Xhama të thyer, dyer, karrige, tavolina e dokumente të shkatërruara e të djegura. Mjediset brenda Ministrisë së Arsimit, asaj të Ekonomisë dhe të Drejtësisë në Tiranë, të sulmuara nga protestuesit, janë kthyer në gërmadha, në një pjesë të mirë të tyre.

Ministria e Arsimit ishte e para që u sulmua. Ajo çfarë ka mbetur ngjan me një situatë pas lufte. Dosje e dokumente të shpërndara e të dëmtuara, tavolina të djegura e gurë edhe xhama të thyer edhe në korridore dhe brenda zyrave.

Në Ministrinë e Ekonomisë pirgu me sende të shkatërruara e të djegura është ende në hyrje të godinës.

Në katin e parë të ndërtesës dëmtimet janë të shumta. Dyer të shkatërruara e në brendësi të zyrave shkresa e dokumente të hedhura përtokë, pajisje të thyera e të dëmtuara. Një pjesë e tyre është marrë e nxjerrë jashtë.

I dëmtuar dhe ashensori. Ministria e Drejtësisë, u sulmua dhunshëm mbrëmjen e së mërkurës

Këtu ngjan se është shkatërruar gjithshka. Me xhama të thyer nga të gjithë anët dhe pa energji elektrike, situata ngjan apokaliptike.

Shumë sende nëpër zyra janë dëmtuar, por fatmirësisht ngjan se nuk janë vjedhur.

Një nga zyrat e dëmtuara në këtë Ministri është edhe ajo e Ndihmës Juridike Falas.

Ndërsa në një prej sallave të Ministrisë, ku bëhen mbledhje e takime të rëndësishme dallohen qartë edhe gjurmët e flakëve që e dogjën një ditë më parë.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:22
Sulmet e protestuesve, Ministria e Drejtësisë një ‘gërmadhë’! Shkatërrohet plotësisht fasada e jashtme, zyrat në katin e parë dhe tavani (VIDEO)

 

Pamja e Ministrisë së Drejtësisë ditën e sotme, pas protestës së dhunshme të së mërkurës, i ngjason asaj të institucioneve të tjera të qeverisë që u sulmuan.

Fasada e jashtme është plotësisht e dëmtuar dhe e shkatërruar, me xhamat e thërrmuar, tavani në katin e parë është i shkëputur, pllakat janë thërrmuar dhe mobiliet janë djegur.

Ora 09:21
Shkatërrimet që lanë pas protestuesit, punonjësit e bashkisë Tiranë në punë gjatë gjithë natës për t’i ‘fshirë’

Ministrja Delina Ibrahimaj dhe kreu i grupit të PS, Taulant Balla, kanë ndarë disa foto nga puna e punonjësve të bashkisë së Tiranës që përgjatë gjithë natës kanë punuar për të pastruar qytetin nga gjurmët e dëmtimeve që lanë pas protestuesit të mërkurën.

“Mirënjohje për punonjësit e Bashkisë së Tiranës, të cilët punuan gjatë gjithë natës për të pastruar gjurmët e shkatërrimeve dhe për t’i rikthyer qytetit normalitetin”, ka shkruar Ibrahimaj.

Ora 08:56
Tirana pas kaosit, gjurmët e natës së trazirave së protestuesve! Kryeqyteti ‘i gjymtuar’ nga dhuna, pasojat e shkatërrimit duken në rrugë e biznese (VIDEO)

Tirana nuk është zgjuar sot në gjendjen e saj të zakonshme. Ndryshe nga ditët e tjera, mëngjesi në kryeqytet ka zbardhur duke treguar gjurmët e protestës së dhunshme të një dite më parë që preku çdo cep të rrugëve kryesore.

Është një lloj situate pasigurie dhe në orët e para ndihej edhe një lloj habie nga kalimtarët që shihnin gjithë shkatërrimet.

Semaforë e tabela rrugore të thyera të cilat krijojnë kaos për automjetet dhe këmbësorët, kioska rrugësh e stacione autobusësh të shkatërruar e të djegur, xhama e bankomatë të thyer, pllaka trotuari që mungojnë.

Te Kullat Binjake shihen edhe më qartë pasojat që ka lënë djegia e dëmtimi i tejskajshëm bizneseve private ku nuk duket më asnjë gjurmë.

Te ‘Piramida’, një tjetër pikë e përzgjedhur nga protestuesit, disa nga kubat ku ndodheshin bizneset janë djegur, thyer e më pas grabitur, e njësoj edhe brenda.

Ndërkohë, punonjësit e bashkisë po përpiqen të pastrojnë ç’mundin, ndërsa panorama e tanishme i ka lënë vendin një gërmadhe.

Ora 08:38
Shënjestër e protestuesve, Ministria e Ekonomisë ndër më të dëmtuara nga sulmet! Report Tv sjell pamjet, mobiliet pirg në hyrje, brenda dyer, ashensorë e pajisje të shkatërruara

Ministria e Ekonomisë duket të jetë ndër më të dëmtuarat nga sulmet e protestuesve gjatë së mërkurës që prekën 8 institucione.

Në momentin që protestuesit mësynë brenda saj, morën mobiliet që u dolën përpara duke i hedhur pirg në hyrje, aty ku kanë mbetur ende, tregojnë pamjet e Report Tv mëngjesin e sotëm.

Xhamat e dritareve janë thyer, kangjellat e tyre të shtrembëruara e deri edhe grilat janë hequr prej protestuesve, një pjesë e mirë e të cilëve ishin të maskuar.

Dyert janë shkelmuar e copëtuar, në tokë shihen copa të panumërta gurësh e pllakash që protestuesit i hidhnin si breshëri drejt godinës.

Dyshemeja është mbuluar edhe nga dheu i vazove të rrëzuara në tokë, ndërsa në zyra pajisjet si fotokopjet e kompjuterët janë shkatërruar.

Edhe një ashensor shihet të jetë dëmtuar dhe nxjerrë nga përdorimi.

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Emer: 15/10/2026 13:26

    O sali ti gjithmon e ke djegur shqiperin kete po ben edhe tani

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 15 Tetor, 13:43

    A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?