Në bashkëpunim me specialistin kompjuterik që më ndihmon për kryerjen e sondzheve të opinionit, zhvilluam një analizë të përgjigjeve të të anketuarve në 155 sondazhet që kam zhvilluar deri më sot (ndërthurur me të dhënat e KQZ-së për zgjedhjet dhe të INSTAT-it për popullsinë e rritur, vdekjet dhe emigracionin).

Të gjitha këto të dhëna u analizuan për vetëm 2 minuta përmes modelit Claude të kompanisë së inteligjencës artificiale Anthropic!

Nga analiza rezultoi se rreth 660 mijë banorë të rritur të vendit janë të vendosur të votojnë qysh sot për PS-në dhe rreth 96 mijë anojnë nga ajo. Ndërsa rreth 52 mijë të tjerë kanë votuar më parë për PS-në, por ka pak gjasa të votojnë përsëri për të.

Nga ana tjetër, rreth 330 mijë banorë të rritur të vendit janë të vendosur të votojnë qysh sot për PD-ASHM-në dhe rreth 73 mijë anojnë nga ai koalicion. Ndërsa rreth 302 mijë të tjerë kanë votuar më parë për PD-ASHM-në, por ka pak gjasa të votojnë përsëri për të.

Duke analizuar zgjedhjet e fundit parlamentare, rezulton se për PS-në votuan vjet rreth 764 mijë banorë të rritur të vendit (duke përfshirë edhe ata që u rezultuan votat e pavlefshme nga ngatërrimi me fletëvotimet si fjalëkryqe gazetash), ndërsa për PD-ASHM-në votuan rreth 502 mijë (duke përfshirë edhe ata që u rezultuan votat e pavlefshme nga ngatërrimi me fletëvotimet si fjalëkryqe gazetash).

Duke u kthyer më prapa në kohë, rezulton se për PS-në votuan rreth 809 mijë banorë të rritur më 2021 dhe rreth 780 mijë më 2017. Nga ana tjetër, për partitë përbërse të koalicionit PD-ASHM votuan rreth 776 mijë më 2021 dhe rreth 778 mijjë më 2017 (shihni grafikun e mëposhtëm).