E plotë/ Bie pas 5 vitesh skema e kompensimit të ish-pronarëve, 2 vendimet e Kushtetueses që gjymtuan ligjin e 2015, procesi duhet të nisë nga fillimi

Gjykata Kushtetuese, përmes dy vendimeve, ka hedhur poshtë skemën e kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve, parashikuar në ligjin e vitit 2015. Në janar të vitit 2017, Kushtetuesja, i dha goditjen e parë ligjit nr. 133/2015 për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, duke rrëzuar pikat 3 dhe 5 të nenit 6 të ligjit, që parashikonin metodologjinë e vlerësimit të pronës. Pikat e rrëzuara parashikonin vlerësimin e pronës në gjendjen e saj në vitin1945, pa marrë parasysh transformimin dhe gjendjen e saj aktuale sot të saj. Më konkretisht, nëse një pronari i është konfiskuar një tokë arë në ’45, ku sot është kthyer në zonë urbane, trashëgimtarët do të kompensoheshin sipas statusit të tokës në ’45.

Por, ky parashikim u kundërshtua nga ish-pronarët. Kërkesa për rrëzimin e këtyre pikave u firmos nga ish-presidenti Bujar Nishani, grupit parlamentar i PD-së, Partia Republikane dhe disa shoqata të ish-pronarëve.

Ish-drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronave Sonila Qato tha në atë kohë se vendimi i Kushtetueses, prekte vetëm 11 dosje pronash të patrajtuara, të cilat në momentin e shpronësimit kanë pasur një zë kadastral të ndryshëm nga ai që kanë sot. Me ndryshim të zërit kadastral kuptohet ndryshimi i statusit të një toke nga arë në pemëtore, nga truall në arë etj., dhe që është pakësuar dhe transformuar gjatë viteve. Sipas qeverisë, kjo ndërhyrje e Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndryshuar metodologjinë dhe formulën e vlerësimit, kthimit dhe kompensimit për pronat e tjera. Për rrjedhojë qeveria vijoi zbatimin e të njëjtës formulë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e ish-pronarëve pretenduan se vendimi i 2017 i Kushtetueses kishte rrëzuar thelbin e ligjit, i cili sipas tyre në themel ka moskthimin e pronës pronarit të ligjshëm dhe kompensimin jo të plotë të saj.

Ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë një tjetër goditje ligjit, duke shfuqizuar dy pika në nenin 7 të ligjit, që parashikonin metodologjinë e vlerësimit të tokës së kthyer ish-pronarëve në raport me  të gjithë sipërfaqen që i është njohur me vendime, si dhe duke hedhur poshtë kufirin maksimal financiar prej 100 mijë USD për kompensimin financiar.

Neni 7 është i lidhur ngushtë me nenin 6. Pikat e rrëzuara sot nga Gjykata Kushtetuese, me kërkesë të shoqatave të ish-pronarëve, parashikonin që vlerësimi financiar i vendimeve përfundimtare për kompensim do të bëhet duke vlerësuar financiarisht pronën e njohur për kompensim, sipas nenit 6. Nëse vlerësimi i pronës së kthyer me vendim përfundimtar rezulton se është më i madh sesa  vlerësimi i tokës së njohur për kompensim, atëherë subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Nëse vlerësimi i pronës që është njohur për kompensim është më i madh sesa vlerësimi i tokës së kthyer, atëherë subjektit i kompensohet diferenca.

Si rrjedhojë, Kushtetuesja ka rrëzuar sot edhe dy pika të rëndësishme në VKM-në 223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar. Kushtetuesja ka rrëzuar tre format e parashikuara të kompensimit, kompensim fizik në ish-pronën e subjektit të shpronësuar, kompensim fizik nga fondi i tokës dhe kompensim financiar.

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar edhe një kushtëzim për kompensimin financiar, sipas të cilit ish-pronari përfiton kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në 20 % të vlerës totale të kompensimit financiar, por jo më shumë se 10 000 000 lekë. Me këdo dy vendime, Gjykata Kushtetuese detyron qeverinë dhe Kuvendin të miratojnë një formulë tjetër për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve.

Ligji i pronave i vitit 2015, pikat 3 dhe 5 të rrëzuara në vitin 2017, të nenit 6

3. Në rastet kur subjektet e shpronësuara kanë përfituar me vendim kthimi dhe kompensimi, diferenca e llogaritur, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, zbritet nga vlerësimi i pronës së njohur për kompensim, e llogaritur sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni.

