Më 28 mars të vitit 1945 u themelua shkolla e parë ushtarake në Shqipëri, që do të mbante emrin “Skënderbej”, një institucion që për vite me radhë do të formonte breza të tërë oficerësh.
Këtë moment historik e ka rikthyer në vëmendje Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, duke ndarë detaje dhe dokumente mbi fillesat e kësaj shkolle.

Në garnizonin e vjetër ushtarak në Laprakë u përzgjodhën për herë të parë rreth 200 të rinj, të moshës 14–16 vjeç, mes tyre edhe 7 vajza, duke krijuar atë që fillimisht u quajt “Shkolla e pionierëve të luftës”. Në inaugurim mori pjesë edhe gjenerali Spiro Moisiu.
Sipas Arkivave, shkolla u mendua që në fillim si qendra kryesore për përgatitjen e kuadrove të ushtrisë, duke ndërthurur formimin arsimor me edukimin patriotik.
Por ideja fillestare për një shkollë të tillë ishte hedhur më herët nga rilindësi Sami Frashëri, i cili në veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” botuar me 1889 ne Bukuresht, shkruante për nevojën e një shkolle ushtarake në kryeqytet, që do të mbante emrin “Skënderbej”.
“Në kryeqytet të Shqipërisë, të cilën mundimë ta quajmë Skënderbegas… Përveç shkollave të dyta e të treta do të jetë një shkollë ushtërije me këtë emër, më pastaj duhet të hapenë: një në Shqipërinë e Sipërme, e një në të Poshtërmet”, shkruante ai në lidhje me shkollën ushtarake. ,
Institucioni fillimisht u emërtua “Shkolla e pionierëve ushtarakë”, ndërsa në vitin 1947 mori emrin “Shkolla e mesme e përgjithshme ushtarake Skënderbej”. Ajo ishte në varësi të dyfishtë, si nga Ministria e Arsimit, ashtu edhe nga Ministria e Mbrojtjes.
Në vitet e para pranoheshin nxënës nga 10 deri në 18 vjeç, ndërsa më pas kufiri u vendos në 14 vjeç. Me kalimin e viteve, shkolla u konsolidua si institucioni kryesor për përgatitjen e të rinjve për karrierë ushtarake.
Emri “Skënderbej” kishte një domethënie të fortë simbolike, si lidhje mes historisë kombëtare dhe brezave të rinj.

Nxënësit e parë që vijuan studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve u diplomuan në vitin 1949, ndërsa maturantët e parë dolën në vitin 1953.
Gjatë afro 50 viteve funksionim, nga kjo shkollë dolën rreth 32 mijë nxënës, të cilët u shpërndanë në degë të ndryshme të ushtrisë, nga këmbësoria te aviacioni dhe marina.
Shkolla u mbyll në vitin 1992, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në historinë ushtarake dhe arsimore të vendit.
Komente











