Një ekspertizë e thelluar pritet të nxjerrë në dritë se me çfarë u lëndua në sy gjatë protestës së të shtunës, 28-vjecari Erjon Vishkulli.
Report Tv mëson ekskluzivisht, se prokuroria e Tiranës i ka dërguar letër-porosi autoriteteve italiane, për të sekuestruar trupin e huaj që bluzat e bardha në Itali do të nxjerrin nga syri i të riut, pas operacionit të dytë në Romë.
Më tej, materiali do të ekzaminohet për të folur me prova shkencore për përbërjen e tij, nëse është plumb gome, siç janë dyshimet paraprake, apo ndonjë element tjetër. Kur kjo të jetë qartësuar edhe me prova, pritet të nisë hetimi për personat e përfshirë.
Erjon Vishkulli u lëndua në sy gjatë protestës kombëtare të shtunën e 24 tetorit, dhe u transportua me shpejtësi në spitalin e Traumës me makinën e Report Tv. Atje iu nënshtruar një ndërhyrjeje urgjente, ndërsa për një operacion i dytë më i specializuar u dërgua me shpenzimet e shtetit në një klinikë në Romë.
Vishkulli bëri një konsultë të detajuar në spitalin e famshëm Gemelli në Itali, ndërkohë që është kthyer në spitalin 'San Carlo' kur edhe pritet t'i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
Prokuroria e Tiranës po heton edhe në lidhje me dëmtimin e disa protestuesve, pas dyshimeve për përdorimin jo proporcional të forcës nga disa punonjës së policisë së shtetit.
Deri në këtë fazë janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të dëmtuar
Veprimet hetimore po kryen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa disa efektivë janë pezulluar.
Për dhunën dhe sulmet me lëndë djegëse e gurë ndaj forcave të rendit e institucioneve publike e private, hetimet janë më vete, me disa protestues të arrestuar janë me masa sigurie nga gjykata.
Njoftimi i Prokurorisë
Prokuroria Tiranë nis hetim kryesisht për dëmtimin e shtetasit E.V. gjatë protestave në kryeqytet. Hetime edhe për përdorimin jo proporcional të forcës nga policia
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë bën me dije se ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.7806, të vitit 2026, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 250 të Kodit Penal, në lidhje me dëmtimin e shtetasit E.V. gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet.
Menjëherë pas ngjarjes të regjistruar më 24.10.2026, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, ndër të cilat si administrimi i pamjeve filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, marrja e kartelës mjekësore pranë Spitalit Universitar të Traumës, si dhe kryerja e veprimeve hetimore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Gjithashtu, në kuadër të hetimeve po punohet për përcaktimin e mënyrave konkrete të komunikimit me autoritetet italiane, me qëllim përcjelljen e një letërporosie drejtpërdrejt pranë këtyre autoriteteve.
Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.
Gjithashtu në të njëjtin procedim po hetohet dhe po kryhen veprime në lidhje me dëmtimin e disa shtetasve, pas dyshimeve për përdorimin jo proporcional të forcës nga disa punonjës së policisë së shtetit në protesta.
Deri në këtë fazë janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të shtetasve të dëmtuar dhe po kryen verifikimet për këto raste me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Klubi i Elbasanit, që Erjon Vishkuli e mbështet në stadium prej shumë vitesh, ka vendosur që fitimet nga biletat në ndeshjen e Superligës kundër Partizanit, të shkojnë për kurimin e 28-vjeçarit, i cili u plagos të shtunën në protestë. Në rrjetet sociale verdheblutë shkruajnë:
“Në përballjen ndaj Partizanit, çdo biletë ka një vlerë të veçantë. Të gjitha fitimet nga shitja e biletave do të shkojnë për kurimin e Erjon Vishkullit. Këtë herë, përtej 90 minutave, luajmë edhe për Erjonin.”
Erjon Vishkulli përveç mbështetjes për Kombëtaren, por edhe për Interin, spikat më së shumti për tifozllëkun ndaj ekipit të qytetit. Ai prej vitesh është edhe anëtar i ‘Ultras Tigrat Verdheblu’.
-
Prokurori e turpit dhe gjygjtare te korruptuar qe mbrojne vandalet e keqberesit i nxorren te gjithe nga burgu se nuk kan prova se ato institucione i dogjen ufot edhe bizneset i vodhen ata qe ishin ne shtepi djalit te kalume por nga bari i thate digjet edhe i njomi
Përgjigju









Komente
Komento