TIRANË- A mund t’ia dalë dot drejtësia e re me dosjen e 21 Janarit, çfarë pritet të ndodhë me fazën hetimore të mëtejshme, a ka prova të reja dhe si është penguar ndër vite ky hetim. Çfarë ndodhi atë ditë kur u vranë në bulevardin para Kryeministrisë nga Garda, 4 protestuesit e opozitës së atëhershme socialiste, hetimet e para dhe pengesat.
Përplasja mes qeverisë dhe prokurorisë së kohës, provat e Strasburgut që rihapën hetimet, provat audio në duart e SPAK, urdhri për të qëlluar me plumba dhe çfarë pritet për urdhëruesit e vrasjeve.
Këto ishin temat e diskutuara mbrëmjen e sotme në “Studio Live” të Report TV, të moderatorit Arbër Hitaj. I ftuar ka qenë ish-prokurori i Prokurorisë së Tiranës në atë kohë, Ervin Karanxha, pjesë e grupit hetimor që ka kryer veprime menjëherë pas vrasjes së 4 protestuesve Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj.
Në një rrëfim ekskluziv për REPORT TV dhe për herë të parë nga një anëtar i grupit hetimor të çështjes, Ervin Karanxha ngriti disa çështje juridiko-ligjore që janë bërë shkak edhe për zvarritjen e hetimeve dhe si një nga arsyet pse kjo ngjarje e rëndë e cilësuar si krim shtetëror publikisht, nuk ka ende përfundim procedurial, si dhe ende nuk është zbardhur roli i ish-kryeministrit Berisha dhe ish-ministrit Basha.
Ish-prokurori mendon se gabimi është kryer nga Prokuroria e Përgjithshme që në atë kohë, e cila kishte kompetencat për zyrtarët e lartë, siç i ka SPAK-u sot dhe Gjykata e Lartë në vendimin e saj e ka të shpallur tekstualisht se hetimet duhet të ishin bërë që në atë kohë nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.
“Kjo nuk u bë, sepse Prokuroria e Tiranës nuk kishte kompetencë, ndaj topi ka mbetur te Prokuroria. Nuk u bënë veprime. Prokuroria e Përgjithshme duhet të kishte thirrur zyrtarët e lartë, përfshi edhe kryeministrin, e kishte për kompetencë. Prokuroria duhet ta thërriste kryeministrin dhe të tjerët. Gjithmonë sipas kompetencës. Sepse thotë Gjykata e Lartë sot se duhet të hetohej që në atë kohë nga Prokuroria e Përgjithshme, sepse Prokuroria e Tiranës nuk e kishte kompetencën dhe kjo nuk është bërë prej 15 vitesh, duhej bërë që atëherë ”, shprehet Karanxha mes të tjerash.
Gjithashtu ngre si problematikë të asaj kohe fshirjen e gjurmëve apo provave në Kryeministri, që nga gardhi i dëmtuar nga plumbat që u hoq bashkë me predhat, ashtu edhe te fshirja e pamjeve filmike nga serverat e Kryeministrisë dhe që nuk rekuperohen më. Ish-prokurori thotë se "ishin mbi 120 gëzhoja në vendngjarje."
“Ne kemi shkuar të nesërmen me idenë se nuk do prisheshin vendi i ngjarjes, nuk do hiqeshin, kur shkuam atje ishin hequr. Menduam se Kryeministri, institucion dhe kemi ndjekur procedurat. Por kur shkuam ishin hequr, aty ka pasur dëmtime me plumba në bindjen time, kishte vrima tejshpuese në gardh që mund të përcaktonin më tej nga ishte qëlluar dhe kush kishte qëlluar”, rrëfen ai.
Problemi antiligjor i fundit ka qenë moszbatimi i urdhër-ndalimeve nga Policia e Shtetit në atë kohë dhe ekzekutimi i 6 fletë-arresteve vetëm një apo dy javë me vonesë.
“Kam qenë pjesë e grupit hetimor në lidhje me ngjarjen, vrasjet dhe plagosjet më 21 Janar. Fillimisht ishim në Spitalin Ushtarak dhe më tej në Bulevard. Kam këqyrur pjesën ku rrinin anëtarët e grupit të zjarrit dhe zona e gëzhojave, ishim 3 prokurorë, në Kryeministri dhe bodrum. Unë kam qenë te pjesa e gëzhojave. Në orën 02:00 të asaj nate jemi thirrur te zyra e Prokurorit të Përgjithshëm për një mbledhje dhe janë lënë detyra. Meqë ish-ministri i ndjerë Sokol Olldashi doli me deklaratë për makinën me eksploziv, shkuam menjëherë për verifikim dhe nuk konstatuam asgjë. Më tej kaluam te armët e zjarrit me ekspertime dhe veprime hetimore. Kemi ecur me vijueshmërinë e hetimeve, kemi shkuar më pas në vendin e ngjarjes. Kemi shkuar te një pemë pranë Kushtetueses kemi gjetur një predhë në të e kalibrit 9 mm”, rrëfen Karanxha mes të tjerash.
Ai kujton edhe mbledhjet në atë kohë te Prokuroria e Përgjithshme dhe detyrat, si dhe problematikën për të mos ekzekutuar 6 urdhër-arrestet nga Policia e Shtetit.
“Kemi diskutuar në Prokurorinë e Përgjithshme, janë lëshuar 6 urdhra ndalimi nga Prokuroria e Tiranës që kishte dhe kompetencën për personat dhe ato u penguan në ekzekutim. Urdhrat e ndalimit dolën nga Prokuroria e Tiranës dhe nuk u ekzekutuan nga Policia në moment. Pas shumë debatesh urdhrat u zbatuan pas pak kohe, një apo dy javë. Nga 6 urdhra urdhra vetëm një ishte efektiv për Ndrea Prendin, sepse për të tjerët nuk kanë qenë në hetim”, shpjegon ish-magjistrati.
Ai shpjegon edhe pasivitetin e Prokurorisë së Përgjithshme në këtë çështje, e cila duhet t’i kishte kryer që në atë kohë veprimet me zyrtarët e lartë, sepse ajo kishte kompetencën juridike dhe ligjore.
“Kemi një vendim të Gjykatës së Lartë, që thotë qartësisht se kompetenca për këtë rast është e SPAK. Më parë ka qenë ajo e Prokurorit të Përgjithshëm (pra siç është SPAK sot), si rregull duhej të hetohej nga Prokurori i Përgjithshëm dhe ka sjellë pasoja të rënda. Ne duhet të merrnim tabulatet e zyrtarëve dhe ne s’i kemi bërë, se sipas ligjit të kohës s’kemi pasur kompetencë. Prokuroria e Përgjithshme duhet të vepronte, sepse ne ishim të rrethit gjyqësor, pa kompetencë. Pse nuk e kryen ata në Prokurorinë e Përgjithshme, unë nuk e di. Nuk u bë, iku”, thekson ish-prokurori.
Më tej shpjegon edhe procedurën që duhet të ishte ndjekur:
"Veprim tjetër që duhet bërë është pse prokuroria nuk ka marrë nën hetim zyrtarët e lartë në atë kohë. Tabulatet telefonike, provat, mospërputhjet, dëshmitarët etj., kompetencë që e kishte Prokuroria e Përgjithshme".
Gjithashtu shpjegon edhe disa detaje nga dinamika e informacioneve për atë ngjarje, ku veçon edhe një e-mail të Xhorxh Sorosit tek ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Klinton.
"Kemi një e-mail të Xhorxh Sorosit që i drejtohet ish-sekretares Hillary Klinton për ngjarjen, këto të dhëna janë rrjedhur edhe nga Uikiliks. Duhen pyetur përfaqësuesit e zyrës këtu në Shqipëri se çfarë të dhënash apo informacionesh kishin", nënvizon Karanxha.
Ish-prokurori Ervin Karanxha kujtoi sot në ‘Studio Live’ momentet e para të pasngjarjes së 21 Janarit, kur nisën hetimet paraprake dhe ato çfarë ndodhën më pas, deri te fshirja e provave, ‘lëmshi’ me kompetencat dhe se si u zbardhën dy nga vrasjet e para.
“Është prishur vendi i ngjarjes te gardhi rrethues. Ka pasur dëmtime metalike, nga predha me armë zjarri, është lënë detyrë për ekspertim, por nuk u krye. Sepse nga vendi i dëmtimit të predhave del edhe personi që ka qëlluar. Te rampa hyrëse dhe dera që mbyllej ka pasur shumë goditje nga plumbat, shenja e gjurmë. Eksperti e përcakton dhe bindja ime ishte se kanë qenë shenja predhash. Gardhi ishte i hollë metalik dhe tejshpues, pra ka qenë plumb i vërtetë. Detyra u la nga Gjykata e Lartë, për ekspertimet te gardhi metalik. Ishin mbi 120 gëzhoja në vendngjarje. Ka qenë puna e prokurorit Adriatik Cama që zbardhi vrasjet e 21 Janarit, dy prej tyre, Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës. Kanë qenë armë MP5, të ndjeshme për qitje, 600 predha për minutë, më shpejt se kallashnikovi. Janë gjetur gëzhoja të kalibrit të madh, ato çuan te provat e mëtejshme”, tregon ish-prokurori.
Karanxha shpjegon edhe ngërçin e procedurave që zvarritën hetimet, teksa shpjegoi se është tejkaluar shkalla e vetëmbrojtjes nga Garda.
