TIRANE-Delegacioni i Komisionit të Venecias pas takimeve dy ditore ka mbyllur misionin e mbledhjes së provave në Shqipëri për opinionin që i është kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë për komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. 

Drejtuesi i delegacionit të Komisionit Venecias deklaroi pas takimeve se e ka krijuar idenë nëse kreu i shtetit shqiptar e ka shkelur ose jo Kushtetutën me vendimin e anulimit të dekretit të zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Në përfundim të takimit me anëtarët e Komisionit të Posacëm të Komisionit Hetimor, Kaarlo Tuori, që është drejtues i delegacionit u shpreh se vendimi do të jepet në datë 11 Tetor. 

Sot ekspertët e Komisionit të Venecias kishin ditën e dytë dhe të fundit të vizitës në Shqipëri. Në orën 09:00 ekspertët takuan anëtarët e Komisionit të Posaçëm Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta dhe në 10:30 mbyllën axhendën me përfaqësuesit e shoqërisë civile. Dita e djeshme ishte më e ngjeshura për ekspertët, pasi e nisën me një takim informal me përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Klajda Gjosha.

Më pas delegacioni i këtij komisioni takoi Presidentin Ilir Meta, kryetarin e Kuvendit, kryetarin e grupit të PS-së, kreun e qeverisë Edi Rama, ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, opozitën parlamentare,  përfaqësuesit e KQZ dhe anëtaren e vetme të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.

Komisioni i Venecias erdhi në Shqipëri pasi Kuvendi i kërkoni mendim lidhur me procesin e shkarkimit të presidentit Ilir Meta, me argumentin se ka shkelur Kushtetutën me shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Të hënën Presidenti Meta dha shpjegimet para Komisionit Hetimor, ku ndër të tjera u shpreh se anuloi dekretin se kishte informacione se do të digjej Kuvendi. 

Delegacioni i Komisionit të Venecias në Tiranë
1. Kaarlo Tuori-Drejtues i delegacionit
2. Grainne Mcmorroë- Juriste ndërkombëtare
3. Schnutz Rudolf Dürr- Kreu i divizionit për Çështjet Kushtetuese
4. Thomas Markert- Sekretar i Komisionit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:07
Ulsi Manja zbardh takimin me ekspertët e 'Venecias': Meta shkeli rëndë Kushtetutën


Kryetari i Komisionit të Posaçëm për shkarkimin e Ilir Metës, Ulsi Manja ka zbardhur takimin me delegacionin e Komisionit të Venecias që u zhvillua paraditen e sotme. Ai thotë se me ekspertët e komisionit ndamë pikëpamjen që Komisioni Hetimor dhe Komisioni i Venecias do ta trajtojnë këtë rast në aspektin ligjor.

"Me delegacionin e Komisionit të Venecias në lidhje me kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe objektivitetin e trajtimit të kësaj çështje nga ana e Komisionit Hetimor të ngritur me vendimin nr.84/2109 të Kuvendit të Shqipërisë.

Ndamë pikpamjen që Komisioni Hetimor dhe Komisioni i Venecias do ta trajtojnë këtë rast në aspektin ligjor duke u nisur nga parimet dhe standartet më të larta profesionale dhe kushtetuese dhe me objektivitet maksimal , me qëllim vendosjen e një tradite juridike parlametare të parin në llojin vet për Shqipërinë" shkruan Manja.

Ora 10:40
A e shkeli Meta Kushtetutën? Eksperti i 'Venecias': Idenë e kemi të qartë, në 11 Tetor raporti (VIDEO)

Kaarlo Tuori, drejtues i delegacionit të Komisionit të Venecias deklaroi në përfundim të takimit me anëtarët e Komisionit Hetimor se tashmë e kanë një ide nëse Presidenti e ka shkelur Kushtetutën dhe në 11 tetor do të dalin me raportin përfundimtar.

"E kemi një ide të qartë, nëse e ka shkelur Presidenti Kushtetutën. Të gjitha takimet kanë qenë produktive, pasi morëm një informacion për të krijuar opinionin që do të dalë në 11 Tetor" tha ai.