Enver Plepi, i mbijetuari i Mat’hauzenit në ditët e kujtesës

Enver Plepi, i mbijetuari i Mat’hauzenit në ditët e kujtesës

Enver Plepi

“Fatet e të mbijetuarve shqiptarë në Mat’hauzen - Kujtesa” titullohet ekspozita e hapur këto ditë në mjediset e Muzeut Arkeologjik të Durrësit.

Kjo ekspozitë dhe veprimtaritë e tjera të organizuara më ketë rast synojnë të rikujtojnë njerëzit që humbën jetën në ferrin nazist.

Enver Plepi ishte një nga bashkëqytetarët tanë, i cili mundi të kthehej gjallë nga ferri i kampit të përqëndrimit.

Enver Plepi nuk jeton prej disa vitesh.

Në vitin 2009 kam zhvilluar këtë bisedë me të moshuarin nga Durrësi, i cili kujtonte me hollësi ditën kur së bashku me dhjetra bashkëqytetarë të tjerë i ndaluan në hyrje të Durrësit, për ti dërguar më pas për 19 muaj me radhë nga kampi i Bitolas (Maqedoni) në famëkeqin e Mat’hauzenit.

Enver Plepi ishte vetëm 16 vjec, kur 79 vjet më parë e ndaluan së bashku me 600 shqiptarë të tjerë në Shkozet.

Po vinte nga Kavaja në Durrës për të parë shtëpinë e braktisur, disa javë pas evakuimit të përgjithshëm që u krye ne qytetin bregdetar me urdhër të komandës gjermane.

Intervista e vitit 2009

Muajt e ferrit 20 nëntor 1943 - 9 maj 1945

“Ishte data 20 nëntor 1943 dhe nazistët nga Shkozeti pranë Durrësit fillimisht na çuan në Tiranë – dëshmon Enver Plepi.

Për 19 muaj me radhë do të bënim udhëtimin e gjatë drejt vdekjes. Fillimisht në Bitola (Maqedoni), në Zemun dhe Banic (Serbi), e në Mathauzen mbërritëm më 16 shtator të vitit 1944.

Në secilin prej kampeve nga kalonim dhe qëndronin disa javë apo muaj vdisnin me qindra njerëz, e mes tyre dhjetra shqiptarë. “Mat’hauzeni ishte një botë tjetër-vazhdon Enver Plepi. Emri humbiste dhe ktheheshe në një numër, që komandohej vazhdimisht.

“Numri 100266 që më përkiste mua ishte i detyruar të punonte, së bashku me qindra e mijra të burgosur të tjerë në gurore e në tunele, të ngrinte peshë gurët në 186 shkallët që të ngjisnin në vendndërtimin e një godine – kujton i moshuari. “Kishim humbur çdo shpresë dhe në barakat me shtretër dërrase dykatësh flinim me një batanije dy vetë.

Edhe në majin e vitit 1945 ishte ftohët, atëherë kur mbërritën aleatët – tregon Enver Plepi.

Na gjetën të pangrënë prej gati tre javësh dhe me siguri në se do të kishin mbërritur disa javë më vonë nuk do të na gjenin të gjallë”- vazhdon “njeriu që pa vdekjen me sy”. “Më 5 maj të vitit 1945 mes nesh filloi të flitej se dicka e madhe kishte ndodhur, por askush nuk e besonte.

Kishte gati 20 ditë që na jepnin për të ngrënë vetëm një herë në çdo dy ditë dhe krejtësisht të sfilitur nuk e dinim se cfare ndodhte jashtë Guzen-it, një prej 46 minikampeve nga të cilat formohej Mathauzeni-tregon ai.

23 të mbijetuarit shqiptarë

“Të drobitur dhe të veshur si mos më keq filluam të dalim nga barakat dhe iu drejtuam pjesës qendrore, atje ku po shkonin edhe qindra mijra të tjerë. Një tank dhe tre ushtarakë amerikanë prisnin dhe kur sheshi u mbush plot, njëri prej tyre u ngjit mbi një xhip dhe thirri: Ju jeni të lirë! Nazist kaput! “Bashkë me 22 shqiptarë të tjerë, kisha mbijetuar nga ferri i kampit më të tmerrshëm të botës – tregon Enver Plepi

417 bashkëatdhetarë të tjerë ishin zhdukur në dhomat e gazit ose kishin vdekur nga torturat dhe puna e rëndë”. 82-vjecari nga Durrësi pushon herë pas here dhe më pas u rikthehet kujtimeve: “Çdo gjë në Mathauzen ishte e tmerrshme dhe popujt nuk duhet ta injorojnë historinë e tij vetëm për një qëllim:

Mathauzeni nuk duhet lejuar që të përsëritet kurrë! Enver Plepi e kujton me emocion ditën e lirisë.

“Në sheshin e Mathauzenit fjalët “Jeni të lirë!” ngjallën bashkë me kurajon dhe urrejtjen për ata që na shkaktuan, edhe britmën e ngazëllimit-thotë ai. Më pas duke treguar fundin e kalvarit vazhdon: “Deri në gusht të vitit 1945 për rihabilitimin tonë fizik dhe mendor u kujdesën jo vetëm forcat aleate, por edhe banorët austriakë pranë Guzenit.

Në çadrat që u ngritën me shpejtësi mbërrinin ndihma në ushqime dhe në veshmbathje. Po shijonim lirinë! “Ndërkaq në Durrës nuk dinin asgjë për fatin tim. Komunikimet ishin ndërprerë për të gjithë që në ditën që na larguan nga Shqipëria.

Nga 440 shqiptarë që kishin mbërritur me trenat e vdekjes në Mathauzen, po ktheheshim gjallë vetëm 23. Shumica ishin nga Tirana dhe Durrësi-kujton Enveri.

Udhëtimi i kthimit në shtëpi ndiqte të njejtën vijë që një vit e gjysëm më parë na kishte dërguar në tmerrin e Mathauzenit. Por tashmë ishte ndryshe.

Në shtëpi nuk më njohën; isha dobësuar dhe për disa muaj të tjerë përsëri u kujdesën për riaftësimin tonë-rrëfen veterani i moshuar. Enver Plepi është një nga të paktët shqiptarë që vazhdojnë të jetojnë 68 vjet pas fitores mbi nazifashizmin.

Shumë kohë më parë, ai është rikthyer edhe një herë në kampin famëkeq.

“Në vitin 1980 kam parë dhomat e gazit, jam afruar edhe në shtratin prej dërrase ku zgjohesha për 8 muaj rresht! E më pas i kthehet përsëri tmerreve të luftës: “Brezat e sotëm nuk duhen rritur me ndjenjën e urrejtjes dhe të dhunës. Por rreziku i rikthimit nuk duhet harruar. Mathauzeni nuk duhet të lejohet më kurrë!

J.GJ./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Shqipëria prodhoi 2 milionë e 400 mijë tonë naftë në vitin 1974, Çfarë ndodhi më pas...! Sonte në Esencë ora 21:00 në Report Tv

Shqipëria prodhoi 2 milionë e 400 mijë tonë naftë në vitin 1974, Çfarë ndodhi më pas...! Sonte në Esencë ora 21:00 në Report Tv