I ftohti arktik i cili prej disa ditësh ka prekur edhe vendin tonë, ka shkaktuar viktimën e parë.

Një person është gjetur i pajetë mëngjesin e sotëm në qytetin e Durrësit.

Policia ka identifikuar viktimën i cili është Arben Sulo, 38 vjeç, i cili ishte i pastrehë. Ai është gjetur pa shenja jete nga kalimtarë të rastit në lagjen nr.17 të qytetit bregdetar.

Ndërkaq, policia thekson gjithashtu se e ka kërkuar mbrëmjen e djeshme endacakun për ta sistemuar në ambientet e policisë, por nuk është gjetur. 

Njoftimi i policisë së Durrësit:
Më datë 07.01.2017, rreth orës 07:30, në lagjen Nr.17, është gjetur i vdekur shtetasi A.S. 38 vjeç, banues në Durrës. 

Nga këqyrja e kufomës nuk janë evidentuar shenja dhune.

Pasi është identifikuar ne listën e personave pa banesë, shtetasi i mësipërm është kërkuar gjatë mbrëmjes së djeshme nga Specialistët e Zonës dhe Shërbimet e Rendit për ta sistemuar në ambjentet e Policisë, por nuk është mundur të gjendet. 

Nga hetimet e kryera rezulton se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com