TIRANE- Dy nga 11 të arrestuarit për terrorizëm në Kosovë, mësohet të kenë folur në prokurorinë speciale, duke treguar me detaje skenarin mes muxhahedinëve kosovarë dhe shqiptarë, për të sulmuar ekipin e futbollit të Izraelit në Shkodër.

Në dëshmitë e tyre, dy kosovarët pranojnë se kanë biseduar nëpërmjet internetit e shtetasin Lavdërim Muhaxheri dhe Ridvan Haqimin, të cilët janë dhe dy persona që kanë lëshuar në internet kërcënime direkte për Shqipërinë dhe Kosovën.

Gjatë deklarimeve në prokurori, kosovarët kanë pranuar se për të sulmuar ekipin e Izraelit kanë bashkëpunuar dhe me vëllezërit e tyre në Shqipëri, ku katër prej të cilëve janë arrestuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Ata janë Bekim Protopapa, me profesion mjek, Medi Hasani me profesion ish-ushtarak tek forcat komando, Xhezair Fishti imam i vetëshpallur në zonën e Dibrës dhe Ergys Faslija, berber në Shkodër. Për të provuar bashkëpunimin e tyre me celulën muxhahedinë ne Kosovë, Prokuroria e Krimeve të Rënda,ka kërkuar nga autoritet Kosovare ti vënë në dispozicion të gjitha provat që kanë administruar në këtë dosje.

Mësohet se nëpërmjet një letër porosia do të dërgohet, pas informacioneve se dy nga 11 të arrestuarit, mes tyre një shtetas shqiptar nga Maqedonia, kanë pranuar të bashkëpunojnë me prokurorinë speciale, duke treguar planin e sulmit në Shqipëri.

Ekspertimi i kompjuterave
Gjithashtu, mësohet se është kërkuar edhe informacion shtesë, në lidhje me komunikimet e të arrestuarve me Lavdërim Muhaxherin apo Ridvan Heqimin, që ndodhen në Siri. Këto komunikime, dyshohet se i mbante mes tjerëve nën hetim edhe Bujar Brahimi, i cili rezulton se është kthyer nga Lufta në Siri, ku mendohet se ka qenë pjesë e grupit terrorist që drejtohej nga Muhaxheri.

Burimet thonë se veç deklarimeve dhe bisedave të përgjuara, do të kërkohet edhe akt-ekspertimet e kompjuterëve të sekuestruara dhe bisedat e mundshme nëpërmjet rrjeteve sociale me personat që ndodhen në Siri.
 
Sipas akuzës, këto të dhëna do të ndihmojnë prokurorinë për të zbardhur me detaje rolin e 4 të arrestuarve në Shqipëri, të cilët komunikonin vazhdimisht me shtetasit shqiptar nga Kosova të cilët merrnin urdhra për sulm nga Muhaxheri dhe Haqimi.

Rekrutët e rinj
Nga ana tjetër burimet pranë akuzës, thonë se grupi i të arrestuarve në Shqipëri përveç se ofronin mbështetje grupit terrorist që do të sulmonte në Shqipëri, po punonin për indoktrinimin e ideologjisë së besimtarëve, në mbështetje të grupit terrorist ISIS.
 
Gjithashtu, është provuar se pavarësisht dënimit të 9 besimtarëve në Shqipëri për dërgimin e myslimanëve në Siri, kjo linjë ka vazhduar por me numër më të vogël, duke shfrytëzuar rrugët tokësore nëpërmjet Greqisë, Maqedonisë, Bullgarisë e për të përfunduar në Turqi,nga ku kalonin më pas në Siri.
Nuk jepen detaje apo numri i personave, që kanë arritur të shfrytëzojnë këtë rrugë për t'iu bashkuar forcave terroriste të ISIS-it në Siri e Irak.
 

(d.b/Shqiptarja.com)