Kuvendi i PD miraton statutin e ri, Basha fuqizon kompetencat, reduktohet kryesia

Partia Demokratika ka tashmë një "Kushtetutë" të re mbi bazën e të cilës do funksionojë partia. Statuti i jep Bashës më shumë fuqi, ndërsa ndryshimet prekin edhe kryesinë ku përjashtohen krerët e departamenteve. Risi nga ndryshimet staturore është edhe kryetari i Këshillit Kombëtar, një ide kjo e kritikëve, por që u rrëzua nga Këshilli Kombëtar. Sot e propozoi Lulzim Basha dhe delegatët e votuan unanimisht.

Një tjetër risi e statutit është edhe përfshirja e Jozefina Topallit në Këshillin Kombëtar në cilësinë e ish-kryetares së Kuvendit, por pavarësisht kësaj ajo nuk ndali sulmet ndaj Bashës të cilit sot i kërkoi të largohej në Holandë

Basha bën "mea culpa" përpara delegatëve të Kuvendit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e nisi me akuza ndaj qeverisë për varfërinë, krimin, korrupsionin, çështjen "Tahiri" si dhe iu rikthye edhe marrëveshjes së 18 majit, fjalimin 60 minutësh përpara delegatëve të Kuvendit Kombëtar të PD ku u miratuan ndryshimet statutore

Për herë të parë Basha pranoi se demokratët dështuan në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Ai tha se gabimet për humbjen e opozitës ishin të atij dhe për to, tha kryetari demokrat, mori përsipër përgjegjësitë.

Por pavarësisht ndjesës publike, Basha tha se në humbjen e PD ndikoi edhe marrëveshja e 18 majit e imponuar sipas tij nga ndërkombëtarët. Megjithatë, një nga pikat që ngjalli debate gjatë katër orë e 30 minuta diskutime në Kuvendin Kombëtar ishte neni që i jep Bashës pushtet të pakufizuar, sipas të cilit ai mund të shkarkojë kë të dojë

Unë qëndroj sot para jush thellësisht mirënjohes, për mbështetjen tuaj. Kjo mbështetje ma ka bërë edhe më të madhe keqardhjen që nuk ia dolëm të ishim sot ne partia që drejton vendin. Unë kam bërë gabimet e mia, për të cilat kam pranuar përgjegjësinë time.

Nuk dua ta zbeh këtë përgjegjësi, por çdo gjë që kam bërë e kam bërë me qëllimin për t’i shërbyer njerëzve, i bindur për problemet dhe rreziqet që u kanoseshin atyre dhe vendit.

Jam i vetëdijshëm për gabimet e mija, të diktuara nga rrethanat, koha dhe gjendja në të cilën ndodheshim. Kam diskutuar për to me mijëra demokratë gjatë muajve të fundit—kam dëgjuar mendimet e tyre, kam pranuar kritikat e tyre, kam gjetur mirëkuptimin dhe kam marrë mbështetjen e tyre.

Përvoja është një mësuese e dashur, thoshte Benxhamin Frenklin. Unë kam besimin se së bashku me ju, duke mësuar nga gabimet, do ta fuqizojmë partinë tonë dhe ta bëjmë atë fituese. Partia Demokratike është shpresa e vetme për shqiptarët në këto kohë të vështira për vendin.

Lulzim Basha, kryetar i PD

I vënë në qendër të akuzave nga kritikët në PD, Basha shtriu dorën e bashkëpunimit për këdo që do të kontribuojë për rikthimin e demokratëve në pushtet. 

Ne duhet të gjejmë guximin dhe ta pranojmë: PO, ata kanë dështuar – por edhe ne nuk ja dolëm. Ne nuk ia dolëm ta kurorëzonim me sukses betejën tonë historike për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ja dolëm të ndanim njëherë e mirë politikën nga krimi, nuk ja dolëm që trafikantët e drogës dhe bosët e tyre politikë ti conim para drejtësisë.

Por në këtë Kuvend të madh kombëtar, duke lënë pas humbjen dhe zhgënjimin, le ta shikojmë sot njëri-tjetrin në sy dhe të themi njëzëri: KURRË MË!! Por gjatë muajve të fundit ka pasur edhe akuza e sulme personale. Kam zgjedhur të mos u përgjigjem këtyre sulmeve, sepse si kryetar partie më takon mua të parit të jem më i duruar dhe më i matur, dhe të mos i përgjigjem inatit dhe luftës personale me inat dhe luftë nga karrigia e kryetarit.

Unë sot dua serish nga ky Kuvend i madh dua t’i shtrij dorën gjithsecilit që dëshiron të kontribuojë dhe të bashkohet me ne për t’i kthyer këtij vendi shpresën dhe besimin tek e nesërmja. Dora ime do të mbetet e shtrirë jo për pazare as për të bërë fotografi por që së bashku të ndërtojmë rrugën tonë drejt suksesit, i bindur se është më e lehtë për të ndërtuar ura sesa për të gërmuar hendeqe. 

Lulzim Basha, kryetar i PD

Banka Botërore deklaron se rreth 1 milion shqiptarë mbijetojnë me rreth 5 dollarë në ditë, dhe se vetëm si pasojë e taksave, popullsia shqiptare që jeton me më pak se 4 dollarë në ditë, është rritur nga 22.6 për qind në 29.1 për qind. Kjo do të thotë se taksat e Edi Ramës vetëm rrisin varfërinë dhe pabarazinë dhe pasurojnë vetëm një grusht njerëzish.

