E dërguara e Shqiptarja.com në Bruksel, Anila Basha raporton se 5 janë pikat, për të cilat Fyle ka dhënë porositë e tij në takimet me drejtuesit e shtetit shqiptar, por edhe të politikës vendase.
Zyrtarë pranë zyrës së Shqipërisë në Komisionin Europian kanë konfirmuar për Shqiptarja.com se Fyle, e konsideron vitin 2012 , si vit të mundësisë së madhe për Shqipërinë, e cila feston edhe 100 vjetorin e Pavarësisë. Për herë të parë flitet edhe për datën e fillimit të procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri. Ajo është 24 maji.
JA 5 “SEKRETET” QË FYLE I THA POLITIKËS SHQIPTARE
1. Axhenda europiane të kthehet në një axhendë kombëtare
2. Të ndërrmerret një masë e konsiderueshme për çështjet kyçe, nëpërmjet rezultateve të targetuara dhe të orientuara në implementimin e Planit të Veprimit.
3. Reforma zgjedhore, reforma parlamentare, votimi i ligjeve me 3/5 e votave dhe funksionimi i parlamentarizmit.
4. Proçedura e zgjedhjes së presidentit të fillojë pas 24 majit.
5. Të punohet për më shumë rezultat në sektorë si: shteti ligjor, të drejtat e njeriut.
VIZITA NË TIRANË
Komisioni Europian nxit politikën shqiptare që të përfundojë brenda afateve të duhura reformat që kërkon anëtarësimi në Bashkimin Europian, në veçanti reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare. Komisionerin evropian për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Stefan Fyle, gjatë vizitës së tij në Tiranë ka deklaruar se në analizën që Komisioni do t’i bëjë zbatimit të 12 prioriteteve, zgjedhja e presidentit të ri të vendit do të jetë një element i rëndësishëm.
“Duhet thënë se procesi i zgjerimit është sa teknik aq edhe politik. Jo vetëm Komisioni, por edhe të tjerë do ndjekin nga afër atë që qeveria dhe opozia do kthejnë axhendën europiane në një axhendë kombëtare. Dhe do të jenë shtetet anëtare, që kur të marrin rekomandimet për mënyrën e zbatimit të prioriteteve, do të shohin një panoramë më të gjerë ku zgjedhja e presidentit do të jetë një element i rëndësishëm”, tha Fyle në Tiranë.
Pasi ka takuar kryesocialistin Rama dhe kryeministrin Berisha, Fyle ka dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp me kreun e qeverisë shqiptare.
PRESIDENTI
Kryekomisioneri Fyle deklaroi se emri i presidentit të ri duhet të përfaqësojë unitetin e popullit, por procesi për zgjedhjen e tij duhet të paraprihet nga përfundimi i reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare.
“Kjo ka të bëjë me angazhimin e qeverisë, por edhe angazhimin e kryesocialistit Rama për të përfunduar reformën zgjedhore dhe atë parlamentare para se të fillojnë procedurat për presidentin e ri. Kjo na bën që të sigurohemi që gara presidenciale të jetë pjesë e zgjidhjeve dhe jo e problemeve, në rast se këto reforma nuk përfundojnë. Angazhimi i kryeministrit dhe qeverisë është që zgjedhja e presidentit të jetë i negociueshëm. Nuk kam ardhur të jap këshilla apo leksione se si duhet bërë kjo gjë, por për të parë përpara. Ajo që është e rëndësishme është që në zyrën e presidentit të vijë dikush që paraqet frymën e Kushtetutës dhe të përfaqësojë unitetin e popullit shqiptar”, tha Fyle.
Kryeministri Berisha përsëriti se ai nuk do të kandidojë për postin e presidentit të republikës. Por, sa i takon ftesës së kryesocialistit Rama për dialogun, kreu i mazhorancës bëri të ditur se do të ulet në bisedime vetëm në afatet kur Kushtetuta përcakton zgjedhjen e presidentit të ri.
“Nga të gjithë kryetarët e forcave politike në Shqipëri, jam i vetmi që kam deklaruar se nuk do kandidoj për postin e presidentit të Republikës.
Së dyti, unë cdo ftese i përgjigjem pozitivisht. Vlerësoj ftesën e Ramës, por Kushtetuta përcakton një afat se kur fillon procesi kushtetues. Si unë dhe Rama për hir të respektit të postit të presidentit duhet ta respektojmë këtë. Jam gjithnjë për negociatat dhe siç fakton e gjithë kjo histori e gjatë komunikimesh, takimet janë të vlefshme kur ata parapërgatiten nga stafet që kanë dhunti të japin kontribut në përgatitjen e tyre”, deklaroi Berisha.
INTEGRIMI DHE STATUSI I KANDIDATIT
Fyle është pyetur nga gazetarët lidhur me statusin e kandidatit për të cilin Shqipëria pret një përgjigje pozitive gjatë vitit 2012. Ai tha se kjo përgjigje varet nga ecuria e reformave.
“Fakti që KE nuk e ka rekomanduar statusin për Shqipërinë, nuk do të thotë se nuk vlerëson rolin në rajon, sepse ajo luan një rol stabilizues. Unë përgëzoj qëndrimin e qartë kundër nacionalizmit në rajon.
Por, nga ana tjetër duhet thënë që viti 2011 nuk ishte vit i mirë për rezultatet për 12 prioritetet kyçe. Por, tani unë shoh erën e ndryshimit dhe shpresoj që kjo mundësi të kthehet në realitet më vonë gjatë këtij viti”, deklaroi ai.
TAKIMI ME RAMËN
Sikundër informon zyra e shtypit e Ps, Në takimin me Komisionerin për Zgjerimin, Štefan Füle, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pasi shprehu vlerësimin për kontributin e rëndësishëm të Bashkimit Evropian për proceset integruese të Shqipërisë, e informoi Komisionerin për ecurinë e reformës parlamentare dhe zgjedhore, duke vënë në dukje rëndësinë e përfundimit të këtyre reformave brenda afateve të kërkuara.
Kryetari i PS renditi një sërë çështjesh që mbeten për t’u adresuar si zbatimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, reforma në gjyqësor dhe miratimi i ligjit për median.
Kryetari i PS rikonfirmoi angazhimin e Partisë Socialiste për të ofruar gjithë kontributin e saj për avancimin e axhendës evropiane të Shqipërisë.
Komisioneri Füle përgëzoi Kryetarin e Partisë Socialiste për rolin konstruktiv që ka luajtur opozita për ecurinë e procesit të reformave, shprehje e së cilës ishte dhe shembulli pozitiv i mënyrës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit, shembull jo vetëm për politikën shqiptare, por edhe për rajonin.
Kryetari i PS informoi, gjithashtu, për qëndrimin e Partisë Socialiste lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Komisioneri Füle e vlerësoi këtë proces si një moment të rëndësishëm politik për të ardhmen evropiane të vendit tonë. Komisioneri Füle deklaroi se dera e Bashkimit Evropian mbetet e hapur dhe nga Shqipëria priten mesazhe pozitive.
(aq/shqiptarja.com)