Zona e Currilave ku të premten pati rrëshqitje dheu, vijon edhe sot të ruhet me efektivë policie, ndërsa banorët e pallatit pranë vendit ku ndodhi rrëshqitja, nuk lejohen ende të kthehen në banesa.
Edhe aktiviteti i bizneseve që u dëmtuan nga masivi i dheut dhe pishat e rrëzuara vijon të jetë i pezulluar.
Report Tv mëson se zona vijon të jetë nën monitorim, ndërsa ekspertët po përgatiten për fazën e vlerësimeve teknike dhe gjeologjike.
Gjatë orëve në vijim pritet që specialistët e Institutit të Ndërtimit dhe të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar të rikthehen për të marrë mostra, në kuadër të studimit të detajuar gjeologjik dhe gjeoteknik që do të përcaktojë shkaqet e rrëshqitjes së dheut dhe masat që duhen ndërmarrë për stabilizimin e territorit.
Bashkia e Durrësit thotë se në terren do të angazhohen paralelisht dy grupe pune të drejtuara nga Instituti i Ndërtimit. Njëri ekip do të kryejë vlerësimin paraprak të pallatit për të evidentuar dëmtime të mundshme në strukturë, ndërsa tjetri do të realizojë matjet dhe analizat e nevojshme për hartimin e akt-ekspertizës dhe projektit të stabilizimit të zonës.
Njëkohësisht, Instituti i Ndërtimit ka ngritur edhe një grup të posaçëm ekspertësh, që do të përcaktojë nivelin e sigurisë së godinës.
Autoritetet njoftuan pasditen e së premtes se 25 familjet që banojnë në këtë pallat nuk do të lejohen të rikthehen në apartamentet e tyre deri në përfundimin e të gjitha verifikimeve teknike dhe konfirmimin zyrtar nga institucionet përgjegjëse se objekti është i sigurt për banim. Nga 40 apartamentet që ka godina, rezulton se 25 janë të banuara.
Komente








