Ekspozita /Prezantohen fotografi edhe dokumente për 110-vjetorin e Kongresit të Elbasanit

Në Muzeun Historik Kombëtar është çelur ekspozita“Kongresi i Arsimit Mbarëkombëtar Shqiptar”. Nëpërmjet fotografive edhe dokumenteve të rëndësishme të gjuhës shqipe, përkujtohet 110-vjetori i Kongresit Kombëtar të Elbasanit. Kongresi i Elbasanit u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut, ndërsa me përgatitjen e tij të drejtpërdrejtë u morën klubet “Bashkimi” e “Vllaznia” të Elbasanit. Kongresi u hap më 2 shtator të vitit 1909 dhe i vijoi punimet deri më 8 shtator. Gjatë prezantimit të ekspozitës, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, e cilësoi këtë ekspozitë, si një mënyrë që shqiptarët të përkujtojnë rrugëtimin e shkrimit edhe gjuhës shqipe.

"Në ekspozitë prezantohen disa prej delegatëve, përfaqësues të klubeve dhe të shoqërive shqiptare të qyteteve të Shqipërisë, si Tirana, Durrësi, Dibra, Shkupi, Manastiri etj. Midis delegatëve të Kongresit kishte veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare, si edhe mësues atdhetarë, siç ishin Orhan Pojani, Grigor Cilka, Gjergj e Sevasti Qiriazi, Mit’hat Frashëri etj. Akti themelor i Kongresit të Elbasanit ishin Vendimet ose, siç u quajt ndryshe, Rezoluta prej 15 nenesh, që u miratua dhe u nënshkrua nga të gjithë delegatët. Një nga masat më të rëndësishme të kësaj Rezolute ishte çelja në Elbasan në vjeshtën e atij viti e një Shkolle Normale (pedagogjike), me gjashtë klasa, e cila do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe", shprehet Dorian Koçi.


Nuk mungojnë në këtë ekspozitë as objektet të ndryshme personale të patriotëve që kanë dhënë mësim në Normalen e Elbasanit, si Luigj Gurakuqi,  Thanas Floqi apo Kristo Dako. Ekspozita do të vazhdojë që të qëndrojë hapur në Muzeun Historik Kombëtar.

v.d./r.k./Shqiptarja.com
Komento