Moti i keq/ Shiu gjen në çadër dhjetëra familje të prekura nga tërmeti! Ishmi del nga shtrati, përmbyten dhjetëra sipërfaqe tokë bujqësore (VD)

TIRANE- Reshjet e nisura prej ditës së djeshme po vijojnë edhe sot mbi vendin tonë, kanë gjetur në çadra dhjetëra familje të prekura nga tërmeti. Ato refuzojnë të largohen nga çadrat për t'u strehuar në hotele, pasi nuk pranojnë të lënë pas bagëtitë, të cilat i konsiderojnë të vetmin burim të ardhurash. 

Reshjet e shiut janë shoqëruar edhe me shtrëngata, ndërsa në qarqet Tiranë, Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër sipas IGJEUM janë shumë intensive. Ato kanë sjellë fryrje të lumenjve në Tiranë, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë duke rritur rrezikshmërinë  për përmbytje. Në Durrës, Vlorë, Shëngjin është pezulluar lundrimi për mjetet e peshkimit, ndërsa në Sarandë edhe për anijet e pasagjerëve drejt Korfuzit. Si pasojë e motit të keq vetëm pas 14 orësh në det, mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00 nga trageti që ndodhej në radë zbritën pasagjerët në Vlorë.

Ndërkohë u ndërpre edhe ndeshja Flamurtari-Teuta, pasi u përmbyt fusha. Edhe në Durrës forca e detit është 8 ballë, ndërsa një traget ka ardhur në mëngjes dhe një në 11:30 nga Ancona, tjetri pritet në 16:00 nga Bari. Fluksi nga Italia është shtuar për shkak të festave të fundvitit, ku një pjesë e shqiptarëve kanë zgjedhur t'i kalojnë pranë familjeve.  Në portin e Durrësit anijet e tonazhit të vogël dhe peshkarexhat ndodhen në spirancë për shkak të motit, ndërsa tragetet dhe anijet e tonazhit të lartë vazhdojnë punën.

Shiu do të vijojnë deri nesër në mesditë më pas do të ketë ulje të temperaturave për t'u rikthyer sërish në fundjavën tjetër. Në këto ditë stuhie shumë familje vijojnë që të jenë në çadër si pasojë e tërmetit tragjik që i bëri shtëpitë të pabanueshme. Në qytet, qeveria i ka dërguar familjet e prekura në hotel dhe shtëpi me qira, ndërsa në fshat ndodhen në çadra, pasi nuk mund të largohen për shkak se kanë bagëtitë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:14
Moti i keq pezullon dhjetëra udhëtime, 'kaos' në portin e Brindisit (VIDEO)

Për shkak të motit të keq, puna në portin e Vlorës është paralizuar. Udhëtimet që ishin parashikuar të bëheshin ditën e sotme janë anuluar dhe kjo ka sjellë kaos në portin e Brindisit. Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili sjell pamje nga porti, ku dhjetëra udhëtarë që kanë prerë biletën nuk kanë mundur që të mbërrijnë në Shqipëri.

Ora 19:48
Lumi Ishëm del nga shtrati, përmbyten dhjetëra sipërfaqe tokë bujqësore (VIDEO)

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të rëna gjatë 24 orëve të fundit, lumi Ishëm në Fushë- Krujë ka dalë nga shtrati. Për pasojë dhjetëra hektarë tokë bujqësore në fshatin Mallkuc e Murqinë janë përmbytur, e ndërsa situata duket se sa vjen dhe përkeqësohet.

Gjithashtu rreth 30 banesa në fshatin Murqinë janë të rrethuara nga uji, si dhe rruga që lidh lagjet e përmbytura me pjesën tjetër të vendit është e bllokuar nga uji.

Ndonëse ky fenomen është kthyer në gangrenë për fshatrat e zonës së Bilait, të cilët përmbyten 5-6 herë në vit, nuk është marrë asnjë masë nga autoritete lokale.

Banorët e këtyre zonave patën shpresë se diçka do bëhej me ardhjen e ekskavatorëve të rinj të cilët iu dhuruan bordeve të kullimit të cilët janë në varësi të bashkisë, por situata nuk ka ndryshuar. Kanalet vijojnë të jetë të bllokuara duke sjellë përmbytje sa herë që bien reshje shiu me intensitet të lartë.

Ora 19:31
Elbasan- Reshjet e shiut fryjnë ‘Përroin e Zaranikës’, rrezik për përmbytje (VIDEO)

Reshjet e dendura të shiut kanë rrezikuar disa zona të përmbyten. Përroi i Zaranikës në qytetin e Elbasanit ka pasur prurje të shumta uji dhe rrezikon të dalë nga shtrati. Gazetari i Report Tv, Aldo Kozarja raporton se banesat pranë përroit rrezikojnë të përmbyten nëse reshjet e shiut do të vazhdojnë të bien me të njëjtin intensitet si gjatë paradites së sotme.

Ora 19:30
Moti i keq/ ARRSH njoftim për situatën në vend: Në këto akse ka vështirësi kalimi (VIDEO)

Situata e rënduar e motit, me rreshje të dendura shiu, erë të fortë dhe shtrëngatë ka krijuar vështirësi për kalimit në disa prej akseve rrugore në vend. Sipas informacioneve të Autoritetit Rrugor Shqiptar ka pasur rënie gurësh dhe dherash në rrugë, pemë të rrëzuara si dhe mbetje të tjera, të cilat kanë krijuar vështirësi në rrugë.

Në Rajonin Verior është ndërhyrë në të gjithë segmentet rrugore. Me problematike është paraqitur situata në aksin Bajram Curri –Valbonë, ku ka pasur rënie masive gurësh dhe dherash. Rënie materialesh ka pasur edhe në segmentet Hani i Hotit – Tamarë, Mjedë –Pukë, Fushë Arrëz –Kukës. Ndërhyrja e menjëhershme ka bërë që situata të normalizohet dhe aktualisht nuk ka probleme. Kalueshmëria është normale në të gjitha akset e rajonit.

Ndërkohë në vendin e quajtur Krajkë në Fushë Bulqizë, një mjet është përmbysur nga era e fortë, por pa dëme në njerëz. Punonjësit e kompanisë së mirëmbajtjes së rrugëve, të cilët ndodheshin aty kanë ndërhyrë dhe me mjetet e tyre kane bërë të mundur ngritjen e automjetit.

Në Rajonin Qendror situata e rrugëve ka qenë më e qetë, megjithë reshjet e dendura. Në të gjithë akset e këtij rajoni qarkullimi ka qenë normal.

Në Rajonin Jugor ka pasur rënie të mëdha gurësh dhe inertesh në akset Ura e Leklit - Këlcyrë dhe Berat – Çorovodë, si dhe në vendin e quajtur Shkalla e Zezë në aksin Gjitokastër – Tepelenë. Ndërsa në akset Tepelenë-Dukaj dhe Këlcyrë – Përmet ka pasur rënie pemësh. Është punuar nga kontraktorët për pastrimin e tyre të menjëhershëm dhe aktualisht të gjithë akset janë me kalueshmëri normale.

Ndërkohë në Vuno gjatë natës, është rrëzuar një mur i vjetër i një shtëpie dhe gurët kanë bllokuan një korsi të rrugës. Është ndërhyrë dhe situata është normalizuar shpejt.

Strukturat e ARRSH dhe të gjithë kontraktorët, në të tre rajonet, janë në gadishmëri dhe në monitorim të situatës.

Ora 17:40
Reshjet e dendura të shiut/ Rriten prurjet e lumit Shashica pranë Urës së Bratit (VIDEO)

Reshjet e shiut kanë rritur prurjet e lumit Shashica në Vlorëm duke sjellë fryrje të tij pranë urës së Bratit. Deri në këto momente nuk paraqitet rrezik për përmbytje.

Ora 16:54
PD: Premtimet boshe të Veliajt izolojnë fshatin Zall Bastar në Tiranë (VIDEO)

Partia Demokratike e kanë cilësuar kren e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si një "mashtrues" i cili nuk ka mbajtur premtimet e dhënë gjatë fushatës elektorale. Më konkretisht ato janë ndalur tek premtimi se "banorët e periferisë do të trajtohen njësoj si ata në ish Bllok, rezulton një nga mashtrimet e tij të shumta", për të cilën është nja të shumtat që nuk mbahen. Për këtë, ata kanë sjellë në vëmendje fshatin Zall Bastar, ku denoncojnë se si pasojë e reshjeve të shiu, banorët janë izoluar në banesat e tyre pasi e vetmja urë që janë është mbuluar nga uji i vrullshëm i lumit.

Deklarata e plotë
Reshjet e shiut kanë krijuar një situatë të rrezikshme në Zall Bastar. Mbi një mijë banorë janë pothuajse të izoluar, pasi e vetmja urë, në gjendje të mjeruar, është gati e mbuluar nga uji i vrullshëm i lumit.

Kjo është e vetmja urë, ku nxënësit kalojnë për të shkuar në shkollë dhe, siç tregojnë pamjet, është një rrezik i përditshëm në stinën e shirave.

Prej shumë vitesh banorët kanë protestuar, kanë kërkuar zgjidhje nga qeveria dhe bashkia për një urë të re të sigurt, por problemi i tyre nuk është zgjidhur.

3 vjet më parë, Erion Veliaj dhe Xhemal Qefaliaj inspektuan punimet e nisura për një urë të re, por në realitet nuk ka asnjë të tillë. 

Disa muaj më parë, kur protestuan për urën e munguar, banorët u thanë përfaqësuesve të PD, Gent Strazimiri dhe Abi Malltezi se fondet për urën e Zall Bastarit shkuan në Surrel, për kompaninë e ish kryetarit të komunës Dajt, Kujtim Qefaliaj, njëkohësisht edhe kryetar i njësisë administrative Dajt.

Zall Bastari është pjesë e Bashkisë së Tiranës, por premtimi i Erion Veliajt se “banorët e periferisë do të trajtohen njësoj si ata në ish Bllok, rezulton një nga mashtrimet e tij të shumta.

Ura e Zall Bastar, foto nga PD
Ora 16:45
Kryeplaku i fshatit Zejmen: Për një familje nuk mundëm të siguronim çadër, na njoftoi vonë (VIDEO)

Kryeplaku i fshatit Zejmen në Lezhë Mark Paloka thotë se në këtë situatë janë edhe 5-6 familje të tjera. Ai tregon se një familje për të cilën nuk është mundur të sigurohet çadër tashmë është strehuar te të afërmit e tij, për shkak se ka refuzuar të strehohet në hotel.

"Në këtë situatë janë 5-6 familje. Kjo është e vetmja familje në çadër. Është edhe një familje për çadër por ai lajmëroi pak më vonë dhe tani te të afërmit e tij. Tani është edhe sezoni i dimrit. Në çadër shiu kalon posht dhe sado ta izolosh prapëseprapë kalon lagështira. Bashkia i ka ofruar për t'i çuar atje por këta as nuk nuk mund të lëvizin se kanë bagëtitë, aq do hajduti shfrytëzon rastin", thotë Paloka.

Ora 16:38
Stuhi dhe reshje shiu, shkëputen disa gurë tek Kthesa e Murrashit (VIDEO)

Si pasojë e reshjeve të shiut që kanë pushtuar vendin në disa rrugë është hasur vështirësi në qarkullim. Në aksin rrugor Librazhd- Elbasan në vendin e njohur si kthesa e Murrashit ka rënë disa gurë. Po punohet për pastrimin e tyre për të bërë të mundur qarkullimin e lirshëm të automjeteve.

Ora 16:21
Moti i keq rikthen në shtëpinë e pabanueshme familjen nga Berati: Çadra fut ujë! Po s'na ndihmoi shteti 'ça të thotë vllai jot' (VIDEO)

"Çfarë bie jashtë, futet brenda". Kështu është rasti i familjes Totaj në qytetin e Beratit. Banesa e tyre është shpallur e pabanueshme prej tërmetit të 26 nëntorit, megjithatë Reshati së bashku me fëmijë e tij janë rikthyer sërish për të fjetur në këtë godinë pasi çadra fut të gjithë shiu brenda. Ndonëse Berati nuk ka qenë një qytet ku lëkundjet e tërmetit kanë qenë shumë të forta, kanë mjaftuar shumë pak që shtëpinë e vjetër të Reshatit ta shkatërroj plotësisht. Ai i bën apel shtetit për ta ndihmuar, ndonëse mënyra se si e kërkon është shumë e veçantë. Edhe pse prej muajsh po vuan nga i ftohti, po jeton me frikën se banesa do të rrënohet dhe mund t'i zërë fëmijët gjatë natës, ai shprehet "po më ndihmoi shteti i them faleminderit, po s'më ndihmoi prap faleminderit.

"Çadra më fut ujë, faleminderit që e prunë, por nuk fle do aty. Fle në shtëpinë e rrënuar, aty vë krevatet natën dhe i nxjerr ditën, ku do fle. Mundet apo nuk mundet shteti është punë për ata, por m'i bëri i them faleminderit, po s'mi bëri prap faleminderit. Kanë ardhur kanë bërë preventivin, s'kam ndjekur më. I mirë apo i lig duhet të mendojë për popullin, në qoftë se , nëse nuk ka çfarë të thotë vëllai jot", shprehet Reshati.

Ora 16:20
Iu shemb shtëpia pas tërmetit! Familja refuzon të lërë pas bagëtitë: Këtu ziejmë e përziejmë, këtu flemë! Kur është shi rrimë në makinë (VIDEO)

Familja 3-anëtarëshe e Viktor Kolecit në fshatin Zejmen të Lezhës ëshë vendosur në çadër që pas tërmetit të 26 Nëntorit, pasi shtëpia e tyre u shpall e pabanueshme. Ata refuzojnë të largohen nga banesa për shkak se nuk duan të lënë pas gjënë e gjallë, e cila thonë se është i vetmi burim të ardhurash që i siguron jetesën, ndërsa kërkojnë të përfundojë sa më shpejt rindërtimi i banesës së tyre.

"E kam vajzën në shkollë. Rrimë me çizme brenda. Këtu ziejmë, këtu përziejmë, këtu flemë. Kemi që nga tërmeti që rrimë këtu. Kemi marrë në telefon kryeplakun. Kanë ardhur e kanë parë na kanë thënë të mos rrimë brenda. Na kanë sjellë çadrën. Kanë ardhur na kanë parë edhe disa herë të tjera. Shiu ka rënë përtokë por natën flemë edhe në makinë kur është shiu i madh. Na kanë ofruar hotel, i kam thënë nuk kemi mundësi se kemi gjënë e gjallë. Ku t'i lëmë. Vetëm me shit dhi e lopë por pastaj ku do të hamë", thotë e zonja e shtëpisë.

Ora 15:45
Në çadër prej tërmetit/ Nëna Rabie: Më keq s'ka ku të shkoj, por të paktën kemi ku të fusim kokën këtë dimër (VIDEO)

Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kanë "pushtuar" vendin tonë. Ky dimër gjen shumë familje në çadra, për shkak se banesat e tyre u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit. Mes të ftohtit, mungesës së energjisë elektrike, shqetësimin për shtëpinë që nuk e kanë më, por falenderuar që të paktën kanë një vend ku të fusin kokën. Ky është rasti i familjes Zele në fshatin Mazhë e Madhe në Fushë Krujë. Report Tv ka qenë në këtë fshat ku ka sjellë kushtet në të cilat ndodhet kjo familje. Nëna, Rabie Zela ka rrëfyer për mikrofonin tonë se e ka shumë të vështirë për të përballuar të ftohtin, ndonëse shprehet se i kanë ofruar që të zhvendoset në një shoqatë për t'u strehuar, por nuk mund të lërë vetëm pasurinë e saj, gjënë e gjallë. Rabie, nënë e dy djemve, shprehet se ushqimi nuk i ka munguar asnjë vakt, por ky dimër duket të jetë shumë i vështirë për të.

"Na ka rënë kjo fatkeqësi prej natyrës, gjendjen e kemi shumë të mjerueshme, në çadër, shi, ftohtë, drita s'kemi ku të ngrohemi, Ushqime veshmbathje na kanë sjellë. Më keq s'ka ku të shkoj. Ftohtë kemi sa të duash. Të paktën s'kemi kokën jashtë. Na kanë sjellë bukë e ushqime. Jam e moshuar, me zemër po vuaj, operim prej tëmthit. Na kanë thënë për të shkuar në një shoqatë, po s'mund të shkojmë. Kemi pulat, dy çunat që i kemi beqar dhe duan dorën time. Qejf s'e kemi me lëviz, por jemi duke duruar", tha nënë Rabie.

Ora 14:46
Pamje të tjera nga stuhia e shiut në Tiranë (VIDEO)

Stuhia e shiut ka shkaktuar probleme me qarkullimin në disa rrugë për disa minuta në kryeqytet, pasi ishin të dendura, por më pas situata në Tiranë u normalizua.

Ora 14:34
Moti i keq, PD: Tiranën nuk e përmbyt shiu por vjedhjet e Ramës dhe Veliajt (VIDEO)

Ish-deputeti demokrat Klevis Balliu thotë se Tirana u përmbyt nga reshjet e shiut, pasi Lana doli nga shtrati, ndërsa akuzon kryeministrin dhe kryetarin e bashkisë.  "Shi ka në gjithë botën por në pak minuta u përmbyt Tirana, Lana del nga shtrati, rrugët kryesore të kryeqytetit përmbyten dhe lavatriçja drogës €rion Veliaj bën sehir.

Pse ndodh kjo është e thjesht. Ndërtimet vend e pa vend, vjedhjet në rrugët e Tiranës dhe projektet e propagandës kanë bllokuar gjithçka çka e përmbyt Tiranës në pak minuta shi. Shqipëria ska as qeveri dhe as bashki.

Sot vendi jonë është në mëshirë të fatit. Kur ka tërmet bashkia nuk përgjigjet as qeveria kur ka përmbytje po ashtu atëherë për çfarë na duhen këta thjesht për të vjedhur vendin që të mbushi xhepat Veliaj me Ramën. Smund të tolerohet më" akuzon Baliu.

Ora 14:32
Mjegulla dhe shiu krijojnë probleme në Qafën e Llogorasë (VIDEO)

Mjegull, erë e fuqishme si dhe reshje shiu të dendura në Qafën e Llogorasë. Report Tv sjell pamjet nga aksi rrugor nga Pisha Flamur deri në afërsi të vendhedhjes së Parashutave gati 5 km shikueshmëria për drejtuesit e automjeteve është e kufizuar nga mjegulla, po ashtu dhe era e fuqishme është një rrezik për automjetet që kalojnë në atë aks.

Ora 14:15
Reshjet të shumta shiu, sasia e madhe e ujit 'fryn' Lumin e Lanës tek 'Pallati me Shigjeta' (VIDEO)

Reshjet e shiut që kanë pushtuar vendin kanë shtuar nivelin e ujit në Lumin e Lanës në kryeqytet. Për shkak të sasisë së madhe të ujit ai Lumi i Lanës është fryrë tejmase në zonën e Pallatit me Shigjeta.

Ora 13:53
Deti arrin në shëtitore, pezullohet lundrimi në Shëngjin

1577019334_lezhe.jpg
Edhe në Shëngjin është pezulluar lundrimi, pasi dallgët e detit kanë arritur deri në shëtitoren e plazhit.

Ora 13:51
Stuhia rrëzon pemën, bllokohet rruga te Unaza e Re


Në Unazën e Re në Tiranë te rruga 'Teodor Keko' si pasojë e stuhisë ka rënë një pemë duke bllokuar rrugën.

Ora 13:47
Momentet e stuhisë në Tiranë nga reshjet e dendura dhe shtrëngatat (VIDEO)

Stuhia e reshjeve që ka përfshirë vendin ka pushtuar edhe kryeqytetin duke sjellë trafik të rënduar dhe rritje të nivelit të Lanës. Shqiptarja.com sjell pamjet nga stuhia që përfshiu Tiranën.

Ora 13:34
Ndërpritet ndeshja Flamurtari-Teuta, shiu i dendur përmbyt fushën në Vlorë (VIDEO)

Shirat e dendur në Vlorë kanë ndërprerë ndeshjen e javës së 17 të Superligës mes Flamurtarit dhe Teutës. Edhe pse takimi nisi në orën 13:00, nëntë minuta më pas arbitrat e panë të arsyeshme të mbyllinin këtu këtë sfidë, e cila në të tillë kushte e kishte të pamundur zhvillimin normal të ndeshjes.

Siç duket edhe nga këto pamje fusha e gjelbër është një terren i rënduar nga uji dhe pas ndërprerjes së përkohshme është marrë vendimi për ta mbyllur përfundimisht këtu këtë sfidë. Për pjesën tjetët të lojës është vendosur të zhvillohet nesër, ditën e hënë në orë 12:00.

Në këtë ndeshje Flamurtari shpresonte mnimialisht të merrte të paktën një pikë, ndërsa nga të gjithë vlonjatët shpresohej fitorja, pasi skuadra renditet në vendin e fundit. Ndërkohë nga ana tjetër Teuta vinte pas fitores me Partizanin. Kjo është edhe java e fundit e Superligës për këtë vit kalandarik.

Ora 10:00
Rrëshqitje dherash, bllokohet rruga Këlcyrë -Tepelenë (VIDEO)

Probleme nga moti i keq ka pasur në disa zona edhe në Gjirokastër. Në Labovë të Madhe dhe në Qestorat ka rrëshqitje dherash dhe si pasojë rruga është bllokuar. Si rezultat i erës së fortë dhe reshjeve të shiut në Grykën e Këlcyrës janë rrezuar disa pisha të cilat kane bllokuar rrugën automobilistike Këlcyrë -Tepelenë.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tironci: 22/12/2019 18:53

    Mir qe ky I mashtroj dhe I mori votat.po ky po punon dhe po I shihet puna !por ju I vollet parate e ures qe kurr nuk e bote o shpifsa o plehra te PDse.

    Përgjigju
  • Ju vrafte Zoti Juve te PD..: 22/12/2019 18:24

    Jo se Jam simpatizant i PS, por da ishte PD shurerat neper kioskat idhin me shume ujrera se sa shurat qe bien ne Dimer.. Zoti Ju vrafte atje ku dhimbbjet mis tju shuehen kure...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

CRIME STORY: Sabotimi i dytë i 21 janarit, publikohen dokumentet e panjohura të hetimit, krerët e policisë nuk zbatuan urdhrat e ndalimit për gardistët

CRIME STORY: Sabotimi i dytë i 21 janarit, publikohen dokumentet e panjohura të hetimit, krerët e policisë nuk zbatuan urdhrat e ndalimit për gardistët