Edhe Bejkeri do ta kishte bërë sikter Berishën

Edhe Bejkeri do ta kishte bërë sikter Berishën

Xhejms Bejker dhe Sali Berisha

Para pak ditësh në DITA tregova për vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker 30 vite më parë në Tiranë. Kjo vizitë e rëndësishme shënoi kulmin e saj në mitingun e Sheshit Skënderbej, ku zoti Bejker deklaroi atë ditë në Tiranë se erdhi në Shqipëri me ftesë të mikut të tij Sali Berisha.

Pas botimi të shkrimit, vura re se shkrimit i mungonte një konkluzion. Këtë ma thanë edhe disa miq e shokë të mi që më kërkuan të flisja më shumë e të tregoja se si ndodhi që nga miku i madh i amerikanëve, Berisha të kthehej 30 vite më pas si përson i padëshirueshëm për ta. Dhe pyetja tjetër e natyrshmë: a është i ndryshëm Sekretari aktual i SHBA Antony Blinken nga Xhejms Bejkeri 30 vite më parë?

Po përpiqem të jap një përgjigje për miqtë e mi, por edhe për të tjerë.

E para, 30 vite më parë nuk mund të vihet në dyshim se Berisha ishte jo vetëm miku i amerikanëve dhe i përzgjedhur i tyre për të ardhur në pushtet në Shqipëri. Bejkeri nuk tha se kishte ardhur në Tiranë me ftesë nga presidenti i atëhershëm Ramiz Alia, dhe aq më pak nga ish-kryeministri Ylli Bufi. Ai erdhi për vizitë zyrtare në Tiranë nga shefi i opozitës Sali Berisha, ç'ka tregon se SHBA kishte shumë besim te ky njeri. Me gjuhën e tij diplomatike, sikurse dhe i takonte të bënte, Bejkeri u tha shqiptarëve atë ditë: Ja njeriu që duhet të nxirrni në krye. Kjo është alternativa që ka zgjedhur dhe përkrah Amerika. Kini besim te Berisha!…

Në fund të fundit, pas 30 vitesh mund të themi se ky ishte dhe qëllimi i vizitës së Bejkerit në Tiranë. SHBA, duke parë rrokullisjen me shpejtësi të regjimit të vjetër, dukej se ishin shumë të interesuar që në pushtet të vinte me doemos një njeri i besuar i tyre. Dhe ky person qëlloi të ishte Sali Berisha.

E dyta, duhet pohuar se Sali Berisha nuk ishte një njeri i besuar jo vetëm i amerikanëve. Mbi të gjitha, është thënë dhe vërtetuar se ai ishte i besuari i ish-Partisë së Punës. Me një stazh të gjatë prej një çerek shekulli si komunist i devotshëm, në një shtet të centralizuar ku PPSH kontrollonte gjithçka, ai u përzgjodh nga Ramiz Alia dhe udhëheqja e asaj kohe për t’u vënë në krye të opozitës së re politike. Ramiz Alia nuk e tha asnjëherë të vërtetën deri në fund për këtë çështje, por fakt është se Sali Berisha i sapozgjedhur në krye të PD-së bërtiste në kupë të qiellit nëpër tubimet me dhjetëra mijë njerëz të ekzaltuar se “mirënjohja jonë e thellë shkon për shokun Ramiz Alia…” Sidoqoftë këtë punë mund ta shkoqisë më mirë dhe më bindshëm Xhelil Gjoni, dora e fortë e Ramiz Alisë në atë kohë në krye të PPSH-së. Në intervistën që i mora pak javë më parë, Xhelil Gjoni më tha se e ka përfunduar një libër me “Intrigë dhe dashuri në politikë”, por diçka edhe mund të ma tregojë paraprakisht. Duke pirë kafen, Xhelili më tha: Ato që thuhen për lëvizjen e studentëve në dhjetor 1990, nuk janë kot. Do të ta tregoj të vërtetën…

Pra duket se ka një përputhje, përzgjedhje dhe parapëlqim si nga SHBA dhe nga PPSH për emrin e Sali Berishës si personi me të ardhme në politikën shqiptare.

Megjithatë, kanë rrjedhur shumë ujëra nga atëherë. Kanë kaluar 30 vjet, jo pak. Berisha është ngjitur e ka zbritur nga pushteti, është ringjitur e prapë ka rënë nga fiku. Derisa dy muaj më parë u shpall familjarisht non grata nga Sekretari amerikan i Shtetit Blinken, akt që në të vërtetë është një fundosje përfundimtare e tij moralisht dhe politikisht. Nuk besoj se mund të ketë të ngjashëm në politikë si ai në këtë kurbë me të përpjeta e tatëpjeta dhe me një fund kaq të turpshëm e të mjerueshëm.

Por, si ndodhi që ai të kthehej për amerikanët nga i adhuruari i madh në të padëshiruarin e madh? Kjo duket vërtetë e çuditshme në pamje të parë. Por po ta vëresh me vëmendje udhëtimin politik të Berishës, nuk ka asgjë për t’u çuditur, madje vendimi i fundit i Uashingtonit duket tepër i vonuar.

Sepse Berisha i ktheu krahët Amerikës shumë shpejt, sapo arriti majën e pushtetërimit të tij. Partinë e Punës e “tradhtoi” të parën. Veprimet dhe sjelljet e tij kanë qenë tërësisht antidemokratike, domethënë dhe antiamerikane. Mirëpo Amerika e ka këtë “ves” vëzhgon shumë thellë dhe mban shënime. Durimi i saj është i pasosur dhe në fund ia arrin synimit.

“Uncle Sam is watching”, thotë Fatos Tarifa, një nga njohësit më të mirë të politikës amerikane.

Ndërsa politologu amerikan James Farrell, ka thënë se “Amerika është aq e madhe sa që çdo gjë që mund të thuhet për të ka të ngjarë të jetë e vërtetë dhe, në të njëjtën  kohë, edhe e kundërta ka po aq mundësi të jetë e vërtetë…”

Po i referohem një prej rasteve më flagrantë ne historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe që ka të bëjë direkt me Berishën dhe vetëm pesë vjet pas rilidhjes sw marrëdhënieve tona mw Shtetet e Bashkuara..

Një lozhë bosh në parlament

Një aksiomë e njohur thotë: Në diplomaci shpesh herë gjestet flasin më shumë se ligjëratat.

Në rastin të cilit po i referohem, gjesti ishte ky: Përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Tiranë nuk morën pjesë më 1 korrik në ceremoninë e hapjes së punimeve të parlamentit, i cili doli nga zgjedhjet e 26 majit.

Gjesti ra në sy menjëherë dhe ishte dëshpërues për të pranishmit, të cilët më së shumti, që nga rojet e deri te Kryetari i Shtetit, i përkisnin Partisë Demokratike, e cila u shpall “fitimtare” më 26 maj. Me sytë nga lozha bosh ishin deputetët që fillimisht thanë mbase vinë, presim dhe disa minuta, pastaj me zemër të ngrirë: Si nuk po vijnë? dhe, së fundi, duke pyetur me ngritje supesh njëri-tjetrin të pikëlluar: Përse nuk erdhën, vallë?

Por të gjithë e dinin, ose e kuptonin shumë mirë, domethënien e këtij gjesti diplomatik. Ai lidhej padyshim me 26 Majin, me zgjedhjet që u zhvilluan në Shqipëri, vërtetësia e të cilave u vu menjëherë në pikëpyetje pas bojkotimit që u bëri opozita për shkak të parregullsive të mëdha dhe falsifikimeve që shumë  shpejt do t’i pohonin edhe vëzhguesit e huaj dhe organizma e forume të larta ndërkombëtare. Qeveria Amerikane mbajti në këtë rast një qëndrim të palëkundur, duke mos u pajtuar me shkeljet që dhunuan votën e lirë të popullit. Sepse për të institucioni i Votës së Lirë është i Shenjtë si vetë Liria.

Ndaj dhe entuziazmi i shpallur në ditën e parë të këtij pseudoparlamenti, ishte më tepër një gjest butaforik, se sa një sjellje serioze shtetarësh. Realiteti ishte krejt tjetër, aspak entuziast. Mungesa e amerikanëve në sallë ndihej thellë, ndërsa hutimi ishte i përgjithshëm. Të gjithë dukeshin sikur pyesnin: Ç’po ndodh kështu? Mos…  Mos po prishemi me Amerikën?

