Disa sot nuk dinë ku të shkojnë, me kë të rrinë për t’u ndjerë sa më mirë. Por cilindo udhëtim të ndërmarrim, kudo që të shkojmë, në një hotel me 7 yje, apo dhe në Hënë, nuk i shpëtojmë dot vetes sonë. Ja pse mendoj se zbukurimi i “shtëpizës” tonë “Njeri” është puna më e rëndësishme që mund të bëjmë. E kjo punë nis që në fëmijëri dhe tregon shumë ajo që ndërtojmë e ku jetojmë. E bukura mund të na vijë në ndihmë, edhe nëse lindim në vendin më të varfër të botës, sepse na ndihmon të rrisim ndjeshmërinë ndaj natyrës, mrekullive të saj e si rrjedhojë, të bëhemi më të ndjeshëm, të butë dhe më të mirë. Po cila është gjendja jonë?
(Në foto: Brikena Çabej fotografuar në Tiranë në 1994 dhe në Paris 2011 për librin realizuar me shqiptarët e Francës)
KEMI NGRITUR NJË KAOS PA FUND
Sa herë që bëj rrugën Tiranë-Vlorë më kap një trishtim duke parë mungesën e çdo logjike, harmonie arkitektonike, estetike të përveçme dhe të përgjithshme në ndërtimet, krijimet e bëra prej nesh. Kjo zonë, që sikur përkon me barkun e Shqipërisë, më duket esenca e punëve më të shëmtuara që njeriu mund t’i bëjë në kurriz të natyrës. Ky kaos nis që në konceptimin e një shtëpie të re, ngritjen e saj dhe formën e tmerrshme që merr në hapsirë, krah të vjetrave: Shkallë që nuk përfundojnë gjëkundi, parvazë pa kangjella, rrugë që ndërpriten papritur,ngjyra dhe forma jashtë çdo konteksti dhe harmonie me natyrën por edhe me funksionin që duhet të kryejnë. Harmonia mungon në realitetin e ngritur prej nesh pas viteve’90. Ka shumë gjallëri në këto zona, jetë... por nuk ka harmoni. Duket sikur gjërat këtu janë në lëvizje të vazhdueshme, në luftë të përhershme dhe në ekstrem: E bukura në mundim për të mbijetuar në krah me të shëmtuarën. Sikur natyra e mrekullueshme që ndodhet në këta metra katrorë lufton përjetësisht me njeriun që ndodhet brenda këtyre metrave katrorë. Të mbijetosh brenda tyre duhet tepër forcë.
(Në foto: Anisa Markajan foto e vitit 1995 në Paris, në kuadër të projektit me vajzat e ikura nga Shqipëria)
NGA REALITETI, TENSIONI EDHE NË RRJETET SOCIALE
Ky realitet shqiptar përcillet dhe në atë virtual, përmes rrjeteve sociale. Vitet e fundit në Facebook, Twitter... seicili ndërton në parcelën e vet atë që mendon dhe e promovon; e në këtë mënyrë, përmes miqësive virtuale, është lehtësisht i prekshëm, i ndjekshëm. Ashtu si në realitet, edhe në rrjetet sociale seicili prej nesh ka ngritur “shtëpinë” (profilin) të bazuar në të bukurën ose të shëmtuarën, në etiken ose joetiken, estetiken, ose jo. Teknologjia në kohën e globalizimit i ka sjellë të gjithë njerëzit më afër, por dhe mundësinë për të bërë seleksionimin e miqësive sipas shijeve të përafërta. Të shëmtuarën në web mund ta shuash vetëm me një klikim, një realitet vetëm me zhurmën e ruspave dhe funksionimin e një shteti që gjithashtu synon të promovojë të drejtën dhe të bukurën.
(Në foto: Xhilda Lapardhaja, aktore në Romë ne kuader të librit me shqiptarët e Italisë, viti 2000)
VËSHTIRËSIA PËR
TË FOLUR PËR TË BUKURËN
E bukura është një e vërtetë lehtësisht e verifikueshme: bnjë trëndafil i bukur është i tillë për të gjithë. Eshtë fare i dukshëm. Për bukurinë e tij flet vetë, nuk ka nevojë për mendim, opinion, apo dëshmi. Askush nuk mund të thotë: “Dëshmoj unë që ky trëndafil, kjo lule, është e bukur...” Nuk ka nevojë. Por shumë mund të thonë që: “Ky person është i korruptuar, ose i drejtë, ose i mirë, ose i keq”, pra shumë duan të vendosin në përkufizimet e tyre optikën e egos që kanë në kokë për çdo gjë. Në këtë dimension, virtualin, është interesante të dallosh promovuesit e të bukurës që në jetën reale nuk do t’i njihja dot nga afër. Ashtu siç jam kurioze për një shtëpi të bërë me shije nga ndonjë i panjohur, të njëjtin kuriozitet e simpati provoj edhe për miqësitë në web që promovojnë të bukurën, pozitiven. Ja kështu me symbyllur më vijnë në mendje postimet e disa miqve të mi në Facebook apo Twitter: Roland Tasho, Leon Çika, Ermira Guza, Eva Kushova, Bledi Strakosha, Albi Greva, Tefta Seiti, Ilir Mati, Evis Cerga, Dhurata Thanasi etj...
(Në foto: Ina Hajderi dhe Binjaket Belishova fotografuar në 1985)
Promovim i të bukurës në format e ndryshme të ekzistencës, është refreni i postimeve të tyre. Disa nga këta miq i njoh nga afër, të tjerë, vetëm si punë dhe emër, por ndaj tyre më shtyn kurioziteti për të mësuar se çfarë i shtyn të promovojnë, nënvizojnë, të vëzhgojnë të bukurën? Ditët e fundit Roland Tasho, artist, fotoreporter, ka kërkuar në arkivin e tij dhe ka bërë publike në rrjet fotot e disa vajzave të bukura e të zgjuara të Tiranës në vitet ’80 e pak më vonë. Janë vërtetë bukuri të rralla dhe shumë të rezervuara. Pak prej tyre i kanë rezistuar realitetit shqiptar. Jetojnë jashtë sot. Tasho ka publikuar fotot me një përshkrim të shkurtër dhe siç ndodh, në vijim hapet debati... që kalon përmes filtrit kulturor, social, politik e etik të seicilit. Përmes egos që në këto raste tregon se deri ku e ka kufirin. Ja ç’thotë Tasho për këto foto.
.
(Në foto: Valbona Çoba foto e vitit 1993, fotografuar për Miss-in që bëhej në Tiranë)
ROLAND TASHO DHE FOTOGRAFITË PËR VAJZAT E BUKURA DHE TË ZGJUARA QË SOT NUK JETOJNË NË TIRANË
“Po, unë i kam bërë fotot në vitet 1980-1990 meqë punoja fotograf dhe më vonë në shtypin e kohës. Me këto fotografi realizova edhe ekspozitën fotografike të titulluar ekspozita e “Vajzave të ikura”. Me ekspozimin e këtyre fotografive në Fb , për disa syresh shoh reagimet sigurisht shumë interesante aq sa po më mbushet mendja të bëj një libër fotografik. Megjithëse të izoluar nga çmenduritë e sistemit dhe Tirana kishte bukuritë me veta… një nga këto bukuri ishin vajzat e asaj kohe. Ajo që do të veçoja ishte me veçanta e secilës, nuk dua të përdor këtë fjalë për njerëzit po ishin në kuptimin më të mirë “ishin BIO”, natyrale. Sot me tualet të rënduar që në mëngjes, heqja e vetullave që në moshë fare të re… dhe duken të gjitha njësoj. Aparati fotografik ishte mjeti i domosdoshëm për të bërë fotografi. Por mendoj
që aparati të jetë mjeti në funksion të fotografisë dhe jo e kundërta… duhet që fotoja të priret drejt idesë dhe mendimit… është mirë që një fotograf të niset nga Mendimi dhe Ideja. E bukura dhe e shëmtuara….. në foto? Për këtë mendoj që nuk ka një ndarje. Për një individ quhet e bukur për një tjetër jo, por padyshim janë një pasqyrë e kohës.
(Në foto: Noti dhe Silva Faja ,gazetare ne ATSH, foto e vitit 1989)
Shoh në kohë fotot e viteve ’80- ’90, ato janë ilustrime të kohës si ishte jeta e asaj periudhe. Ndryshe janë fotografi të e viteve 1990-2000. Ndryshimet e mëdha të sistemit, mitingjet, përleshjet dhe për herë të parë fotografuam dhe problematikën tonë, varfërinë dhe problemet sociale. Dhe përsëri shkuam drejt normalizimit mbas viteve 2000 dhe filluam të ndërtonim diçka. Një fotograf nga natyra e punës është i ndjeshëm nga realiteti, sheh që qytetet po “bien” një e nga një nga ndërtimet pa kriter, shkatërrimi që po i bëjmë vetes… shansi i vetëm për shpëtimin e peisazhit dhe ndonjë vendi që ka mbetur është “të mos ketë rrugë”. Rruga, sa e dobishme është, aq shkatërruese bëhet; kjo për faktin se janë njerëzit dhe vajtja e tyre në këto zona që e shkatërrojnë atë me mosrespektimin e ligjit. Kudo ndjehet mungesa e Ligjit”.
(Në foto: Teuta Koço për një kopertinë reviste në një foto si gjyshja Tefta Tashko, viti 2005)
(Në foto: Eda Derhemi e fotografuar në dy kohë: Tiranë 1988, miqësisht dhe në Çikago ku është pedagoge). Fotot pjese e arkivit të fotoreporterit Roland Tasho.
Redaksia Online