Të ndjerë të rrezikuar, banorë të zonës së ish-Kënetës në Durrës protestuan këtë të enjte, duke ngritur shqetësimin për mungesën e sigurisë rrugore në lagjen e tyre.Rrugët e lagjes mbeten të pandriçuara, pa sinjalistikë horizontale dhe vertikale, ndërsa punimet e nisura rreth 5 vite më parë ende nuk kanë përfunduar. Kjo situatë, sipas banorëve, e bën lëvizjen e këmbësorëve tepër të rrezikshme.

“Rruga nuk ka përfunduar ende, ka nisur që ma maj të vitit 2021. Të gjitha automjetet janë të detyruara të kalojnë vetëm në njërin sens të rrugës, e cila nuk është në gjerësinë e duhur dhe pa sinjalistikë”,- thotë Shyqyri Myrtollari, kryetar i FRPD Durrës.

Ata pretendojnë se në rruge qarkullohet me shpejtësi shumë të lartë, deri në 150 km/h, pavarësisht se kufiri i lejuar është 30 km/h për zonat e banuara.

“Sikur të bësh një mur aty, do të të vijnë 10 herë policia në ditë. Për shpejtësi, për shqetësimë, që lëvizin ndonjëherë edhe me 150 (km/h), nuk i bjen kujt ndërmend fare”- thotë një banor.

Edhe përfaqësues të të rinjve të FRPD-së në Durrës ngritën shqetësimin e tyre për situatën, duke kërkuar ndëshkimin e drejtuesve të papërgjegjshëm.

“Këtu automjetet qarkullojnë me shpejtësi shumë të lartë dhe nuk ka kontrolle të automjeteve të policisë”,- thotë Myrtollari

Kjo është protesta e tretë pas tragjedisë në ish-Kënetë, ku banorët kërkojnë përfundimin e punimeve infrastrukturore dhe rritjen e kontrolleve policore në kete zonë, që njihet dhe si “Durrësi i ri”. Aksidenti ndodhi më 3 maj, ku dy fëmijë 10 dhe 12 vjeç humbën jetën dhe një tjetër u plagos pasi u përplasën në trotuar nga fqinji i tyre, Nikoll Radaçi, i cili ngiste makinen me shpejtesi ne gjendje të dehur.