Dy kamerierat e shokut Sali

Dy kamerierat e shokut Sali
Në qoftë se ndonji studjues serioz i psikes njerzore do të analizonte marrdhanjet e Berishës me bashkëpuntorët e tij të t’gjitha niveleve, tue nisë prej ish gardistave deri tek deputetët e tij, me siguri do të nxirrte në dritë nji seri interesante të dhanash për personalitetin e tij të turbulluem. Në fund të fundit ai nuk ka miq në kuptimin që miqësia ka në qytetnimin perëndimor. Ka njerëz që atij i janë mirënjohës pse i ka nxjerrë prej llomit të shoqnisë, të tjerë pse i ka pasunue, i ka veshë me pushtet, i ka mbrojtë, i ka gradue, i ka ndihmue me të gjitha mjetet. Lidhjet e tyne me kapon janë lidhje mirënjohjet jetike, lidhje nënshtrimi, frike, vasaliteti, interesi, përfitimi, pasigurie, lidhje gjaku, kajherë ato lidhje i përshkon në qenjet ma naive edhe nji entuziazëm frymorësh të thjeshtë, por mes tyne s’ka lidhje miqësie të vërtetë.

Rreth miqësisë së vërtetë ka meditue para dymijë e ma shumë vitesh oratori e filozofi latin Ciceroni, i cili e shihte miqsinë si nji pasqyrë ku njeriu kërkon alter egon e tij për me mbarështrue virtytet dhe me mbushë shpirtin me ndenja që burojnë dhe ndërthuren papushim me sensin e nderit.

Gjithë mendimi i mavonshëm perëndimor ka hetue tek miqsia, në vazhdën e persiatjeve ciceroniane, barazinë në dinjitet dhe ngjashmëninë shpirtnore mes miqve, lirinë e mbrendshme dhe virtytin. Koncepti i nderit shfaqet e rishfaqet vazhdimisht, miqve – thekson Ciceroni – duhet me iu kërkue vetëm gjana që nuk e cënojnë ndershmëninë, pse cënimi i nderit të mikut asht cënimi i nderit tonë. Skaji “nderë” këtu nuk asht thjesht personal, por ka nji kuptim shumë ma të gjanë: qytetar dhe politik.

Për çfarë arsyejet gjithë ky mundim deri tek Arpinati, në nji kohë që e kemi pa mirë brutalitetin padronal të dukshëm dhe të padukshëm që ka instaurue dhe ka mbajt gjallë marrdhanjet mes Berishës dhe shërbtorëve të tij, shumë prej të cilëve ai i ka detyrue me u çnderue publikisht për hatër të tij!?

Berisha sot ka ma shumë se kurrë nevojë për miq, por nuk i gjen, pse nuk i ka.
Paloknat, Kaçat, Imambajallditë, Mulat, duzinat me zhele femnash që i sillen nepër kambë, Lulat dhe mikomicetet tjera helmuese që rriten nën hijen e tij nuk i ka miq, ata janë vetëm shërbtorë dhe bashkëpuntorë në disa akte prej të cilave nuk lind kurrë miqsia e vërtetë. Aktet ku padrejtësia, dhuna, poshtnimi janë boshti kryesor nuk gjenerojnë miqsi, madje mbysin çdo gja të mirë mbrenda individit.

Nuk munden me e shpëtue prej izolimit të tij as tropojanët e kuksianët e panumërt që ka veshë policë, as zyrtarët që tashma i përvidhen për mos me e takue, as të huejt që vinin me ba biznes me të në kurriz të interesave të vendit e madje as piliherdhet e ndryshme që e mbështetnin publikisht në koncertet e tija politike.
Sot i kanë mbetë dy kameriera, njeni asht Lulëzim Basha, të cilin askush s’mbërrin me e quejt kryetar të PD-së pa e vu buzën në gaz me ironi, mbasi s’e shtin kush në rabush për kurrkusend. Në fakt Lulëzimin demokracia e ka gjetë tue lulëzue si kamerier në klubin e Aeroportit të Rinasin, asokohe vend pëllumbash, kuptohet asi sojit që kishin kredenciale të rregullta në Sigurim.

Tjetri asht Bujar Nishani, të cilin demokracia berishiane, ndryshe prej herës së parë që e braktisi në pozitën fatlume të kamerierit në nji prej lokaleve te Tiranës, sot e ka braktis në postin e parehatshëm të komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosuna. Edhe Nastradini të kishte qenë në krye të FA e prapë do të kishte qenë ma mirë!
Para pak ditësh Edi Rama pati mirësinë që me vendimin e tij të parë qeveritar të dekretonte zëvendësimin e portretit të tij me musteqet qesharake si defterdar, me figurën fisnike prej zotnije europian të Ismail Vlorës.

Dy kamerierët janë dy skajet e nji konopi plot neje që mund të këputet papritë prej nji rrufeje të prokurorit të përgjithshëm, prej nji dëshmie a prej nji pendimi të vonuem.
Mes këtyne dy kamerierave rrijnë në rreshtat e parlamentin disa dhjetra suxhukë që përplasin me nervozizëm duert dhe kambët, ngërdheshen dhe stimulohen prej sinjaleve humorale të shefit të tyne që tashma nuk mundet me e mshehë dekadencën e moshës. Në fakt ata nuk janë nji trup i vetëm, pse në nji anë shkumëzon tërbimi gjithnji e ma i pafuqishëm i atij që deri dje kërcënonte, vriste dhe tallte shqiptarët, në anën tjetër përdridhet nji grumbull shkarthash që presin me u përballë me pikëpyetset e së ardhmes, thellësisht të vetëdijshëm se mes tyne nuk ka nji Godot që t’i shpëtojë.
 
Shkrimi u botua sot në gazetën shqiptarja.com (print)
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Parada e shqiptarëve në Tiranë/ Kryetari i shoqatës ‘Vatra’ në Turqi: Jemi 100% shqiptarë

Parada e shqiptarëve në Tiranë/ Kryetari i shoqatës ‘Vatra’ në Turqi: Jemi 100% shqiptarë