Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj i është përgjigjur kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, pasi ky i fundit gjatë një interviste televizive, e quajti atë “ikonë të krimit dhe korrupsionit në sistemin e drejtësisë shqiptare”.

‘Kur e denoncova këtë, kërcitën telefonatat, dhe prap asnjë media nuk e mbulonte këtë. Kryeprokurorja e Tiranës është ikonë e korrupsionit dhe krimit.’- tha Basha në Real Story.

Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i prokurores së Tiranës, e cila tha se “kriminelët nuk mund t’i bënin presion”. Sipas Imerajt, sulmet personale dhe direkte të kreut të PD Lulzim Basha bëhen për shkak të dosjeve që ai ka në Prokurorinë e Tiranës.

“Presion që i bëhet një prokurore që ka 17 vjet në detyrë, që ka hetuar Saimir Tahirin e Shullazin. Deklarata e Bashës është sulm personal për shkak të dosjeve që ka në Prokurorinë e Tiranës, dhe për këto akuza do të përballet në Gjykatë”, i shkruante Kryeprokurorja drejtuesit të emisionit.

“Nuk bie pre e asnjë presioni politik, ekonomik apo kriminal, as e ikonës së shpëtimit nga Drejtësia me Procedurë. Presioni karshi një prokurori është vepër penale, dhe unë s’kam rënë pre e presionit në asnjë rast nga asnjë lloj krimineli.

Jam prokuror i Republikës së Shqipërisë, dhe do bëj detyrën time, në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit, pavarësisht nga sulmet e botës së politikës, së krimit, apo të njerëzve të futur për arsye të ndryshme.

Shpifja për shkak detyre, fyerja publike, dhe kanosja për shkak detyre janë vepra penale, për të cilat do përgjigjeni sipas ligjit.  Reagimi kaq personal është mungese fisnikërie, është reagim i bërë nga një ish- i pandehur i hetuar, për pastrim parash, ikonë dhe simbol i shpëtimit nga drejtësia me procedurë.”- tha Imeraj më tej.