Eduart Abazi: Basha duhet të
shpëtojë nga “usta” Berisha

Eduart Abazi: Basha duhet të<br />shpëtojë nga “usta” Berisha
TIRANE- Një pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Shqiptarja.com”, kryetari i Aleancës Demokratike, njëherësh ish-ushtaraku që stërviti në fillim të viteve ’90 luftëtarët e parë të UÇK, Eduart Abazi flet për politikën, marrëdhëniet me koalicionin e djathtë dhe vendimin për të garuar në këto zgjedhje me koalicionin e majtë të udhëhequr nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.

Ai thotë se kishte kohë që koalicioni me të djathtët e Berishës nuk funksiononte, për më tepër që AD nuk është përfshirë në qeverisje dhe më vonë gjatë opozitës ishte e anashkaluar. Abazi përsërit në mënyrë të qartë se Berisha pavarësisht se ka dhënë dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike, është pikërisht ai që e udhëheq këtë parti, ndërkohë që Basha si kryetar i zgjedhur duhet që të tregojë se di të ecë vetë në rrugën e drejtimin e të PD, duke u shkëputur sa më shpejt nga ndikimi i Berishës dhe dominimi i tij me dorë të hekurt.

AD duke qenë një parti e cila kishte qëndruar për 17 vite në koalicion me të majtët në opozitë dhe qeverisje, për Abazin dukej se roli i AD si faktor zbutës për politikën shqiptare, duke qenë në koalicionin e djathtët e Berishës e Bashës nuk po funksiononte. Prandaj, ai shpjegon dhe rikthimin në koalicionin e majtë, një kërkesë kjo dhe e bazës së partisë, duke firmosur në këtë mënyrë me kreun e PS Edi Rama për të dhënë dhe AD kontributin e saj në zgjedhjet vendore të 21 qershorit të këtij viti.

Sipas Abazit në koalicionin gati 6 vjeçar të AD me PD mungonte fryma e besimit të ndërsjellë, dhe ku sipas tij sidomos në zgjedhjet vendore të 8 majit të vitit 2011 kjo parti kishte pasur kosto të konsiderueshme elektorale dhe politike. Ai e ka akuzuar qeverisjen e PD dhe vetë Berishën si kryeministër në tetë vite se ka abuzuar me pushtetin, madje duke urdhëruar dhe të besuarit e tij që të abuzonin me paratë e shqiptarëve, çka solli jo vetëm rrënimin e shtetit dhe humbjen katastrofike më 23 qershor, por dhe theu besimin tek ata pak njerëz në PD dhe koalicionin e djathtë që besonin në ndërtimin e shtetit dhe që pasi u zhgënjyen, mezi priten që PD të largohej me votë nga pushteti.

Kreu i AD Abazi shprehet se partia që ai drejton do të ketë një rezultat shumë pozitiv në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, që duke treguar potencialin e vet përmes rezultatit në zgjedhje, të jetë pjesë dhe e qeverisjes vendore e qendrore pas zgjedhjeve. Kreu i AD shprehet pro procesit të dekriminalizimit të politikës, Kuvendit, administratës por kjo të bëhet përmes një komisioni ekspertësh, pasi komisionet parlamentare kanë treguar ndër vite se vetëm e dështojnë një mision të caktuar.
 
Firmosët marrëveshjen me PS në koalicion për zgjedhjet vendore dhe më tej. Pse një qëndrim i tillë?
Natyrshëm Aleanca Demokratike gjatë gjithë aktivitetit politik ka manifestuar pjekuri, ka luajtur rol luajal kryesisht në favor të çështjeve parimore, interesave kombëtare e atyre qytetare. Kurrë nuk ka bërë pakt me të keqen, ka qenë e drejtpërdrejtë jo vetëm me qëndrime, por edhe me aksione konkrete. Raste ka mjaft për të sjellë në vëmendje të lexuesit tuaj që nga fillimi i viteve 90-të rreth mbi 20 vjet, duke demonstruar pjekuri politike e shpesh ka shërbyer si faktor zbutës mes kampeve radikale dhe ekstremeve të politikës në vend. Negociuam për një kohë të gjatë dhe vlerësuam misionin e mazhorancës.

Nisja me disa masa që krijojnë kushte dhe një bazë të besueshme për realizimin e reformave të kërkuara, janë një tregues për të besuar se vullneti i demonstruar deri tani duhet mbështetur. AD ka patur dhe ka filozofinë e saj se çdo produkt arrihet përmes një procesi, për një produkt të keq mjafton vetëm një akt, ndaj nuk ka nevojë për të pritur. Ndërsa produkti i mirë doemos realizohet përmes një procesi që do kushte dhe kohe të mjaftueshme.

Kushtet po i përgatisin përmes masave që ndërmarrin, kohën e nevojshme duhet ta marrin dhe mbas kësaj mbetet për tu bërë vlerësimi. Pas këtyre dhe plot të tjerave gjykuam se jo vetëm duhet mbështetur qeveria por i duhet dhënë mbështetja edhe nga Aleancistët përmes kontributit që në këto zgjedhje. Edhe nga vetë natyra dhe karakteri ne formalizuam atë që mbart Aleanca në filozofinë e saj, marrëveshjen, natyrisht parimore përtej interesave të vogla.
 
Pse nuk funksionoi koalicioni me PD dhe të djathtët e tjerë, çfarë i mungon këtij koalicioni?
Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj dhe lexuesve se, Aleanca Demokratike doli si lëvizje që nuk mund të pajtohej me atë nisje jo mbi baza kolegjialiteti të kupolës drejtuese të PD-së duke u shmangur nga parimet mbi të cilat nisën në Dhjetorin e vitit 1990-të. Por a mjaftonte që disa individë të bënin sfidë?

Natyrisht që jo. U desh një mbështetje nga një fluks intelektualësh të pa angazhuar deri atëherë në grupime politike dhe më pas ta kthenin në mision frymën liberal-demokrate si domosdoshmëri të ndryshimeve në Shqipëri. Prej krijimit të saj në vitin 1992 dhe deri në vitin 2009, Aleanca Demokratike ka qenë pjesë e koalicionit të majtë të bindur se aty gjenin veten dhe hapësirën drejt misionit liberal.

Vitet kalonin dhe PD nuk ndryshonte natyrë ndaj nuk pati përafrime për mbi shtatëmbëdhjetë vjet. I njohur koalicioni për zgjedhjet e 2009-ës me grupimin e PD–së, nuk besoj se vlen të zgjatemi me arsye pasi nuk funksionoi asgjë, nuk u respektua asnjë nga marrëveshjet që u lidhën para zgjedhjeve, bashkëpunimi ishte inekzistent. Megjithëse ne ditëm të respektojmë gjithçka nga marrëveshjet si partner, natyrisht me shpresë për të marrë një vlerësim prej drejtuesve të koalicionit, vetëm indiferencë shfaqej prej tyre.

Qëndrimi ynë është bërë prezent në të gjitha mënyrat e komunikimit, përmes mediave kemi shprehur shqetësimin se detyrimet para mbështetësve të Aleancës kanë qenë jo vetëm morale, por shpesh shoqëroheshin me zhgënjim mes forumeve dhe bazës. Në zgjedhjet vendore të 8 Majit 2011 Aleanca përtej kostos nga ndërrimi i koalicionit konkurroi në të gjitha njësitë vendore, kontribuoi jo pak si aleate, mjafton të kujtoni Tiranën.

Dhe në këto zgjedhje me gjithë marrëveshjet e lidhura nuk u gjet vullnet bashkëpunimi përmes vlerësimit, për kontributin e dhënë. E nëse ata, si aleat, nuk çmonin dobinë tonë, ne duhet të korrigjonim vetveten. Në këto kushte kur ishin shteruar të gjitha mjetet që të ushqenin bashkëpunimin, nuk mund të vazhdonim duke i bërë fresk dikujt, pavarësisht nga pesha në atë koalicion.
 
Më konkretisht, pse nuk funksionoi koalicioni me PD e të djathtën në këto vite, ne qeverisje ose në opozitë...?
Mendoj se i ka munguar dhe vazhdon ti mungojë fryma e besimit.
Nuk mund të ketë partneritet me askënd dhe për asgjë nëse nuk ka vullnet të plotë si dhe një platformë të menduar mirë para dakordësisë. E nëse nuk respektohet dhe vlerësohet secili sipas peshës që ka, herët a vonë humbet besimi, pas kësaj nuk mund të presësh rezultate të mira kurrsesi.

Fakti që sistemi demokratik është përfaqësimi i vlerave dhe vullnetit të qytetarëve, nuk mund të garantohet marrëdhënia e besimit kur ajo shkelet pa nisur. Jo normale që aleatët, të quhen të tillë apo sikur vlejnë vetëm kur afrojnë zgjedhjet sipas radhës, administrative  apo politike. Problemi është se kur janë provuar sjelljet e të “mëdhenjve”  si reagojnë të “vegjlit”, dhe çfarë bëjnë ata për të mos mbetur të tillë.
 
Mendoni se Berisha ka hequr dorë nga drejtimi de fakto i PD dhe a ka mundësi Basha që ta ngrejë PD dhe opozitën nga humbja shokuese e 23 qershorit?
Humbja e 23 Qershorit ishte e pritshme por jo në ato përmasa, kur thoni shokuese. Shumica e shqiptarëve e priste ndërrimin e mazhorancës qeverisëse, madje kur drejtues të pushtetit, deri në nivele të larta mezi i prisnin zgjedhjet, për të hequr qafe disa ustallarë apo servilë qe ishin bërë njësh me pushtetin duke u sjellë si padrino edhe ndaj kolegëve, sikur ishin dora e atij vetë “zotit” që kish lindur vetëm për pushtet. Segmente paralele në administrata me bekimin e njëshit rrëmbenin e dhunonin gjithçka deri dhe moralin e njerëzve të ndershëm.

Një realitet që vetëm drejtuesit nuk e kuptonin, kështu ndodhi edhe me kupolën drejtuese të mazhorancës që udhëhiqej nga PD-ja.
Kryetari bëri sikur mori përgjegjësitë për humbjen shokuese të 23 qershorit dhe përmes një trishtimi në dukje, deklaroi dorëheqjen.

Me gjithë deklarimin, të paktë ishin shqiptarët që e besonin se kish ndodhur në të vërtetë, disa nga që e njihnin tipin e ‘ishit’ të tjerë nga nevoja që kish PD-ja në atë situatë. Drejtuesi de jure, në fakt ka nevojë të mbështetet që të mësojë të eci vetë, të mbështetet që të shpëtojë sa më shpejt nga sqetullat e ustait, të mbështetet për të mirën e vendit që opozita të hyjë në rolin që i takon në sistemin që tentojmë të ndërtojmë duke mos gjetur orientimin e duhur por sillemi si të çoroditur. Meqë e duam sistemin demokratik të kontribuojmë në çdo aspekt aq më tepër në konsolidimin opozitës konstruktive.      
 
Mendoni se AD është një aleat i natyrshëm i PS dhe si e parashikoni rezultatin tuaj për këshilltarë dhe të koalicionit për kryetarë bashkie?
Jo vetëm e mendoj, por është bindja e aleancistëve dhe e forumeve të saj se ky është koalicion i natyrshëm për Aleancën Demokratike, jo vetëm për disa prej arsyeve të thëna më lart, por edhe natyra liberale dhe hapësirat e krijuara kohë pas kohe në këtë grupim, janë një mundësi reale ku mund të kontribuosh dhe faktorizohesh.

Sfida e sistemit është sjellja ndaj votës si themel i sistemit demokratik, një proces zgjedhor i  miradministruar, është garanci dhe besim se do të dalim nga qerthulli i këtij tranzicioni rraskapitës për shqiptarët, që gjithsesi nuk e meritojnë këtë. Mazhoranca e sotme e vuajti jo pak, madje e ktheu në kauzë çështjen e votës, në vlerësim të përpjekjeve besojmë se ky proces do jetë modeli që e ndan vizionin e kësaj shumice me atë paraardhëse.

Ne gjykojmë se nuk do eksperimentohet më, duke tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve, përmes manipulimeve që nuk nderojnë askënd, madje as aktorët dhe faktorë e procesit. Vërtetë Aleanca Demokratike pas një procesi zinxhir në degë dhe struktura, duke njohur vlerat e individëve dhe mbështetjen që gëzonin, jo vetëm në zona të izoluara kur numri i votave të certifikuara nga zgjedhjet e mëparshme rreth 34 mijë pas një procesi të kontestuar pothuaj nga të gjitha palët përveç mazhorancës që kishte përgjegjësinë, paraqiti pranë koalicionit disa kandidatura me mundësi reale për të qenë fituese, por përtej vlerësimeve pozitive për secilin, nuk u gjet mundësia të provoheshin 
 
Do të përfaqësoheni në të ardhmen në bashkëqeverisjen qendrore të vendit, dhe a pretendoni ndonjë post për përfaqësuesit e PAD?
Misioni dhe detyra e çdo force politike, të re apo të vjetër, janë pjesëmarrja në zgjedhje, këto janë testet që tregojnë për qenësinë e saj, shprehjet forcë e madhe apo e vogël kur përdoren para ose gjatë garës nuk janë normale. Vërtet votat janë kriteri bazë por kur procesi është i ndershëm dhe i rregullt, kur shkelen këto nuk ka vlerë as kriteri i votës.

Çdo subjekt politik sapo krijohet, pa dyshim certifikohet nga një proces zgjedhor, kur procesi është i rregullt dhe i ndershëm nga rezultati merret mesazhi dhe subjekti analizon çfarë duhet të bëjë më tej, pra duhet të korrigjojë diçka nga gjërat që konstatoi gjatë procesit, deri tek vendimi nëse ja vlen të vazhdojë përpjekjet apo nuk gjen arsye për të vazhduar. Kur themi shpresojmë që procesi i radhës të jetë vërtetë korrekt dhe administratorët të jenë të përgjegjshëm, do të lexohen mirë dhe do të nxirren mësime nga çdo subjekt.

Aleanca ka ambicie që të faktorizoje veten si forcë e qenësishme në politikën shqiptare, vlera përcaktohet nga shkalla e besimit të qytetarëve, nëse besohet në nivelin e pritshëm që të jemi prezentë me këshilltarë në të gjitha bashkitë edhe pas ndarjes së re territoriale, jo vetëm mesazhi por dhe leximi i besimit do të përcaktojë nivelin e përfshirjes në bashkëqeverisje si në nivel vendor dhe qendror. Qenien ose jo në qeverisje e përcakton votuesi.

E sigurt është se votuesit shqiptarë gjatë një çerek shekulli kanë provuar administratorë dhe pushtetarë, por ata që janë provuar janë shumë pak në raport me pjesën tjetër të kuadrove të saktë dhe të përgjegjshëm, që kanë grumbulluar eksperiencë të mirë për të rritur dobinë ndaj vetes, shoqërisë e më gjerë, i kanë lënë në hije apo i shmangin kur vjen rasti për ti promovuar dhe bëjnë gjithçka të riciklojnë vetveten.

Pranë Aleancës demokratike janë plot njerëz dinjitozë, me integritet, me përvoja nga fusha të ndryshme, njerëz me karakter të fortë të provuar në kohë, detyra dhe misione të ndryshme, njerëz që kanë forcë logjike dhe vepruese për ti bërë ballë situatave të vështira. Gjatë kësaj fushate do keni rastin të njiheni me shumë prej tyre.
    
Qëndrimi juaj për dekriminalizimin e politikës dhe a duhet të shtrihet dhe në përfaqësuesit e pushtetit vendor?
Lidhur me dekriminalizimin, qëndrimi i Aleancës Demokratike është prerë dhe pa ekuivok. Jemi shprehur sa herë na është dhënë rasti. Habi për ne ka qenë deklarimi madje me solemnitet nga të gjithë parlamentarët se ka nevojë për tu dekriminalizuar. E thanë këtë edhe përmes një rezolute sikur u desh të justifikonte ndërprerjen e bojkotit opozita apo ngaqë e dëshironte këtë edhe shumica, kë të besonim. Një gjë është e vërtetë se u tha prej atyre, po për kë?

Kush pranonte se ishte me rekorde kriminale? Bartësit e së keqes apo të krimit nuk e kuptojnë, pasi janë imunizuar edhe për shkak se kanë rrjedhur shumë ujëra dhe kujtojnë sikur kanë larë një pjesë prej mëkateve. Kurrsesi nuk besohet se mund të ndodhë që parlamentarët tanë të guxojnë ti thonë në sy atyre që janë me rekorde kriminale, pavarësisht se në ç’fushë janë. Mendimi ynë është nëse ka vullnet le të krijohet një komision me ekspertë kryesisht të jurisprudencës, me njerëz ka kanë integritet dhe moral të lartë, kanë përgjegjshmëri dhe nuk bëjnë kompromis as me veten për gjëra që marrin përsipër. Dhe e gjithë praktika e këtij komisioni të jetë transparente në çdo kohë.

Krijimi i komisioneve parlamentare ka shërbyer për të shmangur të vërtetat apo për të mbuluar mëkatet që janë bërë, besoj nuk ka nevojë të kujtojmë se të gjitha komisionet të njëjtin fund kanë patur. Për sa kohë nuk di të ketë ndodhur ndryshe, nuk besoj as se ky komision do ketë rezultatin e pritshëm nga qytetarët shqiptarë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zikaltrit vuajnë, Thuram shënon tripletë dhe i jep triumfin Interit përballë Torinos

Zikaltrit vuajnë, Thuram shënon tripletë dhe i jep triumfin Interit përballë Torinos