Dy drejtues të degëve të Partisë demokratike në Klos kanë braktisur Sali Berishën, në arrest shtëpie. Bëhet fjalë për Fitnete Krosi dhe Qazim Rexhepin, dy kontribuues të hershëm të Partisë demokratike, të cilët i janë bashkuar grupit të Lulzim Bashës.

Të dy drejtuesit pas luftës në PD u pozicionuan krah Rithemelimit, por tashmë kanë braktur Sali Berishën dhe i janë bashkuar grupit Basha.

“Kënaqësi të takoja Fitnete Krosin dhe Qazim Rexhepin. Ata kanë vendosur të ribashkohen me ne dhe të ndihmojnë në ringritjen e PD. Dora jonë mbetet e shtrirë për çdo demokrat e shqiptar që kërkon zhvillimin e vendit, luftë kundër korrupsionit dhe partneritet me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE”, shkruan Basha.

Ka qenë kryedemokrati që ka ndarë foto nga takimi në selinë e PD, ndërsa shkruan se të dy kanë vendosur që të ndihmojnë në ringritjen e PD.

“Partia Demokratike e Shqipërisë është shtëpia e çdo demokrati, është forca që ndryshoi fatin e vendit 34 vjet më parë dhe të gjithë së bashku duhet ta shndërrojmë në alternativë të shqiptarëve.  Udhëheqësit shkojnë e vijnë, por PD do të rritet e forcohet si projekti më i bukur që mishëron shpresën e shqiptarëve për ndryshim”, shkruan Basha.

Basha thotë se PD është e hapur për çdo demokrat e shqiptar që kërkon zhvillimin e vendit, luftë kundër korrupsionit dhe partneritet me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE.