Enver Robelli: Para syve të botës në shërbim të Putinit

Enver Robelli: Para syve të botës në shërbim të Putinit

Dokumente të reja tregojnë se si qeveria e Angela Merkelit nuk dëgjoi asnjë vërejtje, protestë dhe pakënaqësi të partnerëve perëndimorë kundër varësisë së Gjermanisë nga gazi rus. Përkundrazi, kancelarja dhe ministrat e saj lobuan pandërprerë për projektin - ndonëse publikisht thoshin se “Nord Stream 2” është “projekt ekonomik privat”

“Kill it somehow” - me këto fjalë presidenti amerikan Donald Trump kishte tentuar të stoponte projektin “Nord Stream 2”. Përmes këtij gazsjellësi Gjermania do të merrte edhe më shumë gaz nga Rusia. Dhe kësisoj do të bëhej edhe më e varur nga huqet e Vladimir Putinit. Në përkthim të lirë “Kill it somehow” i bie: këtë projekt duhet ta vrasim apo pamundësojmë disi.

Edhe ata që s’janë pajtuar me 99 për qind të qëndrimeve të Trumpit, në çështjen e “Nord Stream 2”, presidenti amerikan kishte plotësisht të drejtë. Ky projekt ilustron se si elita politike gjermane, konservatorë e socialdemokratë pa dallim, pra koalicioni i madh në Berlin, i drejtuar nga Angela Merkel, injoroi çdo pakënaqësi të vendeve të tjera perëndimore. Ishte qeveria e Trumpit që vuri edhe sanksione kundër operatorëve të projektit.

Lobistët në Gjermani dhe partnerët e tyre në Rusi thoshin se qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është të bllokojë gazsjellësin rus për t’iu shitur gjermanëve dhe europianëve të tjerë gaz amerikan. Kjo mund të jetë më së shumti çereku i së vërtetës. Ajo çfarë e shqetësonte SHBA-në, Poloninë, vendet baltike, Ukrainën ishte rreziku që Gjermania një ditë të jetë e kushtëzuar nga Rusia, e cila mund të përdorte gazin si mjet shantazhi.

Së fundi, pas presionit të gazetave “Süddeutsche Zeitung” dhe “Bild”, Ministria e Ekonomisë në Berlin është detyruar të bëjë publike disa dokumente, të cilat tregojnë përmasat e “gabimit historik”. Kështu e quan “Süddeutsche Zeitung” projektin “Nord Stream 2”. Qeveria e kancelares Angela Merkel kishte theksuar vazhdimisht se “Nord Stream” 2 është “projekt ekonomik privat”. Dokumentet e hulumtuara nga mediat gjermane dëshmojnë të kundërtën. Menaxherët e gazsjellësit dhe zyrtarët gjermanë takoheshin rregullisht për “shkëmbim mendimesh”. Kur kryeministrja polake Beata Szydlo iu ankua Angela Merkelit për “Nord Stream 2”, kancelarja u përgjigj me arrogancë të ftohtë: “Ne nuk e përjetojmë molekulën ‘ruse’ të metanit si kërcënim“.

Edhe pas aneksimit të Krimesë ukrainase, Gjermania vazhdoi me këmbëngulje të çojë përpara projektin e gazsjellësit rus. Ish-kancelari Helmut Schmidt, një intelektual me ndikim jashtëzakonisht të madh në opinionin gjerman, shprehu atëbotë mirëkuptim për kursin e Putinit në Krime, madje mes rreshtave shtroi pyetjen nëse ekziston kombi ukrainas. Sanksionet e Perëndimit kundër Moskës ai i quajti “budallallëk” dhe fajin për krizën në Ukrainë ia ngarkoi Perëndimit. Pak a shumë këtë strategji e ndoqi një pjesë e madhe e elitës politike dhe biznesore gjermane.

Në vend se të merrte seriozisht vërejtjet perëndimore, qeveria e Angela Merkelit ndërmori shumë veprime për të mbrojtur “Nord Stream 2”. Ky gazsjellës anashkalonte Ukrainën përmes së cilës vinte një pjesë e madhe e gazit rus në Evropë. Nëse Rusia do të kishte alternativë për transportimin e gazit drejt Evropës (dhe “Nord Stream 2” ishte një alternativë e tillë), atëherë Ukraina do të humbte rëndësinë e saj gjeostrategjike dhe do të bëhej edhe më e lëndueshme nga hegjemonizmi rus. Këtë shqetësim Gjermania e injoroi gjatë. Tek pas presionit të Bashkimit Evropian dhe sidomos të europianëve lindorë, Berlini premtoi se do të angazhohej që gazi rus të rrjedhë më tutje edhe përmes Ukrainës. Theksi bie te fjala “premtoi”. Në prapavijë “Nord Stream 2” vazhdonte të ndërtohej.

Ndërkohë presioni amerikan shtohej. Kur lobistët e “Nord Stream 2” shkuan në SHBA në maj të vitit 2016, ambasadori gjerman në Washington, Peter Wittig, e mbrojti projektin para ekspertëve amerikanë të energjetikës, të cilët ishin kritikë. Wittig kundërshtoi argumentin se “Nord Stream 2” është projekt politik gjermano-rus. Pala amerikane e bëri të qartë se gazsjellësi nuk duhet të ndërtohet për aq kohë sa në Ukrainë janë trupat ruse. Dhe theksoi se refuzimi i “Nord Stream 2” është “çështje e solidaritetit evropian me Evropën Lindore”.

Asgjë nuk bëri punë. Ministria e Ekonomisë në Berlin kultivonte marrëdhënie të ngushta me Matthias Waring, drejtor i “Nord Stream 2”. Në jetën e tij të dikurshme Waring ka qenë agjent i Stasit, shërbimit sekret të Gjermanisë lindore komuniste. Edhe më e rëndësishme: Waring është mik i ngushtë i Vladimir Putinit, i cili në vitet 1980 ka shërbyer si agjent i KGB-së në Gjermaninë Lindore.

Në prill 2014, Waring organizoi në metropolin rus Shën Petërburg një festë për ditëlindjen e ish-kancelarit Gerhard Schröder. Mysafir nderi ishte vetë Putini. Kjo ndodhi pak javë pasi sundimtari rus pushtoi Krimenë. Në mesin e zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë në Berlin dihej se raporti mes Waring dhe Putinit, dy agjentëve të dikurshëm, ishte i ngushtë. Kur më 2016 ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, po përgatitej për një vizitë në Moskë, zyrtarët gjermanë i propozuan atij: “Ju mund t’i luteni zotit Waring, që temat për të cilat do të bisedoni t’ia dërgojë presidentit Putin përkatësisht ta lutni për sugjerime të tjera”.

Në takime me krerët e shteteve kritike nga Evropa, kancelarja Merkel përpiqej të shmangte temën e “Nord Stream 2”, fliste për të vetëm kur bashkëbiseduesit e pyesnin eksplicit. Qëndrimet e saj ishin reaktive e të shkurtra, gjithnjë bllokuese dhe me pretendimin se qeveria e saj nuk është e përzier në projekt - sepse ky është “projekt privat”.

Sipas “Süddeutsche Zeitung”, në dokumentet e deklasifikuara gjermane bie në sy se çfarë nuk përmendet fare ose vetëm tërthorazi. Fjala Krime pothuaj nuk shfaqet aty, po ashtu as rrëzimi i avionit MH-17 i Malaysia Airline nga një raketë ruse (298 viktima civile), sulmet ushtarake ruse në Siri apo atentati me gaz nervor në Britaninë e Madhe kundër një agjenti rus që ishte vënë në shërbim të britanikëve. Në dokumente janë të nxirë paragrafë të tërë, njofton “Süddeutsche Zeitung”.

Në qershor 2021 parlamenti polak paralajmëron se Rusia po tubon trupa në kufi me Ukrainën. Pala gjermane e injoron këtë njoftim. Në fillim të shtatorit 2021 saldohet pjesa e fundit e gazsjellësit. “Nord Stream” u ndërtua. Por sa më shumë që acarohej gjendja në Ukrainë, Rusia ulte furnizimin me gaz të Gjermanisë. Ky ishte një sinjal që Moska do ta përdorte gazin për të bërë politikë, më saktë për të shantazhuar në lojën e madhe gjeopolitike me Perëndimin.

Në nëntor 2021, dy emisarë gjermanë shkuan në Washington për t’u ballafaquar me kritikat amerikane. Ata vazhduan ta mbrojnë projektin, ndonëse indikacionet tashmë ishin të shumta se Rusia po përgatitej për një sulm të ri, të gjerë kundër Ukrainës. Më 24 shkurt 2022, trupat ruse kaluan kufirin ukrainas dhe u nisën drejt Kievit.

Më 26 shtator 2022, disa shpërthime të mëdha në Detin Baltik e dëmtuan dhe pëlcitën gazsjellësin “Nord Stream 2”. Hetuesit e Prokurorisë Federale gjermane tashmë 20 muaj janë duke i kërkuar autorët e këtij akti.

Nga qarqet e hetuesve thuhet se qe një gjurmë shpie në Ukrainë. Rusia ka prezantuar emrat e disa ukrainasve të involvuar në këtë rast. Ekspertët gjermanë supozojnë se kjo mund të jetë propagandë ruse. Autoritetet gjermane po ngurrojnë t’i kërkojnë Ukrainës ndihmë juridike nga frika se Kievi mund të fshijë gjurmët, nëse vërtet shërbimet ukrainase qëndrojnë pas sulmit kundër “Nord Stream 2”. Ky gazsjellës me gjasë nuk do të vihet kurrë në funksion.

Nga ky projekt ka mbetur një rrënojë, e cila u ka shkaktuar dëm të madh marrëdhënieve mes shteteve perëndimore. Ka mbetur edhe citati i kancelarit gjerman Otto von Bismarck (1815-1898): “Kurrë mos i këput lidhjet me Shën Petërburgun”. Një këshillë që përkundër shumë luftërave mes gjermanëve dhe rusëve ka mbetur një konstantë në politikat e një pjese me ndikim të elitës politike gjermane. Gerhard Schröderi e kishte edhe një hall tjetër me gjasë: nuk i mjaftonte pensioni prej gati 100 mijë eurosh në vit dhe Putini u kujdes t’ia siguronte një honorar të majmë duke e shpërblyer me poste në firmat ruse të gazit. Në vende të tjera për skandale më të vogla janë themeluar komisione hetimore parlamentare. Në Gjermani një gatishmëri e tillë nuk ekziston. Elita hesht./Koha

 

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari