Dy javë për të shmangur turpin

Dy javë për të shmangur turpin
Objektivi i vetëm i Shqipërisë në 100 – vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, ka mbetur të shmangë turpin e refuzimit të tretë të Statusit të vendit Kandidat për Bashkimin Europian. Takimi i Komitetit të Stabilizim – Asociimit PE-Shqipëri në 11 dhe 12 korrik do të jetë vendimtar për vendimin e 12 tetorit. Pas dy javësh do të jetë ballafaqimi mes delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë (dhe vendet e paintegruara të rajonit) dhe delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë. Të martën ishte takimi paraprak që paralajmëroi dështimin. U tha se, vetëm dy javë përpara, Shqipëria nuk ka përmbushur pothuajse asnjë kriter për marrjen e Statusit. Ishin 3 kushte, zgjedhja e një presidenti sa më përfaqësues, përmbushja marrëveshjes së nëntorit dhe arritja e disa rezultateve të prekshme në disa fusha si ekonomia, lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi. E para dështoi. E thanë edhe përfaqësuesit e BE dhe SHBA: Zgjedhja e presidentit ishte shans i humbur. Përmbushja e kushtit të tretë mund të rivlerësohet në një kohë të dytë, gjatë shtatorit, jo vetëm nga Delegacioni i drejtuar nga Kukan, por edhe nga Komisioni Europian. Kushti i dytë do të jetë pika kryesore e vlerësimit në takimin e 11-12 korrikut. Ky kusht ka të bëjë me reformën zgjedhore dhe reformën parlamentare, të dyja të bllokuara për momentin.
Partia Socialiste të mërkurën, paralelisht me paralajmërimin për dështimin e tretë, bëri një hap drejt zhbllokimit të situatës. Me një paketë propozimesh për pikat e mbetura pa konsensus të Kodit Zgjedhor, krijoji një bazë të re mbi të cilën mund të diskutojnë palët. Është e qartë se partitë nuk lëshojnë në 3 pika të rëndësishme: Kryetarin e KQZ, identifikimin dhe numërimin elektronik dhe hapjen e kutive me propozimin e 2 anëtarëve të KQZ. Me propozimet e mëparshme për kreun e KQZ, të konfirmuara dje, opozita e ka lënë qartësisht të hapur mundësinë që maxhoranca të zgjedhë kryetarin që do, mjafton të lëshojë Ristanin. Propozimi i socialistëve është që në kuvend të shkojnë 16 kandidatura, nga institucionet e pavarura dhe shoqëria civile, PD dhe PS të zgjedhin nga 2 prej tyre dhe partitë e tjera parlamentare të zgjedhin nga 1. Këto 8 kandidatura hyjnë në proçesin e përzgjedhjes dhe të zgjedhjes nga parlamenti. Me këtë propozim opozita në fakt nuk garanton KQZ, por vetëm largimin e Ristanit. Zgjedhja e një tjetër militanti të PD-së mbetet e hapur. Maxhoranca nuk e pranon propozimin vetëm për të mbrojtur militantin në detyrë. PD-ja duhet të sakrifikojë vetëm një emër për të zhbllokuar pikën më të nxehtë të Kodit zgjedhor, ndërsa PS-ja fiton vetëm largimin e një emri. Kreu i KQZ mund t'i mbetet maxhorancës, e cila, pasi ka zgjedhur president ministrin dhe anëtarin e kryesisë, pritet që deri në zgjedhje të marrë edhe Prokurorin e përgjithshëm dhe të hyjë në zgjedhje me të gjitha institucionet e kontrolluara.

Pika tjetër kur opozita nuk lëshon, për hetimin e zgjedhjeve nëpërmjet hapjes së kutive dhe ndëshkimit të prishësve të proçesit zgjedhor, nuk do të trembë askënd pasi PD të emërojë Prokurorin pasues të Ina Ramës, në nëntor apo në maj. Megjithëse Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, i kërkoi Presidentit të zgjedhur që të garantojë intitucionet e pavarura, ka shumë pak shanse që Nishani të mos firmosë Prokurorin e Berishës. Në fillim të javës, Bashkim Fino i bëri vërejtje prokurores Ina Rama se nuk ka dënuar asnjë prishës të proçesit zgjedhor. Një prokuror partiak do të bënte më pak se kaq nën urdhrat e partisë.

Partia Socialiste është tërhequr për hir të marrëveshjes edhe për identifikimin dhe numërimin elektronik. Është e gatshme që kjo të bëhet vetëm në një numër të caktuar zonash zgjedhore të paktën 10 për qind. Lëshimet e PS janë të tepruara, ndërsa vazhdimi i refuzimit të PD do të ishte i pajustifikueshëm. PS pranon të hyjë në zgjedhje me të gjitha institucionet e kontrolluara nga maxhoranca. Nëse propozimet e opozitës pranohen, deputetët e saj do të rreshtohen në delegacionin e 11 korrikut për të garantuar klimën politike të mjaftueshme për integrim, pavarësisht se nuk kanë garantuar asgjë për zgjedhjet e ardhshme. PD ka për të humbur vetëm kryetarin e radhës së KQZ. Berisha do të tregojë këto ditë kë ka më të shtrenjtë, Ristanin apo integrimin.

100-vjetori i gjeti shqiptarët më pak të përfaqësuar dhe më pak të bashkuar se në 1912. Më pak të përfaqësuar se pushtetet janë mbledhur në një celulë politike që po humbet mbështetjen edhe brenda vetes, se zgjedhjet kanë dështuar në transmetim live, se shumica e të varfërve shtohet ndërsa pakica e të pasurve reduktohet. Më pak të bashkuar, jo vetëm prej kufijve 99-vjeçarë, por edhe për shkak të urrejtjes politike që ushqehet çdo ditë e më shumë. Marrja e presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës nuk i zgjidh, por vetëm i mbulon këto probleme. I shërben më shumë Kryeministrit për të pozuar si lider demokratik, ndërsa në Europën e dyerve të rënda ka trokitur 2 herë dhe e kanë refuzuar. Turpi i refuzimit së tretë nuk kapërdihet duke fajësuar opozitën.

Marre nga Shqiptarja.com
sg/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Anti-berishistët mbledhin firmat për partinë e re, a do të mbështetet?



×

Lajmi i fundit

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia