Ben Andoni: E vërteta tek shqiptarët, si liri për të mos u dëgjuar!!

Ben Andoni: E vërteta tek shqiptarët, si liri për të mos u dëgjuar!!

Po faktet! Cila është e vërteta? Cili ka të drejtë? Këto janë pyetje, që shpesh i bëjnë në dilema shqiptarët, gjendur para akrobacive dhe veprimeve shpesh të kamufluara të pushtetit të tyre demokratik, që jo pak herë ka qenë i padrejtë me ta. Me sa duket, shqiptari i thjeshtë i bën këto pyetje ngaqë është dorëzuar mes një turme, që nuk reagon. Nuk kontrollojmë më për faktet, ashtu si sot, protagonistë e vërtetë të 8 Dhjetorit duhet të habiten me të drejtë për rrjedhën ku shkoi demokracia jonë. Së fundmi, “8 Dhjetori” u mor nga PD-ja për të ngritur një narrativë, që tashmë nga ana institucionale i jep “një të drejtë” dhe identifikon fillesat e saj, por kurrsesi monopolin për të. Në një nga sythet e librit të tij “Mbi tiraninë”, Timothy Snyder shprehet se: “Është aftësia juaj për të dalluar faktet që ju bën Ju një individ dhe është besimi ynë i përbashkët në diturinë e përgjithshme që na bën ne shoqëri”. Këtu nis dhe abstragimi tij interesant, që do të thotë se: individi që investigon dhe kërkon duhet vlerësuar sepse është një shtetas, ndaj lideri përballë tij, që nuk e pëlqen ka premisa të rrëshqasë në padrejtësi.

Rëndom, sot, ne nuk pyesim më dhe nuk i drejtohemi më të shkuarës sonë. Sot, komunistët fanatikë, ata që e dërrmuan regjimin me ngurtësinë e tyre, sot janë shndërruar në demokratë të ashpër, që po prishin demokracinë e ëndërruar.

Dhe, ndodh, që para drejtësisë e cila shpalos faktet e saj, ose organizma, që kanë fuqi vëzhgimi shpallen vendime dhe tek ne relativizohen. E habitshme, sesi ende tek PD-ja besojnë për heqjen e non-gratës së Berishës, ashtu si tek PS-ja e kanë të kristalizuar sot, që Rama është i pazëvendësueshëm. E ka të pamundur kryeministri aktual, t’i thuhet se informaliteti dhe administrata e tij janë shkaktare të kësaj gjendje ku shqiptarët ikin dhe vetëm duan të ikin. Është “e vështirë” t’i shpjegohet fakti qeverisë aktuale, që vendi nuk mbahet me fushata, që janë një modul i dashur dhe i preferuar i qeverisë. Ndaj, presioni që bën me pagat dhe informalitetin ka sjellë pasojën e problematikave të tjera. “Bizneset në fakt i rritën pagat, por jo aq shumë nga ‘presioni’ i qeverisë, sesa nga shtrembërimet që u krijuan në tregun e punës, si rrjedhojë e ritmeve të larta të emigracionit. Kjo lëvizje, që erdhi e detyruar dhe e pashoqëruar me produktivitetin, ndikoi në uljen e konkurrueshmërisë së bizneseve, duke përkeqësuar treguesit e përfitueshmërisë”, shkruan Monitor (Dhjetor, 2024). Problem nuk mbetet përballja, por faktimi i informalitetit në këtë rast. “Përfaqësuesit e biznesit pohojnë se informaliteti në tregun e punës është i përhapur, për shkak të normës së lartë të tatimit mbi të ardhurat (TAP) si për pagat, sidomos ato të larta, ku nëndeklarimi është më i lartë. Tatimi për pagat mbi 200 mijë lekë është 23%, më i larti në rajon, që përgjithësisht ka një nivel të sheshtë prej 10% deri në 15%” (Dhjetor, 2024).

Në politikë, përndryshe, një narrativë e paqartë sundon sot ende për fillimet e lëvizjes demokratike. Është “turp” t’u thuash e kujtosh një pjese, që në krye të partive të tyre ishin dhe mbeten individë me lidhje të forta me komunizmin.

Më keq akoma, sot, komunizmi, është bërë një masë, e cila konceptohet materialisht dhe shërben thjesht për t’u zhvatur. Ndaj, bërtitja nëpër studio është imazhi i keq i një makthi, që qëndron si shpata e Demokleut mbi shqiptarët: A mjaftoi ndryshimi i sistemit apo është një makth i ri, i veshur me rroba kinse lirie? Pse nuk gjykohet më mbi faktet e prekshme?!

Tashmë, që de facto, kemi nisur fushatën zgjedhore dëgjojmë një gjuhë, që nuk ka asnjë princip etike, por nga ana tjetër dhuron një egërsi, që ka penetruar në të gjithë masën e shoqërisë. Berisha e ka shtuar në ditët e lirisë të sapofituar diskursin e ashpër, kurse deputetët e tij nuk e kanë për gjë që të godasin deri fizikisht Gardën por edhe policinë!!! Nga ana tjetër, te PS-ja, megjithëse më të kuruar, nuk u shpëton momenti, për t’u derdhur kundërshtarëve të tyre egërsi dhe ofendime. Rasti Braçe-Zhupa së fundmi dhe të tjerë para tij, tregojnë se përballja me të vërtetën deh faktin qenka shumë i vështirë në vendin tonë. Nëse socializmi dikur luante me shpresën e pamundur të ndërtimit të një ideali të madh, me anë të një propagande që kaloi çdo masë, kjo e sotmja, mbështetet mbi internetin dhe fate të paprovuara. Kurrë nuk ka pasur këtë dezinformim sa më këtë kohë, aqsa, shpesh është relativizuar gjithçka. Duhet të jetë i vërtetë shqetësimi i deputetit Braçe për dezinformimin, por tashmë ka nevojë që fakti të flasë mbi akuzat. Për fat të keq, kjo frymë sot është me një gjeografi të madhe në demokracinë bashkëkohore. Bota është gjithë sy e vesh për mandatin e dytë të Tramp dhe me shpresë të mos përsërisë atë denigrim të medias, që i dha zemër shumë të ngjashmëve si ai. Politologjia Hannah Arendt, që e vuante shumë këtë frymë të mungesës së të vërtetës në kohën e saj, kur flitej për Luftën e Vietnait do sillte një përcaktim më të drejtë për faktin dhe dezinformimin: “Nën rrethana normale gënjeshtari mposhtet nga realiteti, për të cilin nuk ka zëvendësues; nuk ka rëndësi sesa i gjatë është filli i falsitetit që një gënjeshtar me eksperiencë është në gjendje të ofrojë, ai kurrë nuk do të jetë i mjaftueshëm i gjatë për të mbuluar pafundësinë e faktualitetit edhe nëse merr ndihmë nga kompjuterët”.

Këtë duan shqiptarët e zakonshëm sot, që përballë të kenë faktin, ose të kenë mundësi të hulumtojmë vetë faktin. Me pak fjalë, le të kthehen vetë verifikues të fakteve dhe t’ia thonë në sy të vërtetën si ata pensionistët në studio z. Rama: Po ne paguajmë!; apo si ia thanë në sy Berishës në inkursionet e tij me “Foltoren”: Je plak, pse duhet të drejtohemi më nga ty...”. “Për shkak se në kohën e internetit ne të gjithë jemi botues, secili prej nesh ka disa përgjegjësi private për të kuptuarit publik të së vërtetës. Nëse ne jemi seriozë dhe kërkojmë fakte, secili prej nesh mund të bëjë një revolucion të vogël në mënyrën sesi interneti funksionon”, na thotë Snyder dhe shton dhe diçka interesante: “Nëse mund të shmangim ushtrimin e dhunës në mendjet e të tjerëve që nuk i shohim në internet, të tjerët do të mësojnë të bëjnë të njëjtën gjë”.

Në fakt ishte një njeri që pa shumë më tepër në këtë xhungël të së vërtetës. Orwell kuptoi se njeriu trembet nga e vërteta, nga ajo që i zbulohetm, ndaj dhe fjala e tij është e hidhur por me sa duket e drejtë për kohën tonë: “Nëse liria nënkupton diçka, do të thotë të drejtën për t’u thënë njerëzve atë që ata nuk duan të dëgjojnë”. E hidhur, por me sa duket tashmë ka habitatin e vet në Shqipëri. (Homo Albanicus)

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    12 Dhjetor, 16:05

    Berishës iu dha zyrtarisht nga gjykata vula e PD, a do të shtohen votat?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Report Tv/ Dumani u shpall kampion i antikorrupsionit, diaspora e quan mesazh kundër Berishës! 40% e shqiptarëve për të gjithë politikanët

Sondazhi i Report Tv/ Dumani u shpall kampion i antikorrupsionit, diaspora e quan mesazh kundër Berishës! 40% e shqiptarëve për të gjithë politikanët