E shkruara, lëndina e
ëndrrave të Irma Kurtit

E shkruara, lëndina e<br />ëndrrave të Irma Kurtit
TIRANE- Brezi i viteve ‘70 nuk mund të harrojë kurrsesi tekstet e goditura e plot sharm poezie të Irma Kurtit, në festivalet e këngës në Radio-Televizion, aktiviteti i vetëm dhe i shumëpritur për shqiptarët në çdo fundviti. Ishte një ritual besnik i gjithi ky...kur Irma si me qetësinë, por dhe me vrullin e e rinisë së parë, prezantonte këngën që mbante tekstin e saj. Ishin fjalë që vetiu regjistroheshin në memorie e ashtu të mbeteshin në gojë, si në ditën e zakonshme ashtu edhe në fletë dashurie.

Ajo..., Irma Kurti, besnike e fjalës, e dashuruara e mendimit poetik dhe po aq e prozës e vijoi udhën e saj të së shkruarës dhe kur iku nga vendi i saj. ... Emigroi në Itali, aty ku askush nuk kish si të njihte nostalgjinë e poezisë dhe të krijimit të saj . Atëherë, ishte një emër më shumë, në radhën e gjatë të emrave të emigrantëve të ardhur nga vendi përballë Italisë, Shqipërisë. Sot, Irma Kurti..., është fituese e dhjetëra çmimeve në Itali në konkurse ndërkombëtare si për poezitë, ashtu dhe prozën e saj. Në vitin që sapo lamë pas, Irma Kurti, u vlerësua me Çmimin ndërkombëtar:

“Universum Donna” ekuivalente e “Gruaja e Vitit” për Letërsinë dhe me emërtimin:“Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy e Universiteti i Paqes i Zvicrës Italiane. Qershia mmbi tortë, në këtë fillimviti, është një përmbledhje e re me poezi. Quhet “Sotto la mia maglia”(“Nën bluzën time”, që në fakt është libri i katërt shkrimtares pas “Tra le due rive”(Midis dy brigjeve), roman autobiografik, 2011, “Risvegliare un amore spento” (Të zgjosh një dashuri të shuar) poezi, 2011, “Un autunno senza ritorno” (Një vjeshtë pa kthim, tregime 2012. “Nën bluzën time” ishte botuar në shqip në maj të 2013-s nga Shtëpia Botuese Dudaj, por ja që autorja dëshiroi ta sillte poezinë e saj edhe në gjuhën e vendit ku ajo jeton prej vitesh.

“Nuk mund të zgjidhte titull më të goditur Irma Kurti, poetesha me një thellësi të jashtëzakonshme shpirti. Me origjinë shqiptare e emigruar në Itali, autorja di të përshkruajë në mënyrë perfekte gjendjen shpirtërore të dikujt që është i detyruar të braktisë atdheun dhe të jetojë një të ardhme larg tij”, shkruan në parathënien e këtij libri Kimerik.. Nostalgjia është nyja lidhëse e poezive, argumenti i padukshëm që bashkon të gjitha krijimet, pavarësisht nga tematika që afrohet dhe argumenti i trajtuar”, vijon Kimerik duke shtuar se ,”vepra është një përmbledhje që pavarësisht shumëllojshmërisë së tematikës rrotullohet rreth një figure të vetme, asaj të autores, e cila zgjedh, “të heqë bluzën” duke zbuluar e dhuruar veten përmes vargjeve”.

Vëllimi poetik “Sotto la mia maglia” përmban 70 poezi të ndara sipas tematikës në katër pjesë: “Në një lëndinë ëndrrash”, “Magji e dashurisë”, “Dhimbje” e “Qielli im i melankolisë”. E kontaktuar nga ATSH, Irma Kurti e quan “të shkruarën pjesë të pandarë të jetës së saj”. Ashtu sikundër shprehet në këtë intervistë, në të gjitha herët që shkruan ajo mundohet të jetë vetvetja.


Ç’është e shkruara për Irma Kurtin?
-Pjesë e pandarë e jetës sime. Kam nisur të hedh vargjet e para në letër që kur isha fëmijë, në moshën 10-vjeçare. E pastaj... pastaj, jam rritur e maturuar me dashurinë dhe pasionin për të shkruar e nuk mund ta kuptoj veten pa të.

Cili është raporti mes poezisë dhe prozës...?
-Ndoshta nuk do ta merrja kurrë kurajën për të shkruar prozë, nëse nuk do të përjetoja atë dhimbje pafund për humbjen e parakohshme të nënës 
sime. Ajo më bëri të ulem e të shkruaj librin autobiografik “Midis dy brigjeve” që është dhe mbetet një homazh dashurie. Ky libër u vlerësua me disa çmime në Itali, midis tyre me çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar ”Lago Gerundo” 2011 në Paullo, Milano. Jehona pozitive që pati dhe tek lexuesit më nxiti t’i dedikohem dhe gjinisë së prozës.

Poezia është brenda meje, ajo është e pranishme dhe në prozën që shkruaj, ngatërrohet shpesh me të, hyn papritur në rreshtat e saj për të më thënë që është dhe do të jetë, që nuk do të më braktisë asnjëherë.
 
Kur dhe pse nis te shkruash një libër të ri?
-Është një proces relativisht i gjatë deri sa të ulem e të nis të shkruaj një libër, periudha në të cilën mendoj, akumuloj, motive të ndryshme lindin e zhvillohen. Çdo gjë është ende e turbullt, ashtu siç shihen objektet në një ditë me mjegull e pastaj kjo rrallohet me procesin e krijimit. Ndonjëherë më pëlqen kjo gjendje pezull, sepse është “komode”, përpara ekranit të kompjuterit shpesh ndihem e vogël, plot dyshime e pasiguri, deri sa tema e subjekti dalëngadalë kthjellohen e marrin jetë.

Sa herë ke shkruar për veten dhe sa herë për lexuesin...?
-Krijimtaria ime është e pashkëputur nga të gjitha momentet e rëndësishme apo ato më pak të tilla, si edhe nga detajet që megjithatë meritojnë vëmendje. Në të gjitha herët që shkruaj mundohem të jem vetvetja, dhe me defektet e mia e atëherë e di se kam shkruar dhe për lexuesin.

Mendon se ka letërsi shqipe të mirëfilltë sot?
-Për fat të keq nuk jam në kontakt të përditshëm me letërsinë shqipe duke qenë se jetoj në Itali. Lexoj çdo ditë, por në italisht dhe më pak në anglisht. Në Shqipëri ka një pafundësi botimesh, dhe të botosh duket se është gjëja më e thjeshtë.

Shpesh librat përmbajnë gabime të dukshme dhe për një lexues të zakonshëm. Kjo lehtësi krijon dhe iluzione tek ata autorë që botojnë një apo dy libra e vetëquhen shkrimtarë. Të shkruarit është një proces i gjatë, që kërkon pasion e përkushtim në çdo ditë të jetës dhe emrin “shkrimtar” ta jep puna dhe eksperienca, por mbi të gjitha cilësia e “produktit” që lexuesit mbajnë në duar.

A duhet të jetë më mirë e bashkuar letërsia shqiptare që shkruhet brenda dhe jashtë kufijve?
-Institucionet e kulturës në Shqipëri duhen të zhvishen nga mentaliteti arkaik, duhet të jenë të hapur e të përkrahin çdo gjë me nivel. Mjaft më me çmime që u jepen të njëjtëve emra - pjesë e rrethit të miqve apo klaneve, interesave të ngushta apo ato politike. Ato duhet të kthejnë vëmendjen medoemos tek letërsia që shkruhet jashtë kufijve të atdheut. 

Jo vetëm pse është letërsi shqipe dhe shkruhet në kushte jo të lehta, në një të përditshme ku të duhet të luftosh e të mbijetosh. Po edhe pse kjo letërsi është ura më e qëndrueshme me kulturën e vendeve të emigrimit, reklama më e mirë që i bëhet një Shqipërie të kulturuar e të emancipuar. Si e tillë nuk mund e nuk duhet të injorohet.

Ju kur shkruani, ngjarjet i vendosni në një vend ... Apo respektivisht në Itali dhe Shqipëri?
-Në krijimtarinë time zë vend të konsiderueshëm Shqipëria, qyteti ku kalova fëmijërinë, Elbasani dhe më pas Tirana, ku vazhdova shkollën e mesme, Universitetin e punova për shumë vite. Në të ka mall, nostalgji, po edhe mllef e zemërim. Natyrisht, kam shkruar dhe për qytetin ku jetoj aktualisht, Bergamon.

Në përmbledhjen time të re me tregime që shpresoj të botohet në italisht brenda këtij viti ka shumë “shpërngulje”: Greqi e Itali, Francë, Danimarkë e Norvegji, vende ku kam udhëtuar. Unë jam dhe do të mbetem shqiptare, por më pëlqen të mendoj e ta konsideroj veten qytetare të lirë. Kjo është një ëndërr që e kemi mbajtur të gjithë brenda vetes e tanimë “pothuaj” e kemi realizuar.


Shkrimi u publikua sot (24.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane