Edi Rama: Ndezëm motorët e Mandatit të Tretë, PS ka nevojë për vetëndryshim e vetëkorrigjim të vazhdueshëm

Fjala e Kryeministrit në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste

Sot ndezim motorët e mandatit të tretë, sfida më e vështirë në rrugën që kemi nisur së bashku, shumë vite më parë. Ishim dikur një opozitë e dalë nga një palë zgjedhje dërrmuese për moralin dhe burimet e energjisë së Partisë Socialiste. Partia Demokratike u rikthye në qeveri me vota, pasi ishte larguar 8 vite më parë mes zjarrit të një kryengritje popullore si fajtorja e madhe për humbjen marramendëse të kursimeve të të gjithë shqiptarëve.

Ishte një parti që vuante humbjen demoralizuese, pasojë e çarjes së egër, fryrjes nga dhjami i pushtetit, shurdhimit ndaj zërit të njerëzve të zakonshëm, mpirjes së shqisës së solidaritet dhe të sfilitjes  nga lufta e brendshme, e cila ishte kthyer në skenën e një telenovele shpërfillëse ndaj qëllimeve të përbashkëta. Një forcë politike pa disiplinë dhe pa orientim, e çoroditur dhe besimhumbur. U ngritëm më vështirësi, duke u përpjekur shumë që të ripërtërihemi, të bashkohemi dhe riorganizohemi për t’u rikthyer në krye të vendit si një alternativë e re qeverisëse. Nuk ja dolëm dot që në provën e parë të katër viteve më vonë. Humbën me një diferencë milimetrike.

Historia e atyre zgjedhjeve është e njohur, por ajo që duhet kujtuar gjithmonë e që na ktheu më në fund, pas plot tetë vjetësh e tetëqind e tetëdhjetë peripecish në opozitë, ishte këmbëngulja e madhe për t’ia dalë, për t’u forcuar e për t’u përmirësuar në çdo hap të një rruge të përpjetë. Arritëm të ngremë një  makineri elektorale të fuqishme, duke plazmuar një organizim kapilar, të ndërtojmë një skuadër përfaqësuese duke harmonizuar eksperiencën me energjitë e reja, të krijojmë një frymë fituese me një vizion, program pozitiv për Shqipërinë.

Fituam mandatin e parë tetë vjet të shkuara, u konfirmuam në të dytin pas katër vjetësh dhe si askush më parë në historinë e zgjedhjeve shqiptare u rikonfimuam këtë vit për të tretën herë radhazi. Kjo është sipas meje, fitorja  më e vështirë që kemi arritur. Thjeshtë fakti që jemi ne të parët që e arrijmë flet vetë për veçorinë dhe vështirësinë e posaçme të kësaj fitoreje, por kjo është edhe fitorja jonë më e vështirë për t’u merituar. Ndryshe nga sporti ku fitoret meritohen kur arrihen, në politike, fitoret meritohen vetëm pasi arrihen. Fitoret e zgjedhjeve janë mundësia për të zhvilluar beteja të vazhdueshme, për t’iu kthyer zgjedhësve me punë dhe rezultate bindëse kredinë e lartë të përfaqësimit që ata u japin borxh fituesve në formë me votën e tyre. E vetëkuptueshme, herën e katërt do ta kemi më të vështirë sesa këtë të tretin, por ama nuk e luan topi që detyra jonë ndaj gjithë atyre që na besuan dhe patjetër, ndaj vetë Shqipërisë që kemi nderin e jashtëzakonshëm të udhëheqim për të tretin mandat radhazi është të bëjmë të pamundurën për t’ia dalë të rikonfirmohemi përsëri, pas katër vjetësh.

Miq,

sot do t’iu flas shumë hapur dhe do t’iu them që s’kam qenë asnjëherë më i trazuar për një fitore politike, sesa këtë herë. Jo sepse sfidat e mëparshme kanë qenë të lehta dhe të nesërmen e fitoreve të shkuara kam parë me sy mbyllur fusha me lule. Aspak! Por sepse, sa më shumë gara fiton, aq më shumë rrezikon të humbasësh sensin e vetëkorrigjimit. Kjo sfidë e re, më të madhen e vështirësive ka vështirësinë e të kuptuarit nga të gjithë e të besuarit prej të gjithëve e adresimit me të gjitha forcat e përbashkëta të nevojës për t’u përmirësuar më tutje si individë, si skuadër drejtuese e si familje politike.

Dehja nga fitoret, fryrja nga vetëpëlqimi, rënia e dëshirës për të mësuar, nënvlerësimi i rivalëve, shpërfillja ndaj dobësive, qorrimi ndaj boshllëqeve, shurdhimi ndaj kritikave janë tipare karakteristike të fituesve që kthehen në humbës.

Ky është momenti t’i ngulim këmbët në tokë fort dhe t’i shtrijmë sytë sa më larg në horizont. Kjo që kemi përpara është koha që ne të gjejmë fuqi të reja, për të parë veten individualisht, për të parë skuadrën tonë si kolektiv, por për ta parë dhe vetë fitoren e arritur me një sy kritik. Na duhet një forcë e re, një pasion i ri politik, një kapërcim i ri i vetvetes për ta ngjitur me lart Shqipërinë. Duhet të gjejmë brenda nesh vullnetin për të ngulmuar edhe më fort, sesa më parë në punën tonë, duke korrigjuar sa më parë të jetë e mundur dhe sa më shumë të jetë mundësia, gjithçka që kemi konstatuar apo konstatojmë se nuk shkon. Partia Socialiste duhet të bëhet përditë e më shumë një komunitet njerëzish që jeton me aspiratën e madhe për t’i sjellë Shqipërisë drejtësi dhe mirëqenie dhe çdo ditë e më pak, një ngrehinë me mijëra dyer organizatash ku shkohet për të marrë një punë në shtet, apo nga ku dilet duke përplasur edhe derën, pse nuk të dhanë një punë në shtet. 5500 dyert e organizatave tona në krejt territorin e Shqipërisë duhet të bëhen 5500 dyer të hapura mundësisht për qindra e mijëra njerëz, për të kultivuar qytetarinë demokratike, mendimin dhe aktivizmin politik, vullnetarizmin dhe solidaritetin social, për të debatuar tema me interes publik, ndarë mendime dhe shqetësime për kritika e sugjerime në të mirë të komunitetit përkatës dhe të Shqipërisë dhe jo për të marrë e për të dhënë punëra shteti për vete e për krushqinë.

Kemi  bërë shumë përpjekje në këtë drejtim, apo më saktë, që të jem i drejtë deri në fund, jemi nisur shumë herë drejt këtij qëllimi, fushata hapjeje drejt prurjeve të reja, ture e kënde fjale të panumërt nëpër Shqipëri, borde qytetare pranë partisë, riorganizime dhe ri-riorganzime të rinisë, grave, partisë,  sisteme organizmi dhe ndërveprimi digjital, këshilla politikë rajonesh, vendime, strukturime, udhëzime, qarkore dhe të tjera akoma për më shumë qytetari e meritokraci e më pak letargji e burokraci në kohën jo zgjedhore. Por përmirësimet kanë qenë gjithnjë të pamjaftueshme dhe fatkeqësisht, jo në lartësinë e duhur. Janë justifikuar gjithmonë njësoj, ndërkohë që vitet kalojnë duke thënë “po nuk është kollaj të gjesh njerëz të rinj”, “të mos i prishim ekuilibrat se po vijnë zgjedhjet”, “të mos i ngarkojmë njerëzit, se nuk është mbushur akoma viti që u bënë zgjedhjet”, “jo se na mërziten ata poshtë dhe nuk motivohen për zgjedhje”, “nuk të afrohen njerëzit, po nuk u dhe punë shteti|, “jo po kur nuk ka punë kryetari i organizatës, nuk i shkon dot njeriu se njeri nuk i vete mbrapa”, “rinia është indiferente dhe nuk do të merret me punë partie”, “po te zona ime nuk duan gra nëpër këmbë”... apo jo po statuti, jo po udhëzimi,  jo po kryetari i bashkisë, jo po ministrja, jo po dua mbështetje nga lart, jo po ç’na duhet tani të hapim sherre nga poshtë, jo po ç’deshi ai te zona ime, jo po se desha atë të vinte te lagjja ime, jo po ai pi kafe te lokali i PD-së, jo po ajo ia kishte  lënë lokalin LSI-së, jo po...

Patjetër që nuk është fare e lehtë, por ta harrosh një qëllim kaq themelor për shëndetin e një partie politike si e jona, për vlerën e kapitalit njerëzor të një partie politike, për gjykimin e saj nga publiku, siç është qëllimi i transformimit të vazhdueshëm të partisë në një komunitet të gjallë vlerash dhe qëllimesh shoqërore, është si të pajtohesh qorrazi me vetëkyçjen brenda një rrethi vicioz dhe t’i shkurtosh organizmit politik frymëmarrjen, rrugën e suksesit afatgjatë. Sukses afatgjatë do të thotë sukses i partisë përtej çdo individi. Duke u bërë bisht dhimbjeve të mëdha të kokës që kërkon arritja e këtij qëllimi, partia pastaj merret peng nga qerthujt e mbyllur, nga rrethet e të privilegjuarve brenda saj, nga agallëku provincial në komunitet, nga figura të konsumuara apo pa cilësitë e nevojshme për t’iu dhënë të tjerëve një mesazh jo me fjalë, por me figurën e tyre në krye të organizatave e deri në krye të asambleve të bashkive, në jo pak raste. I gjithë organizmi i partisë ekspozohet pastaj ndaj infektimit prej gjëndrave malinje, të cilat krijohen dhe zhvillohen sepse shtyhet pafundësisht në kohë kura e duhur, gjithmonë me justifikimin “nuk është ky momenti, më vonë”.

Kjo inerci vetëmjaftueshmërie, i një mungese të madhe sinergjie me komunitetin më të madh të simpatizantëve dhe të vetë qytetarëve, - flas gjithmonë në kohën mes dy fushatave, - kjo shtyrje e pafundme e përballjes me problemin thelbësor të një kapitali kaq të çmuar në jetën publike shqiptare, siç është Partia Socialiste, jo vetëm ul cilësinë e jetës politike brenda partisë, por është ende dhe më e rëndë, varfëron demokracinë, duke e bërë politikën dhe këtu, edhe ne kemi kontributin tonë fatkeq, të ngjajë me një cirk pehlivanësh në sytë e publikut dhe t’i duket si punë çakejsh më të rinjve e të ndjehen gjithmonë e më larg politikës.

Partia nuk mund të zgjohet vetëm kur vijnë zgjedhjet dhe as nuk mund të mbahet gjallë në periudhën midis zgjedhjeve si një moçal interesash të rretheve të privilegjuara nëpër komunitetet e vendit. E vërteta e hidhur është se pavarësisht dallimeve tona të mëdha me rivalët tanë, pasqyra e partive shqiptare në pushtet, qysh prej 30 vjetësh, në sytë e komuniteteve të Shqipërisë, ngjan si një copë e filmit “Koncert në vitin ‘36”. Në vend të asaj parisë në film, kemi një tufë drejtorësh dhe shefash që rendin ta rrethojnë deputetin apo të deleguarin, sapo ky shfaqet në territor dhe të gjithë bashkë pastaj rrethojnë kryetarin e partisë, kur zbret në territor. Ai rreth të privilegjuarish, - nuk flas për individë, por për strukturën keqbërëse, - është një nga armiqtë e një transformimi jetik dhe ne na duhet medoemos nëse duam një parti që të rifitojë përsëri e përsëri besimin e shqiptarëve. Por jo vetëm kaq. Shëmbëlltyra e asaj parie të kapardisur nëpër rrugë e nëpër kafene në lokalitetet e vendit duhet të zhduket nga sytë e popullit, nëse duam që shqiptarët të na afrohen shumë më shumë mes dy palë zgjedhjeve dhe nëse duam që Shqipëria e kësaj periudhe të historisë, që ne kemi fatin ta shkruajmë për aq sa na takon, pas dy zgjedhjesh të ardhshme të jetë ngjitur vërtetë në majën ku neve na takon dhe pastaj të kalojmë stafetën tek brezat e tjerë, që ta çojmë në të tjera maja më të larta.

Padiskutim nuk vihet në dyshim që makineria zgjedhore e një partie të madhe politike është e patjetërsueshme në funksion të fitoreve të zgjedhjeve. Padiskutim që në parti e madhe, e cila nuk fiton dot zgjedhjet, nuk ka si vë dot në jetë thuajse asgjë nga ato për të cilat është krijuar. Nuk ka më keq sesa një parti e madhe të lidhet me një zinxhir të pandërprerë humbjesh. Por pa i hequr asnjë vlerë të patjetërsueshme makinerisë zgjedhore, reduktimi i partisë në një armatë rezervistësh vetëm për zgjedhje, jo vetëm që i heq asaj një ushqim jetësor me aspiratat dhe kritikat e zgjedhësve, jo vetëm që i këput lidhjet e saj në ngrehinën e bindjeve morale dhe programore të zgjedhësve, por edhe zgjeron vijimësisht hendekun mes partive dhe qytetarëve jo militantë, sidomos atyre më të rinjve, të cilët në një pjesë më të madhe sot vazhdojnë votojnë sipas traditës familjare. Por, në këtë kohë, kur jeta ë fëmijëve tanë, e të rinjve është e kërcënuar nga lenimi social për shkak të zhytjes dhe mbytjes në mrrokllat dhe e transferojnë trurin gjetkë, do të shkojë duke rënë, pra, vota për traditë familjare.

Kjo i bën partitë gjithnjë e më të huaja për qytetarët dhe qytetarët gjithnjë e më indiferentë dhe apatikë, ndërkohë që partitë humbasin një funksion bazë për demokracinë. Kjo nuk është thjeshtë të fitojnë zgjedhjet, nuk është as të qeverisin apo të bëjnë opozitë, por është të kultivojnë kulturën politike demokratike të një vendi me gjithë komponentët e saj. Këtë humbje për demokracinë e paguan shumë shtrenjtë shoqëria në formën e degradimit konstant të mjedisit të bashkëjetesës demokratike. Në vend të jetë shëmbëlltyra dhe aktivizmi qytetar dhe komunitar, partitë u japin qytetarëve shembujt më të shëmtuar të vulgaritetit, tangërllëkut, të provincializmit të kapardisur e natyrisht, e gjitha kjo fillon nga ne, qoftë për keq, qoftë për mirë, nëse duam ta adresojmë.

Partitë, në radhë të parë, janë hapësira publike, me njerëz, me parafytyrime dhe angazhime të përbashkëta, përfshihen në diskutime në interes kombëtar apo komunitar, mbajnë qëndrime, mbajnë përgjegjësi, ndërmarrin veprime kolektive në betejën për t’i bërë të përparojnë idetë dhe për të jetësuar vendimet. Ata që vendosin të angazhohen në një parti, nëse duam të kemi parti pas 10 vjetësh, njehsohen me vlerat dhe me qëllimet e saj politike në veprim, jo thjesht në  parim. Pranimi nga ana jonë këtu, që përgjegjësia është e jona, në radhë të parë, pastaj shtrihet sipas niveleve si fakt i kryer dhe i pakthyeshëm i funksionit të Partisë Socialiste vetëm si makineri elektorale, e bën të pamundur zhvillimin aktiv të jetës politike brenda kësaj familje të madhe dhe varfëron ushqimin e kulturës politike të gjeneratës pasuese të anëtarëve, simpatizantëve, të cilëve sot u mungojnë kushtet të mësojnë nga arritjet, nga gabimet e gjeneratës sonë, por edhe që të dinë sesi të projektohen në të ardhmen si përgjegjës për ta çuar gjithë pakon e vlerave dhe të aspiratave të kësaj partie në dekadat e mëpasshme.

Prandaj partia duhet të hyjë në një proces kthimi i vetvetes në një hapësirë pjesëmarrjeje edukimi politik dhe përkushtimi vullnetar. Njësoj si çdo bashkësi e organizuar që ka ambicien t’i qëndrojë kohës, një parti serioze duhet të krijojë përmes tërësisë së larmishme të aktivitetit dhe jo vetëm përmes trumbetës “eja mblidhuni këtu-këtu, se erdhën zgjedhjet”, një kontekst marrëdhëniesh të qëndrueshme dhe lidhje solidare që kapërcejnë qarkun e interesave personale. Në radhë të parë lidhet me secilin prej nesh, me forcën e shembullit.

 Mund të parafytyrojmë një riorganizim në të gjitha aspektet, por, nëse fjala, sado e bukur, nuk lidhet me fytyrën, nëse zëri nuk lidhet me figurën, ka shanse që të tjerët të shkojnë pas fjalës, duke e lënë mënjanë fytyrën.

Është domosdoshmëri që gjithkush në këtë sallë dhe dikush që ka një përgjegjësi sado të vogël, deri tek kryetarët e organizatave në Partinë Socialiste, të mos harrojë që fytyra e tij është fytyra e të gjithëve ne. Kur fytyra e tij bëhet e papranueshme, është e gjithë fytyra jonë që goditet. Do ta ripërsëris këtu, por do ta ridëgjoni deri në bezdi, sepse unë nuk do dorëzohem në këtë pikë. Nuk e di sa do ia dal, por di që nuk do dorëzohem!

Kryefjala dhe pika në fund në çdo mbledhjeje organizate, sa herë që i hyjmë kësaj pune që mbetet gjithnjë në mes, nuk mund të jetë punësimi në shtet i anëtarëve, apo i familjarëve të anëtarëve, apo i krushqisë së anëtarëve. Një mbledhje organizate ku punësimi në shtet është temë duhet të konsiderohet e dështuar, nuk i sjell asnjë gjë të re Partisë Socialiste, përveçse një pike uji që vazhdon gërryen gurin e themelit të saj. Si mund të harrohet, përshembull, jo teorikisht, por në jetën e përditshme të kësaj force qeverisëse se anëtarësia e Partisë Socialiste është vetëm 1\8 e zgjedhësve të saj,  me përafërsi.

 Kush, si, sa i kontakton, sa i informon, sa i përfshin anëtarët e partisë, pa lëre pastaj të tjerët, në diskutime për çështje përtej punësimit në shtet mes dy palë zgjedhjesh?

Kush i mban ata lidhur me qëllimet e përbashkëta, deri kur ne u shkojnë në derë dhe u themi na e jeni dhe një herë votën?

Po derën kush ua hap atyre dhe si e sa i dëgjon ata që kanë fatin t’u hapet dera, pasi na kanë dhënë votën?

Nuk dua të bëj këtu, sot, një leksion mbi rolin e partive politike në një shoqëri demokratike. Dua vetëm t’ju bind se ne duhet të alarmohemi sot për të ardhmen dhe rolin e kësaj partie në shoqërinë shqiptare. Teoria e gjithëpranuar se ndryshe njerëzit nuk të vijnë, ndryshe nuk të pranojnë, ndryshe njerëzit nuk punojnë për ty, nëse punësimi në shtet nuk është karremi, është teoria e jo atyre që udhëheqin, por e atyre që udhëhiqen dhe merren prej hunde nga inercia e një tërësie njerëzish të mbetur pa udhëheqës. Këtu nuk flas për udhëheqës fizikë, flas për formën udhëheqëse që duhet të jetë e aftë që të kërkojë më shumë prej tyre, duke besuar më shumë tek inteligjenca dhe tek shpirti i tyre.

Këtu vij përsëri tek nevoja që kush kërkon më shumë prej tyre, duhet që në sytë e tyre të jetë njeriu që thotë atë që bën dhe bën atë që thotë. Nuk i shkon një figurë që t’i bëjë predikime anëtarëve të partisë apo simpatizantëve të saj për demokracinë apo kulturën demokratike, nëse figura lidhet me të kundërtat e atyre që u kërkon të tjerëve, sepse në ato kushte, figura duket thjeshtë një spiker në radio që ka ardhur për të mbaruar punë, ndërkohë që punët e veta i ka vënë në terezi, eksaktësisht ashtu siç predikon se nuk duhet të kërkojmë t’i vënë të tjerët.

Duhet të alarmohemi nëse nuk duam që papritur ta shikojmë fundin e hegjemonisë politikë të Partisë Socialiste, duke u përplasur me boshllëkun që pashmangshmërisht do të shfaqej një ditë për shkak të mungesës fatale të një ndjenje të brendshme përkatësie të njerëzve me këtë parti, përtej interesit të tyre vetjak që është shumë i rëndësishëm, por nuk mund të jetë arsyeja e vetme pse njerëzit i përkasin një partie.

Ndaj ne sot duhet të veprojmë. Ua kemi borxh atyre që vijnë pas nesh  dhe ua kemi borxh atyre që i dhanë jetë kësaj partie, që e sollën këtë parti në kushtet që ne kemi këtë privilegj të madh të jemi të gjithë bashkë këtu, udhëheqja e saj.

Sot, ne duhet të mendojmë seriozisht për shëndetin, forcën, për suksesin e Partisë Socialiste në një afat më të gjatë sesa 4 vjet.

Ngritja sa më parë e një Akademie Politike të Partisë Socialiste me standardet më të mira ndërkombëtare, jo vetëm për çdo vajzë e djalë të talentuar në çdo territor, por edhe në edukimin në vazhdim të bashkësisë sonë me ndjenjën e komunitetit, parimeve, qëllimeve, nismave të përbashkëta nuk është zgjidhja magjike, sepse nuk ka zgjidhje magjike këtu, por është një imperativ i kësaj kohe të ndërmjetme mes nesh, gjeneratës së sotme dhe gjeneratës së 20-vjeçarëve dhe 20-vjeçarëve të tjerë pas tyre.

Nëse nuk doni që Partia Socialist, një ditë aspak të bukur të bëhet një azil pleqsh, duhet të veprojmë sot. Pa menduar që kjo nuk do ndodhi në kohën që ne kemi pushtetin e nuk do ndodhin, por mund të ndodhë shumë më shpejt sesa parafytyrimi.

E pa një qasje të re në raport me cilësinë e demokracisë, me aftësinë ndërvepruese me zgjedhësit mes dy fushatave, me kapitalin njerëzor të partisë, edhe makineria jonë, deri më sot e pathyeshme elektorale, rrezikon të mbetet një ditë në rrugë pa benzinë, në pamundësi për të rendur më tutje, por edhe kjo parti rrezikon pastaj të katandiset njësoj si simotrat e veta pa kokë e pa krahë rreth saj. Dhe atëherë, në politikën shqiptare e përmes politikës shqiptare, jetën e fëmijëve tanë, - se hajde nuk po fusim dhe tonën, - do ta merrte për fare në rrugën e djallit, lumi i llumit që sjell derdhja mbi kokën e zgjedhësve e lloj-lloj sharlatanëve e pehlivanëve, siç ka ndodhur në plot vende të tjera.

Ka një arsye pse kjo parti arrin aty ku shumë parti të tjera, përtej Shqipërisë jo nuk arrijnë, por nuk e kuptojnë më si mund të arrijnë, sepse ne ende sot i kemi lidhjet me njerëzit, por nuk janë lidhje që kanë garancinë afatgjatë. Janë lidhje që mund të këputen nga viti në vit, nga katërvjeçari në katërvjeçar e nëse këputen, bëhen të pangjitshme më. Mjafton të hidhni sytë rreth e rrotull e të shikoni ku kanë përfunduar partitë e mëdha socialiste.

Doni në jug të Shqipërisë? Doni në perëndim të Shqipërisë? Doni në lindje të Shqipërisë? Doni në veri të Shqipërisë?

Merrni shembuj!

Pikërisht sepse nuk kanë mundur për 1001 arsye të jenë një ushqim, jo për interesat e ngushta, por për shpirtin politik, për mendjen politike, për pasionin politik. Nuk ka asnjë arsye në botë që një ndjekës i një skuadre sporti të bëjë me mijëra kilometra, të harxhojë kursimet e një viti, për të asistuar në fitoren e skuadrës së vet që nuk i jep atij as punë në shtet, nuk i jep atij as shtëpi, nuk i jep atij as privilegje, përveçse atij pasioni dhe atij angazhimi që edhe një skuadër politike mund ta krijojë. Por duhet ta besosh këtë e duhet të jesh i gatshëm të luftosh për këtë, njësoj siç luftojnë skuadrat kur zbresin në fushat e garave sportive, të cilat aty mbledhin frytet e asaj që mbjellin e kultivojnë në një stërvitje sfilitëse.

Akademia Politike është një mjet i ri që na duhet pa humbur kohë, jo i vetmi, për ta ndërtuar me shumë vetëdije patriotike me përpjekje intelektuale e me durim milingone, një qasje të re, që duhet të jetë edhe qasja e progresistëve, duhet të jetë edhe qasja e sekretariatit të ri, duhet të jetë edhe qasja e qeverisë së re, padiskutim.

Ndërkohë një riorganizim tërësor, nga lart - poshtë, jo vetëm në aspektin e shpërndarjes së forcave në territor, por dhe në aspektin përmbajtjesor të jetës së partisë, të rritjes së hapësirës së kushteve, të përfshirjes e të përfaqësimit jo me fjalë e jo duke bërë nga ato farsat e anëtarësimeve të reja ku mblidhen njerëz për të dalë në televizor me mua e ku jepen karta anëtarësie për herë të dytë, apo ku thirren familjarë. Nuk kam asnjë gjë me vajzat e me djemtë e secilit e secilës prej jush apo të të tjerëve, flas për mungesën totale të kuptimit dhe pastaj besimit që mund të ndodhë kjo, që kjo parti të bëhet një hapësirë interesi për shumë më tepër vajza dhe djem, që të gjejnë këtu jo punën në shtet, por të gjejnë këtu atë burim nxitjeje dhe pasioni që gjejnë kur bëjnë aktivitete të tjera sociale.

