ndodh ndonjë ngjarje e beftë shtohet interesimi i publikut të gjerë më shumë se sa e njëjta ngjarje të paralajmëruar gradualisht. Dhe, pavarësisht përmbajtjes së saj, vjen një ditë apo një javë tjetër, kur kurba e kërshërisë  fillon të shtrohet në një nivel të njëtrajtshëm, derisa ajo së shpejti mund të shuhet fare nga mendja e njerëzve.

Me këtë lloj psikoze që manifeston opinioni masiv për bëma të ndryshme në jetën e përditshme, mund të shpjegohet në një farë mase edhe njoftimi për arrestimin e papritur të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe Inspektores së Përgjithsme të saj, që qoftë edhe vetëm një ditë përpara pati vazhduar të tregonin guximim e vet të çartur. I pari të sfiduar kërkesën e shoqërisë civile për të dhënë dorëheqjen, e dyta për të sfiduar jo vetëm ushtrimin e detyrave të përcaktuara ligjërisht, por edhe thirrjet e Kuvendit të Shqipërisë që e kishte zgjedhur prej disa vitesh në postin e rëndësishëm që të jepte atje shpjegime të nevojshme.  

Por, kur themi që me njoftimin e fundit veprimi i psikozës së mësipërme mund të shpjegohet vetëm në një farë mase, kjo lidhet me faktin se hetimet rreth krimit të grabitjes së qindramiljonë lekëve nga Thesari i Shtetit kishin afro dy muaj që zhvilloheshin intensivisht me një jehonë zëlartë në media dhe në një perimetër të gjerë publik. E megjithatë, lajmi i parmbramë që rrodhi nga procesi i hetimeve të këtij krimi, njëkohësisht lajmi i parë me të vërtetë tronditës për kupolën e Bankës Qendrore, përveç një zhurmënaje të menjëhershme krjoi edhe një përshtypje të veçantë, sikur qytetarët tanë të mos kishin dëgjuar më parë asgjë çfarë kishte ndodhur në një objekt X të sigurisë së lartë.

Arsyen e kësaj shmangieje të papritur nga rutina e deritashme në komunikimet e ngjarjeve të një rëndësie të tillë e dhanë më parë se sa mediat vetë njerëzit e thjeshtë me habinë e shprehur rreth këtyre arrestimeve. Me habinë, se si u bë e mundur të bëheshin ato; se si më tepër se sa ajo Golemi, u “trimëruan” organi i akuzës dhe gjykata për t’u hedhur prangat dy zyrtarëve të lartë, të cilët vinin vazhdimisht mbi veprimet ose mosveprimet e dënueshme të tyre (siç është dukur e marrë vesh) edhe “korracën” e disa dispozitave të një ligji përkundër ligjeve të tjera.

Pra, edhe për plot nga ata që zakonisht i kanë hundët e zëna për të ndjerë fërfërimat që po fryjnë aktualisht, duke lajmëruar ardhjen së shpejti të erërave të reja dhe të forta, hapi i hedhur nga Prokuroria që formuloi akuzat dhe gjykata që miratoi masën e “arrestit me burg” fillimisht për ata të dy, ndikoi t’i bashkonte me mjaft qytetarë të tjerë. Me ata shtetas, që të neveritur nga efektet e praktikave të mëparshme të kthyera në normë mbi normën më elementarë të barazisë përpara ligjit, tani t’u zgjohej shpresa që edhe në këtë vend do të nisë të funksionojë shteti i së drejtës, në formësimin e të cilit ndikon ndjeshëm edhe ndëshkueshmëria pa selektime e individëve për aktet dëmprurëse që i shkaktojnë individëve të tjerë dhe shoqërisë në tërësi.

Kështu, kjo situatë e krijuar rishtaz të kujton apo të rikujton atë anektodën e vjetër, se kur një banori vendas, të cilit qysh prej muajit të mjaltit bashkëshortja nuk i mbetej shtatzënë, kur kjo pas kurimeve të gjata pritej të lindte dhe mamia kokulur e njoftoi për daljen në dritë të foshnjës, burri në ankthin e këtij sihariqi zuri të merrte vrapin për të lajmëruar menjëherë të afërmit. Dhe, kur mamia që i kishte hequr edhe vetë zakonet tradicionale të familjeve shqiptare e zuri ktahësh, duke  belbëzuar se zonja e tij kishte lindur vajzë, babai i kësaj vajze iu kthye pa u vrënjtur aspak: “Boll që iu shp.. njëherë zonjës, pa këtej e tutje do të bëjë edhe plot djem!”.
Mirëpo, ndërkohë ka edhe të tjerë, që edhe pas ngjarjes së fundit nuk u është davaritur skepticizmi mbi mungesën e drejtësisë së plotë dhe të vërtetë në këtë vend.

Ende nuk është davaritur ky skepticizëm i tyre, përderisa dëgjohen t’u thonë të tjerëve që, nëse me anë të një hetimi intensiv Prokuroria arriti deri këtu dhe mund të shojë më tej, a mund t’u besohet gjykatave të shqiptojnë ndaj zyrtarëve të lartë dënimet e parshikuara nga kodet?! A nuk e tha së fundmi edhe Këshilli i Europës, se korrupsioni në drejtësi shtrihet këtu cep më cep?! Ama nuk duhet shpërfillur as frika e shkarkimeve për një pjesë të madhe të prokurorëve dhe gjyqtarëve, që supozohet dhe dyshohet arsyeshëm, se janë pasuruar së tepërmi vetëm e vetëm nëpërmjet vendimeve që ndërmarrin e shpallin.

Për shkarkimet që u kërcënohen pikërisht në rrethanat e reja, kur erdhi një ditë të përfshihet edhe vendi ynë nga nisja e reformave të thella. Të reformave të thella, për të cilat mazhoranca qeverisëse ka shfaqur dukshëm vullnetin politik jo vetëm për t’i nisur, por edhe për t’i çuar deri në fund ato. Ato, ndërmjet të cilave konsiderohet si më kyçe ajo në drejtësi.

Aq më tepër ata prokurorë e gjyqtarë, që ndonëse deri tani nuk kanë ndjetur pa u “ushqyer” nga korrupsioni janë në gjendje t’i thërrasin mendjes dhe të tërhiqen nga praktikat e dyshimta në punën e tyre. Të tërhiqen, sepse edhe nëse dikujt i teket të ekzagjerojë elementët e ndryshimit në jetën e vendit, prapëseprapë e dinë fare mirë që në fund të fundit prej reformave del diçka me një formë dhe një të vërtetë, me një rregull të përbërë. Prandaj, edhe nëse shumë prej tyre mund të zëvendësohen së afërmi me një brez të ri magjistratësh, sigurisht që do të jenë të prirur së paku të ngulitin në mendje mesazhin e një filmi të hershëm, të asaj kohe kur ende nuk kishte përparuar teknologjia derisa produktet kinematografike të xhiroheshim me ngjyra.

Të atij filmi të paharruar, me aktorët protagonistë Fernandelin (në rolin e doganierit) dhe Toton (në atë të kontrabandistit), këta dy hokatarë të famshëm, të cilët me gjithë miqësinë e lidhur mes tyre prej kohësh në një buzë kufiri, erdhi një ditë që Fernandeli të mblidhte buzët dhe t’i qepej Totos nga pas, duke tundur kokën: “La loi est la loi” (Ligj është ligj!”. me këtë mesazh të pë pbotshëm titullohej vetë filmi.         


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)