1. Në krye të herës duhet theksuar atë që duket haptas: qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut, e dominuar nga partia VMRO, e ka ashpërsuar klimën politike në këtë vend. Ka disa vite që tensionet ndëretnike nuk kanë qenë kaq të larta. Është bërë normale diçka që nuk është normale, pra fushata kundër shqiptarëve, sidomos në rrjetet sociale. Thirrjet për “vrasje të shqiptarëve” janë shpeshtuar. Qeveria hesht ndaj kësaj gjuhe. Heshtin edhe institucionet e tjera. Heshtin intelektualët. Heshtin, me ndonjë përjashtim, edhe aktivistët maqedonas të shoqërisë civile.
2. Në Europën e sotme është krejtësisht e paimagjinueshme që studentët të studiojnë katër vjet në gjuhën e tyre - dhe në fund, për provimin final (të jurisprudencës), t’u thuhet, për shembull nga ministri i drejtësisë, se tani këtë provim duhet ta japin në një gjuhë tjetër. Në këtë rast, në gjuhën maqedonase.
Ka dy vjet që studentët shqiptarë po luftojnë kundër kësaj padrejtësie, pa përkrahjen e duhur politike. Qeveria aktuale maqedonase po përpiqet ta zhvlerësojë atë që është arritur në çerekshekullin e fundit sa i përket avancimit të gjuhës shqipe. Pas protestës së djeshme, njëri nga krerët e grupacionit politik VLEN, Izet Mexhiti, e tha publikisht se provimi i jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe. Ky është një premtim i madh dhe opinioni duhet ta mbajë përgjegjës në të ardhmen. Një politikan duhet të matet vetëm me nivelin e realizimit të premtimeve të tij. Ka disa kundërthënie në qëndrimet e këtij politikani shqiptar. Në të kaluarën e ka përshëndetur ligjin për gjuhët në Maqedoni. Tani thotë se ligji nuk i ka zgjidhur problemet, por prapë e përshëndet. Thelbësore është që opinioni së shpejti ta ketë të qartë: a do të përmirësohet apo përkeqësohet ky ligj? Cila është zgjidhja që propozon qeveria aktuale e Shkupit?
3. Realiteti në Maqedoni është edhe ky: shqipja po hiqet nga tabelat e rrugëve nacionale. Ka përpjekje për ta hequr shqipen edhe nga vulat, ndonëse ligji për gjuhët, i cili ka hyrë në fuqi më 2019, e ka lejuar përdorimin e shqipes si gjuhë zyrtare në parlament, në qeveri, në gjykata, në ndërmarrje publike dhe në të gjitha komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë.
Formulimi “20 për qind” u bë për të shmangur përmendjen e gjuhës shqipe - thua ti se gjuhës shqipe i paskësh rënë zhuga dhe nuk qenkësh njëra nga gjuhët më të lashta europiane. Pse u pengon nacionalistëve maqedonas aq shumë gjuha shqipe? Mund të bëhen edhe pyetje të tjera: pse politikanët shqiptarë e kanë pranuar këtë formulim? Pse çështja e provimit të jurisprudencës nuk është zgjidhur deri më tani? Qeveria e tanishme dhe partnerët e saj shqiptarë mund dhe duhet të kritikohen për këtë neglizhencë, por, për të qenë korrekt, duhet nënvizuar se problemin me provimin e jurisprudencës nuk e ka zgjidhur as BDI-ja sa ishte në pushtet - dhe nuk ishte disa muaj apo disa vjet, por mbi dy dekada.
4. Nëse qëllimi final i kësaj qeverie maqedonase është minimi i Marrëveshjes së Ohrit, atëherë ky vend mund të rrëshqasë drejt krizave më të thella. Në javët në vijim pritet që Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë të marrë vendim lidhur me disa pjesë të ligjit për gjuhët. Tashmë ky pushtet ka hequr mekanizmin që siguronte kuota punësimi për shqiptarët në institucionet shtetërore. Pra, kryeministri maqedonas dhe partia e tij VMRO duket se nuk janë të vetëdijshëm sa janë vetëm shqiptarët që nuk e mohojnë identitetin maqedonas. Një bullgar mund të ketë problem me gjuhën maqedonase, duke e quajtur dialekt bullgar. Ka serbë që Maqedoninë e shohin vetëm si zgjatim të Serbisë, një provincë serbe deri në Ohër. Nuk ka politikan serioz shqiptar që mohon identitetin nacional të maqedonasve. (Tipat folklorikë ndër shqiptarë, të veshur me kostume patriotike, që hiqen si skifterë studiosh televizive, nuk kanë ndikim të përfillshëm në opinionin shqiptar, fatmirësisht).
5. E keqja e kësaj situate në Maqedoninë e Veriut është se moti gjeopolitik ka ndryshuar dhe as Bashkimi Europian, as SHBA-të nuk shqetësohen shumë. Nuk ka protesta të qarqeve diplomatike kundër veprimeve të qeverisë maqedonase. Nuk ka qortime. Nuk ka apele që t’i jepet fund kësaj fushate. Mund të ketë ndonjë diplomat perëndimor në Shkup që privatisht thotë se “studentët shqiptarë kanë të drejtë”, por publikisht dhe zëshëm ende nuk e ka bërë askush këtë. Studentët shqiptarë bëjnë mirë që protestojnë, por ata duket se nuk janë sa duhet të organizuar në një fushë ku fitohet beteja: në shpalosjen e problemit në mediat ndërkombëtare. Qindra-mijëra shqiptarë nga Maqedonia që jetojnë në diasporë, përkundër potencialit të madh ekonomik dhe intelektual, janë të paorganizuar ose kanë prioritete të tjera.
Qeveria në Shkup ndoshta mund ta ndryshojë kursin e gabuar vetëm me një reagim unik të shqiptarëve dhe me përkrahjen e Prishtinës dhe Tiranës. Por edhe në Maqedoni terreni është i ndarë: bajraktarët e Tiranës janë rreshtuar me një grup politik, bajraktarët e Prishtinës me grupin tjetër. Reagimi unik nuk duhet të nënkuptojë parulla folklorike. Shqiptarët janë dhe duhet të sillen si bashkëpronarë të shtetit maqedonas. Janë taksapagues. Maqedonia është anëtarësuar në NATO sidomos me përkrahjen e shqiptarëve. Edhe këto pak përparime që i ka bërë drejt BE-së janë meritë edhe e shqiptarëve.
6. Në gjithë debatin e ngarkuar me emocione dhe nganjëherë edhe me retorikë apokaliptike, po harrohen problemet evidente. Vendbanimet shqiptare në Maqedoni po boshatisen. Nataliteti, si gjithkund në Ballkan, po bie, e njëkohësisht vendet nuk janë sa duhet atraktive për t’i mbajtur të rinjtë në vend. Keqqeverisja shumëvjeçare, korrupsioni dhe kriminaliteti po i prekin në palcë shoqëritë.
Në një artikull të botuar vitin që shkoi në “Balkan Studies Foundation”, profesoresha e Universitetit të Europës Juglindore në Tetovë, Merita Zulfiu Alili, shkruante: “Emigrimi nga Maqedonia e Veriut nuk është një fenomen i ri, por përmasat e tij tani janë alarmante. Rreth 38 për qind e popullsisë ka emigruar globalisht, ku 18 për qind është drejtuar drejt vendeve të OECD-së (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik). Ky trend është më i theksuar tek të rinjtë dhe të arsimuarit: mbi 55 për qind e studentëve dhe 38 për qind e stafit universitar shprehin synimin për t’u larguar. Një studim nga Fondacioni ‘Friedrich Ebert’ gjeti se 42.67 për qind e të rinjve në Maqedoninë e Veriut duan të shpërngulen jashtë vendit. Që nga viti 2012, popullsia në moshë pune është tkurrur për 6 për qind, me parashikime për një rënie prej 15 për qind deri në vitin 2050. Kjo ‘ikje e trurit’ është veçanërisht akute në sektorë si shëndetësia, teknologjia e informacionit dhe arsimi, ku humbja e talentit po gërryen kapacitetin e vendit për inovacion dhe ofrimin e shërbimeve publike”.
Sa u përket shkaqeve, profesoresha Merita Zulfiu Alili thekson: “Migrimi i punëtorëve nga Maqedonia e Veriut nxitet kryesisht nga kufizimet ekonomike. Hulumtimet tregojnë qartë se pagat e ulëta, mungesa e sigurisë dhe kushtet e këqija të punës i detyrojnë njerëzit të largohen nga shteti në vend që të hyjnë në tregun lokal të punës. Që nga fillimi i vitit 2025, paga mesatare mujore neto është 43’050 denarë (afërsisht 700 euro), ndërsa paga minimale u ngrit së fundmi, në mars të vitit 2025, në rreth 400 euro (24’379 denarë). Këto shifra mbeten dukshëm më të ulëta se mesataret europiane, ku pagat për orë pune në Maqedoninë e Veriut janë afërsisht tetë herë më të ulëta se mesatarja europiane”. Me këtë trend, ekziston rreziku që në Maqedoni të mbesin vetëm politikanët dhe klientela e tyre.
7. Ngjashëm dramatike është situata edhe në Shqipëri e Kosovë. Pas viteve të përparimit drejt BE-së, qeveria në Tiranë ka zgjedhur të dalë nga vija hekurudhore drejt Brukselit në binarë të ndryshkur ballkanikë. Disa procese gjyqësore, në dukje spektakulare, kundër korrupsionit nuk e ndryshojnë faktin se sistemi është gërryer dhe ka filluar të kalbet nga aferat korruptive. Nuk ka rezistencë të duhur shoqërore ndaj kësaj stërkeqjeje, por as shumë zëra kritikë brenda partisë në pushtet.
Kosova ka një vit e gjysmë që ka mbetur e ngërthyer në një paralizë politike si pasojë e polarizimit ekstrem mes partive politike, ambicieve të shfrenuara për pushtet dhe dashakeqësisë patologjike që po shtrihet edhe në shoqëri. Pa një qeveri stabile, Kosova rrezikon të humbë 800 milionë euro ndihma nga BE-ja. Përballë kësaj situate, valëvitja e flamujve dhe recitimi i poezive patriotike nuk do të zgjidhin asnjë problem.
Komente