Ku ka aktivitet social më sfidues sesa politika dhe gara politike?

Me cilën garë mund të krahasohet, kur vjen puna tek sa shumë komponentë duhen bërë bashkë, për të fituar një garë?

Përshembull, a ma thotë dot njeri, pse Statuti i partisë, sa herë ne i kemi hyrë për ta thjeshtuar, vetëm është komplikuar. Ndërkohë që ne na duhet një parti me shumë më pak rregulla burokratike e me shumë më shumë aktivitet dhe diskutime politike, por dhe aktivitet social, aktivitet kulturor. Partia duhet të jetë një vend ku prindërit të ndihen mirë që fëmijët e tyre po e kalojnë kohën duke u marrë me diçka që ia vlen. Që ia vlen njësoj si sporti, ia vlen njësoj si arti, njësoj si aktivitetet e tjera që bëjnë bashkë, sepse aty njohin njerëz të tjerë, aty ndajnë ide, aty ndajnë shqetësime, aty ndajnë halle, aty kuptojnë që nuk janë vetëm e nuk janë të vetmit, se ka dhe të tjerë dhe aty mësojnë se bashkë me të tjerët mund të  bëjnë atë që vetëm politika e bën, të ndryshojnë gjëra që duke ndenjur vetëm në kafene dhe me atë mrrokllën me Kim Kardashianin nuk i ndryshojnë dot.

Ne na duhet një sistem i ri të menduari dhe jemi në kohë për ta bërë sepse kemi eksperiencë, por bashkë me eksperiencën, vjen edhe mungesa e vullnetit për të sfiduar vetë eksperiencën tënde. Nëse sot nuk jemi si të tjerët, kjo nuk është rastësisht, por është falë shumë gjërave. Gjithçka po them nuk ka asnjë qëllim dhe nuk ka pse të ketë, por nuk ka as edhe peshën të atillë që i zhbën gjërat e mëdha që kemi bërë e prandaj edhe jemi këtu.

Nuk jemi si të tjerët. Ne fitojmë!

 

Por që të mos bëhemi si të tjerët, të cilët edhe kur bien me këmbët e tyre në pus, nuk e kuptojnë se nga u erdhi e keqja,  ne duhet t’i shohim tani rreziqet që bart udhëtimi ynë rreth pjesës tjetër të së ardhmes, sepse jemi më sot më lart sesa kemi qenë ndonjëherë e sa më lart të ngjitesh, aq më shumë rrezikon që rënien ta kesh katastrofike, nëse kujton se këmbët i ke krahë që po fluturojnë e nëse humbet kontaktin me tokën.

Ne duhet t’i hapim sytë më fort se asnjëherë, sepse kemi arritur fitoren tonë më të madhe dhe prandaj nuk duhet të mbyllim sytë deri në fund, për ta shmangur rrezikun që fitorja të na zërë sytë. Ne duhet ta kuptojmë që rreziku fillon nga vetë ne, nga secili e secila këtu, që nga unë e deri tek më i riu apo më e reja në skuadrën udhëheqëse të partisë e këtu janë praktikisht përfaqësuesit më të lartë të pushtetit legjislativ, të pushtetit ekzekutiv, në nivel vendor e në nivel qendror.

Rreziku dhe me qëllim po bëj përsëritje në këtë fjalë, fillon nga sjellja prej të dehurish me fitoren dhe nga rënia në batakun e vetëpëlqimit. Tani, fituam, kush është si ne, çfarë ka për ne tani këtu? Tani këtu për ne ka shumë më tepër mund, shumë më tepër sakrifica e shumë më tepër përkushtim dhe sens shërbimi ndaj të tjerëve, këtë ka për ne.

Rreziku merr jetë nga bindja se askush nuk na mund dot ne sa të kemi në vend të opozitës këtë krijesën amorfe me atë dhëmballën e prishur që quhet Parti Demokratike.

Rreziku vjen nga verbëria se ata nuk kanë çfarë i bëjnë Partisë Socialiste, ata të gjithë bashkë të mblidhen, të rimblidhen, të stërmblidhen, të hidhen, Partisë Socialiste ata nuk kanë çfarë i bëjnë, nuk e mundin dot, por Partia Socialiste ka një kundërshtar potencial shumë më të rrezikshëm se ata. Jemi ne! Ne mund t’i bëjmë vetes, domethënë partisë, atë që asnjë nga ata dhe të gjithë bashkë nuk ia bëjnë dot.

Ne mund ta bëjmë thagmën që Partinë Socialiste nga një zgjedhje të qartë të shqiptarëve e nga një zgjidhje të drejte për Shqipërinë 3 herë rresht, ta kthejmë në zhgënjimin e tyre e nëse Partia Socialiste do të jetë zhgënjimi i tyre, Partia Socialiste do të jetë relike, njësoj si simotrat e veta që dikur i shikonte me admirim nga poshtë lartë, e që sot u ka humbur fisi dhe fara, nëpër Europë.

Sfida e sfidave të këtij mandati të tretë është sfida mes nesh dhe vetvetes, si individë e si familje politike. Që ta themi troç, duke na dhënë mandatin e tretë, zgjedhësit tanë na kanë falur jo pak mërzira. Nuk ka rëndësi nëse të gjitha mërzitë e tyre lidhen apo nuk lidhen me ne, por larg qoftë të na gënjejë mendja se ata i kanë harruar ato që na kanë falur, duke na dhënë votën prapë dhe kujt ia kanë falur? Ia kanë falur të gjithëve? Po sipas nivelit, që nga unë, të tjerët rreth meje, të tjerët pak më poshtë, të tjerët më tutje, na kanë falur individualisht plot gjëra, por nuk i kanë harruar. Na kanë dhënë një kredi dhe na kanë thënë shlyejeni me interesa. Prandaj unë dua t’ju lutem sot, në emër të të gjithë atyre që na kanë besuar përsëri, në emër të të gjithë atyre që do të na besojnë në të ardhmen nëse do të veprojmë drejt sot, e për hir të të gjithë mundit, në këto 8 vjet gjithashtu. Dhe jo mundit tuaj e timit, por në radhë të parë mundit të familjeve tona, që kanë marrë bashkë me ne dhe për shkakun tonë, një baltë të pamerituar e të pa matshme mbi kurrizin e tyre për më shumë se 8 vjet dhe lutja ime është, në emër të të gjithë këtyre që thashë, mos luani me nervat e njerëzve. Mos luani me nervat e zgjedhësve dhe të atyre që nuk na kanë zgjedhur, as në komunitetet tuaja, as në komunikimet me publikun, as në mexhliset e këtij vendi të vogël e as mos lejoni të tjerët që të bëjnë këtë.

Jam shumë i qartë që ndërkohë që unë flas, ka plot këtu e janë ata që duhet të dëgjojnë me më shumë vëmendje këto që po them, si shprehje e një shqetësimi shumë serioz, që e kanë mendjen tani tek emrat e qeverisë, të kryesisë. Kjo nuk është anormale, përkundrazi, është gjëja më e natyrshme, por edhe pse shprehjen e shqetësimit tim unë nuk mund ta mbledh dot në një fjalim sot, unë këmbëngul në lutjen time që ta dëgjoni këtë kambanë, që ta kuptoni këtë kambanë e që të më ndihmoni mua e të ndihmojmë njëri-tjetrin me zemër e me mendje të hapur, në këtë rrugë që nisim sot dhe e nisim nga e para, drejt mandatit tjetër të Partisë Socialiste. Mandati i katërt nuk ka lidhje me emrin tim dhe as me emrin e askujt këtu, por ka lidhje me një emër të madh, ka lidhje me një emër që ne, cilido e cilado këtu, ka një detyrim të patjetërsueshëm që ta ruaj, ta mbrojë, ta lartësojë mundësisht, por nuk ka kurrë detyrimin që ta përdorë, shpërdorojë për punët e veta, të familjes së vetë, të krushqisë së vetë apo të tarafit të vetë dhe ky është një emër që e kemi marrë nga brezi paraardhës e që duhet t’ia japim brezit pasardhës, quhet Partia Socialiste e Shqipërisë.

Ndihma më e madhe që unë pres prej jush e që unë pres t’i japim njëri-tjetrit, e t’i jepni njëri tjetrit, është që çdo ditë kur dilni nga shtëpia, të ndiheni në borxh. Të dilni nga shtëpia njësoj si ata që dalin e nuk dinë se si do shlyejnë borxhin. Në borxh ndaj këtij populli, të njohur apo të panjohur dhe të bëni gjithçka mundeni që në radhë të parë të mos na fusni në borxhe të reja me asnjërin, asnjë qytetar, asnjë komunitet si rezultat i sjelljeve të papërshtatshme, i ndërhyrjeve të palejueshme, i ndikimeve të paligjshme, i ndereve për farë e për fis dhe i qokave për tarafin e për dreqin, bashkë me të birin madje. Është shumë më e madhe Partia Socialiste dhe është shumë më e fortë Partia Socialiste dhe do bëhet shumë më e madhe e shumë më e fortë në realitetin e votimit për çdo kushëri që bie dëshmor i refuzimit tuaj për ta futur në punë, për çdo krushk që bie dëshmor i refuzimit tuaj për ta sistemuar në shtet. Për çdo rrugë që ju ktheni kur jeni drejtuar për tek hipoteka, apo për tek cilado derë tjetër dhe Partia Socialiste do të nisë një rilindje të dytë, pas asaj që na solli në qeveri 8 vjet më parë, jo më thjesht për të fituar zgjedhjet e radhës, por për të fituar të ardhmen e saj, si një burim i pazëvendësueshëm. Kush e zëvendëson? Kush? Si? E kemi parë me çfarë janë zëvendësuar lartë e poshtë, rreth nesh, këto parti që nuk bëhen dot më. Frymëzim kombëtar, përkatësi politike e drejtë dhe e mundshme dhe e arritshme për të gjithë të rinjtë e të rejat që nuk kanë lidhje fisi e fare me ne të gjithë këtu, që nuk kanë prindër të pasur, që nuk kanë akses të kollajshëm, e për të gjithë shqiptarët e shqiptarët që kanë eksperienca suksesi në punë, qoftë këtu, qoftë jashtë vendit, e që është e pamundur të sfidohen në përpjekjet e tyre për të kontribuuar nga ndërhyrjet tuaja. Është e pamundur! Ditën kur njëri këtu do çohet e do japi faktin që unë bëj të njëjtën gjë, atëherë unë do tu kërkoj falje të gjithëve e do ta ndaloj këtë predikim. Për mua ky nuk është predikim, për mua kjo është esenca e jetës politike në Partinë Socialiste dhe o e bëjmë ne, o nuk ka kush ta bëjë për ne. E po nuk e bëmë ne, nuk do e bëjë tjetër kush, katër vjet do fluturojnë dhe atëherë do jetë vonë.

Të dashur anëtarë dhe anëtare të kësaj asambleje!

I kam falënderuar ministrat, i kam falënderuar deputetët më parë, sot dua t’ju falënderoj ju të gjithëve për angazhimin tuaj në zgjedhjet e fundit. Ishin dhe një arritje e re e makinerisë sonë organizative, e cila është pa diskutim krenaria e kësaj partie. Por edhe në këtë drejtim ne kemi nevojë për përmirësime që makineria organizative të jetë në lartësinë e dy garave edhe më të forta që kemi përpara, zgjedhjet vendore në 2023, zgjedhjet e përgjithshme në 2025. Ata që nuk dinë çfarë flasin, por nuk pushojnë së foluri për të baltosur e deligjitimuar fitoret tona zgjedhore, nuk e dinë e nuk kanë faj, por edhe nuk duan ta mësojnë se fitoret tona e kanë bazën në radhë të parë tek karakteri, këmbëngulja dhe vullneti ynë. E kanë bazën tek gatishmëria jonë që të zgjohemi më herët se gjithë të tjerët dhe të flemë më vonë se të gjithë të tjerët. Shumë e thjeshtë, nuk mund të zgjohen më vonë e të flenë me herët e të mundin Partinë Socialiste, si fillim. Pastaj po arritën të zgjohen e të flenë kur zgjohemi e flemë ne, ka të tjera. Fitoret e betejave zgjedhore projektohen menjëherë pasi ke fituar njërën, duke filluar pa humbur kohë, e kemi bërë dhe në të shkuarën, ri ndezjen, riparimet, inovacionet e makinerisë organizative. Duhet ta ndryshojmë sot komplet Sekretariatin e partisë e të vendosim menjëherë në punë edhe skuadrën e drejtimit ekzekutiv të partisë, me 12 drejtuesit politik të qarqeve, të cilët unë propozoj që t’i quajmë kryetar partie të qarkut, me kompetenca të plota për organizmin e partisë në qark, por kjo është për t’u diskutuar e me gjasë për t’u miratuar më tej nga forumet. Sot asambleja do të zgjedhë me alternativa edhe pjesën tjetër të kryesisë së Partisë Socialiste.

Sekretariati i ri ekzekutiv do të këtë misionin më kompleks  në kujtesën time që ndonjë sekretariat ka patur në këtë parti sepse duhet të merret çdo ditë dhe shumë seriozisht përveçse me një riorganizim tërësor për jetën aktive të partisë mes dy zgjedhjeve duke bashkëpunuar ngushtësisht, jo vetëm me Akademinë Politike, por jo vetëm  sapo ajo të krijohet.

Në grupin e punës për krijimin e Akademisë Politike së bashku me mua dhe anëtarët e rinj, do të jenë profesor Servet Pëllumbi, Profesor Ethem Ruka, Lindita Nikolla, Ditmir Bushati, Arbër Mazniku si dhe disa konsulentë shqiptarë dhe të huaj.

Akademia politike do të jetë shkolla e mendimit politik të këtij dhe të brezave të  Partisë Socialiste dhe të atyre të së majtës demokratike europiane.

Detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste do ta mbulojë Damian Gjiknuri. Do ta kërkoja nga të gjithë që ta kuptoni shumë qartë që unë kam vlerësimin më të madh për punën e përkushtuar që ka kryer Taulant Balla në këtë detyrë, duke mbajtur pa u ankuar asnjëherë dy kunguj nën një sqetull dhe për më tepër në një periudhë të jashtëzakonshme për Kuvendin e Shqipërisë mes pandemisë dhe marrëzisë opozitare, por për të patur sukses në këtë projekt të ri ambicioz të rilindjes së dytë të Partisë Socialiste  këto dy ngarkesa kaq të rëndësishme nuk mund të mbahen dot nga i njëjti person. Kjo sepse përgjegjësia e kryetarit të grupit gjatë këtij mandati duhet të jetë e fokusuar në rritjen sasiore, por dhe cilësore të aktivitetit politik të deputetëve jashtë sallës së Kuvendit, në zona zgjedhore, në Kosovë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare apo qoftë edhe se puna e Sekretariatit të Përgjithshëm do të kërkojë shumë orë pune   gjatë javës në të gjitha qarqet dhe hapësirat  shoqërore të Shqipërisë.

Në krah të djathtë për organizmin apo më saktë riorganizimin e Partisë Sekretari organizativ do të jetë Blendi Klosi, çka sjell në krye të punëve përditshme të partisë dy nga drejtuesit më të suksesshëm të qarqeve në disa zgjedhje, eksperienca, vullneti, aftësia organizative  e të cilëve nuk vihet në dyshim.

Partia dixhitale Socialiste mbetet ende një projekt shumë larg së qeni i përfunduar, i cili duhet marrë me seriozitetin më të madh nga të gjithë si një nga mjetet e reja të kësaj kohe që kjo parti duhet me patjetër t’i ketë në dispozicion pikërisht për të rritur cilësinë e jetës së saj të brendshme politike me impaktin e saj në jetën publike të vendit.

Rolin e sekretarit  të ri dixhital të partisë do ta marrë Etjen Xhafa, i cili dua të besoj se ka ambicien dhe vullnetin për të na dhënë një provë bindëse përparimi në këtë drejtim bazuar dhe në një eksperiencë të mëparshme për sa i përket organizmit dixhital.

Burimet njerëzore të partisë janë një tjetër sfidë për t’u fituar në kushte kur pas kaq vitesh nuk kemi arritur dot të kemi një departament burimesh njerëzore siç kanë të gjitha organizatat e mëdha, siç kanë të gjitha partitë e mëdha, siç kanë të gjitha ndërmarrjet e mëdha dhe kemi deri te boshllëqe të të dhënave gjëja më elementare e jo më pastaj të kemi një politike të mirëfilltë trajtimi dhe zhvillimi të burimeve njerëzore.

Prandaj unë dua të besoj se Anila Denaj është njeriu i duhur për të marrë përsipër këtë sfidë të re edhe me eksperiencat  e saj të mëparshme me burimet njerëzore edhe pas një pune të mirë, qoftë në dikasterin e financave qoftë në fushatën e saj të parë elektorale.

Dua të besoj po ashtu se Etilda Gjonaj  është njeriu i duhur për të marrë rolin e sekretares së gruas në Partinë Socialiste duke vënë në dispozicion të pjesës më të mirë të partisë, grave, gjithë eksperiencën e saj si aktiviste në shoqërinë civile por edhe në dikasterin e drejtësisë ku Etilda është përpjekur të jetë ndër të tjera edhe një avokate e zëshme e grave dhe vajzave të prekura nga dhuna në familje sidomos, por jo vetëm.

Romina Kuko, e cila prej vitesh qoftë në organizatat ndërkombëtarë, qoftë si Zëvendësministre e brendshme ka krijuar një eksperiencë të dobishme bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtare por nga ana tjetër ka treguar gjithmonë gatishmëri bashkëpunimi me partinë në bazë do të jetë Sekretarja e re e marrëdhënieve me jashtë në Partinë Socialiste.

E fundit po aspak për nga rëndësia është dhe hallka më e dobët e punës së deritanishme të thuajse të gjithë sekretariatit të mëparshëm puna e partisë me rininë.

Detyrën e Sekretares për rininë në Partinë Socialiste dua t’ia besojmë një vullnetareje 20 vjeç, e cila spikati në fushatën e fundit me fjalimet e saj, e cila përtej fjalimeve është një studente shumë e mirë dhe një aktiviste shumë e përkushtuar në komunitet, Bojkena Basha. Flet shumë më bukur se Lulzim Basha, zgjohet shumë më herët se ai, dhe mbi të gjitha ndryshon nga ai sepse thotë fiks atë që mendon dhe mendon fiks atë që thotë.

E për t’i dalë përpara çdo keqkuptimi apo çdo keqinformimi nuk është tiranse, nuk ka lidhje me Linda Bashën. Jeton në Durrës, por as nga Durrësi nuk është, kështu që nuk ka lidhje as me mua. 

Besoj se jeni dakord që Sekretarit të Përgjithshëm dhe ekipit të tij t’i japim 100 ditë kohë që të përgatisin të gjithë projektin e ri organizativ në tërësi dhe zë për zë sipas të gjithë fushave dhe pastaj pas 100 ditësh në muajin dhjetor t’i votojmë ose jo këtu në bazë të bindjes që do të na krijojë platforma e tyre për një transformim të ri të Partisë Socialiste.

Do të mësohemi edhe me idenë që një vend për të cilin merr besim duhet ta justifikosh në çdo hap, rezultatet e parapara në atë hap për t’i dhënë sa më shumë goditjes së kulturës për shtyrjen e punëve të sotme për nesër.

Do të votojmë sot për anëtarët e kryesisë, jo për anëtarë qarqesh me alternativa si më poshtë.

Për listën e burrave gjithë kandidaturat për 6 vende janë:

-Pandeli Majko

-Ditmir Bushati

-Ilir Beqja

-Arben Pëllumbi

-Eduard Shalsi

-Armando Subashi

-Fatmir Xhafa

-Pjerin Ndreu

-Ervin Demo

Për listën e grave kandidaturat për 6 vende janë:

-Ogerta Manastirliu

-Belinda Balluku

-Olta Xhacka

-Ermonela Felaj

-Evish Kushi

-Milva Ekonomi

-Mimi Kodheli

-Etilda Ferhati

-Blerina Gjylameti

-Almira Xhembulla

Lindita Nikolla e cila besoj se ka mbështetjen, jo vetëm të kësaj asambleje, por edhe të gjithë anëtareve dhe të gjithë simpatizantëve të Partisë Socialiste për të marrë stafetën nga Gramozi në krye të Kuvendit të Shqipërisë si një grua me një kontribut dhe një përvojë të gjatë në familje tonë politike, si një shembull i padyshimtë i përkushtimit dhe i ndershmërisë në kryerjen e çdo detyre si një shoqe e mirë e të gjithëve ne dhe si një politikane karriere që është karakterizuar nga dëshira për dialog me të tjerët do të jetë dhe anëtare exofficio e kryesisë së PS.

Së bashku me 12 drejtuesit, kryetarë qarqesh do të  përbehet nga 33 anëtarë.

Fierin do ta drejtojë Taulant Balla,

Elbasanin, Damian Gjiknuri,

Vlorën, Arben Ahmetaj,

Shkodrën, Edona Bilali,

Kukësin, Elisa Spiropali,

Durrësin, Ardian Cela;

Beratin, Bledi Cuci,

Gjirokastrën, Mirela Kumbaro,

Dibrën, Ulsi Manja,

Lezhën Blendi Klosi

dhe Tiranën,Erion Veliaj.

Ndërsa përbërja e qeverisë së re do të jetë si më poshtë:

Zëvendëskryeministri, i cili do të mbikëqyr deri në fund Rindërtimin dhe kalendarin e programit të ri qeverisës do të jetë Arben Ahmetaj

Ministrat për Evropën Punët e Jashtme dhe Mbrojtjen do të jenë Olta Xhacka  dhe Niko Peleshi

Ministrinë e Drejtësisë do ta drejtojë Ulsi Manja, ndërsa Punët e Brendshme Bledi Çuçi.

Në drejtimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të jetë Delina Ibrahimi.

Në krye të dikasterit të infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale do të qëndrojnë Belinda Balluku dhe Ogerta Manstirliu.

Për Arsimin dhe Sportin Evis Kushi.

Për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural Frida Krifca

Për Turizmin dhe Mjedisin Mirela Kumbaro dhe për Kulturën Elva Margariti.

Qeveria e re do të ketë sërish 4 ministra shteti;

Elisa Spiropali për Marrëdhëniet me Parlamentin,

Edona Bilali për Mbrojtjen e Sipërmarrjes,

Bora Muzhaqi për Rininë dhe fëmijët

Milva Ekonomi për Standardet dhe Shërbimet

Ndërkohë për shkak të procesit që duhet të fillojmë me votimin e dy blloqeve të kryesisë do të dëshiroja që me konsensensus pa patur nevojë për votim   të miratojmë Komisionin e ri zgjedhor të PS të përbëra nga Elian Salianji, i cili gjithmonë na ka nderuar me punën  e tij.

Florian Pullazi, Florina Ruseni Enkeleda Peshkëpia, Galia Koci, Ana Dhamo, Tan Muça.

Janë 7 nga 6 vende të ndryshëm.

Nëse jeni dakord shokët dhe shoqet e këtij komisioni duhet të fillojnë punën për të përgatitur fletët e votimit.

Ndërkohë që duhet zgjedhur dhe kryefinancierja apo kryefinancieri dhe këshilli i mbikëqyrjes financiare të partisë.

Dhurata Isufaj besoj që  e meriton besimin tonë përsëri, si kryefinanciare. Ndërkohë që Ditmir Bushati, Milva Ekonomi, Arben Ahmetaj, Antoneta Dhima dhe Anila Denaj do të jenë në këshillimin e mbikëqyrjes financiare.

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • popull: 02/09/2021 19:18

    o zoti Rama.. lexova me vemendje shkrimin tend dhe kuptoj qe nga ana llogjike i kupton me se miri te mirat dhe te keqiat qe te jep pushteti ndoshta dhe i tepert, por ajo qe eshte kryesorja qe duhet ti zbatosh ato qe zotohesh dhe te mendosh me shume per kete fukara popull dhe jo per oligarket dhe militantet qe te shikojne sikur te ishe lope qe te mjelin dhe perfitojne vetem ata dhe jo te tjeret dhe kur nuk i duhesh ose nuk ke c'tu japesh me, te ofendojne me fjale ,te ngulin thiken pas shpine dhe te largojne duke te thene qe e plotesove ciklin.. por me lejo nje keshille. 1-mendo dhe vepro me shume per kete vend dhe per kete popull se ai do te di si ta shperbleje 2-mos bjere ne nivelin e atyre qe kishin dhe e duan akoma pushtetin se bataku qe krijuan po i mbyt e i fundos perfund , pra mos te hyj vetja ne qef .3- promovoje dhe aplikoje meritokracine si te vetmen menyre ngritje dhe shperblimi dhe lufto ne max. autokracine si nje gangrene qe infekton dhe kalb gjithe trupin sado i shendetshem te jete ai,dhe ky i uruar popull do te thuri kenge e ngreje buste si askush me pare, mos harro qe sa me shume ta genjesh dhe mashtrosh ,me te pakta i ke ditet... pune te mbare dhe me mend ne koke.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Trafik i rënduar në Vlorë nga ardhja e emigrantëve për festat

Trafik i rënduar në Vlorë nga ardhja e emigrantëve për festat