TIRANË- Katër herë Këshilli i Emërimeve në Drejtësisë e ka përjashtuar nga gara, ndërsa gjykatat e kanë rikthyer sërish në garë. Kjo është historia e pazakontë e kandidates për anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Zhaklina Peto, emri i të cilës tashmë është kthyer në objekt polemikash dhe nervozizmi në Këshill, por edhe nyja e fundit për mosfunksionimin e Kushtetueses, një nga kushtet për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE. Shqiptarja.com sjell sot ekskluzivisht prapaskenat e përjashtimit të znj. Peto në mënyrë të përsëritur nga KED dhe të rikthimit të saj në garë nga gjykatat, përfshirë arsyetimet përkatëse. Për herë të parë, zbulohet edhe roli i Ilir Metës, në mbështetje të betejës së kandidates, për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese.

Në datën 8 gusht 2019, KED ndaloi Zhaklina Peton për të kandiduar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, krijuar pas largimit të Besnik Imerajt. Arsyeja e ndalimit ishte një raport negativ i Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, i cili kishte arritur në konkluzionin se kandidatja Peto nuk justifikonte pasurinë dhe se nuk kishte deklaruar një pjesë të pasurisë. Vendimi i KED u rrëzua nga Gjykata Administrative e Apelit me gjyqtarë Alkelina Gazidedja, Amarildo Laçi dhe Bahri Shyti, për arsye procedurale, pasi KED nuk kishte komunikuar me Peton për ditën dhe zhvillimin e mbledhjes, si dhe nuk i kishte vënë në dispozicion relacionin e hartuar për çështjen e saj.

Në 9 shtator 2019, KED, me relatore Arta Markun, ndaloi Zhaklina Peton sërish për të kandiduar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, tashmë krijuar pas largimit të Sokol Berberit. Arsyeja e ndalimit ishte i njëjti raport negativ i ILDKP, për pasurinë e kandidates. Në procedurën e dytë të përjashtimit KED kontraktoi dhe një ekspert për t’ju përgjigjur disa pyetjeve rreth gjetjeve të ILDKP si dhe shqyrtoi edhe versionin e vetë kandidates. Në fund, KED, që kryesohej nga Ardian Dvorani, i konsideroi të mjaftueshme gjetjet mbi pasurinë, për të përjashtuar kandidaten.

Por, Zhaklina Peto nuk hoqi dorë nga ambicia për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese. Peto aplikoi për vendin vakant të krijuar pas shkarkimit të Besnik Muçit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Në 5 tetor 2020, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, tashmë me në krye Vitore Tushën, vendosi të ndalojë Zhaklina Peton, për të kandiduar për vendin në Gjykatën Kushtetuese. Ketë radhë, ILDKP kishte paraqitur një raport pozitiv, duke deklaruar se Zhaklia Peto ka kryer deklarim të saktë të pasurisë, nuk ka fshehur dhe justifikon pasurinë dhe se nuk është në konflikt interesi.

KED ka arsyetuar se Peto ka shprehur edhe më parë interes për t’u bërë anëtare e Gjykatës Kushtetuese dhe se është përjashtuar për shkak se nuk kalonte testin e pasurisë. “Vendimet e mësipërme të KED nuk janë kundërshtuar nga kandidatja dhe, si të tilla, përfshihen në procesin e verifikimit të kësaj kandidateje, së bashku me të gjithë aktet e tjera”, thuhet në vendim.

Vendimi i KED i datës 5 tetor 2020, u rrëzua nga Gjykata Administrative e Apelit në 11 nëntor 2020, me trupë gjykuese të përbërë nga Lindita Sinanaj, Blerona Hasa dhe Rilinda Selimi. Në këtë fazë të procesit del në pah edhe Presidenti Ilir Meta, i cili është pozicionuar pro kandidates Peto. Në vendimin e gjykatës për rrëzimin e KED thuhet se përfaqësuesi i Presidentit Ilir Meta ka kërkuar pranimin e padisë së Zhaklina Petos kundër KED. Ilir Meta ka kontribuar në bllokimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, sidomos me vendimin e tij për të emëruar Besnik Muçin, i cili nuk kishte kaluar Vetingun. Muçi u shkarkua në nëntor të vitit 2019 nga Kolegji i Vetingut dhe vendi i tij ende nuk është plotësuar.

Edhe këtë radhë, gjykata e ka rrëzuar vendimin e KED për shkelje të procedurave, për mungesë njoftimi të kandidates për mbledhjet e KED dhe materialet për çështjen e saj. “Gjykata Administrative e Apelit nuk merr në shqyrtim se të bazuara në ligj dhe fakt janë shkaqet për të cilat pala e paditur KED disponoi ndalimin e kandidimit të paditëses Zhaklina Peto, sepse ato kanë të bëjnë me zgjidhjen në themel të çështjes konkrete. Kjo gjykatë në ushtrimin e plotë të kompetencave, shqyrtoi ligjshmërinë e procedurës të marrjes së vendimit dhe konludon se kjo procedurë ka qenë në kundërshtim me parimet e përgjithshme administrative..”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Në datën 23 nëntor 2020, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur për herë të katërt përjashtimin e Zhaklina Petos nga gara për  vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, të krijuar nga largimi i Besnik Muçit, me të njëjtin arsyetim, atë të mosplotësimit të kriterit të ligjshmërisë së pasurisë. Meqenëse edhe vendimi i fundit i gjykatës kishte rrëzuar KED për shkelje procedurale, KED vendosi me shumicë votash të ndalojë kandidaten për mosjutifikim dhe fshehje pasurie.

Vendimi i fundit i KED për përjashtimin e Zhaklina Petos u rrëzua sërish nga Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë në datën 7 dhjetor 2020. Vendimi nuk është zbardhur ende nga gjykata dhe për rrjedhojë ende nuk dihen shkaqet e rrëzimit të KED. Ky vendim detyron KED të mblidhet sërish dhe të marrë një tjetër vendim për znj. Peto, e cila nëse do ta shikojë veten jashtë garës, me shumë gjasa, çështja do të përfundojë sërish në gjykatë. Kjo sagë përplasjes sa në gjykatë në KED pritet të shtyjë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2021.

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim u shpreh se dje se “Nuk ka asnjë arsye praktike që Gjykata Kushtetuese të mos jetë funksionale deri  më 31 dhjetor”. Ndërsa ambasadori i BE-së, Luigi Soreca shkroi se "Është me të vërtetë kritike që KED të përfundojë vlerësimi i shpejtë i kandidatëve për vendet e lira në Gjykatën Kushtetuese, duke u bazuar në opinionet e Komisionit të Venecias. Funksionaliteti i plotë i Gjykatës Kushtetuese është një kusht kryesor për të filluar bisedimet e pranimit në Konferencën e Parë Ndërqeveritare”.

Vendimi i Aplelit gusht 2019 për kthmin në garë të Zhaklina Petos 

 Vendimi i Aplelit nëntor 2020 për kthmin në garë të Zhaklina Petos 

Vendimi i KED për përjashtimin e Zhaklina Petos në teto 2019

Vendimi i KED për përjashtimin e Zhaklina Petos në teto 2020

 Vendimi i KED për përjashtimin e Zhaklina Petos në nëntor 2019