Elbasani-Egnatia sot në orën 19:00 është supersfida që hap javën e 29 të Superligës. Verdheblutë udhëheqin kampionatin me pikë të barabarta me Vllazninë, ndërsa rrogozhinasit kampion në fuqi kanë vetëm 2 pikë më pak. Për Egnatian kjo është jo vetëm 1 ndeshje që vlen 3 pikët, por edhe një sfidë karakteri pas dënimeve të ashpra nga disiplina, pasi përveç gjobës së rëndë trajneri Tetova është pezulluar 6 muaj nga aktiviteti, ndërsa i gjithë stafi i tij do të mungojë gjithashtu për disa ndeshje bashkë me kapitenin Aleksi. Vendime të hekurta që erdhën pas braktisjes së ndeshjes me Vllazninë, për shkak të vendimet të arbitrit.

Shkodranët ndërkohë sfidën e kësaj jave e luajnë të shtunën kundër Dinamos në Loro Boriçi në orën 18:00.

“Dinamo ka kualitet pavarësisht se në ndeshjet e fundit po kalon një moment jo të mirë. Nuk duhet ta nënvlersojmë se ekipi i Dinamos ka lojtarë me cilësi, me kualitet që mund të bëjnë diferencën në çdo moment,”-u shpreh Erdenis Gurishta, futbollist i Vllaznisë.

Vllaznia megjithatë i bën llogaritë vetëm me fitoren.

“E dimë që këto janë ndeshje shumë të rëndësishme që nuk duhet të gabojmë dhe e kemi detyrim 3 pikëshin ditën e nesërme,”-tha Erdenis Gurishta, futbollist i Vllaznisë.

Po të shtunën në orën 18:00 në program është Teuta-Partizani, ndërsa në orën 15:00 luhet Bylis-Flamurtari. Java e 29 e Superligës mbyllet të dielën me duelin e mbijetesës mes Tiranës dhe Vorës.