Plazhi i Durrësit ku koha ka ndalur

Plazhi i Durrësit ku koha ka ndalur

Plazh, Durrës

Një grup të rinjsh anglezë zbresin plot zhurmë nga një kamion dhe zënë vend nën tendën e ngritur, ngjitur me bunkerin në plazhin e fshatit Rrushkull në Durrës. Janë të gjithë nga Essex, rreth 20 vetë, dhe sapo kanë zhvilluar një ndeshje miqësore futbolli në Krujë. Sapo ulen ata falënderojnë shoferin, që i ka marrë në karrocerinë e automjetit.

“Nuk mund ti lija në diell e në pluhur,” dëgjohet përgjigjja mikpritëse nga shoferi, kur dikush ia përkthen vlerësimin e djemve anglezë.

Vija bregdetare e Durrësit gjatë tre dekadave të fundit ka pësuar ndryshime të ndjeshme në përdorimin e saj, por përveç erozionit këto ndryshime nuk duken në Rrushkull, ku pak ka ndryshuar nga fillimi i viteve ’90, kur afro gjysma e bregdetit të Durrësit konsiderohej vijë kufitare me Italinë dhe kalimi në të dënohej.

Me plane të mirëfillta projektimi, apo edhe me ndërtime abuzive, bregdeti i  Durrësit vazhdon të jetë më i frekuentuari në shkallë vendi. Plazhet e Durrësit aktualisht fillojnë në Kepin e Rodonit në veri, dhe përfundojnë në Përroin e Agait, me rreth 62 kilometra gjatësi, ku bashkë me hotelet dhe pallatet, nuk mungojnë ende edhe plazhet e panjohura.

Gjiri i Lalzit, gjysma me hotele turistike, gjysma me plazhe popullore

Vija bregdetare e Gjirit të Lalzit bën pjesë tërësisht në territorin e bashkisë së Durrësit, por e ardhmja e saj është zgjidhur vetëm në pjesën veriore. Brenda 20 viteve të fundit, vilat dhe hotelet e sapondërtuara tërhoqën interesin e biznesmenëve dhe të familjeve të politikanëve shqiptarë.

Vendndodhja e resorteve u quajt gabimisht “Gjiri i Lalzit”, ndërkohë që vija bregdetare e gjirit me të njëjtin emër është shumë herë më e madhe. Vetëm distanca detare nga Kepi i Rodonit deri në Bishtin e Pallës arrin në 11 milje, apo 18 km.

Mati Zefi, një pensionist nga Rrushkulli tha për BIRN se tashmë ndërtimet gjithfarësh, janë përfunduar nga Shën Pjetri në veri deri në hidrovorin e Hamallajt, në jug. Sipas tij, problem i kësaj zone mbetet erozioni bregdetar, i cili i ka detyruar projektuesit të ndërtojnë më shumë se sa 100 metra larg bregut. Rëra e pastër kurative dhe pylli paralel me bregun përbën një nga tërheqjet më të mëdha turistike.

“Po edhe godinat dykatëshe janë ngritur bukur,” shprehet Mati, duke shtuar:

“Nëse në veri kemi disa kilometra ndërtime, këtu në Rrushkull gjithçka ka mbetur njëlloj, përveç bregut, i cili gërryhet çdo vit e më shumë”.

Kupolat e disa bunkerëve që dikur ishin instaluar në tokë, tashmë mezi duken në det, dhjetëra metra larg plazhit.

Lumi Erzen e ka ndryshuar disa herë rrjedhën e tij, dhe sipas Matit, “ndërhyrjet e mjeteve të rënda për marrjen e zhavorreve, ndihmojnë vazhdimisht erozionin detar, si dhe rëndimin e mjedisit me prurjet e mbetjeve plastike”.

“Që këtej duken dhe rrjetat hobse të peshkatarëve, të cilat deti I ka larguar nga bregu,” shton Mati Zefi.

Të njëjtën gjë tha për BIRN edhe Isuf Shehu, i cili drejton shoqatën “Ishmi”. Sipas tij, edhe lumi Ishëm në veri, edhe përroi i Tarinit kanë ndikuar në ndryshimet negative të vijës bregdetare.

“Vetëm njësia jonë administrative, komuna siç vazhdojmë ta quajmë, ka 26 kilometra bregdet,” u shpreh Isufi, duke shtuar se në historikun e zonës që po përgatisin një vend i veçantë do ti kushtohet edhe rëndësisë që ka patur ky bregdet që nga mesjeta.

Plazhet private në gjiun e Lalzit kanë sipërfaqe shfrytëzimi të njëjte me atë që kanë në dispozicion familjarët, që mbërrijnë me mjetet dhe çadrat personale në bregdetin e Fshatit Rinia apo të Fllakës. Nga Hamallaj deri në Bishtin e Pallës, durrsakët dhe tiranasit vazhdojnë ti gëzohen qetësisë së plazhit dhe pastërtisë së ujrave detarë.

“Rrugët për të kaluar me makinë nga plazhi në plazh, shpesh herë nuk  ekzistojnë, dhe ne përdorim tabanin e rërës së ngjeshur,” tregoi Betim Lani, i cili megjithë rrugën e dëmtuar, vjen çdo të dielë me familjen në Rrushkull.

“Ne nuk i dijmë planet e qeverisë për zonën, por unë jam i bindur se sapo të fillojë zbatimi i tyre do të ndërtohet edhe rruga,” ndërhyn Mati Zefi.

Gjiu Durrës – Kavajë, qindra ndërtime e qindra mijëra turistë

Vija bregdetare e Durrësit që nga fillimi I këtij shekulli e ka instaluar terminalin detar të transportit të karburanteve në Porto Romano, ndërsa vazhdojnë intensivisht punimet për ndërtimin e portit të ri tregtar, që po zhvendoset dora dorës nga qendra e qytetit, ku kryen veprimtarinë e tij prej dhjetra vitesh.

Gjiri i Durrësit, gjysma e të cilit administrohet nga bashkia e qytetit bregdetar është plotësisht i zënë me godina gjithfarësh. Plazhi tradicional ka humbur pjesën më të madhe të fundit të rërës, që është zëvendësuar nga disa radhë pallatesh, deri në rrugën Durrës – Kavajë.

Hotelet rifillojnë vetëm pas qetësisë së plazheve rreth 3-4 km, të ish-Bllokut të Udhëheqësve, resortit “Tropikal”, shtëpive të Pushimit të ministrive të Brendëshme dhe asaj të Mbrojtjes, situata e të cilave thuajse nuk ka ndryshuar krahasuar me shekullin e kaluar.

Pylli i dendur vazhdon ta ndajë nga rruga nacionale këtë territor, që ka ende pamjen e një oazi të gjelbërt. Vija prej 62 kilometra e bashkisë së Durrësit përfundon te Përroi i Agait, aty ku bregdeti i takon zyrtarisht Kavajës.

“Këtu ngrihen hotelet me 400-800 shtretër secili, të cilët vitin e kaluar mundësuan një numër të përgjithshëm prej 1 milion turistësh në Durrës,” tha për BIRN, eksperti i turizmit Edmond Basho.

“Mali i Robit me numrin më të madh të hoteleve mbetet i pakonkurrueshëm,” përfundoi ai./BIRN

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?