5. Në rast se ATP-ja merr vendim për njohje dhe kompensim fizik në pronën e subjektit, prona vlerësohet sipas pikës 1 të këtij neni. Kur nga ky vlerësim rezulton se subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja që i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e pronës kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së.

(shkronjat a dhe b, parashikonin: a) prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit; b) prona e kthyer vlerësohet duke e përcaktuar atë nga diferenca, që do të rezultojë midis vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit).

Pikat e rrëzuara të nenit 7 nga Kushtetuesja sot

Neni 7 i ligjit Nr. 133/2015

2. Vlerësimi financiar i vendimeve përfundimtare për kompensim do të bëhet duke vlerësuar financiarisht pronën e njohur për kompensim, sipas nenit 6, të këtij ligji, në përputhje me procedurën e  mëposhtme: 

a) nëse vlerësimi i pronës së kthyer me vendim përfundimtar rezulton se është më i madh sesa  vlerësimi i tokës së njohur për kompensim, atëherë subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar; 

 b) nëse vlerësimi i pronës që është njohur për kompensim është më i madh sesa vlerësimi i  tokës së kthyer, atëherë subjektit i kompensohet diferenca, sipas përcaktimeve të këtij ligji;

Pikat e rrëzuara sot në VKM-në e 2016 për rregullat për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave

-16/2. Prioriteti i mënyrave të kompensimit përcaktohet sipas rendit të mëposhtëm:

a) Kompensim fizik në ish-pronën e subjektit të shpronësuar;

b) Kompensim fizik nga fondi i tokës;

c) Kompensim financiar.

-18. Në të gjitha rastet kur subjekti nuk përfiton kompensim fizik sipas shkronjës “a”, të pikës 16/2, dhe ka një vendim përfundimtar, të vlerësuar financiarisht, përfiton kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në 20 % të vlerës totale të kompensimit financiar, por jo më shumë se 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr. 133/2015, dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht nga fondi i tokës.

Neni  6 në fuqi ku nuk duhet të bazohet vlerësimi financiar

Neni 6

Metodologjia e vlerësimit

 1. Për efekt të ekzekutimit, të gjitha vendimet përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës do t’i nënshtrohen vlerësimit financiar nga ATP‐ja, si më poshtë: 

a) prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit;

b) prona e kthyer vlerësohet duke e përcaktuar atë nga diferenca, që do të rezultojë midis vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e  shpronësimit.

2. Vendimet përfundimtare, që kanë të njohur vetëm të drejtën e kompensimit, vlerësohen  financiarisht, sipas zërit kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, sipas shkronjës “a”, të  pikës 1, të këtij neni.

3. Shfuqizuar.

4. Vlerësimi për vendimin përfundimtar që ka njohur të drejtën e kompensimit bëhet duke marrë si referim zërin kadastral, sipas origjinës së pronës, që ndodhet më afër pronës që do të  kompensohet, duke u bazuar në hartën e vlerës në kohën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Në rast se pranë  pronës që do të kompensohet gjenden disa zëra kadastralë të njëjtë me atë të origjinës së pronës, me  distancë të njëjtë dhe me vlera të ndryshme, atëherë për referim në përllogaritje merret zona që ka  çmimin më të lartë.

5. Shfuqizuar.

6. Vlera e aksioneve, obligacioneve, kompensimit financiar apo çdo lloj kompensimi tjetër, duke përfshirë vlerën e pronës së përfituar nga dispozitat ligjore për ndarjen e tokës bujqësore, që subjekti  apo trashëgimtarët e tij kanë përfituar më parë, zbritet nga shuma e përllogaritur për kompensim.

7. Për vendimet e kompensimit, të përcaktuara me vlerë dhe ende të paekzekutuara, nga  periudha e njohjes së të drejtës për kompensim deri në marrjen e shpërblimit, subjektet e  shpronësuara  do të përfitojnë indeksimin, sipas vlerës zyrtare të inflacionit dhe interesin bankar, sipas mesatares  vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.


Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2017 për ligjin e pronave 

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2021 për ligjin e pronave 

I.K/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emergjenca: 16/02/2021 19:27

    Duhet bërë Nuk Ligji famëkeq 75-01!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda