Ekskluzive-raporti i DSIK/ Anëtari i Gjykatës së Lartë merrte ryshfet për vendimet

Ekskluzive-raporti i DSIK/ Anëtari i Gjykatës së Lartë merrte ryshfet për vendimet

Admir Thanza

Anëtari i pezulluar i Gjykatës së Lartë Admir Thanza dyshohet se është implikuar në praktika korruptive, në formën e marrjes së ryshfetit, në këmbim të veprimeve apo mosveprimeve të tij, në raport me detyrën. Ky është konkluzioni i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar në një raport dërguar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organit bazë të Vetingut. Raporti mban datën 2 nëntor 2017. Sipas raportit të siguruar nga Shqiptarja.com, ka dyshime të arsyeshme se Admir Thanza jo vetëm është përfshirë në korrupsion, por ka lidhje edhe me persona të përfshirë në krim të organizuar.

DSIK ka arritur në këtë konkluzion bazuar në një shkresë sekrete të SHISH me nr. 2948/15, në një shkresë të Prokurorisë së Përgjithshme me nr. 930/23 dhe në një shkresë të SHÇBA me nr. 1145/3. “Marrë shkas nga vendimi nr. 3 i vitit 2016, i prokurorit për pushimin e procedimit penal, vihet re implikimi në veprimtari korruptive i funksionarit të drejtësisë, në formën e mitmarrjes, për të kryer apo për të mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën e tij funksionale, kjo e bën subjektin në fjalë person me tendenca për përfshirje në veprimtari kriminale dhe një individ që mund të vihet lehtësisht nën presion nga struktura kriminale. Gjithashtu, në kundërshtim me pikën 8 të nenit 3 të ligjit 84/2016 që përfshin veprat penale sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale, subjekti është përfshirë në veprimtari të kundraligjshme, shfaqur në formën e korrupsionit pasiv.

Për subjektin e rivlerësimin z. Admir Thanza administrohen informacione nga të cilat mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për implikimin e tij apo për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krim të organizuar”, thuhet në raportin sekret. Gjithashtu, në raport thuhet se, Admir Thanza nuk e ka plotësuar saktë deklaratën për kontrollin e figurës, duke mos deklaruar procedimin penal të regjistruar në ngarkim të tij për veprën penale parashikuar nën nenet 244 e 259 të Kodit Penal, për korrupsion pasiv dhe aktiv për personave që ushtrojnë funksione publike. Si përfundim grupi i punës ka konstatuar se Admir Thanza nuk është i përshtatshëm për të shërbyer në sistemin e drejtësisë.

Shkarkimi
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me vendim nr. 40 të datës 17 korrik 2018, vendosi të shkarkonte nga detyra anëtarin e Gjykatës së Lartë Admir Thanza. KPK, në vendimin e shkarkimit, ka konfirmuar si të saktë raportin e DSIK. Shkarkimi i gjyqtarit nuk u bazua vetëm tek ky raport i DSIK, por edhe tek gjetjet gjatë hetimit të pasurisë dhe vlerësimit profesional. “Në përfundim, trupi gjykues, pasi shqyrtoi dokumentacionin e dorëzuar prej subjektit të rivlerësimit, i) deklaratën për kontrollin e figurës; ii) raportin e DSIK-së, si dhe iii) zhvilloi një hetim të thelluar kryesisht, bazuar në parimin e transparencës, procesit të rregullt ligjor, eficiencës, barazisë së palëve në procesin gjyqësor, në lidhje me rubrikën e vlerësimit të figurës, arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka plotësuar formularin e deklarimit për kontrollin e figurës në mënyrë të pasaktë dhe jo me vërtetësi.

Nga analiza e të dhënave të parashikuara në pikën 1, neni 38, i ligjit nr. 84/2016, dhe kryesisht bazuar në raportin e DSIK-së, rezultoi që subjekti I rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe mund të vihet nën presion nga persona të përfshirë në krimin e organizuar, si rrjedhojë konkludohet se ai është i papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës dhe duhet aplikuar neni DH i Aneksit të Kushtetutës dhe pika 2 e nenit 61 të ligjit nr. 84/2016”, thuhet në raport.

Sqarimi i Admir Thanzës
Admir Thanza ka pranuar faktin se nuk e ka pasqyruar në deklaratën e figurës çështjen penale nr. 3, për veprën penale të parashikuar nga nenet 244 dhe 259 të Kodit Penal, të pushuar më datë 29 korrik 2016. Por, ai e shpjegoi këtë mosdeklarim me arsyetimin se, nga momenti që kjo çështje është pushuar, – pasi faktet e provuara nga hetimi nuk përmbushin elementet e veprës penale për të cilën ishte hetuar, – ajo nuk duhej të ishte deklaruar. Sipas tij, në këtë konkluzion arrihej duke iu referuar pikës 15 të nenit 3 të ligjit nr. 84/2016 i cili, veç të tjerash, në përkufizimin e “personit të përfshirë në krimin e organizuar” parashikon përjashtimin e rastit kur ai është deklaruar i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Në lidhje me pikën 2/c, të raportit të DSIK-së, që referon informacione mbi të cilat mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për implikimin e vetë subjektit apo për kontakte të papërshtatshme të tij me persona të përfshirë në krimin e organizuar, Admir Thanza i kundërshton këto konkluzione sepse, sipas tij, ka qenë pikërisht Prokuroria e Përgjithshme që ka vendosur pushimin e çështjes për korrupsion aktiv dhe/ose pasiv, pasi nuk ka pasur fakte të provuara që të çonin në një përfshirje të tij apo të shtetases L. H. në një sjellje me implikim korruptiv. Thanza thekson se konkludimet e DSIK-së janë të gabuara pasi ato prezumojnë fajësinë dhe bien ndesh pikërisht me parimin e prezumimit të pafajësisë, deri në arritjen e provës së kundërt.

Dosja në Kolegj
Admir Thanza i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rrëzimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rikthimin e tij në detyrë. Kolegji i Posaçëm ka marrë në shqyrtim ankesën, ndërsa trupa gjykuese kryesohet nga Rezarta Schuetz, me relator Ardian Hajdari dhe anëtarë Ina Rama, Luan Daci dhe Natasha Mulaj. Më parë pjesë e trupës gjykuese ka qenë edhe Sokol Çomo, por ky i fundit u përjashtua më kërkesë të vetë Thanzës. Aktualisht Thanza është i pezulluar.

Vjedhja e dyqanit në Itali, shpjegimi i gjyqtarit
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbuluar se gjyqtari Admir Thanza ka marrë pjesë në një vjedhje në Itali. “Përgjatë hetimit të kryer, Komisioni administroi dokumente në lidhje me një gjetje të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të bashkëngjitura me një shkresë përcjellëse të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, me nr(***)prot., datë 20.04.2018, nga ku rezultonte se: “Z. Admir S. Thanza, i datëlindjes 18.09.1969, lindur në Shkodër, ka qenë i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, në Pisa të Italisë, në datën 21.06.1999, me 40 ditë burg dhe 100.000 lireta gjobë, për vjedhje në bashkëpunim me persona të tjerë. Gjykata e sipërpërmendur ka caktuar pezullim me kusht të ekzekutimit të vendimit në fjalë. Ky vendim ka marrë formë të prerë”, thuhet bnë vendim.

Sipas vendimit, Admir Thanza e pranoi faktin që vendimi i formës së prerë ishte dhënë ndaj tij në Itali, por ai mohoi që të kishte kryer veprën penale për të cilën ishte dënuar. Ai sqaroi se kishte bërë një zgjedhje të gabuar, kur kishte marrë përsipër, përpara efektivëve të Policisë italiane, një përgjegjësi të të tjerëve, i detyruar nga rrethanat familjare, si dhe i shtyrë nga ndjenja humanitare. Për sa i përket mosdeklarimit të këtij precedenti penal, subjekti shpjegoi se ditën që ishte dhënë vendimi – ku ai ishte prezent – e kishte kuptuar që avokati i tij kishte rënë dakord me prokurorin që çështja mund të mbyllej vetëm me një gjobë. Gjithashtu, atij i ishte vënë në dispozicion një dëshmi penaliteti në të cilën nuk rezultonte asnjë shënim mbi dënimin në fjalë dhe, për rrjedhojë, ai mendonte se çdo gjë, në lidhje me atë fakt të largët, ishte mbyllur.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • pse: 27/12/2018 12:21

    Mo akoma merreni me ket hajdut?

    Përgjigju
  • Perashi: 27/12/2018 08:44

    Admir Pordha

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Liverpool vuan dhe fiton 2-3 kundër vendit të fundit, 'arratiset' +8 nga Man. City

VIDEO/ Liverpool vuan dhe fiton 2-3 kundër vendit të fundit, 'arratiset' +8 nga Man. City