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi hapur se PPP-te e qeverisë përbëjnë një rrezik thelbësor sepse ato janë të njëjta me huamarrjen dhe se qeveria duhet ta pezullojë dhënien e koncesioneve! OKB konfirmoi thellimin e mëtejshëm të varfërisë sepse gjysma e familjeve që i përkisnin klasës së mesme në kategorinë e konsumit  në 2008, kaluan në grupin e familjeve në nevojë dhe në varfëri në vitin 2016.

Freedom House raportoi se Shqipëria rrezikon rënien në autoritarizëm, ku një njeri i vetëm kontrollon të gjitha pushtetet duke kapur së fundi edhe Prokurinë dhe SHISH.

Interpol deklaron se tashmë Shqipëria është porta kryesore e trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Europë. Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi në raportin e tij të fundit se gjatë vitit 2017, korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes në Shqipëri. 

Lulzim Basha, kryetar i PD

Ora 10:00 Nis Kuvendi Kombëtar i PD
Ka nisur punimet Kuvendi Kombëtar i PD, organi më i rëndësishëm vendimmarrës i partisë. 7500 anëtarë të Kuvendit do votojnë draftin e ndryshimeve statutore. Kryetari i PD, Lulzim Basha ka qenë ndër të parët që ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve.


(Eduard Selami, ish-deputet i PD, kritik i Bashës)


(Mes delegatëve edhe Tomor Alizoti, kritik i Bashës)


(Besnik Mustafaj dhe Fatmir Mediu, të ftuar në Kuvendin e PD)

I pranishëm është edhe ish-kryetari dhe ish-kryetari i PD, Sali Berisha. Nuk mungojnë as aleatët si Fatmir Mediu, Nard Ndoka dhe Agron Duka. Në punimet e Kuvendit Kombëtar demokrat marrin pjesë edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi si dhe kreu i grupit parlamentar, Petrit Vasili. 


(Petrit Vasili dhe Monika Kryemadhi në Kuvendin Kombëtar të PD)

FOTOGALERI/Kuvendi Kombëtar i PD përmes fotove

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:42
Ikën dhëndri i Berishës nga Kryesia, rikthehet Topalli, ‘forcohet’ Basha/Risitë e statutit të PD

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike votoi sot unanimisht paketën me ndryshimet në statut. 7500 delegatët ngritën kartonët duke i dhënë jetë “kushtetutës” së re të demokratëve. 

Ndër ndryshimet kryesore në statut është ai i përfshirjes së Jozefina Topallit në Këshillin Kombëtar, ndryshimi i rregullave për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie, apo dhe ajo për fuqizimin e kompetencave të Bashës i të cilit i parashikon statuti shkarkimin e kryetarëve të degëve në rast shkelje.  

Gjithashtu, një tjetër pikë është ajo për përjashtimin nga kryesia të krerëve të departamenteve, çka bën që automatikisht dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha të mos jetë pjesë e kryesisë. Ikin edhe krerët kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve të Përhershme Parlamentare që i përkasin PD.
Në total, nga Kryesia e PD përjashtohen automatikisht 25 figura të kësaj partie. Të gjithë të përjashtuarit, për t’u bërë sërish anëtarë të Kryesisë, duhet të kandidojnë dhe të zgjidhjen me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar. Por, me votim nga Këshilli Kombëtar, mund të zgjidhjen vetëm 15 anëtarë. 

Me propozimin e që bëri Basha sot, Këshillit Kombëtar i PD do ketë një kryetar. Një ide kjo e kritikëve të Bashës, Edvin Kulluri dhe Edit’h Harxhi. 

Statuti i vjetër i PD
Neni 39

Kryesia e Partisë
Kryesia e Partisë përbëhet nga:
Kryetari i Partisë;
Nënkryetarët e Partisë,
Sekretari i Përgjithshëm, Drejtuesit e Departamenteve dhe Sekretarët Funksionalë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.
Kryesia e Grupit Parlamentar, ku përfshihen Kryetari, Nënkryetari, Sekretari dhe Zëdhënësi.
Kryetari apo Nënkryetari i Kuvendit që i përket Grupit Parlamentar të PD
Kryetarët apo Nënkryetarët e Komisioneve të Përhershme Parlamentare që i përkasin Grupit Parlamentar të PD-së;
Kryetarët e organizatave partnere.

Statuti i ri i votuar sot
Neni 52

Kryesia e PDSH
Kryesia e PDSH përbëhet nga:
a) Kryetari i Partisë;
b) Nënkryetarët e Partisë;
c) Sekretari i Përgjithshëm, dhe Sekretarët Funksionalë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar;
d) Kryetarët e organizatave partnere;
e) 15 (pesëmbëdhjetë) anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar, nëpërmjet një numri kandidaturash të paktën sa dyfishi i numrit të vendeve vakante.
f) Zëdhënësi i Partisë, si dhe Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare që emërohen nga Kryetari i PDSH.

Krerët e departamenteve që largohen nga Kryesia e PD
1. Jamarbër Malltezi, ambienti, pyjet dhe turizmi
2. Florion Mima, ekonomia dhe tregu
3. Sherefedin Shehu, financat publike, tregu bankar financiar dhe jo bankar
4. Jemin Gjana, kontributet historike
5. Tritan Shehu, shëndetësia
6. Enkelejd Alibeaj, siguria, rendi publik, lufta kundër krimit
7. Suzana Guxholli, energjia dhe burimet natyrore
8. Ervin Minarolli, infrastruktura dhe transporti
9. Enkelejda Sallaku, bujqësia, zhvillimi rural, peshkimi dhe agroindustria
10.Endri Hasa, shoqëria e informacionit
11.Avenir Peka, siguria kombëtare
12.Kastriot Sulka, punësimi dhe çështjet sociale
13.Bardh Spahia, emigracioni dhe diaspora
14.Lealba Pelinku, antikorrupsioni, aksesi publik në shërbime dhe transparenca në qeverisje
15.Enri Çeno, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore
16.Ardian Turku, pushteti vendor dhe administrimi i territorit
17.Luciano Boçi, Arsimi, shkenca dhe inovacioni
18.Arben Skenderi, kultura, rinia dhe sporti
19.Laura Vorpsi, integrimi Europian
20.Kreshnik Çollaku, politika e jashtme
21. Gent Malko, pronat

Krerët dhe nënkryetarët e komisioneve që largohen nga Kryesia
1. Flamur Noka, zëvendëskryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare
2. Genc Pollo, kryetar i Komisionit të Integrimit Evropian.
3. Jorida Tabaku, zëvendëskryetare e Komisionit të Ekonomisë
4. Albana Vokshi, kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. 

 

Parashikimet në statutin e ri të PD për disiplinën dhe masat ndëshkuese

Neni 13
Disiplina e brendshme
Anëtarët kujdesen për ruajtjen e etikës në komunikim dhe respektit të ndërsjelltë ndaj njëri-tjetrit, organeve të partisë dhe funksionarëve politikë.

Anëtarët dhe organet e partisë veprojnë në përputhje me Statutin dhe Programin e PDSH. Çdo vlerësim apo iniciativë personale e anëtarit të partisë, e shprehur nën këtë cilësi, duhet të jetë në përputhje me Statutin dhe Programin e PDSH. Anëtarët e PDSH veçanërisht shmangin çdo mënyrë, veprim apo neglizhencë që dëmton interesat elektorale apo politike të PDSH.

Rregullat e detajuara për të garantuar disiplinën e brendshme dhe masat disiplinore në rast të cenimit të saj, përcaktohen në Rregulloren e Brendshme të PDSH.

Neni 27
Masat disiplinore

Thyerja e disiplinës së brendshme të Partisë, ndërmarrja e veprimeve, në çdo formë apo mënyrë, që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të PDSH, dhe mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PDSH.

Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi. Këto masa merren sipas rastit nga Kryesia e Degës ose Kryesia e PDSH, dhe konfirmohen dhe/ose mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit. Ato mund të bëhen publike.

Në tre muajt që paraprijnë çdo fushatë zgjedhore dhe një muaj pas saj, Kryesia e Partisë mund të deklarojë kundrejt një anëtari, kushdo qoftë funksioni i tij, njërin prej sanksioneve që parashikon Statuti, nëse ai pengon zbatimin e vendimeve që kanë të bëjnë me kandidaturat në zgjedhje. Ky vendim është i ankimueshëm dhe shqyrtohet nga Komisioni i Apelimit dhe Zbatimit të Statutit brenda 5 ditëve nga marrja e ankimit.

Kërkesat për ripranim shqyrtohen nga kryesitë e rretheve, nëse vendimet janë marrë prej tyre, ose nga kryesia e partisë për të gjitha rastet e tjera.

Në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve statutore. Sanksioni i ndërmarrë i paraqitet për miratim kryesisë së partisë në afatin më të shkurtër të mundshëm.

Rastet që përbëjnë shkelje disiplinore, si dhe rregullat e procedurate dhënies së sanksioneve përkatëse disiplinore për anëtarët përcaktohen në Rregulloren e Brendshme.

Neni 66
Komisioni i Apelimit

Komisioni i Apelimit përbëhet nga pesë anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.

Komisioni shqyrton ankesat nga anëtarët e PDSH kundër masave disiplinore të marra ndaj tyre nga secili organ i partisë, që është kompetent sipas këtij Statuti. Ai siguron gjatë shqyrtimit të këtyre ankesave të drejtën e anëtarit për një proces të rregullt ligjor. Vendimi i Komisionit është i paapelueshëm. Kur një Kryesi vendos të marrë një sanksion kundrejt një anëtari që mban një mandat zgjedhor, ekzekutiv ose parlamentar, ai nuk mund të bëhet publik veçse nëse vendos Kryesia e PDSH. Në të gjitha rastet e tjera, Komisioni deklaron vetë publikisht vendimet që merr.

Komisioni me kërkesë të Kryesisë së partisë, shprehet për mospërputhjet e vendimeve të marra nga organet qendrore, kryesitë apo anëtarët, me Statutin e Partisë. Ai thërret për dëgjim, sipas rastit, të interesuarit.

Komisioni shqyrton çdo kërkesë apo ankesë që ka të bëjë me zbatimin e Statutit dhe rregullave të funksionimit të Partisë mbi një çështje të caktuar dhe merr vendim përfundimtar mbi atë çështje. Komisioni ka të drejtë të shqyrtojë dhe japë vlerësim përfundimtar, edhe mbi interpretimin përfundimtar të dispozitave të Statutit.

Ora 14:54
Kulluri-Bashës: Ky është statuti i ndarjes së demokratëve

Në Kuvendin e Partisë Demokratike të zhvilluar gjatë ditës së sotme ka marrë fjalën edhe Edvin Kulluri, anëtar i Këshillit të PD. Ai i ka bërë kritika të theksuara ndaj kreut të PD, Lulzim Bashës duke e quajtur humbjen e PD në zgjedhje një aventurë personale të kreut të saj. Kulluri me tone të ashpra ka akuzuar Bashën për gjendjen në të cilët ndodhet aktualisht e djathta. Ju nuk frymëzoni dot demokratet, e jo më shumicën e pavendosur, ka thënë anëtari i Këshillit të PD. Kulluri është shprehur që ta nisim nga kushtetuta e partisë, statuti, ringritjen e PD.

Ky kuvend jashtë radhe duhet kishte si qëllim miratimin e një statuti të ri, si një kontratë e re mes demokratëve, për të zgjidhur për aq sa i takon statutit, çështjen e përçarjes së partisë, duke krijuar kushtet për ta bashkuar atë. Ndaj bashkë me zonjen Edit Harxhi, propozuam një projekt statut të bazuar mbi eksperiencën angleze dhe gjermane të partive të djathta Parimet ku propozimi ynë mbeshtetet jane: Ndarja e pushteteve, autonomi e institucioneve, vendimarrje nga anëtaresia, pergjegjesi nga Drejtuesit, statuti që ne propozojmë, ndan institucionet e partisë në Ekzekutiv, (Kryesia), Legjislativ, (Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar), Institucione të pavarura (Bordi i Pavarur i Auditit Financiar, Komision i Përhershëm për Zgjedhjet në Parti, Komision i Pavarur Apelimi ose Gjykata e Partisë. Kuvendi Kombëtar dhe Këshilli Kombëtar duhen zvogëluar pasi ne jemi për qeveri të vogël si parti e djathtë e për këtë arsye duhet të japim shembullin me institucionet e brendshme të partisë. Kufizim të numrit të anëtarëve me të drejtë vote dhe 120 anëtarë për Këshillin Kombëtar. Si Kuvendi edhe Këshilli duhet të kenë një kryetar të zgjedhur me shumicë të thjeshtë në mënyrë që Kryetari i Partisë të mos jetë i plotfuqishmi dhe të sigurohet pavarësia e institucioneve. Komiteti i Kandidaturave është marrë nga ju parasysh veçse teknikisht pasi në të vërtetë ai nuk mund të funksionojë pa pavarësinë e Këshillit Kombëtar dhe kur Kryetari i Partisë është edhe drejtues i Këshillit Kombëtar.

Komiteti i Kandidaturave në statutin tonë alternativ funksionon si komitet i pavaruar i përbërë nga 9 anëtarë dhe i zgjedhur nga Këshilli Kombëtar ky Kryetari të jetë një prej anëtareve por shumica e Komitetit e zgjedhur nga Këshilli Kombëtar. Ky Komitet merr ne shqyrtim kandidaturat por më parë i kandidaturat duhet te vendosen nga Kryesia e Degës dhe me pas nga Bordi i Qarkut. Në çdo qark duhet të ketë një të deleguar nga Kryesia e Partisë. Bordi i pavarur i auditimit të i financave të partisë nuk është bord i cili mund të ketë varësi nga Kryetari i Partisë por ky Bord duhet të zgjidhet nga ky Kuvend me një mandat 4 vjeçar dhe në përbërje të të cilit të jenë 5 anëtarë që do të zgjidhen me shumicë të thjeshtë nga ky Kuvend dhe do ti raportojnë Këshillit Kombëtar dhe Kuvendit të Partisë.Gjykata e Partisë ose Komisioni i Apelimit duhet të jetë gjithashtu institucion i Pavarur dhe të zgjidhet nga Kuvendi e ti raportojë Këshillit Kombëtar dhe Kuvendit, por jo të drejtohet nga Kryetari. Dorëheqje megjithëse është akt moral duhet të përcaktohet në statut me humbjen e zgjedhjeve. Shkarkimi i Kryetarit duhet të propozohet nga 15% e anëtarëve të Këshillit Kombëtar ashtu sic ndodh në Parlamentin e Shqipërisë ku mocioni i mosbesimit për qeverinë kërkohet vetem me 28 nënshkrime nga 150 anëtarë që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Një projekt që mbështetet në ndarjen e pushteteve në parti, kontrollin dhe balancimin mes kryetarit, kryesisë, këshillit kombëtar dhe kuvendit. Po ashtu, edhe krijimin e disa institucioneve të reja: bordin financiar, komisionin e karrierës dhe këshillin e përhershëm në nivel qarku , kryetarin e KK dhe Kuvendit si dhe gjykatën e partisë. Qëllimi i propozimit tonë ka qënë për të zgjidhur në mënyrë serioze arsyet që shkaktuan humbjen në zgjedhjet e vitit 2017. Prandaj kërkojmë që kryetari mos të drejtojë në mënyrë personale partinë, së dyti të kontrollohet mënyra se si shpenzohen burimet financiare, së treti të respektohet karriera dhe përfaqesimi në parlament dhe pushtet vendor e se fundmi të përmiresohet përfshirja e strukturave në vendim-marrje jo me propagandë por nëpërmjet institutucioneve. Po ashtu po ju paraqes edhe një propozim të ri. Meqenese nuk pranoni të vendoset në statut dorëheqja e kryetarit në rast humbjesh të përsëritura apo me të thella se ato parardhëset, ta vendosim shkarkimin me propozim të 15% të antarëve të KK dhe miratimin me 50+1% te votave tyre siç parashikon kushtetuta mocionin per kryeministrin!Ju kryetar dhe kryesia e kesh komb, vendoset që ti percudnoni këto propozime, e për të hedhur hi syve opinionit publik dhe demokrateve.

Kjo është përgjegjësia juaj, vendimi por pasojat i vuan PD dhe qytetaret e zhgënjyer nga qeverisja e dështuar e Edi Rames! Koha do tregojë se kush ka të drejte, por rezultati i 23 qershorit ishte një verdikt i qartë. Ju nuk frymëzoni dot demokratet, e jo me shumicën e pavendosur. Kishit dhe keni mundesinë ta modernizoni PD-në dhe jo ta zhysni me keq në aventurë personale. Keni një pergjegjësi ndaj ketyre njerezve që i kanë dhëne PD gjithçka me pasion, përkushtim, në ditë të vështira dhe të lavdishme. Ndaj, sot keni një mundësi të fundit për të qënë bashkues i partisë dhe së djathtës dhe jo humbësi i përjetshëm i saj. Partia Demokratike të jeni të sigurt, që do të gjejë rrugën e fitores shumë shpejt, por jo duke ndjekur rrugën e “rilindjes”! Njerëzit duan një qeverisje më të mirë, pa tepsi kryetarësh. Rrudhja e PD po e çon vendin drejt një krizë pa kthim. Historia do na gjykojë si vrasës së shpresës, neve që e mbartëm atë në 25 vite. Nuk mund të na besojnë shqiptarët kur kërkojmë largimin e një autokrati si Edi Rama kur vete PD vepron nën arbitraritet! Arbitrariteti nuk ka as parti e as ngjyrë, por ushqen abuzimin e jo qeverisjen e mirë, forcon kryetarët por jo qytetaret, shton korrupsioni dhe dobëson ligjin. E pra ta nisim nga kushtetuta e partise, statuti, ringritjen e PD.

Edvin Kulluri, anëtar i Këshillit të Partisë Demokratike

Ora 14:46
Statuti i ri i PD, Topalli: Rrëzohet Lulzim Basha! Merr avionin dhe ik në Holandë

Ish-nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli ka reaguar pas miratimit të ndryshimeve statutore nga Kuvendi Kombëtar i PD. Topalli shkruan në Facebook se Kuvendi votoi pa kuorum. Sipas saj, Lulzim Basha është rrëzuar, ndërsa e "këshillon" të marrë avionin dhe të ikë në Holandë.

Postimi Topallit:
Nuk ka kuorum. Rrezohet Lulzim Basha!

Kuvendi i Statutit te Lulzim Bashes u rrezu bashke me Statutin e LB sepse nuk mori kuorumin . 

Salla e Kongreseve ka rreth 2500 karrige , shume prej te cilave ishin bosh gjate gjithe votimit ., nderkohe qe Kuvendi sipas Lulzim Bashes ka 7000 delegate.

Sot u perserit ajo qe ka ndodh rreth nje vit me pare kur u fallsifikua dhe u vjedh vota e pjesemarrja e demokrateve ne proçesin antistatuor te zgjedhje se Lulzim Bashes. Tani Lulzim Basha hypi avionit dhe ik ne Holande; Keshtu çlirohet dhe PD nga pengmarrja. 

Ora 14:06
Berisha nuk voton statutin: Kritikët të bashkohen me Bashën, Rama i ka ditët të numëruara

Ish-kryeministri Sali Berisha është larguar nga mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD pa pritur votimin e ndryshimeve statutore. Berisha nuk komentoi ndryshimet e miratuara javën e kaluar nga Këshilli Kombëtar, por u ndal te incidenti i Eduard Selamit, duke u shprehur se nuk duhet të kishte vërshëllima ndaj tij.    

Diskutimet janë të lira, të hapura. Nuk duhet të kishte vërshëllima, nuk duhet të ketë. Çdo njeri duhet të thotë fjalën e tij, na pëlqen apo jo. Ky është tipar i debateve demokratike, por unë mendoj se siç e dëgjuat vetë, pati diskutime me kritika, qortime dhe propozime.

Një kontrast shumë i madh midis këtij forumi dhe forumit të njeriut haluçinant, skizoid, njeriut që shkelmon çdo ditë të drejtat e atij kontingjenti të ndershëm të socialistëve, sepse një pjesë e tyre janë trafikantë, të inkriminuar, por një pjesë e mirë e tyre janë njerëz të ndershëm me integritet.

Kanë një fatkeqësi historike të kenë në krye një njeri që nuk respekton asnjë vlerë, përveç antivlerave. Një kalbësirë të cilën shqiptarët duhet ta hedhin një minutë e më parë si një rrezik madhor kombëtar. 

Sali Berisha, ish-kryetar i PD

I pyetur për bojkotin e Topallit, Bregut dhe Patozit, Berisha tha se më rëndësi është bashkimi i të gjithë demokratëve me qëllim largimin e Edi Ramës nga pushteti.  

Në këtë rast unë uroj dhe përsëri bëj thirrje që të bashkohen të gjitha kontributet e PD në mënyrë që kalbësira që sundon vendin nga 200 m më tutje të fshihet sa më parë. Kam besim se ai i ka kohërat të numëruara. 

Sali Berisha, ish-kryetar i PD

Ora 13:52
Video që u bë hit/ Ish-kreu i PD Kukës: Mes nesh deputetë me shtëpi 450 mijë €, ç’merreni me Ramën!?

Një akuzë e drejtpërdrejtë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike ka qenë ajo e një prej ish-funksionarëve të kësaj partie në Kukës. Ibsen Elezi, ish-kryetar i degës lokale të PD në Kukës, ka marrë fjalën gjatë diskutimeve dhe i është referuar protestës kundër tarifës në "Rrugën e Kombit" e cila degjeneroi në përplasje me policinë dhe akte dhune. 

Sipas Elezit, tre ditë para protestës, PD punoi kundër organizimit të saj. Ai shprehu rezerva edhe kundër aleancës së PD me LSI, ndërsa Bashës i kërkoi të bëjë Vetting në radhët e deputetëve, pasi sipas tij janë të korruptuar, ndërsa theksoi gjithashtu se mjaft prej tyre disponojnë shtëpi me vlera stratosferike.  

Video e fjalimit të tij ka tërhequr një vëmendje të jashtëzakonshme në rrjet, ku ka marrë mijëra shpërndarje nga përdoruesit e rrjeteve sociale.

Për deputetët e korruptuar

Futni sistemin e Vettingut, futni sistemin e lustracionit, nëse doni të krijoni besim. I keni deputetët e korruptuar, i keni deputetët me shtëpia nga 450 mijë euro, çfarë merreni me Edi Ramën. Me Edi Ramën një turp i shëndosh merret kur pastron veten.

Për protestën në Kukës

Unë kam qenë një ndër protestuesit. Fatmirësisht jam marrë pak edhe me organizimin dhe e di mirë çfarë ka ndodhur në Kukës. Di mirë që Partia Demokratike ka punuar tre ditë që të dështojë protesta. Doktor, këto janë fakte dhe janë të dokumentuara me mesazhe, kam dëshmitarë kryetarin e PD së Kukësit. I ka kërkuar kryetarit të PD, na mbështet të lutem sepse po na përçajnë.

Për aleancën me LSI

Dua t'ju them se aleanca me LSI sot nga ky Kuvend duhet të jetë e papranueshme dhe teoria që ne nuk mund të fitojmë pa LSI është teoria vrastare për PD. (Duartrokitet në sallë, nga të gjithë anëtarët)

Për Partinë Demokratike

Sistemi i karrieres ne PD eshte deformuar ne sistem kacavjerrjeje.

Proçeset e kandidimit jane formale. Me thoni nje rast kur te çohet kandidati e te jape nje ide! E kane kthyer ne lufte te mirefillte klanesh drejtuesit e Partise Demokratike.

Sistemi ka edhe nje problem me proçesin e votimit. Nese ketu cenohet vota atehere hidhet dyshimi mbi emrin Parti Demokratike. Katapultimi eshte gangrena.

Ibsen Elezi, ish-kryetar i PD në Kukës

Ish-kryetari i PD-së në Kukës, duke kritikuar ashpër statutin, ka folur edhe për emra konkretë. Ai tha se Arben Ristani, asnjë ditë anëtar partie u bë sekretar i Përgjithshëm. 

Si mund ta zëvendësojë Ristani Ridvan Boden? Unë nuk e kam votuar Ristanin. Ridvani është njohës i mirë i strukturave. U bë një lobim i deputetëve dhe zgjodhën Ristanin. Ai nuk ka qenë asnjëherë anëtar partie. Doktor nuk duhet ta kishe lejuar këtë.

Ibsen Elezi, ish-kryetar i PD në Kukës

 Video e plotë e fjalimit të Elezit

Ora 13:10
Eduard Selami: Po riktheni 95-ën, ky është statuti më i keq i PD (Vërshëllehet nga salla)

Eduard Selami ka shpërthyer në akuza ndaj Lulzim Bashës në Kuvendin Kombëtar të PD. Ish-rivali i Bashës për kryetar të PD tha se në PD po rikthehet 95-a, ajo që sipas tij solli shkatërrimin më pas.

Mes vërshëllimave të mbështetësve të Lulzim Bashës, Selami i kërkoi kryedemokratit të tërheqë statutin dhe të bëjë analizë për tre humbjet e fundit të demokratëve. Sipas tij, statuti i jep Bashës pushtet të pakufizuar, pasi ai mund të shkarkojë këdo që mban qëndrime, apo del kundër kryetarit, pa pasur pengesa statutore.

PD s'ka pasur problem statutin. Duhet të bënim një analizë të thellë për rezultatin e humbjes, janë tre humbje rresht. Por nga viti 1995 kemi probleme me demokracinë e brendshme, me respektimin e anëtarëve, me respektimin e statutit.

Fatkeqësisht statuti po kthehet në problemin tonë. Kryetari do të zgjedhë, sërish do të kemi listat e kryetarit. Statuti e kthen partinë në funksion të kryetarit.

Më vjen keq që në statut përmendet disa herë fjala përjashtim. Hapeni Partinë Demokratike, bëni analizën e zgjedhjeve, keni humbur dy palë zgjedhje, tërhiq draft-statutin, pasi është më i keqi në gjithë historinë e PD-së.

Kjo është qeverisja më e keqe në historinë e PD-së, por ne nuk ngjallim shpresë. Ky është statuti më i keq që ka pasur ndonjëherë PD. Në 95 kërkuat ikjen time, dhe vajti aty ku vajti Shqipëria. Ky statut e ka kthyer PD-në në shërbim të një njeriu.

Z.Basha, lidershipi është vizion,  është vlerë. Ky është statuti i përjashtimit, shikoni nenin 25 dhe 27. Basha shkarkoi 24 kryetarë degësh, e morën vesh nga televizioni ata, u shkel statuti. Tani e ka me statut, i shkrin kur do. Z.Basha tërhiqe këtë statut, bëj analizën e humbjeve, ke dy humbje rresht.  

Eduard Selami, ish-deputet i PD

Selami iu rikthye edhe garës me Bashën korrikun e kaluar për kryetarin e PD dhe akuzoi se u vodhën votat. "I pamë në video si vidheshin votat. Vidheshin votat në shtëpinë tonë". 

Ora 12:12
Basha i rikthehet marrëveshjes së 18 majit: Ishte e keqja më e vogël, u detyruam nga ndërkombëtarët

Lulzim Basha iu rikthye sërish sot nga punimet e Kuvendit Kombëtar të PD, marrëveshjes së 18 majit të vitit të kaluar, e cila shënoi mbylljen e Çadrës së opozitës në Bulevard dhe rikthimin e normalitetit politik në vend. 

Basha tha se ajo marrëveshje ishte e keqja më e vogël, ndërsa shtoi se pranoi të firmoste paktin me Ramën, pasi në të kundërt ndërkombëtarët do njihnin zgjedhjet dhe në Parlament, në vend të PD, do ishte një opozitë e sajuar, ndërsa Partia Demokratike rrezikonte shkrirjen. 

Nën këtë trysni të jashtëzakonshme politike dhe kërcënimeve për asgjesimin politik të Partisë Demokratike, nën kërcënimin e njohjes së zgjedhjeve nga faktori ndërkombëtar, çfarë do të çonte në përjashtimin e PD-së nga çdo proces i ardhshëm institucional politik, ne u detyruam të pranonim një marrëveshje me Edi Ramën e cila a u ofrua nga faktori ndërkomëtar.

Marrëveshja e 18 majit ishte shansi i fundit për një zgjidhje paqësore të krizës politike në Shqipëri sepse vendi po shkonte drejt konfrontimit civil. Marrëveshja e 18 majit nuk ishte zgjidhja optimale, por në fakt ishte e keqja më e vogël.

Nën trysninë e madhe ndërkombëtare, ndërkohë që narko-shteti e kishte bërë punën e tij, ndërkohë që fushata elektorale kishte nisur dhe vendin tonë në parlament do ta zinin parti pseudo-opozitare, bashkë me aleatët ne u detyruam të pranojmë propozimin e fundit të aleatit tonë strategjik SHBA.

Dhe kjo ishte sakrifica jonë për vendin, për stabilitetin, për sigurinë kombëtare. Sigurisht që Rama i kishte blerë me kohë zgjedhjet; sigurisht që Tahiri në krye të shtabit më të madh elektoral të Tiranës e kishte bërë punën e tij;

sigurisht që Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini i kishin marrë masat në qarqet e tyre; sigurisht që ne këtë e dinim. Por, midis sakrificës tonë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, dhe flijimit të perspektivës për të ardhmen tonë si vend, ne zgjodhëm të parën! Midis kaosit politik dhe shoqëror, dhe vazhdimit të betejës për një Shqipëri jashtë konfliktit civil, ne zgjodhëm të dytën.

Midis një opozite fallco të emëruar nga ingranazhet Edi Rama dhe një opozite ballore, morale dhe të vërtetë, ne zgjodhëm të dytën.  Ajo ishte një zgjidhje e detyruar nga jashtë dhe nga brenda, ajo ishte një tërheqje e përkohshme, për t'u përgatitur, për të mbledhur forcat, për të njohur miqtë dhe kundërshtarët dhe për të rinisur sulmin tonë vendimtar deri në fitore.

Edhe falë kësaj, ne jemi sot forca e vetme morale që ka kurajon të luftojë për interesat e njerëzve, për një shoqëri të lirë me mundësi për të gjithë.

Eshtë e qartë sot, se krimi, bandat, droga, trafikantët e votave kanë vetëm një pengesë, vetëm një digë që ngrihet e fortë dhe e lartë: Partia Demokratike! Kjo është një luftë për jetë a vdekje për vendin, për njerëzit, për të ardhmen, një luftë që ne do ta fitojmë.

 Edi Rama e përdori marrëveshjen e 18 majit si fasadë për të mbuluar bashkëpunimin e tij me krimin për blerjen e votave dhe manipulimin e zgjedhjeve. Veç të tjerave marrëveshja u përdor nga propaganda socialiste për të goditur PD-në.

Por ndërsa marrëveshja e dëmtoi PD-në elektoralisht, ironia është se marrëveshja qe momenti i kthesës për vetëdijësimin dhe qendrimet e faktorit ndërkombëtar ndaj Shqipërisë dhe qeverisjes Rama. PD humbi edhe për shkak të marrëveshjes, por Shqipëria fitoi nga marrëveshja.

Lulzim Basha, kryetar i PD

Ora 11:29
Ish-nënkryetari i PPE në Kuvendin e PD: Në Bruksel dëgjojmë se qeveria bashkëpunon me mafien

Ish-nënkryetar i Partisë Popullore Europiane (grupimi politik ku aderon edhe PD) Mario David, aktualisht zv/Sekretar i Përgjithshëm i Centrist Democrat International, ka hedhur akuza ndaj qeverisë nga Kuvendi Kombëtar i PD. 

Ai tha se në Bruksel e shohin me spekticizëm rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. David tha gjithashtu se në korridoret e Brukselit ka dëgjuar që qeveria shqiptare bashkëpunon me mafien në trafikun e drogës dhe qenieve njerëzore. 

Në korridoret e Brukselit kritikat kryesore janë mungesa totale e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në Bruksel thuhet në prapaskena se ka bashkëpunim mes shtetit dhe mafies në trafikimin e drogës, qenieve njerëzore dhe armëve. Ky imazh duhet të ndryshojë rrënjësisht. Perceptimi i pandëshkueshmërisë për ata që i kryejnë këto krime duhet të marrin fund.

Hapja e negociatave është vetëm fillimi i një ëndërre që duhet të materializohet. Shqipëria duhet të dëshmojë dëshirën dhe vullnetin e saj për të marrë pjesë sa më parë në politikat e BE-së. 

Mario David, ish-nënkryetar i Partisë Popullore Europiane

Ora 11:08
Protestuesi kuksian në Kuvendin e PD: Prapë do ngrihemi kundër taksës në Rrugën e Kombit

Lulzim Popa, një prej protestuesve në Kukës, i cili u arrestua nga policia e shtetit pasi kërkonte heqjen e tarifës për “’Rugën e Kombit”, deklaroi nga Kuvendi Kombëtar i PD, se ata do ngrihen sërish në protestë. 

Ai tha se teksa vinte për në Tiranë, kishte parë se te sportelet vijonin punimet. Popa paralajmëroi se kuksianet do ngrihen sërish në protestë nëse qeveria nuk negocion me ata për taksën. 

“Dolëm të protestojmë kundër taksës në Rrugën e kombit. E kemi pritur me padurim që të hapet ajo rrugë dhe të quhet rruga e kombit të lidhet jugu me veriun dhe Shqipëria me Kosovën. 
Nuk duhet të vihet një taksë që ne s’mund ta përballojmë. Shteti ka nevojë për taksa, por shteti duhet ta dijë sesa e përballojmë ne. Protestuam dhe shkuam në shtëpi, në orën dy, tre, të natës vjen policia dhe na arreston. 

Kur po vija pashë që po bëheshin pune, ne prapë do ngrihemi nëse nuk diskutojnë me ne. Prapë do ngrihemi në protestë”.  

Lulzim Popa, protestues kuksian

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Faik: 29/04/2018 18:40

    Hëngshin KOKAT e tyre këta KRIMINELËT e PDsë ! Kështu ju paftë POPULLI Shqiptar , të përçarë dhe duke Sulmuar e VRARË njeri-tjetrin ISHALLA O ZOT , sepse ju PLEHRAT e PD KRIMIT jeni MËKATARËT më të Mëdhenjë të Shqipërisë dhe Shqiptarëve ! MALLKUAR QOFSHI përjetë , dhe mos e prufshi KURRRRRRË më KOKËN në PUSHTET , ju PUSHTAT dhe HAJDUTËT e PDsë , që ju keni zënë PRITA Shqiptarëve për ti VRARË ! VAFSHI në FERR dhe DJALL gjithë ju HAJDUTËT , KRIMINELËT dhe TRADHTARËT e SHQIPËRISË .

    Përgjigju
  • Nif Nifi: 29/04/2018 15:05

    Rrofte PD Komiteti i saj Qendror me ne krye shokun Lulzim Putin.

    Përgjigju
  • Jeton torre gjoleka: 29/04/2018 14:48

    O lule krimineli ti mendon se populli Shqiptar është budalla ??? Populli Shqiptar është një popull inteligjent puntor e me zemër shum të madhe e i durushëm . Po ti skthehesh kur në pushtet se je hajdut gënjeshtar e kriminel . Ti je i vetmi njeri që hedh balt mbi kombin tënd për kariken tënde . S ke shanc më me ktë popull me kto vyrtyte .

    Përgjigju
  • populli: 29/04/2018 14:22

    leri pordhet biografine e ke sterre ike kepute qafen legene

    Përgjigju
  • Demokrati: 29/04/2018 13:08

    Po pse me pijanec Ristanin do te fitoje Pd?C fare falje kerkoi Luli i vogel.A kerkoi falje per vjedhjet ne qeverisjen berishjane po ne vrasjen e demostruesve .Pse e quan kriminale qeverine egzistuese as ka vrare dhe as ka genjyer .POr lulushi me berishen dhe kompania qe i ndjek ata vodhen sa deshen dhe duan pushtet ne tavaline .Po pulli me nuk ka besim tek pd me lukunine e tyre E dini pse e shani Ramen ?-sepse ai u qendroi cekic ne koke dhe nuk u la juve te vidhni dhe te benit marifetet e salut dhe lulushit per te vjedhur pushtetin Pushtet s kini hidhunu perpjete .Me kriminele nuk merni dot pushtet .

    Përgjigju
  • Eri: 29/04/2018 13:03

    Po po afer e keni fitoren, duket perdite sa po ju shtohen rradhet.

    Përgjigju
  • Demokrati: 29/04/2018 12:31

    nuk behet shtet me keta elemente kriminale.Le te bertase lulushi sipaszakonit qe ka .Eshte llafollog nuk ka shprese pd me keto menyra qe zbaton .

    Përgjigju
  • Besford këlluf gjoleka: 29/04/2018 10:40

    Rroft parti kamuniste e lul shal ngjitmit dhe e kryekriminelit salhe plerës . A mundet Shqipria të heci përpara me të till vemjesh si salheu e lul shal ngjitmi???

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja