Eneda Tarifa: Arias i duhet një vëlla!

Eneda Tarifa: Arias i duhet një vëlla!
“Arias i duhet një vëlla” ishte fjalia që mbylli intervistën e gjatë me Eneda Tarifën dhe ne menduam pikërisht që e para të ishte pikërisht ajo. Aria, e cila ende pa ardhur në këtë botë ishte e famshme falë mamit të saj. Tani që po rritet duket se i ka hyrë në “hak” edhe Enedës. Siç thotë prezantuesja dhe këngëtarja e njohur, të gjithë tashmë i kanë sytë tek ajo. “Nuk më takon më njeri mua, por të gjithë janë; “Aria si është”, uaa Aria, si je Aria”, (qesh). Në këtë sens unë kam kaluar në vend të dytë”,- pohon Eneda duke qeshur, të cilën e gjetëm duke bërë provat në Rockstok. Pas pushimeve familjare me Erjonin dhe vajzën, tetori do të jetë fillimi i një sezoni të ngjeshur me “Portokallinë” dhe fundjavat live në “Rockstok”.  Si do të vijë Eneda në Portokalli dhe shumë detaje të tjera pikante, ajo i rrëfen në këtë intervistë të çiltër e shpesh me nota humori, sidmos kur ndalemi tek Aria, e cila Enedës dhe Erjonit ua ka bërë jetën më të bukur dhe më të paqtë!

Eneda, dimë që pak kohë pasi u bëre nënë u riktheve me turin veror të Portokallisë. Si ishte të ktheheshe në punë menjëherë të themi?
Ishte viti i dytë që turi i Portokallisë bëhej në qytetet shqiptare. Kemi shkuar në gati 10 qytete dhe Arian e kam pasur me vete gjatë gjithë kohës. Besoj se është bebja e vetme që ka parë kaq shumë qytete në një kohë kaq të shkurtër. Ka qenë shumë e lodhshme, por edhe aq e bukur. Nga gjendja e të qenit nënë shkëputesha direkt për të qenë artiste në skenë dhe e anasjellta. Ky ritual për mua u bë një fiskulturë shumë e këndshme.
Një nënë që duhet të dalë para spektatorit dhe ndërkohë bebja e saj e vogël e pret në “prapaskenë”…
Ajo më priste bashkë me një nga të afërmit e mi diku, në dhomë apo ndonjëherë edhe në kafene…



Të vinte keq kur të duhej ta lije vetëm?
Herët e para ishin të vështira, kurse më vonë sikur u mësova dhe vetë me këtë ritëm. Madje edhe vetë Aria dukej sikur e kuptonte “që tani mami do shkojë në punë”.  Sinqerisht, kjo dhe ndoshta vjen nga e folura ime. Unë i kam folur asaj që në bark si p.sh “sot kemi një detyrë shumë të rëndësishme, do shkojmë tek mjeku”, ndaj  më duket sikur ajo më kupton dhe është e qetë sa herë më duhet të shkëputem për të punuar.
Përveçse ishe shumë  aktive gjatë kohës së shtatzënisë dhe kur Aria erdhi në jetë, po shikojmë që je shumë në formë. Është meritë e Arias apo je kujdesur?
Në fakt dietë kam filluar të mbajë këto javët e fundit, sepse 3 muajt e parë nuk arrita dot të mbaja fare dietë. Mendoja më shumë  për të ushqyer Arian sesa të shihja si dukesha unë. Veç kësaj nuk kisha problem të madh të hiqja kilet, pasi nuk mora shumë gjatë shtatzënisë. Kështu që kisha fare pak punë dhe më ngelet pak për të bërë deri në fillim të  sezonit të ri të Portokallisë.

Duket sikur Aria të ka dhënë më tepër energji, më tepër dëshirë për të bërë gjëra ( kujtojmë këtu edhe sharmin dhe sportivitetin  që kishe gjatë kohës së shtatzënisë)
Po është e vërtetë kjo gjë, sepse të duket sikur ke lënë pas shumë gjëra. Ke një ngut për të kapur çfarë të ka shpëtuar deri tani.

Si ka ndikuar Aria në raportin mes teje dhe Erjonit?
Na i ka bërë jetën më të bukur. Kemi një motiv më shumë për të folur. Jemi zbutur shumë, zënkat tona janë të rralla tani që jemi bërë prindër. Kemi një dhembshuri të veçantë, që besoj i vjen çdokujt që bëhet prind. Të jep një lloj qetësie dhe sigurie prania e një fëmije.
Kush i rri më shumë mbi kokë Arias, kush nxiton më shumë për tek ajo ( tani p.sh pas provave në Rockstok)?
Të dy, nuk e bëj dot këtë diferencë. Ajo është  ende shumë e vogël dhe kur afrohemi kërkon mua pasi do të ushqehet me qumësht  dhe në këtë pikë ndihem e shfrytëzuar nga Aria(qesh). Deri tani ndihesha unë në qendër të vëmendjes, ndërsa tani është një njeri tjetër që e vë unë në qendër të vëmendjes deh i vij rrotull. Tani është Ajo. Nuk ka tjetër!

Si është Erjoni si baba?
Ai tani ka filluar të komunikojë me të dhe lidhja e tij me Arian sa më shumë muaj kalojnë aq më e fortë bëhet. Në pushime madje kujdesej më shumë për mua, në sensin që e merrte Arian sa herë unë doja të bëja plazh, apo doja të qetësohesha.



Je posesive ndaj saj?
Jo. Nuk jam. Ajo tashmë nuk është vetëm e imja. Është e të gjithëve, sepse kur dalë rrugës fatmirësisht dhe fatkeqësisht e njohin të gjithë. Nuk më takon më njeri mua, por të gjithë janë; “Aria si është”, U Aria, si je Aria”) ( qesh). Në këtë sens unë kam kaluar në vend të dytë.
Çifteve të reja kur u sugjeron të kenë një fëmijë ( ti dhe Erjoni pas një historie të gjatë, shumë të gjatë vendosët të bëheni prindër) ?
Këtë e vendos vetëm nëna mendoj unë. Nëse femra është gati, ka përmbushur ëndërrat dhe ndihet e sigurt me partnerin që ka pranë.. Edhe pse të sigurtë nuk jemi asnjëherë, por mendërisht dhe fizikisht duhet të jesh e përgatitur që ardhja në jetë e një fëmije është proces i yti  personal, pastaj i mashkullit që ke në krah. Unë e kam marrë si të tillë. 

Mëmësia thonë që e transformon femrën, si?
Unë kam qenë më shumë si tip djali më thonë, të paktën mikeshat e mia. Në kuptimin më luftarake, më e egër në të veprime, pak më e nxituar. Ndërkohë që Aria më ka dhënë një lloj qetësie që nga koha e shtatzënisë. Tani edhe  në fytyrë tregoj që jam pak më e zbutur, më e qetë… të paktën kështu thonë të tjerët (qesh). Ke një përgjegjësi të madhe që është shumë instiktive, brenda teje që është fëmija.

Me pak fjalë Aria është e para?
Po. Padyshim. Pastaj vijnë gjithë të tjerat. 

Pushimet me Arian si shkuan?
Unë nuk bëra shumë plazh, nuk erdha as  e nxirë nga plazhi, por fakti që ishim të tre bashkë dhe me njerëzit më të afër, na i bëri çdo gjë më të bukur, më të këndshme.

Sa kohë të lë ajo të kujdesesh për veten?
Nuk më lë kohë por ndihem mirë.  Nuk ka rëndësi, sa vishesh, si vishesh apo sa lyhesh, rëndësi ka si ndihesh brenda vetes. Nëse ndihesh bukur përbrenda dhe unë kështu ndihem, e rrezaton edhe në pamjen e jashtme. Sigurisht që do vij momenti, kur të nisë sezoni  që nuk do t’I lë mbrapa.  P.sh nesër kam vendosur të bëj flokët, më në fund pas kaq kohësh (qesh).
Në këto 4 muaj të parë si e ndjen veten më shumë nënë moderne apo tradicionale?
Nuk di ta them, por Arias nuk i them “eja tek mami”, por “shoqe çfarë bëre sot apo shoqe erdhi mami”… D.m.th dua  që me të të kem një raport shoqëror që në vegjëli. Nuk e di sa moderne do jem kur bëhet fjalë për ndonjë gjë që mund të cënojë vajzën time, këtë nuk di ta them.  Di të them këtë; që do ti jap lirinë e duhur që të vendosë vetë për gjërat duke ia paraprirë rreziqet.



