Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland i kërkoi sot Armenisë dhe Turqisë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, me rastin e përkujtimit të 100-vjetorit të gjenocidit armen.
"Nëse ka një shans për t'iu rithyer protokolleve të 2009-ës që parashikonin vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Armenisë dhe Turqisë, unë u kërkoj palëve ta kapin këtë shans", deklaroi Jagland gjatë një forumi ndërkombëtar kundër gjenocidit, që u hap sot në Erevan.
"Këshilli i Evropës do ta mbështesë këtë dialog me të gjitha mënyrat e mundshme", theksoi ai.
"Masakrat kundër armenëve nga turqit otomanë në vitet 1915-17 kanë qenë humbje jo vetëm për Armeninë, por për të gjithë botën... Ne duhet të pengojmë që një gjë e tillë të përsëritet", shtoi Jagland.
Në këtë forum marrin pjesë 600 historianë, politikanë dhe klerikë të lartë.
Armenia pretendon se 1,5 milionë persona janë vrarë në mënyrë sistematike mes viteve 1915 dhe 1917, gjatë viteve të fundit të Perandorisë Osmane dhe rreth 20 vende, përfshirë Francën dhe Rusinë, e konsiderojnë këtë një gjenocid./ atsh/