Kur u miratua ndarja territoriale e vendit më 2014, PD-ja zgjodhi të mos merrte pjesë fare as në diskutimet paraprake dhe as në votimin në Kuvend. Dhe ndarja u përcaktua pas negociatave mes tri partive, PS, LSI dhe PDIU. Këto dy të fundit, më shumë se kriteret gjeografike-historike-ekonomike të ndarjes territoriale, mbajtën parasysh përfitimet e ngushta elektorale (për të siguruar disa bashki të vogla për kryebashkiakë të tyret). Si rezultat, projekti fillestar me 36 bashki përfundoi në një ndarje territoriale me 61 bashki…

Për ndarjen e re territoriale aktualisht po bashkëpunojnë dy partitë e mëdha, të cilat kanë përgjegjësinë t’i japin vendit një ndarje që bazohet në kritere gjeografike-historike-ekonomike, e jo thjesht elektorale.

Kështu, për shembull, Bashkia Tiranë duhet të përmbledhë gjithë territroin e përcaktuar nga Mali me Gropa në lindje, Kodrat e Ndroqit në perëndim, Lumi i Tapizës në veri, dhe Qafa e Krrabës në jug. Është një territor që ka një vazhdimësi historike qindra vjeçare, një gjeografi që lidhet përmes luginave dhe qafave të maleve në mënyrë natyrale, si dhe një ekonomi të integruar si para 1990-ës edhe më pas.

Ndarja e njësive administrative brenda Bashkisë Tiranë dhe funksionet e tyre përbëjnë thjesht një diskutim teknik. Nga pikpamja elektorale, gara mund të bëhet disi më e fortë në Bashkinë Tiranë, por kjo nuk ka rëndësi afatgjatë.

Edhe Bashkia Shkodër duhet të përmbledhë gjithë territroin e përcaktuar nga Vermoshi në veri, Drini në jug, Malësia e Pukës në lindje dhe liqeni/deti në perëndim. Është një territor që ka një vazhdimësi historike mijra vjeçare, një gjeografi që lidhet përmes luginave dhe qafave të maleve në mënyrë natyrale, si dhe një ekonomi të integruar si para 1990-ës edhe më pas.

Ndarja e njësive administrative brenda Bashkisë Shkodër dhe funksionet e tyre përbëjnë thjesht një diskutim teknik. Nga pikpamja elektorale, gara mund të bëhet disi më e butë në Bashkinë Shkodër, por kjo nuk ka rëndësi afatgjatë.

E njëjta gjë mund të thuhet për Bashkinë Elbasan, me një shtrirje përgjatë lumit Shkumbin nga Qafë Thana deri në derdhjen e tij në Adriatik. Ose për Bashkinë Vlorë me një shtrirje në të gjithë Gjirin e Vlorës dhe malet përrreth. Ose për bashkinë Mirditë me një shtrirje në atë territor që është quajtur Mirditë për qindra (në mos mijra) vjet. E kështu me rradhë...

Rëndësi ka që për ndarjen territoriale, të mos bëhen më llogari elektorale!