E diela e lirisë shfaq papërgjegjshmërinë e qytetarëve! Prindër e pensionistë grumbullohen në rrugë e parqe

TIRANË- Orari i lëvizjes së lirë për pensionistët, deri në orën 10:00, ka përfunduar edhe sot. Ndryshe nga dje bie në sy se sot më shumë e shfrytëzuan këtë mundësi, për shkak të kushteve atmosferike pasi sot edhe moti favorizoi këtë kategori për të dalë shëtitje. Kjo e bërë edhe më të madhe papërgjegjshmërinë për të ruajtur distanca sociale duke krijuar grumbullime të mëdha njerëzit në rrugë e parqe.

Sakaq në disa qytete kishte edhe nga ata kategori qytetarësh të cilët nuk i respektuan rregullat, duke dalë në të njëjtën fashë orari si pensionistët.

Ndërkohë duke filluar nga ora 11:00 deri në 17:30 do të kenë mundësinë të lëvizin prindërit me fëmijë deri në moshën 14 vjeç. Pjesa tjetër do të vijojnë të qëndrojnë në shtëpi, po ashtu sot do të ndalohet kategorikisht qarkullimi i automjeteve private, përjashtuar ata që punojnë me autorizimet përkatëse. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:36
'I lumtur që dola, por nëqoftëse vazhdojmë kështu s'kam më mundësi!' Qytetari në Elbasan: Ku është paga e luftës? (VIDEO)

Në Elbasan rrugët dhe parqet e qytetit sot kanë qenë të mbushur me prindër dhe fëmijë, të cilët kanë shfrytëzuar lejen për dalje. Qyteti gumëzhinte nga zhurmat e fëmijëve, të cilët kanë luajtur me bashkëmoshatarët e tyre, sigurisht edhe të shkujdesur ndaj masave për koronavirusin. Por në rrugë, edhe pse pas orës 10, kishte edhe të moshuar të cilët shëtisnin fëmijët.

"U ndjeva shumë mirë sot, por është mirë të lehtësohen më shumë masat. Sot kam dalë me nusen dhe me nipin,"-shprehet një i moshuar

"Të gëzuar jemi ne që dalim çdo ditë, por njerëzit duan të punojnë. Po vazhduam kështu s'kemi me çfarë të dalim. Kryeministri tha do iu japim pagën e luftës, por deri më tani ska gjë,"-shprehet një qytetar.

Ora 12:52
Leja për prindërit me fëmijë, qytetarët mbushin plot liqenin e Farkës (VIDEO)

Leja për lëvizjen e lirë të qytetarëve me fëmijët e tyre është shfrytëzuar edhe nga disa persona të tjerë të cilët sot kanë mbushur liqenin e Farkës në Tiranë. Në video duken shumë qytetarë të cilët këtë dielë kanë zgjedhur ta kalojnë buzë liqenit, sigurisht pas një periudhe të gjatë ku ishte rreptësisht e ndaluar. Ka edhe nga ata të cilët së bashku me fëmijët kanë konsumuar drekën, duke kaluar një ditë ndryshe pasi gati dy muajsh në karantinë.

 

Ora 12:37
'Kjo e dielë më e bukur,' Rama: Do të pasohet me lehtësime të tjera, por merak sjellja individuale (VIDEO)

Kryeministri Rama ka shpërndarë një video në rrjetet sociale ku duket kryeqyteti i mbushur me prindër me fëmijë, diçka e cila ka munguar shumë në dy muajt e fundit për shkak të koronavirusit. Në videon e shpërndarë Rama shkruan se 'kjo e dielë e bukur është me frymëmarrje më të qetë', ndërkohë që paralajmëron lehtësime të vazhdueshme në vijim.

Sipas Ramës deri më tani kemi një bilanc pozitiv në këtë luftë dhe duhet të vazhdojmë kështu, por meraku mbetet te sjellja individuale e qytetarëve, të cilët sipas kryeministri duhet të kenë parasysh se po shkojmë drejt një normaliteti të ri botëror.

"KJO E DIELË E BUKUR me frymëmarrje më të qetë, do të pasohet nga lehtësime të vazhdueshme në vijim, POR MBETET MERAKU I MADH i sjelljes individuale sipas rregullave të mbrojtjes së shëndetit për veten, familjen, shoqërinë!

Deri në daljen e vaksinës, e gjithë bota po shkon drejt një normaliteti të ri, me kufizime të arsyeshme që fillojnë nga VETËDIJA NJERËZORE E QYTETARE e secilit prej nesh.

KEMI NJË BILANC FANTASTIK deri këtu, TË ARRITUR SË BASHKU dhe është e pajustifikueshme që të kthehemi mbrapsht, si pasojë e mungesës së vëmendjes ndaj shëndetit.

Kalofshi sa më mirë dhe më e mira do të bëhet, me durim, mirëkuptim, bashkëpunim, PËR FAMILJET TONA dhe PËR SHQIPËRINË,"-shkruan Rama.

Ora 11:42
Mëngjesi në Lezhë jo vetëm për pensionistët, të gjithë kategoritë e qytetarëve në rrugë (VIDEO)

Sot në Lezhë, ekzaktësisht deri në orën 10:00 kur lejohej lëvizja e pensionistëve, kanë qarkulluar edhe persona të tjerë, duke thyer rregullat e vendosura nga autoritetet. Si rrjedhojë në disa raste policia ka ndërhyrë fillimisht duke këshilluar, ndërsa nuk kanë munguar edhe rastet kur janë vendosur gjoba.

Ora 11:20
'Pse deri në 10 lejohet?!' Pensionisti në Berat i painformuar për orarin: Unë dje qëndrova deri në 17:00 (VIDEO)

Sot rrugët dhe shëtitorja e Beratit ka qenë dhe është e mbushur me pensionistë dhe fëmijë, të cilët të shoqëruar nga prindërit kanë dalë të bëjnë shëtitje. Për të moshuarit orari i lejuar ishte deri në orën 10:00, por ka nga ata të cilët kjo fashë i ka zënë jashtë. Kjo më shumë për faktin se nuk janë të informuar.

"Na pëlqen s'na pëlqen ky është orari, çfarë të bëjmë. Pse deri në orën 10 lejohet për ne pensionistët?! Unë e di deri në orën 17:00, si dje,"-shprehet një pensionist.

"Jam i kënaqur por duhet edhe gjëra të tjera. Nuk duhet vetëm të dalësh. të jetë edhe paradite edhe pasdite. Ne nuk na vjen njeri të na pyes çfarë nevoje kemi. Jo kur të iki virusi të heqim dhëmballën, ose të operohemi nga apendesiti. Asistencat, pensionet në disa vende administrohen mirë, në disa vende ka pengesa,"-shprehet një tjetër pensionist.

Ora 10:33
'A sa goca të mira', i moshuari në Tiranë komplimente gazetareve: Unë jetoj në Amerikë, sot më dha leje shefi i madh (VIDEO)

Të moshuarit në Tiranë kanë dalë sërish sot për të shfrytëzuar orarin e liri daljes të vendosur nga autoritetet. Në numër më të shumtë se dje, për shkak se e shtuna ishte e karakterizuar me mot me shi, ata shprehen të lumtur që patën mundësi të dilnin.

"Unë banoj në Amerikë por dola për qejf. Më ka ardhur një mesazh, a sa goca të mira ka (i referohet gazetareve). Shkoj e vij unë nga Amerika. Më shumë jetoj këtu, por atje rrijë nja 2 a 3 muaj. Zoti dhe qeveria e ka në dorë dhe ju gazetarët se bëni punë shumë. Jepni të dhënat dhe populli del lirisht. Sot e dje na ka dhënë leje shefi i madh, por dje nuk dola dot se ishte shi. Tani po iki se dua të shkoj një orë para afatit,"-shprehet një i moshuar.

"Jemi dy motra, kemi dalë me bo një xhiro se kemi nja 10 muaj që s'kemi dalë. Sot hera e dytë që kemi dalë, hera e parë ishte javën ekaluar. Në izolim e kaloj kohën duke larë e duke gatuar. Me mungon natyra, por më ka marrë malli për fëmijët. Janë në shtëpitë e tyre dhe nuk jemi takuar. Vijnë pak aty te dritarja po nuk takohemi,"-shprehet një pensioniste.

"Njerëzit e kanë kuptuar vetë që duhen mbrojtur. Dola dhe dje, edhe kur na lejohet. Po u respektuar distanca sociale s'ka pse të frikësohesh. Maska dhe dorezat më duken të panevojshme,"-shprehet një pensionist.

"Se keni dëgjuar më duket çfarë ka thënë prokurori i përgjithshëm i Amerikës?! Kush prek lirinë e njerzve do dënohet penalisht, kështu që s'kemi me e pyet atë fare (kryeministrin Rama) hiç. Unë s'e kam pyet asnjëherë se s'kam qenë asnjë ditë në karantinë,"-shprehet një pensionist.

"Deri tani kam lexuar 10 libra në karantinë. Të fundit 'Njeriu i Fshehtë'. pak më parë lexova 'Të jetosh apo të vdesësh',"-shprehet një tjetër pensioniste.

B.K./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • www.youngtribune.com: 04/05/2020 01:44

    Popull injorant. Do merrin ne qafe jete te pafajshme. Cfare ju kushton me dale me maske ne rruge ?

    Përgjigju
  • Astrit: 04/05/2020 00:42

    "Papërgjegjshmëria e qytetarëve" nënkupton një autoritet moral superior të atyre që presupozojnë se mbyllja me detyrim në shtëpi e qytetarëve është matanë çdo diskutimi. Në fakt nuk është kështu. Ligjet dhe vendimet duhen marrë sipas vullnetit të qytetarëve dhe tu shërbejnë atyre. Nëse qytetarët mendojnë se virusi është më i dëshiruar sesa burgimi në shtëpi, kjo është prerogativa e tyre. Herën e fundit që një qeveri thoshte se duhet tu jepte leksione qytetarëve të tyre dhe media argumentonte se qytetarët duheshin duhesh shpëtuar nga vetvetja, ka qenë viti 1989,në kohën e PPSH.

    Përgjigju
  • Ada: 03/05/2020 21:33

    Dhe pas dy javesh do degjojme ne lajme per stimin e rasteve....

    Përgjigju
  • BENI: 03/05/2020 14:32

    DALIN shqiptaret tek liqeni dhe tek liqeni I farkes dhe I hedhin letra patatinash,,,kanoce birrash ne bar,,e kuti me c'fare hane ,,,,mire qe prishni barin por dhe ndotni ambientin por nuk jua ka borxh bashkia e tiranes tju vije mbrapa juve per te pastruar mutrat qe lini ngado,,,merrni nje qese dhe futni mbeturinat e merrini me vete…..

    Përgjigju
  • Ana: 03/05/2020 10:16

    Shume bukur duket Ura e Tabakeve, POR a mund te vazhdohet keshtu me vite dhe ura te mos shihet si nje vend aksidentesh per femijet me e shumta?! Nese do konsiderohej si nje dekor per qytetin dhe nuk do te ishte funksionale, atehere nuk do ishte problem te lihej pa anesore mbrojtese. Ajo ure pershkohet nga mijera njerez ne dite dhe me kurben qe ka, eshte mjaftueshem e rrezikshme qe pa parmake apo kufizuese anesore te shkqktoje aksidente. I lutem gazetareve te Shiptarja qe ta sensibilizojne rrezikshmerine qe paraqet kjo ure e zhveshur nga parapetat mbrojtese.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen