Ekskluzive/ Zbardhen diskutimet, KLP i kërkon Qeverisë një pallat e superpaga për SPAK-un

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i kërkon Qeverisë dhe Parlamentit një pallat për ushtrimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme si dhe rritjen e pagave apo shpërblimit për prokurorët e posaçëm, për shkak detyrës së rëndësishme, të veçantë dhe të vështirë. Kërkesat janë artikuluar nga anëtarët e KLP, gjatë mbledhjes së fundit, zhvilluar në 6 shkurt 2019. Gjatë diskutimeve të zbardhura nga Shqiptarja.com, anëtari Kostaq Beluri ka propozuar që të kërkohet rritja e financave për SPAK-un, me qëllim për të nxitur prokurorët që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme.

Në një linjë me Kostaq Belurin ishte dhe anëtarja Antoneta Sevdari, e cila u shpreh se diferenca në pagë mes prokurorit të Prokurorisë së Posaçme dhe prokurorëve të tjerë është vetëm 7 mijë lekë, shumë që zonja Sevdari e konsideroi qesharake. Sipas saj, nuk mund të kenë shpërblim të barabartë mes një prokurori të SPAK-ut me një prokurori që heton veprat penale të drejtimit të automjetit në gjendje të dehur.

Anëtari Tartar Bazaj ka propozuar që Këshilli i Lartë i Prokurorisë t’i kërkojë qeverisë ndërtimin e një pallati vetëm për prokurorët e SPAK-ut dhe oficerët e Policisë Gjyqësore, që në rastin konkret do të jenë hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pothuajse të gjithë anëtarët e KLP i kanë mbështetur këto propozime. Në këtë kuadër, kreu i KLP, Gent Ibrahimi, ka propozuar hartimin e një amendamenti për ndryshimin e ligjit të SPAK. Nisma do t’i propozohet Kuvendit. Meqenëse ndryshimi i ligjit të SPAK kërkon të paktën 84 vota, Ibrahimi është shprehur se Kuvendi mund të veprojë si në rastin kur shpërbleu anëtarët e Vetingut. 

Diskutimet në mbledhjen e fundit të KLP

-Gent Ibrahimi: E ka, thirrur këtë mbledhje i shtyrë nga ecuria e aplikimeve për 15 pozicionet e shpallura në Prokurorinë e Posaçme. Duke patur parasysh ecurinë e aplikimeve deri tani, por edhe disa aktivitete kyçe ndërgjegjësuese siç ishte takimi me prokuroren e USKOK (Tamar Laptosh), por edhe takime të tjera të këtij lloji, nuk kanë ende kohën që të japin efektin e duhur tek prokurorët që janë potencialisht kandidatë, propozoj ndryshimin e vendimit të datës 7 janar, duke ndryshuar datën përfundimtare për dorëzimin e aplikimeve nga data 7 shkurt 2019 në datën 21 shkurt 2019. Kush është dakord me propozimin? 10 anëtarë janë dakord. Propozimi miratohet me 10 vota pro.

-Kostaq Beluri: Unë mendoj se nuk ka qenë shkak arsyeja kohore për ato kandidimet e paktat. Ne gjatë kësaj kohe që vendosëm për të shtyrë afatin, duhet të gjejmë një modus se si do të afrojmë kandidatura të tjera. Unë mendoj se një nga arsyet kryesore për të afruar kandidatura të tjera në SPAK do të jenë të ardhurat financiare në atë institucion, pasi dihet që SPAK-u do të bëjë një punë më të vështirë dhe më voluminoze me ato veçoritë e veta, me ato kufizimet e veta ligjore. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje ligjore për të rritur financat e tyre, duke i diferencuar nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

-Nurihan Seiti: Zgjatja me dy javë më duket një procedurë shumë normale, ndërkohë që ne po shohim se prokurorët po hasin vështirësi në aplikim. Afati dyjavor është procedura më e mirë që ne t’u japim mundësinë për kohën e marrjes së një lloj pëlqimi edhe nga familjarët. Të biesh dakord me familjen (për heqjen dorë nga privatësia) është një proces shumë i vështirë, pasi e gjithë familja, fëmijët, futen në një proces, që për ata mund të jetë i cenueshëm në një jetë private, por nga ana tjetër ata i dinë shumë mirë edhe privilegjet që kanë në mbrojtje dhe qetësinë e punës.

-Antoneta Sevdari: Unë mendoj se është shumë e rëndësishme se çfarë shpërblimi do të marrin prokurorët e Prokurorisë së Posaçme për punën e tyre. Të gjithë ne e dimë se puna që aty pritet të bëhet është një nga punët më të vështira në sistemin e drejtësisë. Nga përllogaritjet, që është shumë kollaj që t’i bësh, rezulton se ndryshimi është me vetëm 7 mijë lekë të reja. Pothuajse është qesharake. Unë e kam parë me kujdes ligjin dhe më duket se ka një problem ligjor. Neni 12 i ligjit për statusin referon se prokurorët e Prokurorisë së Posaçme do të marrin shtesë për vështirësinë e punës që do të kryejnë. Por, ky nen referon nen ligjin për SPAK-un, i cili nuk parashikon asgjë në lidhje me pagën e tyre. I vetmi parashikim, nëse mund ta quajmë të tillë, gjendet në njërën nga deklaratat për heqjen dorë nga privatësia, ku në një fjali në fund të saj, parashikohet se prokurori heq dorë nga e drejta për privatësi me kushtin që të ketë një shpërblim për këtë. Por se si do të jetë ky shpërblim nuk parashikohet asgjëkund. E kuptoj se është shumë e vështirë që ne gjatë kësaj periudhe të gjejmë një zgjidhje ligjore, por unë vazhdimisht e kam vënë theksin, ka shkruar e-maile dhe e kemi diskutuar në një mbledhje, unë e mendoj një pikë jashtëzakonisht të rëndësishme. Secili do që të ketë një shpërblim të drejtë në raport me punën që kryen. Nëse një prokuror që heton vepra të thjeshta penale siç është vjedhja pa autor apo drejtimi i automjetit në gjendje të dehur barazohet me shpërblim me një prokuror që do të bëjë këtë punën ku i kanë sytë të gjithë shqiptarët, mendoj se kjo nuk është e drejtë dhe shumë e pamenduar. Unë e kam vënë shumë theksin në këtë pikë, por nuk kemi pasur një reagim. Dhe nëse do të kemi një reagim, mirë është që prokurorët ta dinë sepse paga është diçka që i motivon njerëzit.

-Alfred Balla: Në vijim të problematikës që z. Beluri ngriti, edhe unë jam dakord që duhet ta dinë prokurorët se kush do të punojë në SPAK ka pagën G 3, njësoj me pagën e anëtarit të KLP. Por ne mendojmë që për vështirësinë që ofron kjo detyrë, duhet të kenë një pagë akoma më të lartë. Unë i propozoj Këshillit që ne të dalim me një projekt konkret me akt nënligjor apo ligj, ku ne të propozojmë një ndërhyrje konkrete për të përcaktuar sa dhe si.... Nuk duhet të kthehet në rutinë kjo gjë dhe t’i japim një zgjidhje.

-Gent Ibrahimi: Nëse bini dakord mund të hartojmë një projekt-amendament tek ligjit për SPAK, duhet të ketë formulimin e duhur, nuk jam në gjendje ta them tani, por mund ta mendojmë ta kemi gati, ta kemi si çështje të axhendës së mbledhjes së ardhshme. Pra, miratimi i një vendimi për propozimin e ndryshimeve në ligjin për SPAK. Ndërkohë, nga hulumtimet paraprake, mua më rezulton se e vetmja mënyrë për të bërë një zgjidhje pa i hyrë ligjit, ndryshim i cili më duket një ndërmarrje shumë të vështirë në kushtet aktuale, është ndoshta një vendim i Kuvendit. Është një praktikë e ndjekur në rastin e organeve të Vetingut. Kështu që mund të eksplorohet edhe në këtë mënyrë. Kjo është edhe më e thjeshtë. Mjafton që të gjejmë kopjen e vendimit të Kuvendit për pagat në sistemin e Vetingut dhe t’i propozojmë Kuvendit...gjithmonë në mënyrë formale. Nga ana tjetër, duhet ta bëjmë publik shqetësimin e Këshillit që të trajtohen në mënyrë preferenciale prokurorët e SPAK-ut për pagën e tyre.

-Tartar Bazaj: Duke marrë për bazë çdo pikëpamje dhe vlerësim që dhanë kolegët, unë mendoj që të paktën për prokurorët e SPAK-ut, të cilët janë më të prekshëm drejtpërdrejt dhe veprimet e tyre do të kenë efekte, ne t’i propozojmë Këshillit të Ministrave që të ndërtohet një pallat për këta prokurorë dhe oficerët e policisë gjyqësore, që këta të jenë më të mbrojtur, veç këtyre që u thanë. Unë u bëj thirrje prokurorëve, nga të cilët ka plot me dinjitet, se kjo nuk është vetëm një detyrë, por edhe një mision në funksion të atdheu tonë. Këta nuk duhet ta shohim këtë detyrë thjeshtë si një funksion, por duhet ta shohin si një detyrë sa fisnike aq edhe me përgjegjësi të lartë kombëtare. Këta që e ndjejnë veten që janë vërtetë dinjitozë, nga të cilët ne njohim plot, u bëjmë thirrje që ta marrin përsipër këtë risk për hir të çështjes kombëtare.

-Gent Ibrahimi: Dalim nga kjo mbledhje jo vetëm me vendimin për të shtyrë afatin e kandidimit për prokurorët e interesuar për të shërbyer në SPAK, por edhe me një nënvendim që në mbledhjen e radhës të diskutojmë propozime formale për ndryshime në ligjin e SPAK-ut, që do të mundësonin pagë më të rritur për prokurorët e SPAK-ut.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ilir: 09/02/2019 13:18

    Le t'jua rrisin pagat por ketu do jemi e do shohim se e gjitha do te jete KOT,NJE FALSITET,MASHTRIM DHE SHPPENZIM I KOTE. SPAK eshte i deshtuar qe ne fillim perderisa kerkohet te formohet me po keta prokurore qe jane sot.Te gjithe e dime se prokuroret e deritanishem,kaluar apo jo veringun,jane si qen te rrahur para gangstereve te politikes dhe nje qen i rrahur nuk ka kurajo te merret me gangstere e kriminele si Sali Berisha e Ilir Meta

    Përgjigju
  • Tani Shkoder: 09/02/2019 08:59

    Super paga edhe bonus te majme nqs e bejn punen si duhet, se ka pagu miljarda ky popull kta kriminelat e parlamentit si majtas si djathtas.

    Përgjigju
  • Pronari i ligjshem: 09/02/2019 08:44

    SPAK-u te heqe ligjin famekeq 7501 qe i ka hequr pronat pronareve te ligjshem dhe jua ka dhene grabtesve

    Përgjigju
    • opaa: 09/02/2019 19:45

      Ligji 7501 eshte bere nga qe ne vitin 1991. Ne ate kohe ishte i nevojshem per te mbijetuar fshataret. Se u bene fshataret me pas pronar, e ndertuan e legalizuan se ka faji ligji por ate qe e lejuan.

    • xreport: 09/02/2019 09:10

      ti po thu fute shtetin ne kolaps?

  • xreport: 09/02/2019 07:40

    i keni te garantume leket nga qeveria RAMA vetem filloni kositjen e politikaneve .... se mos arrestoni vetem puntoret edhe jo kokat si mona, iliri, sala, shkelzeni, mediu, paloka, amannnnnn NDOKEN leje te boje opozite se fillon te mesoje edhe shqip dhe lexim

    Përgjigju
    • xreport: 09/02/2019 08:34

      Nuk u kuptoke fare se nga kush anë je o xreport.., po pse ata nga PS janë më të mirë kështu? PD ka mutrit è saj PS ka të sajët. Po thuaj që delja dele ngelet dhe beson atë që i jep më shumë kashtë për të ngrënë.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës