DURRËS - Kontejnerët me mbetjet e dyshuara toksike që ndodheshin në Porto Romano në Durrës u zhvendosën këtë të diel në fshatin Vrinë, pranë Shënavlashit, në një hapësirë tjetër. Shkak i lëvizjes nga vendi ku qëndronin prej rreth 1 viti e gjysmë u bë edhe kërkesa e vazhdueshme e banorëve që kërkonin largimin e tyre prej zonës, nga frika e kontaminimit.

Në pamjet që përcjell Report Tv shfaqen kamionët që transportojnë kontejnerët në vendin e ri të qëndrimit.

Në verën e 2024-ës, një operacion me përmasa të pazakonta mori vëmendje ndërkombëtare, 102 kontejnerë të nisur nga porti i Durrësit bënë xhiron e botës, pasi u rikthyen nga Malajzia pas një denoncimi se transportonin rreth 2100 tonë mbetje të dyshuara të rrezikshme. Ngarkesa u rikthye në Shqipëri në fund të tetorit, dhe u vendos në një mjedis privat në zonën e Porto Romanos, nën masa të rrepta sigurie dhe monitorim të vazhdueshëm. Paralelisht, Prokuroria e Durrësit nisi një hetim të gjerë për të zbardhur përgjegjësitë.

Mbi një vit pas sekuestrimit, hetimet çuan në lëshimin e 33 urdhër-arresteve ndaj personave të përfshirë. Sipas organit të akuzës, shkelje të rënda të legjislacionit mjedisor u konstatuan jo vetëm tek kompanitë “Kurum” dhe “Sokolaj”, por edhe pranë institucioneve shtetërore si Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit. Nga këto masa, vetëm 20 u ekzekutuan, ndërsa në vendimin e gjykatës 8 u lanë në “arrest në burg”, 5 në “arrest shtëpie” dhe 7 të tjerë “detyrim paraqitjeje”.

Hetimet zbuluan se mbetjet kishin origjinë nga proceset industriale të përpunimit të çelikut në Metalurgjikun e Elbasanit, administruar nga “Kurum”, dhe eksportuar në Malajzi nga kompania “Sokolaj”. Ishte pikërisht alarmi i dhënë nga organizata ndërkombëtare “Basel Action Network” që ndaloi hyrjen në Malajzi dhe detyroi kthimin në Shqipëri. Sipas ekspertizës së kryer në Itali në dhjetor 2025, mbetjet u identifikuan si pluhur nga furrat elektrike me qark, kategori e klasifikuar e rrezikshme brenda dhe jashtë vendit. Analizat zbuluan përmbajtje të lartë zinku dhe hekuri, të shoqëruara me elementë të tjerë shumë toksikë. Këto substanca paraqesin rrezik serioz për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, duke përfshirë toksicitet për riprodhimin dhe ndikime të forta te uji.

Në dosjen hetimore theksohet se kompanitë e përfshira kishin dijeni të plotë për natyrën e rrezikshme dhe dyshohet se falsifikuan dokumentet për të fshehur përmbajtjen reale. Personat ndaj të cilëve u vendosën masa sigurie përballen me akuza që përfshijnë kontrabandë të mallrave të ndaluara, ndotje të mjedisit, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, duke e kthyer këtë çështje në një nga skandalet më të mëdha mjedisore dhe institucionale të viteve të fundit në vend.