Një sport jo shumë i dëgjuar për publikun shqiptar, ai i garës me pëllumba, ka nxitur një përplasje së fundi, se kush duhet t’i organizojë këto gara.

Në përplasje janë Shoqata e Pëllumbave të Postës, e cila po merr pjesë aktualisht në disa gara, përfshirë ndërkombëtare dhe Federata e Kolombofilëve, që kërkon të jetë vetëm ajo që i organizon garat dhe Shoqata të regjistrohet pranë saj.

Një letër e Fidel Yllit, kreut të KOKSH-it (Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar), dërguar pikave doganore në Shqipëri, nisi një përplasje së fundmi mes tyre. Në këtë letër i kërkohet doganave të mos lejojnë Shoqatën e Pëllumbave të Postës të dalë jashtë vendit për të bërë garat, sepse KOKSH-i, Ministria e Sportit dhe Gjykata, njeh vetëm Federatën e Kolombofilëve dhe si e tillë vetëm ajo ka të drejta organizative.

Kjo situatë, solli dhe bllokimin në pikën doganore të Qafë Thanës, ku kamionët me pëllumbat e Shoqatës së Postës kaluan kufirin vetëm pas 1 ore debati. Në mesin e këtyre përplasjeve, se kujt i takon të organizojë këtë sport, Shoqata e Pëllumbave të Postës humbi garën në Kroaci.

Për këtë situatë, gazetari Ernest Koçi i Report TV mori një prononcim ekskluziv të kreut të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli. Ai e vlerëson Shoqatën e Pëllumbave të Postës, madje i quan 'të çmendur' për pasionin, por thotë se KOKSH duket të zbatojë ligjin dhe njeh vetëm Federatën e Kolombofilëve, të njohur nga Ministria dhe gjykata. Ylli tregon se askush nuk bën përjashtime dhe se Shoqata e Pëllumbave të Postës duhet të regjistrohet si pjesë e Federatës së Kolombofilëve, ashtu siç e thotë edhe ligji i ndryshuar për sportin në vitin 2017.

"-President, prej disa ditësh është bërë publike një përplasje mes Shoqatës së Pëllumbave të Postës 2003 dhe Federatës Shqiptare të Kolombofilëve. Kjo sepse Shoqatës së Pëllumbave të Postës 2003 nuk iu lejohet të kalojnë kufijtë për gara, pasi Federata pretendon se ajo ka të drejtën organizative. Në mesin e këtij konflikti është përfshirë edhe KOKSH. Madje në një letër publike ju i kërkoni Doganave që të mos lejohet kalimi i Shoqatës për të marrë pjesë në garat kombëtare dhe ndërkombëtare. Cili është version juaj për këtë situatë?

Versioni im është shumë i thjeshtë. Unë jam president i KOKSH-it, në krye të ombrellës së sportit që të zbatohet ligji dhe ligjshmëria e federatave sportive që janë pjesë e KOKSH-it. KOKSH nuk ka federata të forta e të dobëta, por ka një anëtar që ka për detyrë ta mbrojë kur ka një ankesë, që i thotë po shkelet ligji. Kërkojmë ndihmën tuaj për të sensibilizuar të gjithë institucionet e vendit që të marrin masa për të mos pasur shkelje të ligjit.

Para 2 vitesh ka ardhur një kërkesë në KOKSH për t'u bërë një anëtër i ri, Federata Shqiptare e Kolombofilëve. Nëse ka një federatë më parë, ne e vërtetojmë me vendime të gjykatave dhe nuk e pranojmë, por duke parë që në gjykatat shqiptare nuk ka një federatë të tillë, ne i dhamë dritën jeshile që kjo Federatë të jetë pjesë e KOKSH-it, mbasi ia kishte firmosur statutin ministri përgjegjës i sportit. Ja ku është edhe dokumenti.

Shteti shqiptar njeh Federatën e Kolombofilëve. Në të njëjtën kohë ky është një dokument që tregon se KOKSH-i njeh Federatën.

Njëkohësisht është edhe gjykata shqiptare që i njeh. Ja vërtetimi i gjykatës që tregon se njeh federatën shqiptarë të Kolombofilëve me president Ramazan Gjylën.

Kanë hapur niptin dhe vazhdojnë aktivitetin. Gjithë problematika është se ka qenë një Shoqatë tjetër ‘Pëllumbat e Postës’, që unë dua t’i falenderoj sepse kanë bërë shumë punë. Janë njerëz pasionat dhe jam habitur sepse paratë e familjeve këta ua japin pëllumbave. Për t’i ushqyer, trajnuar. Njerëz 'të çmendur' me një pasion të jashtëzakonshëm, por mua më vjen keq për këta njerëz sepse KOKSH-i nuk ka për qëllim të pengojë, por të kanalizojë nga Shoqata që janë të bëhen anëtarë të Federatës siç e thotë ligji. Ky është ligji i ri i sportit në vitin 2017 dhe ky është neni 17-të.

Emërtimi Federatë shqiptare. Shteti i delegon të drejtën e organizimit dhe të zhvillimit Federatave sportive kombëtare për aktivitete ndërkombëtare vetëm një federate sportive. Që të bëjë kampionatin, Kupën e Republikës dhe të përfaqësojë Shqipërinë në aktivitet ndërkombëtare. Tani ti ke qenë Shoqatë dhe në moment që krijohet Federata, kësaj Shoqate nuk është se i ndalohet e drejta, por duhet të bëhet anëtar i federatës dhe me leje të Federatës duhet të bëjë një aktivitet.

-Pra ngërçi është thjeshtë mos regjistrimi i Shoqatës në Federatë?

Ne këtë themi. Nuk themi mos bëni ju aktivitet, se ku t'i gjejmë njerëz të tillë. Unë them' jam të çmendur' dhe më vjen keq për këta. Por janë në rrugë të gabuar sepse ligji është e zeza mbi të bardhë. Më intereson të zbatojnë ligjin. Kjo është detyra e KOKSH-it. Këtu nuk ka shtet sepse po të ketë shtet është shumë e thjeshtë. Që në doganë, që ministria që ka letra.

Federata e Kolombofilëve i ka bërë një shkresë ministrisë, me datë 5/5/2026 dhe i thotë në përgjigjje të ankesës tuaj, për ankesën ndaj ‘Shoqatës së Pëllumbave’, bazuar në ligjin për sportin, neni 16, pika 4, ministria përgjegjëse e sportit njeh vetëm një federatë për një sport të caktuar, që të organizojë të gjitha aktivitetet.

Ministria i jep të drejtë federatës që i ka miratuar statutin, gjykata i jep të drejtë federatës, KOKSH e ka anëtar të vetë dhe tani dalin disa 'të çmendur' që thonë po s’na latë do të bëjmë namin. Çfarë nami do të bësh ti more?! Kush po të pengon. Shko regjistrohu dhe zbato ligjin.

-A mos është krijuar kjo situatë për shkak të vakumit që ka zgjatur disa vite me Federatën Shqiptare të Kolombofilëve? Sepse këta që kanë krijuar Federatën më herët kanë qenë pjesë e Shoqatës së Pëllumbave. Shoqata thotë se tani Federata ka gjetur mbështetjen e KOKSH dhe ministrisë?

Unë nuk dua t’i ofendoj, se unë fola me shkresa dhe jo me pasion. Ligji thotë se aktivitetin e bën federata. Shoqata mund të ketë qenë edhe para 50 vitesh. Nuk kanë qenë të mençur që të shkojnë të krijojnë federatën dhe të vazhdonin. Tani është krijuar një federatë me 80-90 anëtarë, që e bëjnë këtë aktivitet.

Tani kemi dy aktivitete paralele dhe unë u bëj thirrje që shkoni regjistrohuni te federata. Se federatën se zhbëni dot. E ka njohur shteti, e kanë njohur gjykatat. Pra shteti e ka bërë me miqësi, gjykata e ka bërë me miqësi, a jeni në vete thuaj?! I Intereson presidentit të KOKSH për një Federatë Pëllumbash …. As nuk i intereson fare.

-A është mbështetja ekonomike që afrohet nga ministria arsyeja për këtë përplasje mes Shoqatës së Pëllumbave dhe Federatës së Kolombofilëve?

E para është se asnjë nga këta s’ka mbështetje ekonomike. Zero lek i jep ministria Federatës Shqiptare të Kolombofilëve, jo më shoqatave. Ministria nuk u jep lek federatave që realisht bëjnë aktivitet sportive.

-A ka pasur tentativa për ta zgjidhur këtë çështje?

Mua më kanë ardhur nga Shoqata, disa sinjale nga disa shokë dhe u kam thënë në kafe iu takoj, por në zyrë jo, sepse në zyrë unë kam një anëtar timin. I bie që të bëhem palë me të dyja. Unë bëhem palë vetëm me ligjin", tha për Report TV kreu i KOKSH-it, Fidel Ylli.