Ka qenë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ai që ka paditur Koplikun se ky i fundit në një shkrim të botuar në disa media online ka shpifur ndaj familjes së Nishanit duke i etiketuar si komunistë të thekur të parët e tij.
Nishani kërkon 100 mijë lekë dëmshpërblim moral nga Bashkim Kopliku.
Seanca e sotme e drejtuar nga gjyqtarja, Besjana Garzeni ishte seancë përgatitore ku edhe një herë u bë e ditur akuza ndaj Koplikut e cila u lexua nga avokati mbrojtës i Nishanit, Andi Cuadari.
Nga ana e tij Bashkim Kopliku, në seancën e sotme, bëri të ditur qëndrimin e tij kundër kësaj akuze duke i konsideruar të bazuara në fakte qëndrimet e tij në artikullin e botuar më shumë se 2 muaj më parë.
Madje ai kërkoi që Presidenti Nishani duhet të tërhiqet nga padija dhe të kërkojë ndjesë ndaj tij.
Gjyqtarja Garzeni i sugjeroi palëve që jashtë sallës së gjyqit mund ta zgjidhin këtë çështje me mirëkuptim gjë që nuk gjeti miratimin e avokatit të Nishanit. Seanca e radhës do të zhvillohet me datën 22 maj.
“Është një farsë, një absurd. Një ngjarje që pak herë besoj të ketë bërë vaki në botë, jo në Shqipëri. Ça të them, ato fjalët e mia i thashë. Materialet i kam me shkrim nuk është sekret, do ua përcjell. Çdo fjalë e aktpadisë është e pavërtetë. Unë bëra një supzosim, që akuza bëhet për të marrë një certifikatë të familjes antikomuniste që s’i duhet askujt në Shqipëri përveç një presidenti që ka tendencën të vijojë në një parti që ka marrë përsipër idetë komuniste”, tha ai.
Pas zhvillimit të seancës së sotme,Bashkim Kopliku e konsideroi këtë proces si farsë i cili ka si qëllim që Nishani të sigurojë një certifikatë si antienverist. Kopliku theksoi se Bujar Nishani përfundoi një shkollë ku shkonin të zgjedhurit e PPSH.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com