TIRANE-Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka refuzuar kërkesën e Emiljano Shullazit dhe grupit të tij për liri. Pas lirimit të disa të dënuarve për vrasje, të fundit të bandës së Durrësit, nuk hezitoi që një tentativë të tillë ta bëjë edhe Emiljano Shullazi. Ai depozitoi një kërkesë për ndryshim të masës së sigurisë, teksa ndodhet në burg.

Shullazi me grupin kërkonin zëvendësimin e masës me argumentin se prokuroria e posaçme nuk ka dalë me vendim për riaktivizimin e masës së sigurisë dhe sipas tyre qëndrimi në burg po mbahet nga një institucion i ri, me një vendim të një institucioni të vjetër sikur ishte gjykata e krimeve te renda. Por kërkesa e grupit të Shullazit u rrëzua nga trupa gjykuese e përbërë nga Albana Boksi, Artur Kalaja dhe Etleva Temo, raporton gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra.

Gjithashtu, KLGJ ka sjell në Gjykatën e Posaçme të Apelit shkresën ku kërkon që për të gjitha çështjet me kërkesa të veçanta do të gjykohen nga e njëjta trupë gjykuese që është aktualisht dhe rrëzoi sot kërkesën e grupit të Shullazit. 

Prej më shumë se një viti procesi ka ngecur në Apel, ku Shullazi dhe grupi i tij apeluan vendimin e shkallës së parë. Emiljano Shullazi u dënua nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda me 14 vite burg, ndërsa grupi në total me 55 me për krijim të grupit të strukturat kriminal, gjobvënie dhe kanosje për shkak të detyrës. Tashmë dosja ndodhet në Gjykatën e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.