TIRANE- Gjykata e Tiranës ka dënuar me 20 vite burg Elton Bajraktarin, njeriun që në muajin qershor 2013 ekzekutoi me thikë studentin Arbër Mitro. Vendimi është shpallur ditën e djeshme nga gjyqtari Petrit Çomo, i cili vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë së kryeqytetit për deklarimin fajtor të Bajraktarit dhë dënimin e tij me 20 vite burg. Gjithçka ka nisur para pallatit të autorit të krimit, në rrugën “Don Bosko”, ku viktima punonte në një dyqan lojërash elektronike. Sipas hetimeve, më 30 qershor, rreth orës 16:10 minuta, Arbër Mitro ka qenë duke luajtur futboll me të afërmit e tij.

Gjatë kohës kur i ndjeri luante jashtë më shokët e tij, fliste me fjalë banale, të cilat janë dëgjuar nga Elton Bajraktari. Autori i krimit, pasi ka dëgjuar fjalët e Arbër Mitros, i është drejtuar duke i thënë: “Mos fol me fjalë të pista se ne këtu banojmë”. Viktima ka reaguar negativisht, duke qenë mospërfillës ndaj kërkesës së Elton Bajraktarit, me të cilin ishte përleshur fizikisht edhe disa ditë më parë. Në sajë të akumulimit të inatit edhe nga ditët e mëparshme, kur Elton Bajraktari ishte rrahur prej tij, i ka kërkuar shpjegime.

Biseda ka degjeneruar në tone të larta, si dhe kanë filluar të shtyhen me duar me njëri-tjetrin. Elton Bakjraktari mbante në dorë një thikë dhe ka tentuar të qëllojë Arbër Mitron. Viktima ka tentuar që të largohet, por Bajraktari i është drejtuar me shpejtësi me thikë në dorë, duke e goditur një herë në gjoks, si dhe me grushte me dorën tjetër. I ndjeri ka nisur të largohet, duke ecur në një distancë rreth 15 metra, por është rrëzuar në gjunjë prej plagës së marrë në trup.

arber mitro
(Në foto: Viktima Arbër Mitro dhe vendi ku ndodhi ngjarja pranë rrugës "Don Bosko" në 30 Qershor 2013)

Shkrimi u publikua sot (2.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)