Edhe një herë ambasadorja e SHBA në Tiranë ka bërë apel që të ecet sa më shpejt drejt plotësimit të Gjykatës Kushtetuese. Kim shkruan se KED duhet të mblidhet brenda javës për të përfunduar me vlerësimin e kandidatëve. 

 “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të takohet këtë javë për të përfunduar vlerësimin dhe për të dërguar listën e kandidatëve në Presidencë dhe Parlament. Proceset duhet të respektohen, por jo të keqpërdoren. Nuk ka asnjë arsye praktike që Gjykata Kushtetuese të mos jetë funksionale deri  më 31 dhjetor. Është çështje vullneti. Udhëheqësit duhet të tregojnë vullnetin e tyre të vërtetë", ka shkruar ambasadorja Kim.

Edhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca i është bashkuar mesazhit të Kim, pasi ka shpërndarë postimin e saj në Twitter, duke shtuar rëndësinë e plotësimit të Gjykatës Kushtetuese për integrimin.

"Është me të vërtetë kritike që KED  të përfundojë vlerësimi i shpejtë i kandidatëve për vendet e lira në Gjykatën Kushtetuese, duke u bazuar në opinionet e Komisionit të Venecias. Funksionaliteti i plotë i Gjykatës Kushtetuese është një kusht kryesor për të filluar bisedimet e pranimit në Konferencën e Parë Ndërqeveritare', ka shkruar Soreca. 

Dy diplomatët më të rëndësishme në Tiranë bëjnë thirrje kështu që në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi të bëhet sa më parë pikëzimi i kandidatëve dhe të jenë gati për tu dërguar në dy institucionet që kanë të drejtë emërimi të vakancave të mbetura në Gjykatën Kushtetuese.

Report Tv ka mësuar se në KED ka një dakordësi për të dërguar emrat e të kualifikuarve për të vazhduar garën brenda 15 dhjetorit.

Kujtojmë se KED ka kualifikuar tre kandidatë që plotësojnë kriteret, Sonila Bejtja, Altin Binaj dhe Aleksandër Toma.

Ndërkohë që mëngjesin e sotëm, Gjykata Administrative e Apelit riktheu në garë Zhaklina Peton.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:30
Pas thirrjes së ambasadorëve Kim dhe Soreca, KED mblidhet që sot

Pas thirrjes së bërë sot nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim dhe ambasadorit të Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të mblidhet këtë javë dhe t’i dërgojë Kuvendit e Presidencës listën me emrat e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ka ardhur edhe reagimi nga KED.

KED ka njoftuar mbledhjen këtë të hënë në 13:30 dhe sipas njoftimit të bërë në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë në mbledhjen e sotme të KED është bërë vetëm miratimi i procesverbalit të mbledhjes së datës 26 nëntor sipas rendit të ditës.

"Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe të përfaqësuesit të Avokatit të Popullit, si dhe të përfaqësuesve nga subjektet e ftuara sipas pikës 2 të nenit 233 të ligjit nr. 115/2016, ditën e sotme 07.12.2020, zhvilloi mbledhjen e radhës me këtë rend dite;

1.Miratimi i procesverbalit të përmbledhur të mbledhjes të KED-së të datës 26.11.2020.

Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi miratuan procesverbalin e përmbledhur të datës 26.11.2020, sipas rendit të ditës.", thuhet në njoftim.