'E-learning' në Shqipëri/ Rama: Do ndryshojë mjekësinë shqiptare, investim shumë i madh

Ditën e sotme është prezantuar platforma “E-learning”, e cila pritet që të aplikohet në sistemin e shëndetësisë. Kjo platformë do të bëjë të mundur rritjen profesionale të mjekëve shqiptar dhe dixhitalizimin e sistemit të mjekësisë në vendin tonë.

Në këtë takim kanë qënë të pranishëm ka qënë ish-kryeministri i Italisë, Massimo D'Alema, ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, Kryeministri i vendit, Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu si dhe përfaqësuesë të kompanisë Consulcesi dhe të mjekësisë shqiptare.

Në fjalën e tij në këtë takim, krymeinistri Rama ka thënë se ardhja e kësaj kompanie në Tiranë është e një rëndësie të veçantë pasi do të bëjë transformimin e mjekësisë shqiptare.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e platformës e-learning në mjekësi:  

Së pari, dua të kujtoj se është tamam 20 vjet më parë kur Kryeministri i Italisë, miku i shtrenjtë i këtij vendi Masimo D’Alema erdhi në Shqipëri për t’u ndalur në Kukës dhe për të shprehur në emër të vendit të tij solidaritetin me dhjetëra-mijëra shqiptarë të Kosovës që kalonin çdo ditë kufirin në një moment tragjik për Kosovën dhe në një moment historik për fatet e kombit shqiptar. Ky i sotmi nuk është një moment tragjik, por është një moment historik në zhvillimin e mëtejshëm të shëndetësisë shqiptare dhe Kryeministri i Italisë rikthehet përsëri në vendin tonë për të mbështetur promovimin e një produkti që pa dashur ta ekzagjeroj është një produkt ekselence që vjen nga Italia njësoj si eksportet e Ferrarit apo të Ferreros dhe që iu vihet në dispozicion të gjithë profesionistëve të fushës së shëndetësisë.

Një kompani ekselence me qendra në Romë, në Londër, në Lugano, në Majami dhe në Tiranë që është kthyer në një prej pikave të referimit global në fushën e e-learning të edukimit digjital dhe një prej markave më të spikatura sot të inovacionit, jo vetëm në Itali, por në mbarë botën, i ofron sistemit tonë shëndetësor një platformë, që, faktikisht, siç e tha edhe kryeministri D’Alema sapo ka nisur të shtrihet përtej kufijve të Italisë dhe që me shumë gjasë do të jetë më herët se vonë një platformë e kudondodhur edhe në vende shumë më të zhvilluara se i yni që ende nuk e kanë, sepse koha e teknologjisë së re e zhbën kufirin mes vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, si rezultat i kurajës, por edhe i fatit për të qenë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për të adoptuar një sistem të kësaj natyre.

Unë dua ta falënderoj Kryeministrin D’Alema, sepse, së pari ka qenë një reformë e rëndësishme e kryer në kohën e qeverisë së tij për shëndetësinë kur është futur ajo çka u bë pastaj shembull për ne, edukimi në vazhdim i detyruar, jo opsional dhe siç e tha ministrja, tanimë ka të njëjtin status sot sipas ligjit në fuqi dhe jo vetëm na shërbeu si pikë referimi ajo reformë, por falë miqësisë dhe nxitjes së tij ne mund të kemi sot këtu në shërbimin e shëndetësisë shqiptare një partner me një integritet profesional të padiskutueshëm si “Consulcesi”.

Kur prezantoi ministren e shëndetësisë moderatorja e pyeti lidhur me masat qw mund të merren, apo do të merren për ata që nuk i nënshtrohen edukimit në vazhdim. Ka një gjë që nuk e tha askush dhe po e them unë, se është pjesa që më ka pëlqyer më shumë nga kjo platformë, që askush nuk i ikën dot kësaj platforme, sepse nuk është një platformë tradicionale e edukimit në distancë, por është një platformë Blockchain, që do të thotë, që, me këtë platformë merr fund edhe sporti kombëtar i hileve në fushën e shëndetësisë, se në të gjitha fushat ne e kemi një sport goxha të zhvilluar për të prezantuar letra dhe certifikata sikur i kemi kryer detyrimet lidhur me edukimin në vazhdim për një arsye shumë të thjeshtë, sepse me këtë platformë askush nuk mund t’i shmanget dot edukimit në vazhdim dhe gjithkush që i shmanget nuk merr dot kreditet.

Blockchain është një hub në zhvillim sot i një transformimi të thellë të të gjithë sistemit të botës së teknologjisë digjitale, pasi përbën një kapërcim në një platformë në një nivel të ri sigurie dhe gjurmueshmërie të papenetrueshëm, të patransformueshëm dhe të pamanipulueshëm. Është sistem i provuar tanimë botërisht dhe ajo çka mbetet për të parë është se si do të transformojë botën digjitale, duke u shtrirë në të gjithë aspektet e jetës dhe të administrimit të sektorëve, të sipërmarrjeve të gjithë sistemit të ndërveprimeve njerëzore.

Më vjen shumë mirë të them sot që ne jemi duke përgatitur dhe një ligj që së shpejti do të hyjë në procedurën parlamentare për teknologjinë Blockchain pasi ambicia jonë, e tha edhe Kryeministri, është që të përfitojmë nga mundësitë e njëjta që inovacioni i jep vendeve, pavarësisht shkallës së zhvillimit të tyre dhe si një vend në zhvillim të mundohemi që të jemi në avangardë të cilitdo aspekt të inovacionit, pikërisht duke pasur kurajon dhe shpejtësinë që burokracitë dhe proceset më të ndërlikuara të vendeve të zhvilluara bëjnë që të mos kenë të njëjtën shpejtësi. Kështu që, kalimi nga shëndetësia elektronike te shëndetësia digjitale është një proces i gjatë, nuk diskutohet, por me këtë hap, çelet ky shteg.

Ajo çka besoj është shumë e rëndësishme është dhe aspekti tjetër. Nuk bëhet fjalë vetëm për një sistem të papenetrueshëm, të patjetërsueshëm dhe të pamanipulueshëm, ku çdo profesionist i shëndetësisë nuk ka shans që t’ia hedhë me hile, por bëhet fjalë edhe për një sistem të një cilësie shumë të lartë të edukimit në distancë. Është një sistem që do të lehtësojë jashtëzakonisht procesin e edukimit në vazhdim të të gjithë profesionistëve të shëndetësisë. Është një sistem që do të informojë në kohë reale për gjithçka ndodh në fushën e aktivitetit të profesionistëve të shëndetësisë, sipas, sigurisht, edhe të gjithë profileve. Është një sistem që na jep mundësinë që realisht t’iu themi shqiptarëve, t’iu themi atyre që i drejtohen sistemit, se, më herët se vonë, profesionistët tanë të shëndetësisë do të jenë në një nivel tjetër për nga shkalla e njohurive dhe për nga aktualizimi i njohurive.

Nuk dua të zgjatem më shumë, por dua të theksoj edhe një element tjetër, deri më sot janë rreth 2100 profesionistë të shëndetësisë që kanë marrë pjesë në aktivitetet e edukimit në distancë të akredituara nga qendra kombëtare e edukimit në vazhdim, ose jashtë vendit dhe është një numër i papranueshëm, sepse në raport me numrin total të profesionistëve të shëndetësisë është jo vetëm relativisht i vogël, por, po të kesh parasysh dhe hilet është akoma më i vogël. Kështu që, kjo formë e re ndërveprimi që do t’i krijojë qendrës kombëtare të edukimit në vazhdim mundësinë e një aktiviteti shumë më të gjerë, por dhe shumë më cilësor do të bëjë të mundur që numri faktikisht të barazohet me numrin e atyre që janë aktivë në këtë sistem.

Nuk do të lejojmë më vazhdimin e aktivitetit të mjekëve që nuk kalojnë nga edukimi i detyruar në vazhdim që është i sanksionuar në ligj. Koha e krediteve të marra me vërtetime fallso apo me lloj-lloj artikujsh edhe kontributesh pa lidhje mbaron me këtë sistem. Ky sistem iu jep mundësinë të gjithëve që realisht të shkojnë në një nivel tjetër, pasi ka dhe një komoditet absolut, është i aksesueshëm nga një laptop kudo ku ndodhesh mjafton të kesh qasje në internet.

Është hapi i parë. Ne dëshirojmë që me “Consulcesi”-n të hedhim hapa të tjerë dhe jam i bindur katërcipërisht që shumë shpejt ne të mund të bëjmë dhe një bilanc të parë të rezultatit të të gjithë kësaj ndërhyrjeje historike në sistemin tonë të shëndetësisë.

Po e mbyll duke thënë që, ka një shprehje, “miku duket në ditë të vështira” dhe Kryeministri D’Alema është nga ata miq që në ditë të vështira kanë qenë prezentë. Por, unë besoj që miku nuk duket vetëm në ditë të vështira, po duket dhe aty kur ke nevojë që dita të bëhet më e mirë, pa qenë domosdoshmërisht e vështirë. Kështu që, sot jemi këtu për një ditë të mirë, 20 vjet pas një dite tejet të vështirë dhe realisht pavarësisht se jemi shumë të vetëdijshëm ne vetë që sa shumë ka për të bërë akoma në krahasim me sa është bërë, një gjë është e sigurtë, sot shëndetësia që kemi nuk ka asnjë krahasim me atë që kishim 5-6 vite më parë në aspektin e mënyrës së strukturimit të organizimit dhe funksionimit, por shëndetësia që duam nuk ka asnjë lidhje me këtë që kemi dhe pikërisht për të lidhur të sotmen me të ardhmen jemi këtu realisht në një moment që do ta kujtojmë gjatë pasi është një moment ku transformimi hyn në një fazë të re duke rritur cilësinë e burimeve njerëzore. Mund të bëjmë spitale të reja, mund të sjellim aparatura të reja, mund të krijojmë një infrastrukturë të re në çdo aspekt ashtu, sikundër mund të bëjmë shkolla të reja, mund të bëjmë investime për laboratorë, por në fund të ditës diferencën e bën cilësia e kapitalit njerëzor dhe ky është investimi më i rëndësishëm që Shqipëria ka bërë deri më sot për të rritur cilësinë e kapitalit njerëzor dhe është jo pak që këtë investim e bëjmë në sektorin më të lidhur me jetën dhe me shëndetin e njerëzve tanë."

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

SHBA sanksionojnë individë dhe kompani që mbështesin Milorad Dodikun

SHBA sanksionojnë individë dhe kompani që mbështesin Milorad Dodikun