Edhe  në rast se ndonjëri nuk e ka dëgjuar këtë pyetje, e ka nënkuptuar lehtë atë në vështrimet e deputetëve dhe të vetë kryetarit Berisha, të cilët përpiqeshin të lëshonin ndonjë buzëqeshje të shtirur, gjoja mospërfillëse, me mendjen gjithnjë tek ajo lozhë bosh në sallën e parlamentit.

Amerika si ëndërr

Gjatë gjithë kohërave Amerika ka qenë për shqiptarët një ëndërr e bukur, e largët, e paarritshme. Ajo është parë prej tyre si ëndërr edhe në vitet më të zymta të regjimit komunist. Prej andej shumëkush priste ardhjen e Agimit Demokratik.

Dhe me këtë ëndërr u zgjuan më 1990.

E kemi pohuar edhe më parë se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fitoren e demokracisë shqiptare ka qenë parësor, ashtu sikurse ka qenë për shembjen e perandorisë komuniste. Si i tillë konsiderohet ky rol nga shumë analistë kur flasin për fitoren e PD më 22 mars 1992.

PD i bëri për vete shumicën e shqiptarëve, përveç të tjerash me proamerikanizmin e saj. Shqiptarët asnjëherë më parë nuk e kishin patur aq pranë Amerikën, Superfuqinë Nr. 1 të Botës, të mbiquajtur tempull i demokracisë, të anatemuar skajshmërisht gjatë sundimit gjysmëshekullor të Enver Hoxhës si shtet imperialist, xhandar ndërkombëtar etj. Ëndrra amerikane tashmë ishte krejt e prekshme, brilante, mahnitëse dhe shpresëdhënëse. Shqiptarët kanë përsëritur shpesh me mburrje, por edhe me nëntekst të lexueshëm vargjet e Nolit “Mbahu nëno, mos ki frikë,/ se ke djemtë në Amerikë!”, që në fund të fundit i referoheshin diasporës shqiptare në Amerikë. Dukej se andej do të vinte Shpresa  dhe Shpëtimi.

Dhe ja, pas afro pesë dekadash mërie dhe hasmërie, nuk po vinin drejt Shqipërisë bijtë e saj të mërguar në Amerikë, por vetë Amerika! A nuk ishte kjo madhështore? A nuk ishte kjo fantastike?! Shqiptarët i ngrohte interesimi i veçantë i SHBA për Shqipërinë, gatishmëria dhe predispozicioni i administratës amerikane, emisarët e saj që filluan të bëhen gjithnjë e më të shpeshtë në Tiranë…

Shqiptarët i thirrën kujtesës për të sjellë ndërmend presidentin Woodrow Wilson, i cili është bërë proverbial me mbrojtjen që i bëri vendit të vogël ballkanik në Konferencën e Paqes 70 e ca vjet më parë. Ata kujtonin gjithashtu të mirënjohurin Harry Fultz, drejtorin e shkollës amerikane të Tiranës në vitet ’20-’30, ish-studentët e të cilit do të ishin ndër intelektualët më të shquar të Shqipërisë për dekada me radhë.

William Rayerson, i cili mbërriti në Shqipëri më 1991 si ambasador, nuk gjeti këtu një terren të zbrazur, të huaj ose të panjohur. Gjurmët dhe puna pasionante e paraardhësve të tij amerikanë do t’ia lehtësonin së tepërmi detyrën. Ndërkohë që dukej se në vitet e mungesës së gjatë, funksionin e ambasadorit e kishte kryer më së miri Zëri i Amerikës. Ëndrra e kahershme dhe e bukur tashmë ishte realitet.

Një ëndërr demokratike, gjithë shkëlqim, dehëse…

Të gjitha këto kujtoheshin me mallëngjim atë ditë të 1 korrikut 1996, ndërsa një lozhë e parlamentit kishte mbetur bosh.

Kur doli kryetari Berisha që t’i përshëndeste për “fitoren”, deputetët mprehën shikimin dhe hapën veshët se ç’do të thoshte për Amerikën, përkrahjen e saj. Por… asnjë fjalë! Ashtu si edhe gjatë fushatës. Domethënë diçka ka, diçka nuk shkon! Ajo lozhë bosh, si zgavër e tmerrshme përpinte gëzimin e të gjithëve, ndaj dhe entuziazmi, duartrokitjet, urimet ishin krejt false, gjysmake. Zbrazëtinë e asaj lozhe nuk mund ta mbushte kurrkush, pa le më ligjëratat e rëndomta dhe hipokrite të mbushura ding me fjalët Liri, Drejtësi, Demokraci…

Në mesin e verës lozha bosh përhapte akullsi në shpirtra, paralajmëronte kohë të vështira, dimër. Ndaj dhe deputetët ngjanin si manekinë.

Mos jemi në ëndërr?, pyesnin me sy e nën zë deputetët e porsaemëruar. Mos nuk është e vërtetë? Dhe pickonin veten. Jo, është e vërtetë! Ne jemi këtu në sallë, por Amerika nuk është. Amerika mungon. Amerika qënka zemëruar me ne!

Po ç’faj kemi bërë?

Ëndrra ringjallet

Shqiptarët thonë: Miku provohet në rrezik!

Një rast prove për popullin shqiptar ishin, fjala vjen, zgjedhjet e 26 Majit. Ky popull vetvetiu ndjeu nevojën e përtëritjes së shembullit të ndritur, por të largët, të Uillsonit në një moment kritik të demokracisë, së cilës i ka hyrë pa mëdyshje.

Se ç’ngjau më 26 maj në Shqipëri, tashmë është e qartë prej të gjithëve. Po kështu dhe ajo që ngjau më 28 maj në Sheshin Qendror të Tiranës dhe më pas.

The New York Times, gazeta më e madhe amerikane, shkroi me këtë rast:

Dhuna e sotme (e 28 majit) ka qenë më e keqja që është ushtruar qysh nga dallgët e saj në zgjedhjet dhe vëzhguesit me përvojë të tyre kanë thënë se ishte dhuna më e keqe që kanë parë në ndonjë vend të Europës Lindore apo në ish-Bashkimin Sovjetik, qysh prej fundit të komunizmit… Berisha është duke veshur parzmoren diktatoriale të ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha.

Më 1 qershor Departamenti Amerikan i Shtetit, në një deklaratë për zgjedhjet në Shqipëri, nënvizoi:

Fatkeqësisht, këto zgjedhje u shënuan nga parregullsi, gjë që përbën një hap të rëndësishëm prapa nga zgjedhjet parlamentare të vitit 1992.

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut në Kongresin Amerikan më 19 qershor, ligjvënësi demokrat Tom Lantosh, duke folur për zgjedhjet në Shqipëri, kërkoi që ato të zhvillohen përsëri.

Një ditë më pas, gjashtë kongresmenë të shquar, me në krye Josef  Kenedin, i shkruanin Presidentit Klinton, ku këmbëngulnin që Shtëpia e Bardhë të lëshojë një deklaratë që të dënojë shkeljet elektorale në Shqipëri dhe të bëjë thirrje për zgjedhje të reja të menjëhershme nën mbikqyrjen ndërkombëtare.

Më 28 qershor, në komentin e Qeverisë Amerikane, thuhej:

Qeveria e SHBA është e mendimit se gjatë zgjedhjeve të 26 majit në Shqipëri ka patur parregullsi të rënda për të cilat duhen zhvilluar hetime të paanshme. Për këtë qëllim SHBA do të inkurajojnë qeverinë e Shqipërisë që të pranojë një mekanizëm ndërkombëtar për rishikimin e zgjedhjeve…

Po cili ishte reagimi i palës shqiptare?

Me gjithë këto qortime të rrepta të Amerikës, Presidenti ynë vazhdon të jetë i shurdhët ndaj tyre, ndërsa nuk resht së glorifikuari “fitoren” e 26 Majit. Ai dekretoi mbledhjen e Parlamentit, duke krijuar një precedent të rrezikshëm në marrëdhëniet me Amerikën.

Por një lozhë mbeti bosh në atë parlament në pasditen e 1 korrikut!

Për SHBA çështja e zgjedhjeve të 26 majit nuk është mbyllur, deklaroi diplomati amerikan në Tiranë Çarls Walsh, kur e pyetën se përse nuk shkuan të merrnin pjesë në ditën e parë të punimeve të këtij parlamenti.

“Hm! Ju po më sfidoni. Ju nuk më erdhët në Ditën e Gëzimit tim të Madh, – dukej se mendonte atë pasdite Berisha i vetmuar dhe i ngrysur. – Hm! Tani do të shikoni sfidën time. Ju harroni se pas tre ditësh keni Festën e Pavarësisë…”.

Dhe Berisha di ta mbajë premtimin kur fjala është për punë mërish. As vetë nuk shkoi dhe asnjë nga vartësit e tij nuk lejoi të shkonte për urim në Ambasadën Amerikane në Tiranë më 4 korrik!

Amerika është në lozhë

Këto që po ndodhin sot në Shqipëri, kjo metamorfozë në qëndrimin e autoriteteve shqiptare ndaj SHBA dhe politikës amerikane, të kujtojnë qëndrimet e qeverisë së Enver Hoxhës menjëherë pas zgjedhjeve të dhjetorit 1945, ku ai siguroi legjitimitetin e zgjedhjeve dhe kujtoi se e ndjeu veten të fortë, shkruan Prof. Paskal Milo, një nga njohësit më të mirë të historisë së lidhjeve shqiptaro-amerikane. Ai dhe politikanë të tjerë kanë paralajmëruar edhe ditë më të këqija  për këto marrëdhënie, nisur nga qëndrimet kokëforta të Berishës dhe qeveritarëve shqiptarë kohët e fundit. Jemi në një periudhë kritike të këtyre marrëdhënieve dhe kriza është evidente, thonë ata.

Lozha bosh në parlament më 1 korrik 1996 ishte dëshpëruese.

Por, në të vërtetë, kohërat kanë ndryshuar. Pasi kemi pranuar të lidhemi me Amerikën, do të pranojmë edhe “lojën” e saj, do t’ia mirëpresim vërejtjet, do t’ia durojmë edhe kritikat. Ndaj atë lozhë në parlament nuk mund ta zerë kurrkush tjetër. Ajo është e Amerikës.

Realisht, Amerika është në lozhë dhe, prej andej, plot autoritet shikon me vëmendje skenën tonë të politikës… Madje besohet se ajo edhe e dirigjon këtë skenë.

Në detin e madh të politikës botërore, Amerika i ngjan një transoqeaniku që të imponohet me madhështinë dhe forcën, por edhe që të ngjall adhurim e respekt, sepse si askush tjetër është deklaruar në mbrojtje të Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, për mbrojtjen dhe prosperitetin e Demokracisë.

Amerika është në lozhë edhe kur mungon. Madje, mungesa shpërfaq më brutalisht praninë e saj…

Mund të radhiten pa fund fakte e ngjarje që i çuan Shtetet e Bashkuara te ky qëndrim ekstrem. Sepse pas 96-s, erdhi 97-a kur iu vu flaka Shqipërisë dhe shteti ra. Pastaj erdhi 98-a me grushtshtetin e dështuar… Vite më vonë do të vinin Gërdeci dhe 21 janari… Për të gjitha këto ngjarje dhe gjëma që kanë ndodhur shqiptarët e dinë shumë mirë se cili është fajtori. Por me rëndësi është fakti se këtë e dinë edhe në Uashington

Si ndodhi që thuajse pa asnjë përjashtim, të gjithë ambasadorët e Shteteve të Bashkuara gjatë këtyre 30 vjetëve janë shpallur “non grata” madje armiq të Shqipërisë nga Sali Berisha? E kur shpall “armiq” ambasadorët, i je kundërvënë direkt Shteteve të Bashkuara. Sepse ambasadorët nuk janë persona privatë. Ata flasin zyrtarisht në emër të Presidentit të Amerikës. Është absurditet të mendosh të kundërtën… Është një listë e gjatë ngjarjesh, qëndrimesh dhe refuzimesh të Berishës kundër Amerikës dhe interesave të saj, jo vetëm në Shqipëri, por edhe shumë më gjerë.

Tani shtrohet pyetja: A është Blinken ndryshe nga Bejkeri i vitit 1991? Kush gaboi prej tyre? Absolutisht jo, as njëri dhe as tjetri. Të dy janë përfaqësues të qeverisë amerikane dhe në bazë të konceptit që ata kanë për demokracinë, janë në të njëjtën linjë qëndrimi. Me Shqipërinë po se po. Mbështetën dikë që e pandehën se mund të ndërtonte demokracinë në këtë vend, por kur e panë që ai u doli duarsh, nuk kishin si ta mbështesnin… Ky është konkluzioni më logjik në këtë histori.

Edhe Bejkeri do ta kishte bërë sikter Berishën dhe soj e sorollopin e tij me gjithë ato gjëma që i ka sjellë këtij vendi si në pushtet dhe në opozitë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun