TIRANË- Drejtuesi i degës së një banke të nivelit të dytë në Tiranë, zëvendësi i tij, dhe 10 punonjës të degës, akuzohen nga Prokuroria se kanë vjedhur në bashkëpunim nga llogaritë e dy klientëve, një shumë totale prej 400 mijë eurosh. E gjitha nisi pas denoncimeve për transaksione të paautorizuara, ku në njërin rast ishte vetë banka qendrore që iu drejtua autoriteteve. Prokuroria e Tiranës lëshoi 12 masa sigurie, të cilat u ekzekutuan përvec një punonjëseje, ende në kërkim.
***
Dy denoncime në vitin 2025, njëri nga një klient dhe tjetri nga vetë nivelet qendrore të Uba Bank, çoi prokurorinë e Tiranës në zbulimin e një skeme vjedhjeje në bashkëpunim, duke nisur nga vetë drejtorit i një dege të bankës.
Në denoncimin e parë, një qytetar tha se zbuloi se nga 3 llogari të tij janë tërhequr shuma, 500 mijë lekë të rinj, nga persona të paautorizuar. Më tej, banka, denoncoi tërheqjen e shumave pa autorizim, nga llogaria e një tjetër klienteje, në të njëjtën degë.
Hetimet e nisura zbuluan se në total ishin bërë 30 tërheqje, me një shumë totale, 400 mijë euro. Në krye të kësaj skeme, sipas organit të akuzës, qëndronte vetë drejtori i degës, Altin Keta 33 vjeç, bashkë me zv/drejtorin, Gilbert Hoxha 38 vjeç, të dy të arrestuar, me vendim gjykate.
Sipas akuzës, ata kanë vjedhur paratë nga llogaritë e 2 klientëve, me mandate false tërheqjeje, në disa raste edhe pa mandat, apo duke ndërhyrë në sistem nëpërmjet konvertimeve valutore, duke hapur e mbyllur depozitat si dhe ndryshim të të dhënave pa autorizim.
Këto veprime thotë Prokuroria, ata i kryenin në bashkëpunim me 10 punonjës të tjerë të bankës, arkëtarët, supervizorin si dhe ata të shërbimit ndaj klientit, 9 prej të cilëve të ndaluar nga policia, disa me masë arresti në shtëpi e disa me pezullim nga detyra. Një tjetër, punonjëse shërbimi, u shpall në kërkim.
Skema e vjedhjes funksiononte në mënyrë të organizuar, ku secili kishte rol të përcaktuar sipas detyrës. Arkëtarët dhe punonjësit e shërbimit, duke shfrytëzuar aksesin mbi fondet e klientëve, kryenin ndërhyrje dhe manipulime në sistem. Të gjitha veprimet, verifikoheshin dhe autorizoheshin nga nivelet drejtuese, Gilbert Hoxha dhe Albin Keta, një mekanizëm që mundësonte realizimin e skemës së përfitimit.
Të gjithë akuzohen për 3 vepra penale, vjedhje duke shpërdoruar detyrën, falsifikim të dokumenteve e falsifikim kompjuterik
Njoftimi i plote i prokurorise
Me kërkesë të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u dhanë 12 masa sigurimi, ‘Arrest në burg’, ‘Arrest në shtëpi’ si dhe ‘Pezullimi i shërbimit të një detyre a shërbimit publik’ ndaj 12 shtetasve të akuzuar për veprat penale ‘Vjedhja duke shpërdoruar detyrën’, ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Falsifikimi kompjuterik’ parashikuar nga nenet 135/25, 186/3 dhe 186/a/2 të Kodit Penal.
Hetimet mbi procedimin penal nr.7108 të vitit 2025, nisën pas denoncimit të shtetasit I.O., se nga tre llogaritë e tij në UBA Bank janë tërhequr shuma me një vlerë prej 500.000 lekësh nga persona të pa autorizuar. Ndërkohë që një tjetër kallëzim u krye nga vetë banka, e cila denoncoi rastin për tërheqjen e shumave pa autorizim ndaj klientes A.K në të njëjtën degë.
Nga hetimet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u evidentua se nga klientët e bankës, janë kryer 30 tërheqje pa mandat si dhe janë hapur e mbyllur pa autorizim disa depozita me afat në euro dhe dollarë.
Në rastin konkret nga hetimet rezultoi se ndaj personave në hetim, shtetasit E.Q., I.D., E.K., B.M., A.K., G.H., G.B., D.D., O.K., R.S. B.N. dhe Zh.B. ekziston dyshim i arsyeshëm se janë autorë të mundshëm të veprave penale penale ‘Vjedhja duke shpërdoruar detyrën’, ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Falsifikimi kompjuterik’ parashikuar nga nenet 135/25, 186/3 dhe 186/a/2 të Kodit Penal.
Shtetasit A.K. dhe G.H., zv.drejtor dhe drejtor i degës, ndaj të cilëve u kërkua masa e siguisë ‘Arrest në burg’, rezultoi se kanë kryer në mënyrë të përsëritur veprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre funksionale. Duke shpërdoruar detyrën dhe aksesin në sistemin bankar, ata kanë përvetësuar shumat monetare të dy kilentëve nëpërmjet përdorimit të mandateve të tërheqjes false, pa mandat, ndëhyrjes së kundërligjshme në sistem nëpërmjet konvertimeve valutore, hapje/mbyllje depozitash si dhe ndryshim të të dhënave pa autorizim. Kjo skemë vjedhjeje e koordinuar krijon dyshim të arsyeshëm mbi konsumimin e veprës penale për të cilën janë në hetim. Këto veprime ata i kryen në bashkëpunim me punonjësit e tjerë të bankës, në cilësinë e arkëtarit, supervizorit si dhe të shërbimit ndaj klientit.
Masa e sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ u vendos për shtetasit G.B., D.D., O.K., R.S., B.N., dhe Zh.B., për kryerjen në mënyrë të përsëritur për veprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Duke shpërdoruar detyrën dhe aksesin funksional në sistemin bankar, ata përvetësuan shuma monetare të dy klientëve nëpërmjet përdorimit të mandateve të tërheqjes false apo ndërhyrjes në sistem pa autorizimin e tij.
Kjo skemë përfitimi e realizuar nga punonjësit e bankës sipas funksionit, funksiononte sipas mekanizmit: arkëtar/shërbim klienti nëpërmjet aksesit eskluziv mbi fondet e klientit kryhen ndërhyrje dhe manipuluan sistemin bankar, veprime të cilat verifikohen dhe autorizohen nga niveli drejtues në hierarki, përgjegjës operacional dhe drejtor dege, të cilët kanë detyrimin për verifimin, kontrollin dhe autorizimin final për kryerjen e transaksionit bankar.
Në lidhje me shtetasit e tjerë në hetim, E.Q., I.D., E.K. dhe B.M., u kërkua dhe pranua masa e sigurimit personal ‘Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ për veprën penale ‘Falsifikimi kompjuterik’. Nga hetimi rezultoi se këta shtetas kanë kryer veprime dhe transaksione bankare në kushtet kur mungonte kontrata në një ose disa raste duke krijuar premisat për ushtrimin e veprimtarisë së jashtëligjshme të subjekteve të tjerë të sipërcituar të cilët duke shpërdoruar detyrën kanë vjedhur pasurinë
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente












Zot na ruaj si ka mundesi ?
PërgjigjuHajde fut pare ne bankat shqiptare.Ti vjedh banka vete.Kadastra te vjedh kollaj fare shtepine,banka paret,gjykatat te marrin lirine,kjo eshte Shqiperia europiane.
Përgjigju