“Çështja dhe problemi ishte zbatimi i 6 urdhrave të ndalimit. Këqyrja e vendngjarjes është bërë nga Policia e Tiranës. Problematika ka qenë te urdhrat e ndalimit. Armët ishim te Njësia Speciale në Sauk, po të donin s’na linin, por ata na lanë dhe i morëm armët. Problem ishte pengimi i ekzekutimit të urdhrave të ndalimit dhe për të ka pasur çështje penale. U tejkaluan kushtet e vetëmbrojtjes. Fillimisht ka paralajmërime, më tej gjymtyrët e poshtme dhe më tej në trup, sipas shkallës së rrezikut dhe vlerësimit. Psh. rasti i makinës së “Benz”-it do ishte normale në atë moment, por u godit më pas. Pra ka shkelje kur është përdorur arma”, shpjegon ai.
Karanxha shton se nuk e di nëse ka pasur apo jo urdhër për të qëlluar, teksa thekson se edhe për audion duhet kryer ekspertimi, pasi i përcakton hetimi nëse ka pasur urdhra dhe nëse audio është autentike.
“Ka pasur urdhër apo s’ka pasur urdhër këtë nuk mund ta them, është hetimi që e përcakton. Tani është edhe audio, duhet ekspertuar është apo jo autentike, i kujt është zëri, mesa kam parë është zëri i komandantit të Gardës. Duhet të ishte bërë që atëherë. Përveç kësaj ka edhe kompetenca, sepse Prokuroria e Tiranës nuk vepron dot, e ka SPAK aktualisht. Topi është në fushën e Prokurorisë, atëkohë SPAK ishte Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo nuk e ka bërë. Kanë kaluar gati 15 vjet nuk është vepruar. Duhen thirrur anëtarët e grupit të zjarrit, njerëzit e pozicionuar, sipas audios për verifikim dhe ballafaqim të dhënash e provash”, thotë ish-magjistrati i Prokurorisë së Tiranës, që ka qenë pjesë e grupit hetimor.
Kurse për çështjen e fshirjes së serverit Karanxha thotë se është bërë qëllimisht.
“Është një fshirje e tillë që nuk gjendet më. Ajo ka qenë një fshirje, formatim, sikur bën edhe telefonin. Tani, në 2 të natës nuk është kot, mendoj ka qenë e qëllimtë, nuk shkohet kot në 2 të natës. Edhe në përgjigjen që ka ardhur në atë kohë nga ekspertimi i bërë prej FBI është thënë se nuk rikuperohen. Pra ka pasur fshirje, kush e ka bërë s’e di, por aty është edhe pjesa e prishjes apo heqjes së gardhit të goditur nga plumbat. Ka pasur regjistrime, por janë fshirë”, thotë ai.
Por çfarë pritet apo çfarë duhet të ndodhë më tej me këtë çështje të nxehtë. Ai këmbëngul te thellimi i hetimeve, marrja në pyetje dhe ballafaqimi.
“Unë mëshoj te ripyetja e personave, ky është mendimi im, ballafaqimi. Janë 4 viktima, duhet të ketë zbardhje të ngjarjes, veprime dhe përfundime. Janë bërë që atëherë gabime si mungesë iniciative, lidershipi, se nuk është puna vetëm e 4 viktimave fatkeqe. Edhe po të ketë presion, Prokuroria duhet të bëjë detyrën. Ti bëj punën tënde, topi ka mbetur te Prokuroria dhe ajo nuk e ka bërë në atë kohë”, përfundon ish-prokurori.
Pyetja nuk është pse nuk u hetua, por pse nuk po hetohet.
PërgjigjuKaranxha prokuror I korruptuar! Je nga ata qe I ke shërbyer krimit dhe ke sulmuar qytetarin e ndershem
Përgjigju/INA/,Meta, per te cilen u be gjithe gjurulldia,u shperblye akoma dhe me mire.
PërgjigjuAtehere lind pyetja, a do mbaje pergjegjesi kryeprokurorja e asaj kohe per mosveprimin? Kujtojme qe ajo u shperblye nga pushteti me pocizionin e gjyqtares ne KPA…
PërgjigjuMire te keqen. Per Berishen dhe Bashen nuk kishit kompetence, as per Doshin. Por per Ramen kishit - pse nuk hetuat? Apo per burimin e origjinimit te emaileve te Sorrosit?? Zotrote nuk ke sy e faqe sa kohe le qe i paafte por i korruptuar sic te gjeti e ste kalii vettingu.
Përgjigjuish Prokurori sapo ka vertetuar qe ka neglizhuar me dashje ne marrjen e provave te vendit te ngjarjes dhe per me teper kur ka konstatuar prishjen e vendit te ngjarjes duhet te kishte derguar ne gjyq policine ose garden per fshehje provash!!!!!Fakti qe ju skeni bere asgje te tille dhe e pohoni si pa te keqe ateher ju jeni vete per tu denuar per shperdorim detyre GJTHM nese ketu do kishte vertet Shtet.Turp…
Përgjigju