Eduard Selami ka shpërthyer në akuza ndaj Lulzim Bashës në Kuvendin Kombëtar të PD. Ish-rivali i Bashës për kryetar të PD tha se në PD po rikthehet 95-a, ajo që sipas tij solli shkatërrimin më pas.
PD s'ka pasur problem statutin. Duhet të bënim një analizë të thellë për rezultatin e humbjes, janë tre humbje rresht. Por nga viti 1995 kemi probleme me demokracinë e brendshme, me respektimin e anëtarëve, me respektimin e statutit.
Fatkeqësisht statuti po kthehet në problemin tonë. Kryetari do të zgjedhë, sërish do të kemi listat e kryetarit. Statuti e kthen partinë në funksion të kryetarit.
Më vjen keq që në statut përmendet disa herë fjala përjashtim. Hapeni Partinë Demokratike, bëni analizën e zgjedhjeve, keni humbur dy palë zgjedhje, tërhiq draft-statutin, pasi është më i keqi në gjithë historinë e PD-së.
Kjo është qeverisja më e keqe në historinë e PD-së, por ne nuk ngjallim shpresë. Ky është statuti më i keq që ka pasur ndonjëherë PD. Në 95 kërkuat ikjen time, dhe vajti aty ku vajti Shqipëria. Ky statut e ka kthyer PD-në në shërbim të një njeriu.
Z.Basha, lidershipi është vizion, është vlerë. Ky është statuti i përjashtimit, shikoni nenin 25 dhe 27. Basha shkarkoi 24 kryetarë degësh, e morën vesh nga televizioni ata, u shkel statuti. Tani e ka me statut, i shkrin kur do. Z.Basha tërhiqe këtë statut, bëj analizën e humbjeve, ke dy humbje rresht.
Eduard Selami, ish-deputet i PD
Selami iu rikthye edhe garës me Bashën korrikun e kaluar për kryetarin e PD dhe akuzoi se u vodhën votat. "I pamë në video si vidheshin votat. Vidheshin votat në shtëpinë tonë".