Durrësi pret për herë të parë laboratorin ndërkombëtar të zhvillimit të skenarit, të organizuar nga “eQuinoxe Europe”. Me një histori mbi 30-vjeçare, gjatë së cilës janë përpunuar skenarët e disa prej filmave më të famshëm dhe më të suksesshëm të dekadave të fundit, ky program i njohur ndërkombëtarisht vjen për herë të parë në Shqipëri në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë.

Përgjatë 9 ditëve, rreth 8 konsulentë ndërkombëtarë profesionistë të skenarit punojnë ngushtë me autorët e rinj, nga vende të ndryshme për të përmirësuar e përshtatur skenarët e tyre drejt standardeve më të larta për prodhimet kinematografike.

Kryetarja e “Equinoxe Europe”, Ellen Win Wendl për Report Tv duke vlerësuar potencialin historik dhe kulturor të Shqipërisë, ka theksuar se vendet e Ballkanit kanë histori të shumta që meritojnë të zhvillohen dhe të përshtaten në filma.

“Shqipëria është një vend i pasur me histori. Vitet e fundit, fokusi ynë ka qenë Evropa Jugore dhe Juglindore, veçanërisht rajoni i Ballkanit, sepse besojmë se këtu ka histori shumë të bukura dhe interesante, që meritojnë të zhvillohen dhe të kthehen në filma. Ajo që kemi vënë re është se në këto vende i kushtohet më shumë vëmendje regjisë sesa zhvillimit të skenarit. Pikërisht këtu qëndron pika e fortë e laboratorit tonë.”-ka shprehur Wendl.

Në laborator janë përzgjedhur 10 projekte nga 5 vende evropiane, mes të cilëve edhe dy projekte të kineastëve shqiptarë Erenik Beqiri dhe Redi Treni.

Producentja dhe konsulentja e skenarit, Claire Dobbin ka theksuar se “Equinoxe” prej vitesh mbështet zhvillimin e projekteve filmike evropiane dhe tashmë po zgjeron aktivitetin edhe në Azi, me synimin për të sjellë në ekran histori të veçanta.

“Kam qenë pjesë e “Equinoxe” për shumë vite, një uorkshop skenari tepër i vlerësuar, që merret me zhvillimin e projekteve filmike europiane, por ne po zgjerohemi dhe për zonën e Azisë sepse duam të sjellim këto histori të mrekullueshme në ekranet e kinemasë. Jemi shumë entuziaste që kemi përzgjedhur edhe dy histori shqiptare, tejet interesante e të thella dhe me një pikëvështrim që shumë të veçantë, shumë unik.”- thotë Dobbin.

Përtej punës me skenarin, programi u krijon autorëve mundësi për kontakte me bashkëprodhues evropianë. Regjisori dhe skenaristi Kelmend Karuni, koordinator i aktivitetit në Shqipëri, e sheh këtë si një mundësi për t’i afruar projektet shqiptare me industrinë ndërkombëtare.

“Andamion Murataj ka qenë i pari që është përzgjedhur me filmin ‘Man of the House’ dhe, në një lloj forme, hapi derën për njohjen tonë me këtë program. Kjo është mënyra më e mirë se si krijohen urat për projektet shqiptare. Do të na ndihmojë shumë në përmirësimin e skenarëve, por edhe në gjetjen e bashkëprodhuesve dhe në ndërkombëtarizimin e projekteve tona.”-shpreh Karuni.

Redi Treni merr pjesë me skenarin “Fjolla”, historinë e një vajze 19-vjeçare, të vendosur në jetën e natës së Tiranës. Për të, puna me mentorë nga vende dhe përvoja të ndryshme është një mundësi për të parë më qartë dobësitë e projektit dhe për ta zhvilluar më tej.

“Secili prej tyre ka një këndvështrim tjetër për atë skenar që ne i ofrojmë. Çdo kontribut që sjellin vjen me një bagazh tjetër. Në fund të këtij masterklasi, secili nga ne ka mundësinë të shikojë pikat e dobëta që ka në skenarin e vet dhe të ketë mundësinë t’i ndryshojë. Në të njëjtën kohë, vula e ‘Equinoxe’ tregon që ky është një projekt që ka kaluar një fazë të parë zhvillimi dhe të favorizon në arenën ndërkombëtare.”- përfundoi Treni.

Ardhjen e “eQuinoxe Europe” në Shqipëri u përshëndet dhe nga kineasti Andamion Murataj, i cili në disa prej filmave të tij ka punuar me mentorët Claire Dobbin dhe Martin Sherman.

Murataj shpreh bindjen se eksperienca e tyre në zhvillimin e disa prej filmave më të sukseshëm nga rajoni i Ballkanit, ndër ta dhe filmi i nominuar për ‘Oscar’, “Quo Vadis Aida”, do të kontribuojë në cilësinë e skenarëve shqiptarë dhe uron që ky bashkëpunim të kthehet në një aktivitet të përhershëm në vendin tonë.  Ky vit shënon edicionin e 31-të të “eQuinoxe Europe”.