Rastësia e solli të lexoj në rrjetet sociale shkrimin-investigim të mikut tim, Ing. Arben Meçaj. E kam vlerësuar inxhinierin në çdo pozicion që ka patur dhe në çdo kontribut që ka dhënë. Nuk është se kam qënë gjithnjë dhe për çdo gjë dakort me të. Në emisione debate televiziv, ku kemi marrë pjesë jemi “përplasur” për shifrat dhe kemi rënë dakort për analizat tona. Por nuk mund të ishte kështu në shkrimin e tij të fundit me titull “Nafta shqiptare, Padronët ndryshuan, vjedhja vazhdon”. Dhe unë bëra një reagim në këtë portal (të ideuar nga studentë të mij), por një reagim që nuk ka lidhje me “pronarë që ndryshojnë” dhe as me “vjedhjen që vazhdon”. Kjo është çështje e ing. Benit. Profesionin e kemi të njëjtë, por ja që mendimet na ndryshojnë për çështje të njëjta. Kjo nuk është e keqe, është një e mirë e dobishme.

Ing. Meçaj më është përgjigjur dje, në po të njëjtin portal. Unë nuk kam aftësinë dhe as detyrën të ndaj se kush nga ne ka të drejtë në ato që thotë. Po unë këmbëngul të them ato që di, ato që i di më mirë dhe ato që besoj. Më ka ndihmuar në këto që do të them më poshtë edhe pozicioni si drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve (SHSHH) për tetë vjet, një shoqatë që, për fat të keq, përfshinte vetëm importuesit e karburanteve, që nuk funksionon tashmë dhe prej të cilës nuk paguhem asnjë cent prej vitit 2009.

Pra nuk kam ndonjë “konflikt” interesi për sa do të shkruaj! Por që duhet shkruar, njëlloj si Ing. Meçaj për të sqaruar në mënyrë të “shteruar” këtë mekanizimin e çmimit, të abuzimit me çmimin, etj, etj. E kam bërë këtë edhe më parë. E kanë bërë edhe të tjerë (përmend me respekt V. Pukën, që e ka bërë një analizë të tillë vitin e kaluar). Vetëm se unë ua lë lexuesve dhe miqve si Arbeni të flasin për “padronët”, nuk kam takat të merrem me ta…