Je autoritare si tip?
Po jam.   Por se di si do jem përballë Arias kur të rritet. Kam përshtypjen që gjithë njerëzit që kanë autoritet, përballë fëmijëve sikur dorëzohen çik ( qesh).
Ndërkohë si do të vish ti në sezonin e ri të Portokallisë?
Do të vijë si një figurë më e plotësuar dhe besoj do të jem më afër tyre në formatin që vetë ky shou ka. Do të kem 2-3 gjëra të reja, me një projekt muzikor të ri në Portokalli, i parë ndryshe që do të behet mes meje dhe Florian Binaj.
Provat tek Rockstok kanë nisur…
Banda është mbledhur sërish, janë shtuar këngëtarët që bëjnë zërat e dytë… Puna është bërë më e thjeshtë dhe më e bukur.
Një sekret Eneda’ kur ishe shtatzënë Arian e kishe me vete si në Portokalli edhe në Rockstok, tani si do ia bësh?
Tani më janë shtuar vendet ku duhet të shkojë. Aria do rrijë me gjyshërit e vet, me njerëzit më të dashur..

Prindërit e tu apo të Erjonit?
Të Erjonit, por edhe të mitë, po të jetë nevoja. Janë të gjithë shumë të gatshëm për të mbajtur një fëmijë të urtë si ajo. Jam e bekuar. Me Arian më ka bekuar Zoti!
Ka dëgjuar shumë muzikë  dhe është shumë e qetë…
Është një fëmijë i qetë që me mimikën e saj më tregon që i kupton gjërat edhe pse është shumë e vogël. Nuk dua të bëj si çdo nënë që fëmija i vet i duket më i mirë në botë, pasi ajo është ende e vogël, duke u rritur…

Do të kishe dashur të kishe më shumë kohë, për t’iu përkushtuar vajzës?
Mendoj se koha nuk mjafton asnjëherë dhe po të mendosh kështu harron edhe veten.  Nuk vendosa të bëhem nënë sepse mbylla jetën, por që të kem një shoqe me vete, të kem  familjen time. E, kjo sigurisht duke pasur edhe impenjime të tjera. Energjia dhe dëshira të japin forcë që të kesh edhe familjen edhe punën jashtë saj; nuk e shoh njërën të shkëputur nga tjetra, por si dy gjëra të rëndësishme që plotësojnë njëra-tjetrën dhe e bëjnë jetën e një njeriu më të plotë.

Një fëmijë të dytë kur e sheh në jetën tënde?
Pas dy -tre vitesh. Dua që  deri në 35 vjeçe ta kem mbyllur  këtë muhabetin e fëmijëve (qesh). Duhet një çun. Arias i duhet një vëlla.



(Në foto: Eneida Tarifa dhe vajza e saj Aria)

Shkrimi u publikua sot (21.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print) në suplementin Thash&them

Redaksia Online
(a.ç/xh.k/shqiptarja.com)

12/4
  • Sondazhi i ditës:
    11 Nëntor, 07:59

    A besoni se situata e pensionistëve do të ndryshojë?



×

Lajmi i fundit

Çështja e nxehtë e imigrimit/ Donald Trump rikthen Tom Homan si drejtor për kontrollin e kufijve! Priten dëbime masive të imigrantëve pa dokumente

Çështja e nxehtë e imigrimit/ Donald Trump rikthen Tom Homan si drejtor për kontrollin e kufijve! Priten dëbime masive të imigrantëve pa dokumente